Bashkim Alibali

Diskutime tek 'Muzika' filluar nga Artin, 3 Jun 2017.

  1. Artin

    Artin Papirus rex

    Kjo temë është për këngë dhe informacione të ndryshme rreth këtij këngëtari.


    Intervistë me Bashkim Alibalin

    Bashkim Alibali është një nga këngëtarët më në zë shqiptarë. Lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër, ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve në jetë. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Eshtë ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa i hequr një brisk faqeve. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, huazimet dhe rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.
    Deformimet e këngës shqiptare për të janë shembull i keq që denigrojnë shtratin më të ngrohtë dhe më të sinqertë të kulturës së mirëfilltë shqiptare. I qeshur, i qetë, jetën e përkufizin si një udhëtim, ku njeriu duhet të punojë për të gjetur vetveten, duke respektuar vlerat dhe shmangur të kundërtat.
    _________________


    Jeta e Bashkim Alibalit është lidhur mes Tiranës dhe Shkodës. Përse?

    Kam lindur në Tiranë, në maternitetin e Tiranës, në fund të rrugës “Zogu i Parë”, (qesh), por në moshën tre vjeç kemi shkuar familjarisht në Shkodër. Në qytetin interesant (Shkodër), banoja në rrugën e Murgeshave (emër i vjetër). Në këtë rrugë kam shumë kujtime, kam rininë time, kam lidhjet e mia miqësore, në këtë rrugë kam filluar të këndoj me shokun tim të vegjëlisë Tonin Tërshana, si hobi për qejf. Këndonim serenata nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike. Jo se Shkodra nuk kishte dhe nuk ka vajza të bukura, por atëherë ne e shihnim si argëtim shkuarjen pranë këtyre konvikteve duke kënduar për natë. Dhe një natë si shpërblim mora një kovë me ujë. Ishte një dush i ftohtë që më bëri mirë. Edhe qesha, por edhe korrigjova shënjestrën. Ndoshta vajzat kishin të drejtë të mos i shqetësoja.


    Ju thoni se keni kënduar serenata për hobi, por kush ju zbuloi si këngëtar dhe ju çoi drejt rrugës së skenës?

    Dua të theksoj një emër, i cili më zbuloi si talent dhe më çoi drejt kësaj rruge të bukur. Nuk e besoja se do shkoja drejt kësaj rruge. Një natë, duke kënduar jashtë shtëpisë një serenatë, më dëgjon një komshiu im. Ai më afrohet dhe më thotë se ti ke zë të bukur dhe duhet të këndosh në skenë. Nuk duhet humbur ky zë vetëm rrugëve dhe netëve për serenata. Ai më çon tek Pallati i Kulturës së qytetit të Shkodrës për të bërë provë. Nuk e mora me shumë kënaqësi. Isha me mëdyshje. Drejtuesit e Pallatit të Kulturës më thanë:"Çfarë di të këndosh?" Unë atëherë nuk dija asnjë këngë të saktë shqiptare. Këndoja vetëm këngë italiane. Kështu u thashë edhe drejtuesve të Pallatit të Kulturës, që di të këndoj vetëm këngë italiane. "Këndo ç’të duash"- më thanë ata. E pëlqyen zërin tim. Më aprovuan të marr pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës.


    Dhe kush ishte ky njeri që ju zbuloi?

    Këtu do të ndalesha. Ishte një njeri i talentuar, një njeri i mirë, një njeri që thuajse ka zbuluar 80% të të gjithë këngëtarëve dhe artistëve shkodranë. Ai quhej Nard Bushati (Leonard Bushati). Ai ishte përgjegjës tek Shtëpia e Kulturës “Heronjtë e Vigut”. Ai kishte një veçori, që nuk e kanë sot njerëzit. I zbulonte talentet dhe i detyronte të hypnin në skenë, i detyronte të shkonin të këndonin. Ne shumë këngëtarë dhe artisë shkodranë i detyrohemi këtij njeriu shumë. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi, por gjithmonë njerëz të tillë rrinë në heshtje. Ata nuk dalin të kërkojnë lavde dhe detyrimisht njerëz të tillë të punës humbasin, kalojnë në një harresë që se meritojnë. Kështu ishte dhe Nard Bushati, njeri i heshtur me punë shumë të madhe.


    Pra ju në moshën 17-vjeçare morët pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës?

    Po. Ishte dalja ime e parë në skenë me një publik të gjerë. Ishte një moment emocionues. Këndova një këngë për elektrifikimin.


    Si ka qenë lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës?

    Shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Pallati i Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Unë kam punuar në fabrikën e telave të Shkodrës. Në këto aktivitete kam njohur Eduart Jubanin, Violeta Zefin, Xhorxh Vasian e shumë të tjerë. Fabrika e cigareve ka pasur Gëzim Krujën. Kanë qenë dhe grupet amatore të NSHN-së, uzinës “Drini”. Të gjitha këto ndërmarrje kanë pasur aktivitete të tilla prestigjioze që konkurronin dhe trupat profesioniste.


    Kur filloi Alibali të aktivizohet me trupën e qytetit të Shkodrës?

    Ishte viti 1969. Në këtë kohë u aktivizova dhe më trupën e estradës profesioniste të qytetit. Futja ime në këtë trupë përkon me ardhjen në Tiranë me një aktivitet. Kënga e parë që kam kënduar në Tiranë në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”.


    Le të flasim për festivalet në RTSH. Kur është ngjitur në skenën e këtij Festivali Bashkim Alibali?

    Jam ngjitur në festivalin e dhjetë me këngën “Stacioni i dashur”. Po ç’ndodhi? Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëja disa lëvizje. Jo se i bëja me qëllim, por instiktivisht, pasi ndjeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër. Ishte Alfons Balliçi pastaj që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një Festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale.


    Cilat qenë emocionet e Festivalit të 10-të në RTSH?

    Atëherë e kujtoj si sot se kam ndjerë dy palë emocionesh. Emocioni më i vështirë, kur më hoqën këngën nga konkurrimi. M’u duk vetja si në një shkretëtirë. Sikur nuk do të ngjitesha më në skenën e festivaleve të RTSH-së. Pasi nuk kishte arsye. Unë përçoja në skenë (paraprovat) ato lëvizje që bëja kur këndoja serenatat poshtë konviktit të vajzave.

    Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik! Po realizohej ëndrra ime më e madhe, ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Në fillim më dridheshin gjunjët. Më dukej sikur nuk do të më dilte zëri. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë.


    Mund të na tregosh diçka për Festivalin i 11-të?

    Mora pjesë me një këngë interesante për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, ku natën e parë të pranishmit më kthyen dy–tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase, por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Megjithatë, dola i kënaqur nga festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye, por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste, për shfaqje të huaja.

    U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi, dhe për mua në Shkodër, në ndërmarrje, u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. ën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.


    Kur ju kthyet sërishmi skenës së Festivalit?

    Në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.


    Kur keni marrë çmimin e parë në festivale?

    Në Festivalin e 20-të kam marrë çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Unë isha këngëtar i parë sepse këndohej në dy variante. Varianti i dytë ishte një duet. Por në finale e këndoi dueti pasi unë isha me “cen në biografi” (qesh).


    Eksperiencë tjetër përveç Festivaleve në RTSH?

    Do të veçoja “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, ku mora çmim të parë. Këtë çmim ja dedikoj të madhit Ferdinand Deda. ( “Në duart e nënës”, kompozim i Gjergj Lekës) Takova rastësisht Gjergj Lekën në Tiranë dhe ai më tha për këngën. E mora menjëherë dhe ja bëra prezent Ferdinadit. Atij i pëlqeu shumë, por numri i këngëve ishte mbyllur. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Pra kjo këngë u fut jashtë konkurrimit paraprak vetëm 3 ditë para se të fillonte koncerti. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti. Ky ishte koncerti i parë “Kur vjen Pranvera”, dhe ku një këngë u fut jashtë konkurrimit të përzgjedhjes paraprake.


    Pra ju e veçoni këngën “Në duart e nënës”?

    Jo unë, por të gjithë. Kudo që shkoj ajo është bërë si këngë shtëpie. Nëna është në çdo hap të jetës sonë.


    Çmimi i këngës “Në duart e nënës”?

    Thuajse kaloi në heshtje. Isha në Shkodër. Në shpirt kisha festë, pasi këtë çmim e prita si pret burri që gruaja t’i lind djalë. Doja të bëja një mbrëmje me këngë me pije me shokët. Por gëzimi im kaloi në heshtje, pasi ato ditë kishte vdekur Enver Hoxha. Por kjo këngë u bë këngë popullore dhe tregoi se edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë popullore. Pra kënga që përqafon populli bëhet ose quhet këngë popullore.


    Sa çmime të tjera ka marrë Bashkimi nëpër festivale dhe koncerte?

    Katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta.


    Bashkëpunimet kryesore me kë kompozitor dhe autor tekstesh i ke pasur?

    Me tekste kam bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhi, Arben Dukën, Betim Muçon, ndërsa kompozitorë me Gjergj Lekën, Jetmir Barbullushin, Flamur Shehun, Vladimir Kotanin etj.


    Dita më e keqe skenike?

    Kur në vitin 1971 më hoqën nga transmetimi këngën “Letër në kufi”. Ishte një këngë që po regjistrohej për Koncertin e Vitit të Ri. Një këngë që në daljen e parë në skenë u bë shumë e njohur dhe e këndonin dhe fëmijët. Ditën e fundit të regjistrimit atë e fshinë fare nga regjistrimi dhe kënga nuk u përfshi në koncert. Ishte një këngë që e kisha shumë për zemër. E kritikuan sërishmi për tendenca moderniste, si muzikë e ndërthurur me elementë të muzikës sllave dhe greke. Kjo këngë u këndua më vonë, ku populli i dha notën dhe vendin që i takonte. Kjo këngë pati po aq jehonë sa “Në duart e nënës”, “S’ma njohe zemrën”. “Lule delet”, “E imja Shota”. Për mua këngë popullore nuk është vetëm ajo që këndohet me klarinetë, por ajo këngë që këndohet nga gjithë populli.


    Në shumë vlerësime të jurive këngëtarët kanë qenë të pakënaqur. Keni ndonjë mendimin tuaj mbi vlerësimet?

    Ka shumë arsye. Por duhet të theksoj se juria ka mendimin e vet, por kundërshtitë vijnë kur ti je në skenë, këndon, merr duartrokitje të zjarrta më shumë se kushdo dhe nuk merr asnjë çmim. Këtu lindin dyshimet dhe kontradiktat.


    Bashkimi, këngëtar i muzikë së lehtë, por edhe këngëtar popullor. Ku e gjen sot më mirë veten, tek cila gjini kënge?

    Unë e kam shumë për zemër muzikën e lehtë. Ajo më jep forcë, por duke parë se në ambiente familjare këndohet më shumë kënga popullore, jam dhënë edhe pas kësaj kënge. Për këtë kam ndjekur shembullin e këngëtarit të shquar të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja. Ai ngelet për mua një këngëtar i pazëvendësueshëm në qytetin karakteristik këngëdashës. Edhe tek kjo gjini kënge unë i jam përmbajtur këngës tipike shkodrane. Atje shoh fëmijërinë time, jetën time. Në repertorin e këngës shkodrane numërohen rreth 250 këngë si “Lule borë”, “Ti më je si një gonxhe”, që kam kënduar unë, ndërsa këngë popullore Shkodra ka me qindra këngë të tjera. Por sot edhe kjo këngë është deformuar.


    Në sa vende të botës ka dhënë koncerte Bashkimi?

    Në Angli, Greqi, Kanada, Austri, Gjermani, Itali, në shumicën e vendeve ku ka emigrantë shqiptarë. Vendi që më ka lënë më shumë përshtypje për nga pritja dhe brohoritjet ka qenë Greqia. Ndoshta ngaqë në këtë vend ndjehet më shumë racizmi dhe ksenofobia. Në këto koncerte këngët janë kënduar së bashku me mua dhe shpeshherë të gjithë janë çuar në këmbë. Në ambiente të tilla gjithmonë kam ndjerë diçka të veçantë. Në këto koncerte kam kënduar edhe këngë popullore edhe këngë të muzikës së lehtë. Kam shkuar me një repertor të zgjedhur si kënga “Në duart e nënës”, e cila ka qenë më e kërkuara.


    Edhe ju vetë gjatë intervistës e theksuat se sot ka një deformim të këngës së mirëfilltë popullore dhe asaj të lehtë. Ka huazime që nuk lidhen me këngën e mirëfilltë shqiptare?

    Nuk e di se nga kush nxitet kjo lloj fryme. Këngëtarët në radhë të parë duhet të kenë të qartë që duhet të këndojnë këngë të atdheut të tyre. Të tabanit. Shoh që po punohet që të mos kemi një indentitet kombëtar në artin tonë. Shumë herë këngët tona kanë marrë pjesë nga muzika dhe këngët greke, sllave, turke që të bën ta shohësh këngën shqipe si një rrobë me arrna që s’ke ku ta kapësh.


    Mendoni se dhe shteti ka pjesën e vet të fajit në këtë huazim dhe deformim?

    Sigurisht. Shteti duhet të luaj rolin e vet, të ruajë të drejtën e autorit, me anë të specialistëve të mos lejojë daljen në treg të CD-ve që nuk janë krijim i mirëfilltë shqiptar. Shteti nuk duhet të lejojë t’i bëhet reklamë kësaj lloj kënge. Shteti duhet të investojë me festivale të veçanta me specialistë për të ruajtur dhe kultivuar këngën e mirëfilltë. Duhet të veprojë si në Itali kur po depërtonte kënga amerikane. Atëherë shteti ndërhyri duke investuar seriozisht në festivale apo specialistë dhe këngëtarët më të mirë që kënga italiane është aty ku është sot.

    Ndoshta e ndoqe maratonën e Këngës Popullore në TV Klan. Ishte një nismë e bukur, por aty u kënduan dhe këngë greke apo u imituan këngëtarë grekë. Nuk do të ishte më mirë që këngëtari grek të këndonte një këngë shqiptare? Ne po tregohemi servilë, po tregohemi inferiorë. Një këngëtar i huaj pritet nga Presidenti apo kryeministri shqiptar, kur këngëtar të mëdhenj tanët janë pa punë, apo nuk kujtohet njeri t’i japë një vlerësim. Nuk kujtohet askush për ata këngëtarë që i kanë dhënë Shqipërisë emër. Nuk kujtohen as për Vaçe Zelën.


    Kush janë këngëtarët tuaj më të preferuar brenda dhe jashtë Shqipërisë?

    Vaçe Zela, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Fitnete Rexha, Naile Hoxha dhe shumë të tjerë. Për muzikën e lehtë Tonin Tërshana, shoku im i fëminisë.


    Shpërblimi më i madh që ke marrë si këngëtar?

    Duartrokitjet e shumta në koncerte dhe përshëndetjet e njerëzve në rrugë. Këto janë më shumë se çmimet.

    http://www.merbraha.com/index.php?news=1218
     
    Last edited: 3 Jun 2017
    Airbourne likes this.
  2. Artin

    Artin Papirus rex

    Bashkim Alibali, dashnori i këngës dhe i skenës

    [​IMG]

    Ramazan Çeka

    Bashkim Alibali është një këngëtar shumë i njohur në Shqipëri. Lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër. Ishte mjaft i vogël kur erdhi në Shkodër dhe ruan shumë kujtime në rininë e tij me lidhjet miqësore, kur ka filluar të këndojë me shokun tij të rinisë Tonin Tërshana, si hobi rinie. Këndonin serenata në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës nën qiellin e pastër pranveror dhe nën dritën e vakët të llampave elektrike që ndriçonin në shtyllat prej druri.

    Këtë shkrim po e filloj me një rrëfim të sinqertë e nostalgjik të Bashkimit: “Për herë të parë kam kënduar në shtëpinë e kulturës së qytetit të Shkodrës ku e pëlqyen zërin tim dhe më aprovuan të marr pjesë në festivalin e këngës së qytetit të Shkodrës. Zërin tim e zbuloj z. Nard Bushati i cili ishte drejtor i klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut”. Ai kishte një veçori karakteristike, ishte shumë impulsiv dhe talentet që zbulonte i detyronte të hipnin në skenë. Ne, shumë këngëtarë dhe artisë shkodranë i detyrohemi shumë këtij njeriu. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi dhe më vjen keq që njerëz të tillë shpesh rrinë në heshtje”.

    Jeta artistike e qytetit të Shkodrës ishte mjaft e pasur dhe e larmishme. Vetëm teatri “Migjeni” funksiononte si trupë profesioniste, por burimi që vazhdimisht e furnizonte me talente të rinj ishin trupat amatore të ndërmarrjeve dhe institucioneve të qytetit. Në këto ujëra të pastra të këtij burimi u zbuluan shumë talente të ardhshëm, ku spikat edhe këngëtari simpatik, alegro e gjithmonë rinor Bashkim Alibali që punonte në uzinën e telave në Shkodër. Shkëlqimin në një jetë artistike, asnjë artist nuk mund ta bëjë i vetëm pa bashkëpunimin e një stafi ku anëtarët plotësojnë njëri tjetrin. Në këtë kontekst Bashkimi pati fatin e madh të ketë përkrah edhe talente të tjerë shkodranë si: Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, por edhe të planit të estradës si: i ndjeri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Jolanda Shala, Gëzim Kruja, Zef Deda etj.

    Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në festivalin e këngës së qytetit të Shkodrës, ku ishte dalja e parë në skenë me një publik të gjerë. Lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës ka qenë shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm shtëpia e kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera.

    Një periudhë kohe Bashkim Alibali ishte Drejtor i pallatit të kulturës “Vasil Shanto” në Shkodër, ku për herë të parë u organizua koncerti recital i këngëtarit Bujar Qamili me drejtues muzike Nazmi Lishi dhe regjisor Serafin Fanko. Kështu aktivitetet vazhduan njëri pas tjetrit duke organizuar edhe disa turne me trupën amatore të këtij pallati në mbarë vendin. Vetëm në Tiranë kjo trupë ka dhënë mbi 70 shfaqje dhe mbi 30 shfaqje në qytetet e tjera.

    Gjatë kohës që Bashkimi ka qenë drejtor i këtij institucioni, u plotësua me të gjitha instrumentet muzikore, me foni e ndriçim, me një skenë të madhe e cila në atë kohë plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme, duke u bërë edhe skena e trupave amatore të ndërmarrjeve, institucioneve dhe trupave që vinin nga fshati. Niveli i organizimit të këtyre aktiviteteve jo vetëm gjallëronte jetën e qytetit, por shpesh konkurronte dhe trupën profesioniste të teatrit “Migjeni”.

    Ishte viti 1969 kur filloi Alibali të aktivizohet me trupën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Pjesëmarrja në këtë trupë përkon me shkuarjen në Tiranë me një aktivitet dhe kënga e parë që ka kënduar në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”.

    Jeta e Bashkim Alibalit është lidhur mes Tiranës dhe Shkodrës. Ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve të tij. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për sqimën dhe rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Është ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa e kontrolluar edhe një herë veten për paraqitjen e tij. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.

    E pranojmë se jeta ka ndryshuar dhe është në zhvillim, por duhet të pranojmë se edhe kënga popullore shkodrane e vjetër duhet të ruhet dhe zhvillohet, pasi në të është shkrirë talenti, fantazia e shpirti i brezave të tërë krijuesish me emër dhe anonim, ndryshe nuk mund t’i themi më “Këngë shkodrane”. Një ndër ata është edhe Bashkim Alibali, i cili herë pas here edhe në ditët tona na sjellë perla të mrekullueshme që ndriçojnë me shkëlqimin e kësaj muzike të papërsëritshme. Megjithatë shkëlqimi i tij më i madh ka qenë në interpretimin e këngës së muzikës së lehtë.

    Në një bisedë me këngëtarin Bashkim Alibali i qeshur, i qetë, jetën e përkufizon si një udhëtim, ku njeriu duhet të punojë për të gjetur vetveten, duke respektuar vlerat dhe shmangur të kundërtat, zbuluam disa detaje interesante për festivalet në RTSH, kur është ngjitur në skenë në festivalin e dhjetë me këngën “Stacioni i dashur”, Alibali rrëfen: “Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëja disa lëvizje. Jo se i bëja me qëllim, por instiktivisht, pasi ndjeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër. Ishte Alfons Balliçi pastaj që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një Festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale. Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik! Po realizohej ëndrra ime më e madhe, ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë”. Më pas Alibali tregon për festivalin e 11-të në RTSH: “Mora pjesë me një këngë interesante për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, ku natën e parë të pranishmit më kthyen dy–tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase, por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Megjithatë, dola i kënaqur nga festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye, por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste, për shfaqje të huaja. Edhe më vonë më kritikuan për ekstravagancë dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në estradën e ndërmarrjes këngë popullore, këngën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh, përfundon Alibali në rrëfimin e tij”.

    Bashkim Alibali rikthehet përsëri në skenë në Festivalin e 17-të dhe përsëri mori pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali ka marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH. Në festivalin e 20-të Alibali mori çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Në eksperiencat e Alibalit përveç Festivaleve në RTSH, mund të veçojmë: “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, ku u vlerësua me çmim të parë, i cili ishte si rezultat i të madhit Ferdinand Deda. “Në duart e nënës”, kompozim i Gjergj Lekës. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti.

    Kënga “Në duart e nënës” veçohet nga të gjithë, ajo është bërë si këngë shtëpie, kjo këngë u bë popullore dhe tregoi se edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë popullore. Bashkimi nëpër festivale dhe koncerte ka marrë katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta. Bashkëpunimet kryesore me kompozitor dhe autor tekstesh i ka pasur me Zhuljana Jorganxhi, Arben Duka, Betim Muço, ku nuk mund të lihet pa përmendur bashkëpunimi që vazhdon edhe sot e kësaj dite me mikun më të madh të të gjithë këngëtarëve, poetin e pashtershëm Jorgo Papingji. Sukseset e tij ia dedikon edhe kompozitorëve Gjergj Leka, Jetmir Barbullushi, Flamur Shehu, Vladimir Kotani, Edmond Zhulali, Sokol Marsi etj.

    Në një bisedë me kompozitorin e mirënjohur z. Edmond Zhulali morëm këtë vlerësim: “Bashkimi është një ndër emrat më të shquar të këngës shqiptare. Zëri i tij i është bashkuar krijimeve më të bukura të këngës së lehtë por edhe të këngës popullore shkodrane. Kush e dëgjon vetëm një herë zërin e Bashkimit e ka shumë të lehtë ta identifikojë atë falë timbrikës së tij të veçantë, karakterit, nuancave, energjisë apo emocioneve të shumta që dhuron. Gjithnjë i qeshur në skenë por me shumë emocione brenda vetes Bashkimi ka marrë duartrokitje e dashuri nga publiku i shumtë që e ka ndjekur në karrierën e tij. Në skenat e festivaleve, Koncertet e Pranverës, Anketat Muzikore të Radio Tiranës, skenën e estradës së Shkodrës e mjaftë skena të tjera si brenda e jashtë vendit Bashkimi ka lënë gjurmë të pashlyeshme që e radhisin në vlerat më të larta të këngës shqiptare. Një koleg i dashur e plot humor e energji që pritet me simpati në të gjitha rrethet artistike. Bashkimin e njoh që para viteve ’90 ku kemi bashkëpunuar në koncerte të ndryshme e vitet e fundit kam kryer shumë regjistrime duke e parë si në laborator vokalin e tij duke më lënë vazhdimisht mbresa me talentin e tij. Në festivalin e dytë të Këngës Popullore Shqiptare në RTSH realizuar në tetot 2013 ku unë isha drejtor artistik Bashkimi ishte padiskutim një vlerë e veçantë duke na dhuruar dy interpretime të mrekullueshme e duke entuziasmuar pa masë spektatorët në sallë e në ekranin e RTSH. Njohja me Bashkimin ka qenë vazhdimisht një kënaqësi për mua si koleg dhe si një mik i mirë me shumë vlera artistike dhe njerëzore. Bashkimi ka shumë për t’i dhënë muzikës shqiptare e në veçanti asaj shkodrane e cila duhet të jetë krenare me talentet e shumta që i ka dhënë kombit por në veçanti me djalin e saj Bashkimin”.

    Një opinion për Bashkim Alibalin i morëm edhe kompozitorit, mikut të tij Sokol Marsi: “Të flasësh për Bashkim Alibalin është një kënaqësi e veçantë. Për mua Bashkim Alibali është një interpret unik. Vokalin e tij nuk mund ta ngatërrosh me asnjë tjetër. Gjithmonë interpretimi i tij skenik ka pasur diçka ndryshe nga të tjerët. Bashkimi është njëri prej xhevahireve në vargun e gjerdanit të art të këngëtarëve shqiptare. Ai ka kënduar dhe vazhdon të këndoj mjeshtërisht këngë të muzikës së lehtë por edhe asaj popullore. Ne fillimet e mia si kompozitor Bashkimin e quaja Hulio Iglesias i Shqipërisë. Nuk e di pse me ngjasonte shumë me të në figuracion, por sigurisht që Iglesias nuk ishte nga Shkodra dhe Alibali nuk ishte spanjoll….(qesh). Nga bashkëpunimet qe kam pas me Bashkimin kam marr një kënaqësi të veçantë, një kënaqësi që nuk ta falë çdo njeri. Bashkimi mbi të gjitha për të gjithë artistët dhe për mua në veçanti është një mik dhe shok shumë i mire. I urojë gjithë të mirat.

    Ishte e pamundur që mos të merrnim një opinion edhe nga poeti shumë i dashur dhe i famshëm Jorgo Papingji: “Bashkim Alibali është një këngëtar i dashuruar shumë me këngën, besnik i palëkundur i saj, e do shumë kombëtaren, deri në qelizë, ka shije të holla dhe fine dhe është shumë kërkues në tekstet e këngëve. Gjithmonë kërkon të renë duke u mbështetur tek kombëtarja. Të qëndron mbi kokë deri në përfundimin e këngës. Ka një diksion shumë të pastër tek fjalët e këngës, problem themelor që shpesh ndeshet tek këngëtarët. Këngëtar që nuk ka dalë asnjëherë nga moda dhe ka një audiencë shumë të madhe në popull, në të gjithë Shqipërinë, por edhe në emigracion ku ushtron vazhdimisht aktivitetet e tij. Tematikat e këngëve të tij janë shoqërore, dashuria për qytetin e tij të lindjes dhe tendencat për t’i kënduar këngët me vlerat e tabanit tonë kombëtar, janë gjithmonë dëshira dhe vullneti i Bashkimit. Është këngëtar i kohës, këndon muzikën e lehtë dhe atë popullore qytetare. Ai nuk i mungon asnjëherë skenës dhe jam i detyruar t’ju them një sekret: Së shpejti ai do të paraqitet me një repertor me më shumë se 35 këngë të reja të cilat shumë shpejtë publiku do i dëgjojë dhe do i shijojë. Ju them sinqerisht se asnjë rresht nuk mund ta shkruaj pa praninë e Bashkimit e pa një tavolinë ku nuk është prania e tij. Është i mrekullueshëm.

    Ja çfarë thotë nxënësi për mësuesin, sot “Mjeshtër i madh” Bujar Qamili: “Bashkim Alibali përveç zërit që i ka dhuruar Zoti, që në atë kohë kur ai gëzonte duartrokitjet e panumërta të publikut, nuk ishte vetëm këngëtar, por ishte edhe njeri me zemër të madhe për këngëtarët fillestar, siç isha unë, ku me ndihmën e tij arrita të bëj koncerte recitale në Shkodër, duke u interesuar për mua në festivalin e 19-të, të këngës në RTSH si dhe përkrahës i pa diskutueshëm për amatorët e asaj kohë. Si Bujar, gëzoj një respekt të veçantë për këtë këngëtar për të cilin ruaj me shumë respekt kujtimet më të bukura të jetës time artistike”.

    Alibali e ka shumë për zemër muzikën e lehtë, por duke parë se në ambiente familjare këndohet më shumë kënga popullore, ai është i dhënë edhe pas kësaj kënge. Për këtë ka ndjekur shembullin e këngëtarit të shquar të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja, një këngëtar i pazëvendësueshëm në qytetin karakteristik këngëdashës. Edhe tek kjo gjini kënge Alibali i është përmbajtur këngës tipike shkodrane. Në repertorin e këngës popullore shkodrane numërohen rreth 250 që ka kënduar Alibali, ndërsa këngë popullore Shkodra ka me qindra.

    I gjendur kudo ku ka aktivitete, Bashkimi mbetet këngëtari më i palodhur. Dhe pse lëviz kudo, dashuria për Shkodrën nuk i sterron kurrë dhe kur shkon aty duket se frymëzimi i shtohet.

    Bashkim Alibali jo vetëm në Shqipëri, por dhe në disa vende të botës ka dhënë koncerte: Në Angli, Greqi, Kanada, Austri, Gjermani, Itali, në shumicën e vendeve ku ka emigrantë shqiptarë. Vendi që i ka lënë më shumë përshtypje për nga pritja dhe brohoritjet ka qenë Greqia. Në këto koncerte këngët janë kënduar së bashku me Alibalin dhe shpeshherë të gjithë janë çuar në këmbë. Në ambiente të tilla gjithmonë ka ndjerë diçka të veçantë. Në këto koncerte ka kënduar këngë popullore dhe këngë të muzikës së lehtë, duke pasur një repertor të zgjedhur si kënga “Në duart e nënës”, “S’ma njohe zemrën”, “Lule delet”, “E imja Shota” të cilat kanë qenë më të kërkuarat.

    Këngëtarët më të preferuar për Alibalin janë: Vaçe Zela, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Fitnete Rexha, Naile Hoxha dhe shumë të tjerë. Për muzikën e lehtë Tonin Tërshana, shoku i tij i fëminisë, ndërsa shpërblimi më i madh që ka marrë si këngëtar janë duartrokitjet e shumta në koncerte dhe përshëndetjet e njerëzve në rrugë. Këto janë më shumë se çmimet.

    Në festivalin e dytë të këngës popullore qytetare që RTSH organizoi këtë vit në teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku morën pjesë dhjetë këngëtarë popullor të përzgjedhur nga trevat mbarëshqiptare, të cilët kënduan nga dy këngë secili, ku dhjetë këngët e kënduara në fillim ishin këngë të traditës të mirëfillta burimore, kurse dhjetë këngët që u kënduan më pas ishin të kompozuara enkas për festivalin e dytë të këngës popullore në RTSH. Kur u ngjit në skenë ashiku shkodran Bashkim Alibali me këngën e vjetër shkodrane “Hajde moj manush” solli entuziazmin e pashoq shkodran. Spektatorët në sallë duartrokisnin pa pushuar duke kënduar edhe ata bashkë me këngëtarin. Kënga e dytë që u interpretua nga Bashkim Alibali, ishte një këngë e re me tekst të poetit të shquar Jorgo Papinxhi dhe muzikë të kompozitorit David Tukiçi, ishte ndër këngët më të suksesshme të këtij festivali e cila u prit me shumë ngrohtësi . Edhe orkestra e RTSH-së që shoqëroj këngët ishte e papërsëritshme. Kjo orkestër mund të themi pa hezitim se është një thesar i paçmuar kombëtar.

    Tashmë, vlerësimin më të madh që ka ky artist, është në këngën e tij, të vjetër e të re, këngë e cila nuk shteron kurrë, por vetëm skalitet e gdhendet më bukur se asnjëherë, duke depërtuar tek çdo shqiptar, nga veriu në jug e në çdo cep të botës ku flitet shqip. Karriera e tij artistike tha shumë, që si rrallë kush ka ditur të elektrizojë salla e mjedise të ndryshme, që ka ditur mjeshtërisht ta kthejë dhimbjen në gaz, që i dha kohës së shkuar koherencën e ditëve të ardhshme, por një jetë me këngën e tij është një histori që dekoratat e sotme nuk mund ta thonë.

    Bashkimi është dhe mbetet këngëtari i të gjitha kohërave, duke qenë gjithmonë i dashur, elegant, simpatik, si dhe duke na dhuruar gjithmonë emocione me këngët e bukura me zërin e tij joshës.

    Kohët e fundit publiku shkodran ndoqi me vëmendje koncertin që dha teatri “Migjeni”, për të cilin duhen falenderuar përzemërsisht organizatorët dhe veçanërisht udhëheqësi artistik i këtij koncerti, mjeshtri Ilir Zoga, realizuesin drejtorin e këtij teatri z.Edmond Angoni si dhe Bashkinë Shkodër që bënë të mundur edhe pjesëmarrjen e këtij artisti shkodran në vendlindjen e tij. Publiku sa u gëzua njëherësh edhe u përmallua.

    Këto ditë Bashkimi me një staf të RTSH, realizoj videoklipin e këngës më të re, e cila ishte dhe kënga më e suksesshme në festivalin e dytë kombëtar, të këngës popullore qytetare, realizuar nga RTSH. “Shkodra jeme, zemra jeme”, kështu titullohet kënga me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë të David Tukiçit.

    Mendoj se veç një shkrim, është shumë pak për të promovuar dhe treguar gjithë punën dhe krijimtarinë 40 vjeçare të këtij artisti, që solli shumë e shumë këngë të bukura duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme, të cilat do të mbeten dhe do ta mbajnë të gjallë këngën e bukur shqipe. Këngët e Bashkim Alibalit nuk mbeten vetëm për Shkodrën por mbeten për të gjithë shqiptarizmin. Ai është krenaria e artit dhe muzikës shqiptare, mirënjohje vlerave të tij për promovimin e imazhit më të mirë të traditës historike, kulturore e patriotike të Shkodrës tonë e mbarë kombit shqiptar, djepi që e rriti dhe Shkodra që e frymëzoj. Vlerat e këtij këngëtari të njohur na bëjnë krenar për trashëgiminë e shkëlqyer që ka pasuruar me zërin e tij të dashur dhe këngët e bukura të arkivës më të mirë artit shqiptar.

    http://www.tiranaobserver.al/bashkim-alibali-dashnori-i-kenges-dhe-i-skenes/
     
    Airbourne likes this.
  3. Artin

    Artin Papirus rex

    Shalli i kaltër i rinisë (1986)
    Teksti: A Duka
    Muzika: V.Kotani
    _____

    Një ditë më the në Ksamil
    Pranë një ulliri të ri
    A do të shihemi vallë
    Përsëri

    Dhe ike larg me makinë
    Ta mori era shaminë
    E ra ajo fluturim
    Në gjoksin tim

    Ç’u hap shamia si det i tërë
    Nga dora fluturoi
    Rivierën e mbuloi
    Dhe anembanë tej në horizont
    Kënga e rinisë jehoi

    Riviera e kaltër me det
    Si vala bregun na ndjek
    Na jep në Jug e Veri
    Kaltërsi

    Dhe ja një ditë plot me dritë
    Takohemi në Mirditë
    Shallin një fllad ma rrëmben
    Edhe ty të gjen

    Nga malet, por dhe nga deti i gjerë
    Ne morëm kaltërsinë
    Dhe lidhëm miqësinë
    Simboli ynë i dashurisë
    Shalli i kaltër i rinisë

    Nga kjo bjeshkë, nga kjo rivierë
    Anembanë Shqipërisë
    Sot shpaloset si ylber
    Shalli i kaltër i rinisë

     
    Last edited: 3 Jun 2017
    Airbourne likes this.
  4. Airbourne

    Airbourne Papirus rex

    Kishte KERKESE NIVELI.....

    Nga Bashkim Alibali.
     
    Artin likes this.
  5. Artin

    Artin Papirus rex

    Motrës sime
    Teksti: Agim Haxhiraj
    Muzika: Xhavit Ujkani
    Këndojnë: Bashkim Alibali, Eduard Jubani
    __________

    Dallëndyshet përgatiteshin t'shtegtonin n'tjera vënde
    Dhe ti o motër për të vajtur në folezën tënde
    Do t'kthehen dallëndyshet bashkë me pranverën
    Ashtu siç vjen ti motër tek foleza e vjetër

    Folezën e vjetër të re e bën cicërimi
    Cicërojnë zogjtë e tu, lule gëzimi
    Megjithëse motra u bë nënë me fëmi
    Zemra për vëllezërit hapur gjithnjë rri
     
  6. Artin

    Artin Papirus rex

    Para disa ditësh pashë në YouTube një këngë shqipe rap që kishte 7 milion shikime, kurse këngë të tilla kanë disa mijëra.
     
    Last edited: 6 Jun 2017
  7. Artin

    Artin Papirus rex

    S'ma njohe zemrën (1988)

    S'e kam të lehtë të të kujtoj unë tani
    Ato vite që kanë mbetur larg
    Çdo gur i rrugës fjalët tona i di
    Si munde vallë t'i kesh harruar

    Por zemra nuk të fal po të mos harrosh
    Ishe ti që shkele dashurinë
    Mos mendo se bashkë me ty, jo, jo
    Humba unë dhe lumturinë

    Ti zemrën time nuk e njohe dot
    Ajo kurrë nuk e pranon vetminë
    Ndjenjës tënde s'mund t'i bëhesha rob
    Njeriu s'rron në jetë për një dashuri

    Lumturia që të jetë e vërtetë
    S'krijohet veç me ty dhe mua
    Me mijëra zemra bashkë kërkon ajo
    Dhe s'mundet të jetojë kurrë një dashuri
    Që veç për vete ka lulëzuar
    Pa botën brenda saj, nuk jeton dot

     
  8. Artin

    Artin Papirus rex

    Mes bukurive
    Teksti: Arben Duka
    Muzika: Vladimir Kotani
    ______

    Në një lëndinë ku çelin luledele
    Del si sorkadhe një vajzë kaçurrele
    Te kroi i fshatit, pranë kodrave jeshile
    Bien dyjare e tringëllojnë zile

    I bie dyjares një djalë nga meraku
    Tek buza e tij o ç'lulëzoi zambaku
    Vajzës së bukur i çon ai sinjale
    Plot melodi ç'i mbushi këto male

    Ky djali ynë nga vendi i tërfilit
    O seç këndon me zërin e bilbilit
    Kjo vajza jonë nga vendi i trëndelinës
    Zërin e ëmbël ç'ia mori violinës

    Kodër më kodër mbledh djali luledele
    Bën një kurorë për vajzën kaçurrele
    Në krahët e djalit, si ylli pranë hënës
    Mes bukurive ia marrin të dy këngës

     

Shpërndajeni këtë faqe