"Gjenerata call center"

Diskutime tek 'Tema e ditës (vendet shqipfolëse)' filluar nga Solaris, 3 Nov 2015.

  1. Solaris

    Solaris Suadade... Anëtar i Shtabit

    -Albanian Stories

    Nga Rudina Xhunga

    Ajo shkon përditë te “Bar Piazza”, afër punës sime. Në mëngjes, aty kafeja është 50 lekë. Në orën 13, bëhen bashkë gjithë vajzat, për të ngrënë drekën që marrin me vete. Janë më pak se 25 vjeç, të reja e të bukura. Flasin anglisht, italisht, ndonjëra frëngjisht. Frëngjishtja është katërqind lekë ora, të thonë. Me fat, kush e di.

    Por sidoqoftë, italishtja e mirë mjafton. E kanë mësuar të gjitha nga televizioni. Përveç saj, që ka mbaruar shkollën për italisht dhe pas gjashtë viteve punë, është mbikëqyrëse në call center dhe ka një rrogë 600 euro.

    Vajzat e tjera janë operatore, marrin 300 euro dhe ëndërrojnë të bëhej back office, dhe një ditë, me fat dhe eksperiencë, pse jo, mbikëqyrëse. Janë nga rrethet, të gjitha me shkollë të lartë, master e gjithë ç’duhet për të shkëlqyer në profesion.

    E kam provuar, thotë vajza 600 euroshe, po mësuese në shkollë private paguhesh shumë pak. Në shtet, është e kotë të tentosh. As që e di sa është rroga aty.

    Një vajzë tjetër 300 euroshe ka mbaruar gazetari, por habitet, kur e pyes a ka provuar të kërkojë punë në media. Te tentoj, ku?- pyet. Provova recepsionisten në një televizion, por nuk të paguanin. Të mbajnë në provë, pafund. Por edhe ato që punonin, njësoj prisnin me muaj të tërë, rrogën. Kjo është puna e vetme, ku nuk ke nevojë për stazh dhe provë. Thjesht bën, ose nuk bën dhe nëse bën, paguhesh si njeri. E di që një operatore, si unë paguhet 900 euro në Itali, por po flas për kushtet tona. Nuk jemi të barabartë.

    Të gjitha kanë provuar të kërkojnë punë gjetkë, në Tiranë, pasi në qytetet nga vijnë nuk kanë asgjë veç familjes, që pret t’i martojë, më shumë se të kërkojë punë për vajzat. Nuk janë kundër martesës. Nëse vjen, është e mirëseardhur. Por deri atëherë, duan të jetojnë, pavarësisht pritjes për burrë. Jetohet në call center? – i pyes. Paguhesh të thonë, njëzëri. Punon me stres, nën presion, kur mbaron puna, nuk duron dot as mizën. Çdo bisedë të bezdis. Sytë, veshët të dhembin, po në fund të muajit të paguajnë mirë dhe kjo mjafton.

    Janë gati 20 mijë të rinj, në Shqipëri të punësuar, në pothuaj 300 call center. Vajza dhe djem që kanë mbaruar studimet e larta, ose janë duke i përfunduar. Juridik, ekonomik, gjuhë të huaja, të gjithë në gatishmëri për një vend pune në call center.

    Kur e pyes vajzën 600 euroshe, si e ndjen veten, kur sheh moshataret e saj në mësimdhënie, banka, tatime, kompani fluturimi, më përgjigjet; Po më paragjykon? Edhe Lul Basha ka punuar në call center dhe është bërë kryetar Bashkie. Edhe Erion Veliaj, kryetari i ri i Bashkisë, ka vizituar dhe promovuar call center, në fushatë.

    I pyes, a kane kohë të shohin televizionet dhe të informohen, por më sigurojnë që shohin vetëm lajmet, ku fjalëkalimi është call center. Që të mësojnë, a ka të ngjashme që paguhen më shumë, që trajtohen më mirë. Ato kanë 4 deri 6 vite, në sistem, por secila ka ndërruar disa call center. Shkojnë, ku paguhen më mirë, dhe sidomos, ku ka më shumë bonuse dhe mundësi ngritjeje në karrierë. D.m.th, nga salla e operatorit deri të zyra e mbikëqyrësit. E keni menduar që ka më shumë u them. Të hapim call center vetë?- përgjigjen.

    Jooo, të ndryshoni jetën, të provoni profesionin për të cilin keni studiuar, të vazhdoni studimet jashtë.

    Qeshin në kor dhe më thonë: Jeta, për të cilën flet ti, është jeta e vajzave të TV-së. Ato nuk janë reale, ato nuk janë ne. Ju të TV, flisni me vete. Ndaj refuzojmë të besojmë. U them që unë jam vajzë reale, që kam mbaruar për italisht, që unë duhet të isha bërë mësuese, ose po të mbaroja tani, do të punoja në call center, si ato, por e provova, luftova, ia dola në mënyrën time.

    Nuk i bind dot, që unë jam shembull. Edhe nëse jam, nuk iu duhem. Ke pyetur ndonjëherë ndonjë politikan, çfarë do bëhet me ne, deri kur do të ketë call center, pse i kanë rritur taksat, çfarë do të ndodhë, nëse shurdhohemi në punë, apo dhe çmendemi? E njeh brezin tonë? Apo të ngjajmë si centralistet e kohës së xhaxhit? – tallen vajzat.

    Edhe unë vetë nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, e njoh atë kohë. Nga tregimet e prindërve, njoh gjeneratën e zboreve, hekurudhave, aksioneve. Pensionistët që u dalin para makinave, herë nga mosha, herë nga fati, pleqtë që zvarriten nga mjeku në mjek, për të firmosur letrat, që iu sigurojnë rimbursim ilaçesh, nënat me kokën ulur që shesin lule, fara, apo rrinë me peshore në shi, burrat që kruajnë plehrat e lagjes sime, janë brezi që ndërtoi Shqipërinë. Tani bashkë me Shqipërinë që ndërtuan, janë në pritje të emrit në shtylla lagjeje e hyrje pallatesh.

    25 vjet më pas është koha e këtij brezi vajzash me telefon pas veshit. Ato janë gjenerata e re, gjenerata call center. 20 mijë të rinj që shesin ajër dhe shtyjnë vitet drejt hiçit.

    Dhe të mendosh, se janë pjesa më e pastër e brezit, më të arsimuarit, më të përgjegjshmit. Të tjerët që nuk shesin ajër, shesin drogë. Çfarë lemerie po i përgatisim vetes.

    Shkruaj historinë tënde; dritarerudina@gmail.com

    Burimi i informacionit , Gazeta MAPO.
     
    Universal, Alephh, Aki and 2 others like this.
  2. h3o

    h3o Papirus rex

    Me falni per injorancen po qa pune eshte kjo call center.
    Dmth qa bejne tamam tamam?
     
  3. katsune

    katsune cherry blossom

    thuaj shyqyr qe nuk e njeh kete pune, se mua me "torturuan" me telefonata pa mbarim tere diten. shkurt, je me fat qe nuk i njeh.

    ne lidhje me artikullin, realiteti i pershkruar eshte per te ardhur keq...
     
    gurax and Solaris like this.
  4. Solaris

    Solaris Suadade... Anëtar i Shtabit

    Nuk e mbaj mend por diku e pata lexuar që ishte rradhitur nder 10 punët me depresuese dhe me të drejte!

    Ka edhe një film italian rreth ketij fenomeni se po më kujtohet tani. : )
     
    gurax likes this.
  5. Universal

    Universal AnonymouS

    Per mua mjafton te paguesh mire ne keto kushte qe kemi, persa i perket gjenerates e ka ne dore se cfare profesioni do te zgjedh.
    Call center te jep nje mundesi ne kohet e studimit te fitosh dicka.. asgje me shume.
     
  6. Solaris

    Solaris Suadade... Anëtar i Shtabit

    “Me fal moj Zonja Rudina ti me mire se kushdo duhet te njofesh realitetin e vendit ku jetojme..Une jam nje nder ato vajza qe punojne ne call center dhe e bej kete pune per me shume se 4 vjet dhe nuk shof asgje kaq tragjike ne kete pune qe shume si une e bejne,ti je nje gazetare e nderuar dhe jam e sigurt qe per te marre ate page qe merr te duhet te rrish jo 12 ore ne pune por 24 ore dhe jam e sigurt qe nuk keni kohe ju ne kete rast per te bere gjera te tjera.Ju gjukoni sipas menyres tuaj nje operator call centeri qe shet nje produkt nepermjet tel me kufje ne vesh,dhe nuk gjykoni nje shitese butiku qe ben te njejten pune dhe ne kushte me te keqija.ce dini ju nje rroge prej 600€ loje fjalesh?!”, shkruan A. C. Kola.

    Më pas gazetarja i ka kthyer përgjigje, duke thënë se nuk po e paragjykon punën e saj, por thjesht mendon se të punosh në call centre nuk është investim për të ardhmen.

    ----------
    “Nuk po te gjykoj Anjeza. Puna ime e pare ka qene 6 mije leke. Ne gazete, sa mbarova studimet. Une te them bravo qe punon. Nuk te gjykoj asnje cast. Me vjen keq qe puna jote dhe mijera vajzave si ti nuk prodhon asgje per te ardhmen e vendit tim dhe tendit. Eshte hic per Shqiperine. Eshte lodhje, shperblim por jo investim. Ky eshte meraku im, per neser. Per sot ti je nje hall me pak per veten, shtetin, se punon e paguhesh. Por une duhet te mendoj per neser. Se jetoj ketu, kam nje femije dhe mendoj jo vetem te paguaj kopshtin e saj, por te hedh nje dore, te hap nje dere per te ardhmen e saj dhe femijes tend. Pavaresisht se kemi pune te ndryshme e paga te ndryshme, une ti dhe femijet tane, ndajne te njejten Shqiperi,” shkruan Xhunga.

    ------
     
    Lisa likes this.
  7. Lisa

    Lisa Moderator Anëtar i Shtabit

    Te punosh eshte gjithmone mire..Vertet nuk prodhon te ardhme por si i thone;''SA PA HIC ME MIRE PAK''!:D
    Rudina Xhunga me pelqen si gazetare kam lexuar nje liber te saj Sikur Ana...Eshte me vertet super!!
     
  8. h3o

    h3o Papirus rex

    Si i bie qe merr ne telefon per te shitur nje produkt?
     
  9. Mirabel

    Mirabel Locus omnem

    Po
    Ideja eshte se keto call center nuk shesin produkte per shqiperine por per pertej kufijve. Baza e abonenteve eshte e atij vendi ku keta operatore kontaktojne.
    Por nuk shesin vetem...me sa di une behen e shume procese te tjera .
    Di qe kontaktojne edhe per faturat energjitike apo ato te ujit...lidhin kontrata per telefonine...eshte game e gjere.
    Di qe kane outbound dhe inbound...

    Ne fakt jane shume te perhapura ne tirane apo qytete te medhaja.
    Nese ne itali nje operatore paguhet 900€ ktu max shkon 300-400€.
    Di qe i kane edhe ne baze kontratash ne fakt...sikur funksonon bonusi i nje agjenti shitjesh.
     
  10. h3o

    h3o Papirus rex

    Flm per shpjegimin. :)
    Vallahi puna eshte pune. Me mire te besh nje gje se te rrish kot. Edhe pse ndoshta nuk eshte zgjedhja qe do donim. :(
     

Shpërndajeni këtë faqe