KUR FUTBOLLI DEMASKON BALLKANIN!

Diskutime tek 'Sporti Shqiptar - Futboll, Atletike etj' filluar nga Seyfert, 24 Oct 2014.

  1. Seyfert

    Seyfert Valoris scriptorum

    Po bëhen gati 15 vite që nga lufta e fundit në Kosovë. Mendonim se gjatë kësaj kohe Ballkani kishte arritur të ecë përpara në zhdukjen e tensioneve dhe urrejteve. Edhe serbët dhe shqiptarët, që thirren në aspiratën e integrimit në familjen e madhe evropiane, dukej se po arrinin mjaft në ndërtimin e paqes. Natyrisht që një mendim i tillë krijohet kur dëgjojmë e lexojmë vazhdimisht deklarata të liderëve ballkanas, që mundohen të bartin kinse nje frymë evropiane, të mbështesin vlerat demokratike, të mbrojnë te drejtat e njeriut, të kultivojnë tolerancën e multietnicitetin, të bëjnë takime e samite për nder të fqinjësisë së mirë…duke lënë kështu përshtypjen se Ballkani Perëndimor po bën me të vërtetë përpjekje për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Por ja që u desh hiç më shumë se një ndeshje futbolli që t’i përmbyse të gjitha këto. Ra një ndeshje futbolli dhe u pa një anë e errët por reale e Ballkanit, më saktësisht e Serbisë. U nxor në pah sesa fallco ishin tërë ato marrëveshje bashkëpunimi e shtrëngime duarsh! U pa se në të vërtetë akoma ka urrejtje mes popujve. U pa sesi kjo ndeshje futbolli, megjithatë, ia hoqi maskat “proevropianiste” politikanëve kryekëput nacionalistë!
    Shumica thonë faji është i UEFAs! Ajo duhej të shmangte një përballje të tillë, për të shmangur trazira! Epo nëse vërtetë duam të bëhemi pjesë e familjes europiane, nuk duhet t’i kemi frikë këto ndeshje. Përkundrazi, duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për t’u ballafaquar me dinjitet, duhet të ndjehemi të lirë të shkojmë në Beograd si tifozë shqiptarë, ashtu si edhe tifozët serbë duhet të ndihen të lirë dhe të sigurtë në Shqipëri. Meqenëse politika s’po e bën dot, shpresonim se sporti do të ishte më i suksesshëm! Tek e fundit ajo ishte thjesht një lojë futbolli! Në fakt, duhej të ishte thjesht një lojë futbolli!
    Por që nuk ishte një lojë e zakontë, kjo u pa prej fillimit! Duke nisur që para ndeshjes me gazetat që mundoheshin të krijonin një klimë “lufte” e jo sporti, duke vazhduar pastaj me vendimet e Federatës Serbe të Futbollit për moslejimin e tifozave kuq e zi në stadium dhe ndalimi i simboleve kombëtare shqiptare, pa llogaritur këtu edhe keqtrajtimet që iu bën ekipit shqiptar që nga aderimi në aeroportin “Nikolla Tesla” të Beogradit, e deri tek hyrja në stadium, mjafton të merremi të paktën me atë që pamë në fushë, për të kuptuar se ndeshja Serbi-Shqipëri për kualifikim në Euro 2016, ishte në fakt një ngjarje e shëmtuar që turpëroi jo vetëm organizatorët, në këtë rast Serbinë, por edhe futbollin në përgjithësi.
    Në atë mbrëmje ne dëgjuam fishkëllimat e mijëra tifozëve serbë gjatë intonimit të himnit shqiptar, pamë djegjen e flamurit shqiptar dhe të NATOs, parullat politike si “Kosova është Serbi”, hedhjen e gurëve dhe mjeteve piroteknike ndaj futbollistëve shqiptarë, e mbi të gjitha për 40 minuta rresht degjuam thirrjet raciste e fashiste të 35 mijë vetave që bërtisnin si të çmendur “Vdekje “shqiptarëve””, “Vrit, therr, që “shqiptari” të mos ekzistojë!”. Këto ishin shkeljet e palës serbe, që futbollistët shqiptarë me pjekuri dhe maturi i rezistonin pa reaguar! Dhe vjen pastaj minuta 41 dhe durimi soset! Si për t’i hedhur benzine zjarrit, shfaqet nga lart një fluturake, një dron me një banderolë ku është e vizatuar harta e Shqipërisë Etnike, me dy figura të shquara të kombit shqiptar dhe një mbishkrim që thotë “AUTOCTHONUS”! Askush s’ia di autorin, por të gjithë e marrin si provokim shqiptar! Dhe kaq ishte loja! Plas dhuna ne fushë, mes lojtarëve, tifozëve dhe pjestarëve të sigurimit!
    Pamje tronditëse, për një sport të bukur si futbolli! Por më tepër se ato pamje, më tronditëse ishin edhe deklaratat e ditës së nesërme nga zyrtarët e politkës dhe sportit! Zëdhënsja e KE, Maja Koçijançiç përgëzoi Serbinë për menaxhim profesional! Turp! Si mundet të jetë menaxhim profesional, ku përkundër 4000 policëve, huliganët serbë, të njohur tashmë edhe botërisht, hynë në fushë dhe përkundër “masave të larta të sigurisë” ndodhi ajo që ndodhi? Mishel Platini tha se në atë dron mund të kishte qenë një bombë! Po a mund të kishte qenë një bombë edhe ajo fuçi që kishin tifozët serbë në stadium apo edhe ajo karrige me të cilët u sulmuan futbollistët shqiptarë? Dhe vijmë pastaj te deklaratat e liderëve serbë: Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka merakun e madh për përmbajtjen e asaj banderole, Kryeministri Serb Aleksandër Vuçiç akuzon qeverinë shqiptare për flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe si “qershia mbi tortë” vjen deklarata e presidentit Nikoliç se “Shqipërisë i duhen edhe dekada e shekuj për t’u bërë shtet normal”. Përveç qeverisë shqiptare, asnjë fjalë nuk u dëgjua nga institucionet serbe, por edhe ndërkombëtare për racizmin e pashembullt të shek.21 nga mijëra tifozë serbë. Madje një anëtar i Komisionit Disiplinor të UEFAs tha para ca ditësh se nuk ka akuza për racizëm të Serbisë. Thua se loja filloi dhe mbaroi në minutën e 41 me shfaqjen e dronit! Po çfarë kishte ndodhur më parë, ata s’paskan parë dhe dëgjuar asgjë!
    Kështu qeveria serbe u tregua më e shkathtë se qeveria shqiptare për propagandën nëpër mediat e huaja, duke arritur t’i bëjë shqiptarët të duken fajtorë për një ngjarje ku ata më së paku kishin faj. Natyrisht, për neutralët, kur ndodhin konflikte faji është i të dyja palëve, por tendenca për të barazuar fajin për mbrëmjen e 14 tetorit është absurde, jo e drejtë dhe është mëkat për futbollin! Sepse shëmtia më e madhe e asaj loje ishin thirrjet plot urrjetje dhe mllef për të vrarë e therur një komb të tërë, që nuk ishin vetëm fyreje ndaj ekpit dhe kombit shqiptar, por edhe ndaj futbollit si sport që dëshiron bashkimin e njerëzve. Prandaj, këtu nuk u ofenduan rëndë vetëm shqiptarët, por edhe rregullat dhe parimet e futbollit. Prandaj, dështimi më i madh i UEFAs në këtë rast nuk do të ishte pse lejoi të luhej kjo ndeshje, po pse nuk dënon racizmin e asaj mbrëmjeje, ndërkohë që vazhdimisht bën thirrje për t’i thënë “Jo racizmit”. Ky ndoshta është i vetmi rast kur të gjithë mund ta mbrojmë Shqipërinë, jo pse jemi shqiptarë apo patriotë, po sepse drejtësia këtë herë është me Shqipërinë.
    Disa mund t’i quajnë nacionalistë shqiptarët që festuan plot entuziazëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, por mendoj se kjo , njelloj si me reagimet e futbollistëve në fushë, vjen natyrshëm pas asaj atmosfere urrjetje që u tregua ndaj nesh në Beograd, ku mijëra njerëz na uronin vdekjen. Edhe nëse kjo për dikë është nacionalizëm, ai nuk u shpreh nëpërmjet institucioneve shqiptare. Ndryshe nga serbët që me institucionet më të larta të shtetit mbrojtën huliganizmin dhe racizmin e publikut në stadium. Si është e mundur që Serbia, si një vend që dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian dhe të kultivojë vlerat evropiane, të mos distancohet dhe të mos dënoje ashpër ato thirrje raciste, që simbolizonin vlerat më antievropiane! Si është e mundur që në një vend të ashtuquajtur demokratik, mediat që kanë për detyrë të mbrojnë më së mirë demokracinë, të përçojnë mesazhe e tituj raciste e diskriminuese.Liderët serbë dukeshin se kishin ndryshuar nga e kaluara e tyre, por u mor vesh se ata në fakt vetëm ishin maskuar, pasi brenda kishin mbetur të njejtit!
    Kështu ndeshja Serbi-Shqipëri, jo vetëm që u shndërrua në një ndeshje boksi, por edhe u politizua aq shume saqë u përdor nga politikanët për të fituar pikë nga patriotët e vendeve të tyre, hapi debate për europianizimin e Ballkanit në përgjithësi dhe arriti të vërë në pikëpyetje shkuarjen e kryeministrit shqiptar në kryqytetin serb. Me nje ngjarje të tillë, për të cilën pati reagime edhe në Greqi, Maqedoni e Mal të Zi, u dëshmua se shoqëritë ballkanike në të vërtetë ende nuk janë gati të integrohen në Bashkimin Evropian. Për sa kohë një lojë futbolli përdoret si arenë për të shfryrë urrejtje për fqinjin, atëherë kthimi në realitet i ëndrrës evropiane është larg! E duke u thirrur në këtë ëndërr dhe duke pretenduar për hir të saj një fqinjësi të mirë, që është larg realitetit, kryeministri shqiptar megjithatë do të shkojë në Beograd. Edhe pas provokimeve të Vuçiçit, duke bërë rolin e viktimës, që pritjen e Ramës në Beograd, e shihte si një “sakrificë” të tijën për një të ardhme më të mirë të Ballkanit, Rama do të shkojë në Beograd. E aty ai do të ketë rastin t’i kërkojë serbëve, në emër të të gjithë shqiptarëve, të kërkojnë falje për fyerjet raciste dhe të padobishme në mbrëmjen e 14 tetorit. E në të njejtën kohë, të përçoje mesazhin edhe tek të huajt, se ai pranoi të shkoj në një qytet ku e di se nuk e duan dhe ndonëse populli i tij u fye, ai qe i gatshëm të shtrijë duart e bashkëpunimit me palën serbe. Ky po që është një hap i madh i shqiptarëve, që kërkon vlerësim, për sa kohë ai është i sinqertë. Kështu Rama do të dëshmoje se shqiptarët janë të vendosur t’iu binden vlerave evropiane për ta bërë ëndrrën evropiane realitet, e jo si serbët, që duke vazhduar të ëndërrojnë, harrojnë të zgjohen dhe të shohin se ku kanë mbetur!
     

Shpërndajeni këtë faqe