Kuriozitete mbi Tiranen

Diskutime tek 'Mistere, Konspirime, Kuriozitete' filluar nga peson, 15 Jan 2005.

  1. peson

    peson Fillestar

    Kuriozitete mbi Tiranen

    kush di le ti shkruaj ketu flm
  2. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Tirana ndodhet 110 m mbi nivelin e detit. Temperaturat mesatare vjetore janë : në korrik + 24o celcius dhe në janar +7o celcius. Në vit bie 1200 mm shi.

    * Tirana ndodhet në të njëjtin paralel me Napolin, Madritin dhe Stambollin dhe në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin.

    * Tirana u themelua më 1614 nga Sulejman Pasha, me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Dy shekuj më vonë drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja.

    ...
  3. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Ekzistojnë kater hipoteza për prejardhjen e emrit Tiranë...

    1- Tiranë mendohet se vjen nga fjala Theranda, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Të ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.

    2- Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të malit të Dajtit. Akoma ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton fillimin datonne fillimin e shekullit te pare para lindjes se Krishtit, e cila mendohet te kete qene keshtjella qe historiani bizantin Prokop (shek. VI), e quan keshtjella e Tirkanit.

    3- Tiranë vjen nga Teheran, kryeqytet i Iranit, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pasha, (themeluesi i qytetit) në krye të ushtrisë turke gjatë fushatës në Persi.

    4- Një gojëdhënë tiranase thotë se emrin e qytetit Sulejman Pasha e mori nga një plakë që takoi në vendin ku do të ngrinte qytetin. Pyetjes së Sulejman Pashës se çfarë po bënte, plaka iu përgjegj: Po tir an…! (an d.m.th. mëndafsh).
    ...
  4. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    * Lagjja e parë e Tiranës ishte ajo e Bamit.

    * Xhamia në qendër të Tiranës, e quajtur Xhamia e Et’hem Beut, filloi të ndërtohej më 1789 nga Molla beu i ardhur prej Petrelës dhe u përfundua më 1821 nga i biri, Haxhi Et’hem Beu, stërnipi i Sulejman Pashës. Për të punuan mjeshtërit më të mirë të Shqipërisë.

    * Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et’hem Beu rreth vitit 1821-1822 dhe u përfundua me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës.

    * Montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një Sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 m. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946.

    * Ura e Tabakëve (përballë Parlamentit ) daton në shekullin XVIII.

    * Tyrbja e Kapllan Pashës (pranë monumentit Ushtari i panjohur) është ndërtuar në vitin 1816.

    * Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve.

    * Mali i Dajtit, në lindje të Tiranës është 1612 m i lartë.

    * Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur bektashinjtë u ndaluan dhe u përzunë nga Turqia.

    * Rruga e Durresit eshte hapur me 1922 dhe quhej « Nana Mbretereshe». Per ndertimin e saj u prishen shume shtepi e kopshte.

    * Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Aty, më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu shpalli monarkinë.

    * Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët të njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-pallati mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.

    * Bulevardi « Dëshmorët e Kombit » është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi Skënderbej deri tek Stacioni i trenit u quajt Bulevardi Stalin.

    * Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-pazarin e vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga Hrushovi më 1959.

    * Monumenti i Skenderbeut i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos me rastin e 500 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar.

    * Monumenti Nëna Shqipëri, 12 m i lartë, u përurua në varrezat « Dëshmorët e Kombit » më 1971.

    * Akademia e Shkencave u përfundua më prill 1972.

    * Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

    * Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe afresku(figura) në ballë të tij titullohet « Shqipëria ».

    Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu Enver Hoxha u përurua më 1988. « Piramida » u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit.

    * Ne shek. XVII, Tirana kishte reth 4000 banorë. Në vitin 1920 – 17.000 banorë. 1938 – 25.000 banorë. 1945 – 40.000 banorë. 1990 – 250.000 banorë. Aktualisht, dyndja masive e banorëve nga gjithë pjesët e tjera të vendit drejt Metropolit, e ka çuar popullsinë e Tiranës mbi 700.000 banorë.
  5. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    “Historia e Tiranës” e Kristo Frashërit risjell për herë të parë legjendat e mitet e Tiranës të mbështetura në dokumente e fakte. Legjendat dhe të vërtetat për themelimin e Tiranës, e vërteta e historisë së emrit të saj e deri tek mitet dhe legjendat shpirtërore të shekullit XVIII dhe sidomos atij XIX


    Na ishte njëherë Tirana

    TIRANË – Mbërrin historia e Tiranës, por ende jo ajo e kryeqytetit shqiptar. Tirana duhet të jetë nga të fundmit kryeqytete të botës pa një histori të shkruar, por së paku historia e saj si trevë e lashtësisë e si qytet duke filluar nga shekulli XVII, erdhi. “Historia e Tiranës” e shkruar nga historiani Kristo Frashëri dhe që prej pak ditësh ka dalë nga botimi, do të mund të davarisë tek e fundit tisin e përrallave, legjendave dhe thashethemeve që përbënin deri më tani historinë e treguar të Tiranës. Të pakta kanë qenë botimet që kanë përmbledhur fakte dhe dokumente rreth Tiranës para vëllimit të parë të “Historia e Tiranës” të Kristo Frashërit i cili është duke përgatitur edhe vijimin e kësaj historie me Tiranën kryeqytet, aty ku ndërpritet vëllimi i parë i botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Para kësaj historie kanë qarkulluar disa broshura të vjetra për historinë e Tiranës, ndërsa gjatë periudhës së regjimit komunist nuk u bë asnjë tentativë serioze për shkrimin e historisë së Tiranës. E mira e vetme është se kështu historia e Tiranës i shpëtoi deformimit, falsifikimit, të paktën përsa i përket periudhës së vonë të saj duke hyrë në shekullin XX para vendosjes së regjimit komunist. Por sidoqoftë mungoi. Ka munguar edhe shumë më herët, gjë që e ka bërë të vështirë edhe për vetë studiuesin dokumentimin e plotë të historisë, sepse janë të shumta periudhat e zbrazura dhe ngjarjet e momentet për të cilat nuk ka mbetur asnjë dëshmi historike. Kështu megjithëse nuk mungojnë gjurmët e Tiranës së lashtë dhe dëshmitë për ekzistencën e shoqërisë njerëzore në trevën e Tiranës që datojnë që prej paleolitit të vonë (40 mijë- 10 mijë vjet para erës sonë), Tirana mesjetare siç shprehet edhe vetë historiani mbetet pa e dokumentuar. Mungesat dhe pasiguritë rikthehen edhe më vonë, sidomos përsa i përket emrit dhe themelimit të Tiranës, pasi janë të shumta variantet e legjendave që qarkullojnë për të, por vetëm disa syresh janë të mbështetura në dokumente dhe fakte. Edhe vetë figura e atij që është konsideruar si themeluesi i Tiranës qytet, Sulejman Pashë Bargjini, mbetet një legjendë, sepse nuk ka njoftime të sakta dokumente për të që të jenë të kohës kur ai jetoi. Edhe vetë historiani Kristo Frashëri në ndërtimin e figurës së tij mbështetet pjesërisht mbi legjendat që thuhen për të. E padokumentuar mirë mbetet edhe jeta e Tiranës në shekullin e parë të themelimit të vet. Pasiguritë vijnë deri në gjysmën e parë të shekullit XVIII kur njoftimet rreth jetës administrative të Tiranës janë të cekëta e fragmentare, mandej historia e Tiranës bëhet më e afërt dhe më e sigurtë. Vijnë me një dritë të re edhe gjithë personazhet e saj të kohëve të reja. Deri në vitet njëzet kur nis jeta e Tiranës si kryeqytet dhe ku ndërpritet tregimi historik i Kristo Frashërit për të vijuar më vëllimin e dytë që ende nuk është gati.
  6. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Çfarë ka të vërtetë në legjendat për Tiranën dhe çfarë është e pambështetur në dokumente dhe fakte

    Legjendat për Tiranën


    A ka diçka të vërtetë në legjendat për Tiranën? Historiani Kristo Frashëri thotë se në thelbin e tyre ka elementë që i përgjigjen të vërtetës. “Elementët kryesorë janë vetë ndërtimet që i atribuohen Sulejman Pashë Bargjinit, të cilat qëndronin në këmbë deri në ditët tona. Faltorja e quajtur Xhamia e Vjetër ekzistonte (me modifikimet dhe zbukurimet e bëra më 1844 nga Abdurrahman bej Toptani) deri në nëntor të vitit 1944, kur u shemb gjatë luftimeve që kryen repartet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare shqiptare kundër gjermanëve për çlirimin e kryeqytetit: furra dhe hamami që ndodheshin disa metra në perëndim të xhamisë, ekzistonin deri në vitin 1938 kur u rrënuan për qëllime urbanistike; hani pranë tyre deri më 1958 u sheshua për t’i lënë vendin ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Për më tepër, xhamia e cila ndodhej në vendin ku sot është ngritur monumenti i Ushtarit të Panjohur, përmbante një element të rëndësishëm, që mungon tek legjendat: vitin kur u kryen këto ndërtime. Mbi portalin e saj të brendshëm ishte skalitur mbi gur me shifra arabisht data e ndërtimit të xhamisë- viti 1023 që i takon kryesisht vitit gregorian 1614”, - shkruan Kristo Frashëri. Më tej ai sqaron se edhe figura e Sulejman Pashë Bargjinit nuk është legjendë, sepse varri i tij ndodhej në një Tyrbe pranë xhamisë me një mbishkrim që fatkeqësisht nuk është fotografuar nga askush. Sipas historianit varri i Sulejman Pashës ekzistoi deri në nëntor të vitit 1944 kur u rrënua bashkë me faltoren. Por sipas historianit legjendat për themelimin e Tiranës kanë me siguri edhe elementë që janë pjellë e fantazisë së mëvonshme.
    Varianti më i vjetër i legjendës mbi themelimin e Tiranës është ai i njohësit të mirë të Shqipërisë, Johan George Von Hahn (konsull i Austrisë në Janinë në mes të shekullit XIX). Sipas kësaj legjende, të cilën ai e kishte paraqitur siç e kishte dëgjuar nga banorët e Tiranës në veprën e vet “Studime shqiptare” botuar në 1854, themelimi i Tiranës lidhej me Sulejman Pashë Mulletin qysh në vitet e para të shekullit XVII. Por kjo legjendë sipas historianit ishte e mbuluar me ngjyra përrallore. Përkundrazi, varianti i legjendës që përshkruan në vitin e parë të shekullit XX konsulli frëng në Shkodër, A. Dëgrand e shtjellon ngjarjen e themelimit të Tiranës më hollësisht, me një sfond të pretenduar historik, të zhveshur nga elementët romantikë dhe të pajisur me episode dramatike, tipike të shoqërisë feudale. Sipas këtij varianti Sulejman Pasha nuk ishte nga fshati Mullet por sipas mbiemrit që mbante (Bargjin), nga fshati Bargjin, i cili në defterin e Sanxhakut Arvanit, figuron i regjistruar në trevën e Tiranës, fshat me 24 shtëpi, gjurmët e të cilit shiheshin edne në vitet ‘30 në pjesën verilindore midis Medresesë dhe Lumit të Tiranës. Në variantin e Dëgrandit, Sulejmani nuk është një bej i varfër por një feudal nga familja e dëgjuar e Bargjinëve, me tokë dhe me kështjellën e tij në Mullet, afër lumit Erzen. Sipas këtij varianti ai arriti të bëhej pashë se i thurrte poezi sulltanit turk. Sipas legjendës Sulejmani i tërhequr nga bukuritë e natyrës vendosi të shpërngulej nga Mulleti e të vendosej në vendin ku sot është Tirana, ku themeloi qytetin. Sipas legjendës Sulejman Pasha është plagosur në Iran dhe ka vdekur në Bagdad ku e shpunë të plagosur. Dëgrandi thotë se zemra e tij gjendet në një tyrbe të Bagdadit me këtë mbishkrim: “Këtu është vendosur zemra e trimit dhe bujarit Barkin Zade Sulejman Pasha”, ndërsa sipas dëshirës së tij trupi i balsamosur u soll në Tiranë ku u varos në Tyrben që u ndërtua ngjitur me xhaminë e tij. Variante të tjera të legjendës nuk mungojnë dhe historiani Kristo Frashëri zbulon elementët që përputhen ose jo me të vërtetën. Kështu thotë se varianti i legjendës që e çon Sulejman Pashën në Teheran nuk është i vërtetë dhe se ekzistenca e varrit të dytë të Sulejman Pashës në Bagdad nuk është vërtetuar deri më sot nga askush.


    07/03/2005
  7. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Tirana, të vërtetat historike për emrin e saj. Është themeluar si qytet në shekullin XVII ndërsa emri i saj daton të paktën që nga shekulli XIV


    Emri Tiranë, më i vjetër se themelimi i Tiranës si qytet

    Sipas Kristo Frashërit emri Tiranë nuk ka lidhje as me Sulejman Pashë Bargjinin, as me qytetin Teheran të Iranit, as me legjendën e mëndafshit të kësaj treve. Historiani thotë se emrin e Tiranës siç shqiptohet sot e ndeshim disa herë në burime dokumentare, të paktën dy shekuj e gjysmë me radhë përpara themelimit të Tiranës si qytet. “Për herë të parë atë e ndeshim si vend të prejardhjes së dy emigrantëve shqiptarë të vendosur në Venedik, në vitin 1372, të regjistruar njëri me emrin Villino nga Tirana tjetri me emrin Leo nga Tirana, me profesion marinarë, banues në famullinë e Shën Markut të qytetit të Lagunave. Historiani përmend edhe emra të tjerë të regjistruar si banorë të Tiranës gjysmë shekulli më vonë. Ai thotë se megjithëse nuk përcaktohet qartë se çfarë përfaqësonte emri Tiranë në aktet venedikase (nëse ishte fshat, fushë apo malësi) të gjitha gjasat të çojnë tek një fshat me emrin Tiranë, pasi banorët me prejardhje nga fusha nuk e praktikonin si mbiemër gjatë mesjetës dhe nga emrat që ata mbajnë duket se ishin katolikë. Ndërsa hollësi të mëtejshme dhe gjithashtu të padyshimta për emrin e Tiranës, Kristo Frashëri i ka gjetur tek humanisti shqiptar Marin Barleti. Në veprën e tij shkruar në latinisht flitet për Tiranën e madhe e cila sipas Barletit quhet kështu për të dalluar nga tjetra që quhet e Vogël që ndodhet afër Krujës. Pra emrin e Tiranës e mbante në shekullin XV pa dyshim si edhe sot fusha që ndodhet midis Krujës, Petrelës dhe Prezës. Ndërsa fshati Tiranë përmendet edhe në regjistrin osman të 1533 dhe kështu të dhënat përputhen me njoftimin që del nga legjenda e regjistruar nga J.Von Hahn sipas të cilës në truallin e Tiranës ekzistonte një fshat para themelimit të saj si qytet.

    Xhamitë e bukura të Tiranës

    Xhamia më e bukur e Tiranë është ajo e Haxhi Ethem Beut e cila sipas historianit i la pas shoqet e saj nga çdo pikëpamje duke përfshirë edhe xhaminë e vjetër të ndërtuar nga themeluesi i qytetit. “Xhamia e Ethem Beut në kompozicionin e saj arkitektonik, me volumin thellësisht harmonik, me minarenë e bardhë elegante, me kupolën shumë tërheqëse, me portikun solid e të ëmbël, me dekoracionet dhe ornamentet e saj mund të rreshtohet në radhët e monumenteve më të bukur islamikë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit”, -shkruan Kristo Frashëri. Ndërsa konsulli frëng A. Dëgrand shkruante se “xhamitë e Tiranës janë të mbushura të gjitha me zbukurime dhe piktura me ngjyra tempera kaq të gjalla sa në ditë me diell krijojnë një ndjesi gazmore. Nuk ka qytet tjetër në Shqipëri, nga sa kam parë, që të shfaqë një karakter kaq interesant”.


    07/03/2005
  8. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Dimensioni shpirtëror i banorëve të Tiranës në të shkuarën. Frikërat, zakonet, bestytnitë, kultura popullore e Tiranës që ka mbërritur deri në ditët tona. Dëshmitë e vetme ato të këngëve e baladave popullore, por mungojnë këngët për personalitetet më të rëndësishme të Tiranës së vjetër si Sulejman Pashë Bargjini, Haxhi Et-hem Beu etj

    Mitet e Tiranës


    Sipas Kristo Frashërit letërsia e shkruar në Tiranë mbeti e kufizuar por më e lulëzuar ishte ajo që shoqëroi jetën e përditshme të popullisë së mbarë trevës. Banorët e Tiranës për të folmen e veçantë dalloheshin qysh herët. Shndërrimi i zanores “a” në “o” është shumë i hershëm. Si dëshmi e kësaj ekziston një fshat në juglindje të Tiranës që ka mbetur me emrin Pajon dhe që në të vërtetë nuk është veçse forma dialektore e emrit Pojan. Por letërsia gojore e shekulit XVIII dhe XIX nuk është regjistruar dhe sipas historianit e vetmja rrugë për ta ndriçuar atë mbeten këngët popullore. Një nga epikat legjendarë më interesante sipas Kristo Frashërit, është poema e titulluar “Deda Kapoedan i martallozve”. Motivi është ai i erotikës kalorsiake mesjetare dhe sipas tregimit në tryezë rri Kapedan Deda me 12 martallozë e një vajzë e bukur i sfidon duke u thënë se do të martohej me më trimin e tyre. Dy prej tyre sipas poemës, Musta dhe Marku i përgjigjen sfidës dhe legjenda trajton duelin midis tyre jo me pushkë por trup më trup. Në përledhje fiton Musta i cili pasi e mundi Markun ia çau zemrën e gjeti atje shtatë gjarpërinj. Musta dhe Marku përfaqësojnë sipas historianit njëri islamizmin dhe i dyti krishtërimin, kurse vasha bukuroshe që kërkon të martohet me më trimin, simbolizon viset shqiptare. Në këtë përleshje fiton Musta (islamizmi) por e ëma e Markut (domethënë Kisha) nuk pranoi t’ia dorëzonte armët e djalit të saj. Me një fjalë lufta midis tyre nuk kishte marrë fund. Kristo Frashëri thotë se shumë pak dëshmi kanë mbetur nga fusha epike historike dhe nuk njihet asnjë këngë popullore për figurat e Sulejman Pashë Bargjinit, Ibrahim Bej Bargjinollit, Ahmet Pashë Bargjinollit apo Haxhi Et-hem Beut. Një nga legjendat më të bukura është ajo e varrit të ashikut ose dashnorit.
    Legjenda e vorrit të Ashikut
    Dashuria legjendare që ka arritur deri në ditët tona jo si baladë por si tregim mban titullin “Vorri i Ashikut”. Fabula është e thjeshtë, ajo e dy të rinjve të dashuruar që preferojnë më mirë të vdesin se të braktisin njëri-tjetrin. Ngjarja sipas historianit lokalizohet në një fshat të komunës së Pezës. Me pak fjalë historia është kjo: “Një djalë i ri punonte si hyzmeqar tek një bojar, i cili kur dikton se ky i dashuronte vajzën e tij e fejon të bijën me një djalë tjetër. Kur hyzmeqari merr vesh se e dashura e tij po martohej i shfaq bojarit dashurinë për të bijën dhe i kërkon dorën e saj. Bojari refuzoi dhe e dëboi hyzmeqarin megjithëse ky e paralajmëroi se ata nuk ndaheshin nga njëri-tjetri edhe sikur të vdisnin. Kur erdhi dita e dasmës dhe krushqit morën nusen, gjatë rrugës u shfaq djali i dashuruar i cili u thotë krushqve: “O krushq të mirë. Nusja që keni në kalë është e dashura ime. Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrit të mos ndahemi kurrë”. Nusja ngre duvakun dhe thotë “O burra trima. Unë nuk jam nusja juaj por e këtij çunit trim. Krushqit mbetën të habitur por nuk u tërhoqën, mbasi zakoni e donte që ta shpinin nusen me doemos në shtëpinë e dhëndrit ku kishte filluar dasma. Por kur krushqit u nisën, djaloshi qëlloi mbi nusen e cila ra e vdekur në tokë. Pastaj djaloshi tha: “Tani na martoni të dyve bashkë këtu dhe i qëlloi vetes”. Krushqiti varrosën të dy bashkë në të njëjtin varr. Dhe në të vërtetë historiani thotë se në një pikë anës rrugës së Kavajës, në afërsi të Ndroqit, ndodhet edhe sot një varr i njohur me emrin Varri i Ashikut (Varri i dashnorit) dhe pranë tij gjendet një rrap shumëshekullor. Por ka edhe variante të tjera të legjendës që ngjan si histori e vërtetë, që lidhen me një gjakmarrje mes dy familjeve që i ndan ato.
    RITET POPULLORE
    Të vetmet rite popullore për lindjen, martesën dhe vdekjen në Tiranë, sipas Kristo Frashërit i kemi nga një punim i Hafëz Ibrahim Dalliut. Në lidhje me ritet e lindjes nënat shtatzëna i nxirrnin fëmijët në prani të plakave të paditura që besonin më tepër në magjira se në njohuritë mjekësore, pra në duart e mamive xhahile siç i quan Hafiz Ibrahim Dalliu. Kur lidhnin foshnjës i thonin: “Bafsh rehatë si zotnitë e u bafsh si bozanxhi”. Kremtimi i fëmijës bëhej tre ditë pas lindjes, shtrohej darka me bukvale dhe në një pjesë të saj bëhej një shuk me një flori brenda. Edhe ritet kushtuar të vdekurit ishin të ndërtuara mbi bestytni ose falle siç i quan Hafiz Dalliu. Ndërsa ritualet e martesës në Tiranë nuk kryheshin më si në malësi por çdo martesë paraprihej nga fejesa e cila bëhej një vit para ditës së dasmës dhe jo qysh foshnje si në malësi. Ritet e dasmës janë të shumta dhe të njohura e të përhapura ende në Tiranë. Por një vend të veçantë në jetën shpirtërore të grave të Tiranë zinte kulti i hënës. Në shumë raste veprimet e tyre gratë i lidhnin me ciklin e henës: “hëna jashtë, hëna ndej, hëna rreme, hëna e thyeme, hëna e mbarueme”. Ndërsa nuset e reja kur dilte hëna për të parën herë recitonin: “Hënë, hënë e re! Ti gërshet e unë shëndet! Hënë, hënë e re, tinë qiell e bukur e unë përdhe. Hënë, hën e re, si vjen ylli pas teje, ashu ardhtë burri pas meje! Hënë, hënë e re, ti shkëlqefsh lartë e unë përdhe”. Kur hëna nuk dukej në horizont gratë nuk fillonin asnjë punë të re, as nuk gatuanin ndonjë gjellë të re, as nuk qepnin ndonjë rrobë të re. Edhe lëveret (rrobat) duhet të njomeshin kur hëna ishte jashtë, përndryshe nuk dilte pisllëku. Nuk mbillej pemë në hënë të rreme se rritej por nuk bënte kokrra.
    FRIKËRAT
    Por edhe demonët ishin të rëndësishëm në jetën shpirtërore të banorëve të Tiranës. Fantazmat demoniane qarkullonin natën në formë përbindshash, kafshësh ose hijesh e tmerronin njerëzit. Në krye të këtyre fantazmave qëndronte lugati. Besohej se një grua ose një burrë i vdekur, zemërlig pasi vdiste bëhej lugat, kur në kufomën e saj ose të tij në varr, të cilën nuk e treste dheu nga të ligat që kishte bërë, hynte djalli. Ai ose ajo natën dilte nga varri si lugat diku në formën e një caliku (shakulli) i cili ecte duke u hequr zvarrë dhe duke nxjerrë shkëndija, diku në formë qeni, maceje, bualli etj. duke nxjerrë flakë nga goja... Zakonisht ai vinte në shtëpinë e tij, tmerronte gruan, përziente ushqimet dhe në ndonjë rast flinte me të shoqen e cila mbetej shtatzënë qoftë edhe pas disa vjetësh dhe lindte një vampir. Vendstrehimi i lugatit besohej se ishte në fshatin Jubë në rrethin e Durrësit dhe njerëzit e ndienin afrimin e lugatit nga të lehurat e qenit natën. Ndryshe nga lugati që shfaqej në një trup të vdekur shtrigu ose shtriga mendohej se hynte në një trup të gjallë, zakonisht një plake e cila ndillte zi jo vetëm në familje por edhe në lagje e në fshat. Krahas këtyre demonëve ishte edhe kuçedra që përfytyrohej si një bollë e madhe me shtatë krerë që jetonte në qiell, zbriste nëpër shpella kur kishte stuhira që dëmtonin bujqësinë. Ndërsa dragoi ishte një kalma me fletë nën sqetull me fuqi të jashtëzakonshme. Dragoi kur rritej bëhej burrë i fortë e trim. Ai e luftonte kuçedrën me rrufe, gur mulliri, parmendë etj. duke u paraqitur si mbrojtësi i bujqësisë. Tjetër figurë ishin xhindët, hije që shfaqeshin natën pranë shtëpive. Kur dikush shkelte pa dashur xhindët (kur shkelte bukën, nuk respektonte tyrben), ata shkaktojnë sëmundjen e tëranës, paralizë e gojës, duarve, këmbëve, mesit, etj. Për t’u shëruar shkonin tek hoxha që u jepte një të ashtuquajtur lutje për ta çliruar të sëmurin. Fantazma të tjera ishin pëlhura (shfaqej në formën e një plepi të gjatë e të bardhë), mokthi ose makthi (burrë me feste me flori), laura (kafshë ujore me trup të vogël që dilte natën në breg të lumit), perrija dashnor ose dashnore, fantazmë që i shfaqet vajzës ose djalit kur shihej shumë në pasqyrë e cila nuk i ndahej derisa të vdiste), shënendreu (burrë i veshur me hekur që shfaqej vetëm gjatë dhjetorit)... Këto bestytni sipas Kristo Frashërit kanë shumë ngjashmëri me ato të viseve të tjera shqiptare e madje edhe ballkanike. Një pjesë e tyre janë më origjinë të lashtë indoevropiane si për shembull kulti i bollës, disa me origjinë antike si kuçedra, shtriga, dragoi por ndonjëra me origjinë mesjetare orientale si xhindët. Megjithatë historiani thotë se prania e tyre në ndërgjegjen e banorëve të Tiranës nuk duhet të teprohet, se jo të gjithë besonin në ekzistencën e falleve, magjive dhe fantazmave. “Përfundimisht mund të thuhet se ritet dhe bestytnitë arritën kulmin e lulëzimit të tyre në gjysmën e parë të shekullit XIX, se frekuenca e tyre nuk ishte njëlloj në mbarë popullsinë e trevës, se ato ishin më të fuqishme në fshat se në qytet, kurse brenda në qytet me to qenë të lidhura më tepër gratë se burrat, madje edhe në një pjesë të grave sidomos ato të një brezi më të mirë, këto kishin filluar të zbeheshin”, - përfundon historiani.


    07/03/2005
  9. epremte

    epremte Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Godina e Bankës së Shqipërisë ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1936. Stili i saj arkitektonik i përket rrymës së "Racionalizmit", rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit tonë në Evropë. Projekti i godinës është realizuar nga arkitekti i njohur italian i asaj periudhe Vitorio Marpurgo.

    Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada. Kryesisht ai është aplikuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në shumë vende të Evropës Perendimore. Në këtë këndvështrim edhe godina e Bankës së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe ne llojin e vet, rrymës Racionaliste.

    Në projekt-idenë e saj, godina është konceptuar me planimetri shumëkëndëshe dhe ndarë nga ana funksionale në dy pjesë, në korpusin kryesor që do të kryente funksionin përfaqësues të bankës dhe në pjesën operative të saj. Kjo e fundit do të ndërtohej në të dy krahët anësore të prapme të korpusit kryesor. Kjo pjesë do të ndërtohej në vitet 40-të por, për arsye të luftës së Dytë Botërore nuk u realizua ndërtimi i saj.
  10. Vals

    Vals Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Gishteza, shume faleminderit per keto lexime interesante. :wave:
  11. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    · Ne shek. XVII, Tirana kishte reth 4000

    banorë. Në vitin 1920 – 17.000 banorë.

    1938 – 25.000 banorë.

    1945 – 40.000 banorë.

    1990 – 250.000 banorë.

    Aktualisht, dyndja masive e banorëve

    nga gjithë pjesët e tjera të vendit

    drejt Metropolit, e ka çuar popullsinë

    e Tiranës mbi 700.000 banorë

    · Monumenti i Skenderbeut i ngritur

    më 1968, është vepër e Odhise Paskalit

    në bashkëpunim me Andrea Mano dhe

    Janaq Paço. Ai u vendos me rastin e

    500 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar


    · Monumenti Nëna Shqipëri, 12 m i lartë, u përurua në varrezat « Dëshmorët e Kombit » më 1971.

    · Akademia e Shkencave u përfundua më prill 1972.

    · Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

    · Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe afresku në ballë të tij titullohet
    « Shqipëria ».

    · Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu Enver Hoxha u përurua më 1988. « Piramida » u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit.
    · Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Aty, më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu shpalli monarkinë.

    · Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët të njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-pallati mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.

    · Bulevardi « Dëshmorët e Kombit » është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi Skënderbej deri tek Stacioni i trenit u quajt Bulevardi Stalin.

    · Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-pazarin e vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga Hrushovi më 1959.
    ·Ura e Tabakëve (përballë Parlamentit ) daton në shekullin XVIII.

    · Tyrbja e Kapllan Pashës (pranë monumentit Ushtari i panjohur) është ndërtuar në vitin 1816.

    · Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve.

    · Mali i Dajtit, në lindje të Tiranës është 1612 m i lartë.

    · Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm më 8 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe përfundimisht e mori këtë status më 31 dhjetor 1925.

    · Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur bektashinjtë u ndaluan dhe u përzunë nga Turqia.

    · Rruga e Durresit eshte hapur me

    1922 dhe quhej « Nana Mbretereshe»

    Per ndertimin e saj u prishen shume

    shtepi e kopshte.
  12. peson

    peson Fillestar

    Re: Kuriozitete mbi Tiranen

    Në kumtesën “Rreth detit Adriatik dhe popullit shqiptar në periudhën e hershme të antikitetit”, prof. Dr. Dhimitër Pilika provon se shqiptarët janë pasardhës së pellazgëve

    Shqiptarët, banorët më të hershëm të Adriatikut


    Prof. dr. Dhimitër Pilika

    Sipas autorëve të lashtë, Adriatiku në fillim quhej “Deti i Kronosit dhe i Reas”, më pas “Gjiri Jonian”, me një emërtim të trefishtë, të lidhur me traditat parahelenike, pellazgjike.
    Jo fort larg nga brigjet e Adriatikut, më 1875 u zbulua Dodona, kryeqendra shpirtërore, politike dhe kulturore e pellazgëve, orakulli paragrek i së cilës ka qenë më i lashti dhe më i njohuri në Ballkan e në Europë. Disa qindra dijetarë, klasikë e modernë, shpesh me emër ndërkombëtar, janë marrë me këtë popull. Disa prej tyre kanë përdorur në rrafsh të gjërë, në shërbim të së vërtetës, përparësinë e faktorëve vendimtarë të brendshëm, vendorë. Rrjedhimisht, ata kanë nxjerrë argumente autentikë të pashtershme sidomos pas sjelljes në Luvër të gjetjeve arkeologjike të Dodonës dhe daljes më 1878 në Paris të dy vëllimeve të Konstantinit Karapanos “Dodona dhe rrënojat e saj”. Këto zbulime sensacionale kishin bërë për vete paraprakisht bashkëpunimin aktiv të anëtarëve të Institutit të Francës E. Egger dhe J. De Witte, që mbahen si pasuesit e pellazgistëve francezë J. B. Jourdan (1746), Ch. Dupuis (1798), L. Petit-Radel (1810-1852), J. Michelet (1831), L. Benloeë (1877).
    Në shkallë ndërkombëtare prej gjithë përfundimeve të tyre të verifikuara mirë, del se pellazgët, që mbizotëronin në Adriatik, i kanë sjellë Europës, ndër të tjera, alfabetin e parë, qytetërimin më të lashtë: mjeshtërinë, teknikat e dobishme, themelet e shkencës, mitologjinë etj., e në veçanti emrin e vetë Europës, kulturën e grurit, shpikjen e bukës, ndërtimin e qyteteve e bërjen e regjistrimeve, të ligjeve, të monedhave, të Lojërave Olimpike... Pindari gjenial i ka quajtur “paraselenitë”, domethënë që janë shfaqur para daljes së hënës në kupën qiellore... Si rrjedhim, me vërtetimin mbi baza rreptësisht shkencore të autoktonisë me prestigj të pellazgëve kundrejt ardhësve të rinj, helenëve, cili ka qenë zhvillimi i tyre i mëtejshëm në brigjet e Adriatikut? Kjo kumtesë bën një përpjekje për t’iu përgjigjur shkurt kësaj pyetjeje, të parë nga këndvështrimi i popullit shqiptar, pjesëtar i familjes adriatike.
    Sipas humanistëve Enea Silvio Pikolomini, para i ardhshëm Piu II, Antonio Sabelikos Rafaelo Volaterranos, e po ashtu më vonë të Pjer Ronsarit, Alfons Lamartinit, Zhyl Mishlesë, Elize Reklysë, Feliks Zhyljenit dhe shumë të tjerëve, vazhdimësia e shqiptarëve shkon në vijë të drejtë te Aleksandri dhe Pirroja, mbretër të Epirit, trashëgimtarë të Dodonës “ab antiquo”. Ky pohim mbështetet gjërësisht nga humanistët tanë Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, si dhe nga mijëra dëshmi “in loco”, të shkruara dhe gojore. Më 1882 u gjet në Arkivin e Napolit dhe u botua një letër e dijetarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468), poliglotit që dinte pesë gjuhë të huaja bashkë me letërsitë e tyre përkatëse: heroi ynë kombëtar, më 31 tetor 1406 ia dërgonte princit të Tarenit Xhovani-Antonio Orsinit, duke thënë se po t’u besojmë kronikave tona kombëtare, ata na tregojnë se sovranët epirotë e molosë, Aleksandri dhe Pirroja, kanë qenë stërgjyshët e shqiptarëve; këta dy dinastë u shquan me ekspeditat e njohura që ndërmorën përtej Adriatikut. Tërësia e rrethanave domethënëse na tregon se vula zyrtare dhe e fshehtë e Skënderbeut, që u bë e njohur më 1962, ka emblema tërësisht dodonase; përkrenarja e tij, që ruhet në Vjenë, është e njëjtë me helmetën e Pirros, të përshkruar prej Plutarkut; për më tepër, në drurin gjenealogjik të pasardhësve të tij, jo rastësisht janë shquar Pirroja I, Kastrioti-Skëndërbe, si dhe Pirroja II Kastrioti-Skënderbe. Si përfundim, duhet të saktësojmë se vija: Aleksandri dhe Pirroja i Epirit - shqiptarët e sotëm, deri më sot, nuk është kundërshtuar nga asnjë dokument historik i vlefshëm.
    Një repertor mjaft i pasur greko-romak, që asnjëherë nuk është hedhur poshtë, vërteton se Aleksandri dhe Pirroja, si molosë, ishin aecidë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Eakut, gjyshit të Akilit, i cili që nga Homeri është vlerësuar si mishërimi i vetë prototipit të pellazgut. Veç kësaj, diçka që është plotësisht e provueshme, ka vazhduar ngritja në shkallën e princit, pa asnjë qëllim të paravendosur, e tre nipërve të Skëndërbeut, që sanksionuan onomastikën pellazgjike, mjaft domethënëse, të paraardhësve të tyre parahistorikë: Akili I Kastrioti-Skënderbeu, Akili II Kastrioti-Skënderbeu dhe Akili III Kastrioti-Skënderbeu. Si pasojë logjike e këtij realiteti objektiv, lidhja gjenetike ndërmjet shqiptarëve dhe pellazgëve ka vijuar të imponohet që në zanafillën e epokës moderne, një e vërtetë tashmë e pranuar nga një ushtri specialistësh shqiptarë e të huaj.
    Përfundimisht, origjina pellazgjike e kombit shqiptar, të pandarë prej Adriatikut, është provuar në mënyrë të padyshimtë, pa asnjë hije etnocentrizmi, nëpërmjet përputhjeve, ndihmesave, konvergjensave të pakundërshtueshme të mijëra të dhënave ndërdisiplinore, zakonisht të pabotuara, vendore, që u përkasin fushave të mëposhtme: historigrafisë, nunizmatikës, epigrafisë, fizikës radiometrike, kimisë (së metaleve, tokave etj.), etnologjisë, folkloristikës, gjuhësisë, onomastikës, etimologjisë, antropologjisë, hematologjisë, ballkanologjisë, etruskologjisë, jurisprudencës, paleografisë, statistikës, demografisë, klimatologjisë etj. Afër rivierës sonë, në jug të Buthrotit të lashtë, të cilin e donte aq shumë “Andromaka” e Rasinit të pavdekshëm, gjendet shpella paleolike e Kreshmoit, në të cilën janë gjetur më 1933 “ankorat e argjirit”, një “specialitet” gjithëmesdhetar eskluziv i pellazgëve, të quajtur prej kohësh zotër të deteve.
    Një legjendë provinciale, e transmetuar brez pas brezi dhe e shtypur më 1875, e sjell lindjen e Zeusit pellazgjik të Dodonës, që është himnizuar nga “Iliada”, pikërisht te stanet e atit të tij, Kronosit, në rrethinat e qytetit të Anhiazmit ose të Onhezmit, që është emri i babait të Eneut, Ankizit, i cili me sa duket është varrosur këtu (sot Saranda, kryeqendra detare e jona në jug). Gjurmët e kultit të monarkut të gjithëfuqishëm të zotërve të Dodonës, me shpurën e tyre, e mbulojnë gjithë hapësirën adriatike. Tërësia e këtyre atributeve të posaçme, domethënë shqiponja, dushku, rrufeja, demi, shumë më tepër se kudo gjetkë, gjenden me bollëk në bregdetin tonë adriatik, si dhe në brendatokën, deri përtej kufinjve të Dalmacisë, të Peonisë dhe Dardanisë, Kosova e sotme. Në këtë krahinën e fundit kohët e fundit janë vënë re pesëdhjetë mbishkrime “zeusiane”, tashmë të botuara, në shfaqje të tjera të panumërta të trashëgimisë kulturore dhe të teogonisë pellazgjike. Duke mbajtur parasysh lashtësinë dhe vazhdimësinë kaq të qartë e të pandërprerë, studiuesi i shquar i Mesjetës, Alen Dyselje, ka thënë më 1981: “Historia na mëson se lidhur me Kosovën, serbët janë pushtues të ardhur mjaft vonë”...
    Do t’i kapërcejmë hollësitë e bollshme për adhurimin e veçantë të secilës prej dymbëdhjetë hyjnive të Dodonës-Olimpit në mjedisin tonë, dhe do të ndalemi vetëm te hyjnesha e dytë e panteonit paragrek: Demetra, e njohur pa përjashtim nga të gjithë si hyjnesha e mirëfilltë pellazgjike, etimologjia e emrit të së cilës shpjegohet vetëm ndërmjet gjuhës shqipe. Shenjat e adhurimit të saj vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në vitin 1994. Çdo vit në një datë që nuk ndryshon, duke respektuar ritet pagane të paracaktuara “ab immemorabili”, fshatarët shqiptarë, në pjesën më të madhe gra, të besimeve të ndryshme, shkojnë të lahen veshur me rroba në plazhet tona të Adriatikut me qëllim që të kenë shëndet e pjellshmëri të vazhdueshme. Deri më sot gërmimet kanë zbuluar faltore, flijimore, skulptura, medalione etj. kushtuar këtij mishërimi karakteristik të matriarkatit dhe bujqësisë pellazgjike. Po të vështrohet sipërfaqja e territorit tonë, denduria e tyre është e habitshme, unikale në botën europiane...
    Në një largësi jo të madhe nga porti “dardan” i Orikumit në bregdetin adriatik shqiptar, që në agimin e kohëve ndodh një dukuri tepër e rrallë, në rrethinat e fshatit Tragjas, (fshati i sotëm ka po atë emër Tragjas): prodhohet kripë edhe sot e kësaj dite në sasi të mëdha vetvetiu, pa asnjë përpjekje njerëzore, duke përfituar nga veprimi periodik i rrymave detare në gropat e vogla gjeologjike. Sipas fjalëve të Helanikosit dhe Stefan Bizantinit, përfytyrohej se atje ishte djepi i vërtetë i kripës së gjellës, ku Poseidoni, hyjnia tipike pellazgjike i detrave kishte krijuar për herë mbi tokë këtë lëndë të pazëvendësueshme gjatë jetës së njerëzve të vdekshëm...
    Shumë kohë përpara luftës së Trojës lëvizjet migruese të pellazgëve e kishin përshkruar Adriatikun në drejtim të Apulisë, në grykëderdhjen e lumit Po... Virgjili dhe Aulu-Geli i vështronin këta lundërtarë si banorët e parë të Italisë; sipas Plinit, Solinit, Varronit, Tit Livit, Denisit të Halikarnasit, Ovisit, Tacitit, Higinit, Ceces... këta pellazgë çuan atje për herë të parë shkrimin dhe kulturën e artet. Sipas Denisit të Halikarnasit, Plini e Plutarku, ata madje kanë qenë themeluesit e vërtetë të Romës. Muret e famshme ‘pellazgjike’, ‘ciklopike’, ‘poligonase’, ‘megalitike’, ‘moenia aeacia’, që në një farë mënyre kanë mbetur të pashkatërrueshme deri në ditët tona, dalin zakonisht në gjithë rrethimin e Adriatikut, duke nxjerrë në dukje njësinë e tij. Po shënojmë kalimthi, se Athina vetë themelimin e murit të Akropolit të saj e lidhte me dy arkitektë ndërtues, pellazgët Agronalasi dhe Hiperbiosi, që janë përjetësuar nga Pausania. Më pas, rreth viteve 80-81 para erës sonë vëmë re një zhvendosje masive, me egërsi të padëgjuar në drejtim e përkundërt; 150.000 pellazgë etruskë, të dëbuar nga Gadishulli italik me urdhrin e diktatorit Sula, gjetën strehë të përhershme te bashkëatdhetarët e tyre në Molosi (Shqipëria jugore), e cila më parë ishte përgjakur dhe rrafshuar me tokën tërësisht nga xhelati romak Paul Emili. Kjo zhvendosje e tmerrshme me dhunë na është kumtuar e dëshmuar prej dijetarit frëng të shekujve të iluminizmit, Nikola Feretit, në veprën e tij “Observations”...
    Aventurat e heroit legjendar Kadmit, Herkulit, argonautëve, të cilët janë cilësuar si pellazgë nga Lucien i Samosates, Diodori, Pausania, Liciforo e të tjerë, e lidhin ngushtë Adriatikun me stërgjyshët e popullit shqiptar nëpërmjet dyzinash të dëshmive domethënëse, të cilat për shkak të mungesës së kohës, nuk është e mundur të jepen më gjërësisht...
    Diodori na mëson se ishulli kaonas i Korkyrës, i cili vetvetiu na sjell ndër mend binjakun dalmat, mban emrin e motrës së Pellazgut, stërgjyshen e përbashkët të gjithë pellazgëve. Më lejoni të citoj një shembull të shkallës së habitshme të arritur nga qytetërimi i tyre paragrek, katër mijë vjet më parë. Në këngën e shtatë të “Odisesë”, poeti, me akribinë e tij proverbiale, përshkruan pallatin e mbretit të pellazgëve feacinë, Alkinoosit në Korfuz:
    “Herë shndriti nga një shkëlqim i beftë i diellit ose i hënës, herë shkëlqen banesa e lartë e…………………………….. shqitmadhit Alkinoos. Nga të dy anët e pragut shtriheshin muret e veshura me bronz deri në fund të pallatit; përsipër kanë një brez të kaltër; dyert janë prej ari; pragu është prej bronzi me ndërfutje argjendi; harku është prej ari; nga të dyja anët varen vargonj ari e argjendi, të cilët Hefesi i ka punuar me një art të mrekullueshëm... Brenda përgjatë gjithë mureve janë vënë frone të mbuluara me vela të holla e të lehta, punë dore grash. Aty ulen krerët e feacinëve... Në piedestal të ngritur mirë lartohen shtatore prej ari, që paraqesin djelmosha, të cilët mbajnë në duar pishtarët e ndezur dhe që natën ndriçojnë kthinat e Alkioosit...”
    Përpara këtij shkëlqimi pothuaj prej dyzet shekujsh lind pyetja me të drejtë: a është kapërcyer ndonjëherë një madhështi e tillë përrallore?...
    Përveç se historian, po edhe njohës i hollë i kësaj kulture ‘adriatike’ të paraardhësve tanë pellazgjikë e ilirë, Lamartini i paharrueshëm do t’i shkruante nga Iskia më 8 shtator 1844 atdhetarit e poetit tonë, Jeronim de Radës, luftëtarit të betuar kundër zgjedhës osmane të asaj kohe: “Jam i lumtur prej kësaj shenje të vëllazërisë poetike e politike midis meje e teje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet. Unë nuk kam meritë tjetër, veçse ta parandjej dhe të bëj urimet e para për lirinë e për ringjalljen e Shqipërisë...”
    Nga pikëpamja gjuhësore, një numër i madh toponimesh rreth Adriatikut me mbaresën -one (-ona), që ndeshet te Dodone-Dodona, si Aenona, Avlona, Ancona, Aona, Arasona, Aulona, Bausiona, Blanona, Cartona, Cremona, Crotona, Chrysondyona, Flanona, Herona, Narona, Promona, Salona, Sationa, Scardona, Sulmona, Tariona, Triuncona, Verona etj... (për të mos u shtrirë më tej gjeografikisht), duket qartë se këtë po këtë mbaresë të emrit të kryeqytetit të pellazgëve, mëmës së qyteteve europiane. Vetëm analiza e toponimeve dhe etnonimeve primitive, të regjistruara prej kohësh në brigjet rethadriatike, do të na sillte në një përfundim mësimdhënës; një shumicë e emrave të tyre jo rastësisht shpjegohen etimologjikisht nëpërmjet shqipes, ose më mirë, përbëjnë një përkthim fjalë për fjalë nga gjuha jonë. (Dihet sesi Platoni në “Kratilin” e tij dënon rreptë maninë greke për kalkime, që shkaktohej kryesisht prej hegjemonizmit pa cak e kufi). Tabloja e mëposhtme onomastike, ndonëse nuk është e plotë, përsëri është mjaft domethënëse.
    Agrianes, Antibaris, Auendeates, Autariatae, Avendone, Barbanna, Bari, Bigeste, Bora, Bounima, Bretension, Brina, Brundisium, Busento, Busento, Bylazora, kepi Glotta, Dagnum, Dalmatae, Dalmatia, Delmion, Delminion, Daranti, Daranto, Dardani, Dardania, Dardapara, Dardi, Dassaretae, Dassaretia, Derriopes, Deuriopes, Dimallum, Durrachium, Emathia, Enchelana, Enchelanes, Eordea (Eordia), Gurasson, Gurbicon, Halsion, Helidones, Helidonion, Hellopia, Kerauniabore, Kroia (Kruja), Lamatis, Lim, Lopsi, Lopsoca, Malatis, Maledi, Maljena, Malontina (Maltein), Malontum, Maluentum, Maluntum, deti Croni dhe Rheae, deti Ionium, Mathis, Matoas, Metubarris, Molossia, Ombla, Omphalion, Opitergium, Pelagones, Pelagonia, Petra, Pirustae, Pistum, Ragusium, Rhizon, Sason, Scheria, Stena, Tara, Taras, Tarentum, Taria, Tarin, Tariona, Tariotae, Tarneum, Tarsatica, Tarus, Taulantii, Tergeste, Tergolape, tharandt, tirol, (tyrol), Tragurium (trogir), Trimallum, Ulcaea palus, Ulcianum, Ulcirus mons, Ulcisia castra, Ulco amne, Ulkinion, Vendenis, Vendum, Vindenis, Vindinid etj... (Ndonëse janë larg nga trevat adriatike, e meritojnë të përmenden në këtë rast, për shkak të rëndësisë së tyre të posaçme, vargmalet madhështore Beskidet dhe Karpatet, deti Baltik, Bizanti, Dardanelet, ishulli anatolik Karpathos...)
    Nga na tjetër, një shkencë eksperimentale, antropologjia, nëpërmjet korifejve të saj. J. Deniker, E. Pittard, na jep sigurinë se shqiptarët e sotëm e kanë prejardhjen e tyre drejtpërdrejtë nga pellazgët. Në Adriatik dalin metropolet tona antike: Durrësi, Apolonia dhe më në jug Buthroti, që të tria të lulëzuara shumë shekuj përpara themelimit të Romës, nëse i besojmë Apianit, Antologi Palatinit, Barletit, si dhe Apolodorit, Plutarkut, Pausanias dhe Teukerit të Cizikës, Virgjilit, Stefan Bizantinit...Deri në fillim të erës së re ato kanë përdorur pa ndonjë ndërprerje kalendarin e rëndësishëm pellazgjik të Bunimës, sipas mbishkrimeve tashmë të njohura. Teatrot e tyre, krahas atyre të Nikesë, Bylisit, Orikumit, Hadrionopolit, Foinikës, Dodonës etj. kanë shkëlqyer gjatë antikitetit me emrin e dëgjuar dhe dendësinë gjeografike... Ajka e aristokracisë romake i bënte të kapërcenin Adriatikun pinjollët e saj që ta përsosnin arsimimin e tyre dhe të specializoheshin te ne në fushën e filozofisë, letërsisë, arteve, pa përjashtuar artin ushtarak. Për këtë qëllim Jul Cezari pati zgjedhur Durrahiumin, një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike, me rreth njëqind mijë banorë, e cila ekspononte materiale të çmueshme (argjend etj.), esenca mjekësore dhe kozmetike shumë të kërkuara. Lidhur me Oktavian Augustin, Mark Vipsanius, Agripën, Mecenën, ata parapëlqenin Apologjinë tonë kundrejt Romës dhe Athinës, ndërsa Ciceroni, që e kishte parë në vend Apoloninë, e ka quajtur “mafnam urbem et gravem”.
    Nga fillimi i shekullit XIII para erës së re, bashkëvëllai i pellazgut Akil, Diomedi - paraardhësi i Aleksandrit Molos, që shpëtoi nga lufta e Trojës, u end pa pushim nëpër pellgun adriatik. Ai i dha emrin e vet ishullit të Diomedit dhe një faltoreje “të adhurueshme e të shenjtë”, sipas Aristotelit të Scimnosit, duke e përfunduar atje poshtë harkun e jetës.
    Pothuaj njëkohësisht Pirro Neotolemi, djali i arkipellazgut Akil, erdhi te plazhet adriatike të afërta me Buthrotin dhe mbretëroi në “viset e molosëve” (Prejardhjen e tij pellazgjike e kanë sanksionuar edhe Eniusi, Ovidi, Prisciani...) Në brigjet e Adriatikut, sipas Stefan Bizantinit, ai themeloi qytetin e Bylisit, që e përkujtonte në monedhat e veta. Thuhet se, nëpërmjet përzgjedhjes së përsëritur, ka përsosur një racë të lartë gjedhësh, që e kanë lëvduar me të drejtë Aristoteli, Teopompi, Varroni, Plini, Arriani, Eliani, Ateneu : ky lloj ka ardhur deri te rritësit e sotëm të racave rekorde. Akileidi, veç të tjerash, mbahet si krijuesi i një valleje tërheqëse, pirrikes, që ende vazhdon dhe lulëzon në Shqipëri...
    Ndër studiuesit tanë mësimet e urta të një historie të tillë të gjatë ushqejnë dhe ndriçojnë të kaluarën e të ardhmen, kurdoherë në shërbim të paqes, të lirisë, të vëllazërisë mes popujve të Adriatikut dhe të mbarë botës... Plejada të tëra përfaqësuesish të shkencës franceze kanë dhënë ndihmesë të frytshme për ndriçimin e problemeve themelore të pellazgologjisë në kuadrin e kulturave mesdhetare. E ndiej veten të nderuar që këtu të bëj një homazh të përzemërt e të fuqishëm për ta, në veçanti për kujtimin e pashuar të Robert d’Anzhelisë dhe Dominik Briquel-it. Ata pajtohen të gjithë sesa e sigurtë është mirënjohja e popullit tonë, e “besës”, fjalës së dhënë të shqiptarëve, i cili kurrë nuk do ta harrojë bujarinë e popullit vëlla francez.
    (Kumtesë e paraqitur në Kolokuimin ndërkombëtar “E kaluara dhe e ardhmja e Hapësirës Adriatike”, organizuar në Paris më 29 e 30 nëntor 1994 nga institucioni shkencor kulturor ndërkontinental “Horizont 2000”, nën kujdesin e lartë të ministrit francez të punëve të jashtme, Alen Zhupe.)
    Përkthyer nga frëngjishtja nga prof.dr. Xhevat Lloshi


    21/03/2005
    KATEGORIA: Kulture

Shpërndajeni këtë faqe