Kush ka frike nga Virginia Woolf ne Teatrin Kombetar, TR

Diskutime tek 'Njoftime Ngjarjesh Kulturore' filluar nga alinos, 18 Dec 2009.

  1. alinos

    alinos Forumium maestatis

    Kush ka frike nga Virginia Woolf ne Teatrin Kombetar, TR

    “Kush ka frikë nga Virginia Woolf” Kristaq Skrami: Premiera,
    një arritje e Teatrit Kombëtar

    Written by Gazeta SOT

    E Merkure, 16 Dhjetor 2009 00:00

    Kryevepra e dramaturgjisë amerikane e shekullit XX, vënë në skenë më 1962 vjen për publikun shqiptar

    Këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet premiera “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, e cila do të shfaqet për publikun në datat 17,18,19 dhe 20 dhjetor. Nën regjine regjisorit të ri Kushtrim Bekteshi, aktorët Viktor Zhusti, Eva Alikaj, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka do të veshin petkun e personazheve të dramës. Nga ana tjetër, drama amerikane, do të jetë diçka më shumë sesa një premierë teatrore për aktoren e njohur Eva Alikaj, e cila me rolin

    e Martës, i rikthehet teatrit shqiptar. Titullari i TK Kristaq Skrami tregon se kjo vepër është një arritje e skenës teatrore. “Jemi në prag të premierës “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, e cila është një nga veprat e një prej autorëve më të mëdhenj. Bashkëpunimi me regjisorin e ri Kushtrim Bekteshi së bashku me skenografen Ljerka Hribar dhe katër aktorë të mrekullueshëm, që i zgjodhi regjisori unë mendoj se ata do ti përshtaten më së miri veprës. Kjo premierë mendoj se është një arritje për Teatrin Kombëtar”, u shpreh drejtori Skrami. Vepra, e cila vjen e shqipëruara nga Gjergj Peçi, ku pas aksidentit të aktores Laçka, e cila duket se është rekuperuar plotësisht, vjen këtë fundjavë për të sjellë diçka ndryshe në skenën teatrore. Regjisori Bekteshi thotë se kjo dramë përngjan me ditët në të cilat ne jetojmë. “Qëllimi ynë me ekipin ka qenë që të futemi sa më thelle dhe ti sjellim sa më të vërtetë në skenë. Nuk bëhet këtu punë dominimi i gjinisë femërore ose gjinisë mashkullore, ose është folur shumë për këtë, sepse kjo vepër trajton pozitën e femrës në shoqëri. Po ajo nuk ka të bëjë aspak me këtë vepër. Kjo vepër flet për njerëz, të cilët kanë frikë ta jetojnë jetën pa iluzione”, shprehet gjatë konferencës për shtyp regjisori Bekteshi. Marta, Xhorxhi, Nik dhe Hani do të vinë nën interpretimin e aktorëve Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Gjatë kësaj konferencë drejtori Skrami bëri të ditur edhe për shfaqjet e tjera që do të pasojnë në skenë, ku më e reja do të jete ajo e regjisorit Met Xhelili më datë 2 janar. Vepra “Kush ka frikë nga Virginia Woolf" u shkrua nga Albee më 1962 dhe në versionin e tij kinematografik u interpretua nga Elisabet Teylor.

    “Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf”, një vepër që ngjall debat
    “Kush ka frikë nga Virxhinia Woolf” është një nga kryeveprat e dramaturgjisë amerikane të shekullit XX, e cila që nga premiera e parë në Billy Rose Theatre-Broaday, Nju-Jork (1962) e deri më sot kudo që është vënë në skenë ka ngjallur shumë debate që prekin thelbin e shoqërisë-familjen. Suksesi i kësaj vepre kryesisht qëndron në përmbajtjen e saj tejet të guximshme dhe në trajtimin e temave (shpesh të konsideruara si tabu tema) që janë shumë aktuale për kohën, siç janë: imazhi i dyfishtë në bashkëshortësi, imazhi i rrejshmën që prezantohet para botës dhe ai i vërteti që ekziston brenda katër mureve; frika për t’u ballafaquar me të vërtetën dhe ikja nga realiteti, shpresat dhe dështimet në një lidhje bashkëshortore, etj. Xhorxhi dhe Marta sapo janë kthyer nga një mbrëmje e organizuar nga babai i Martës (rektori i Universitetit). Marta, për ta vazhduar festën, ka ftuar miq një profesor të ri (Niku) dhe gruan e tij (Hani), sapo të ardhur në qytetin universitar. Xhorxhi dhe Marta në esencë ndjejnë shumë për njëri-tjetrin, mirëpo zhgënjimet që u kanë ndodhur në jetë, pamundësia për të pasur fëmijë dhe sidomos mossuksesi i Xhorxhit për t’u ngritur në pozitë në universitet e ka kthyer lidhjen e tyre martesore në një arenë të vërtetë lufte. Në aktin e parë të dramës të titulluar “Lojë dhe shaka”, Marta dhe Xhorxhi përqeshin dhe poshtërojnë njëri-tjetrin duke shfrytëzuar praninë e mysafirëve si një audiencë që është e detyruar të futet në lojën e tyre dhe të marrë anën e njërit nga ta. Në këtë lojë mysafirët nuk mbesin të paprekur nga pasojat e “luftës” midis Xhorxhit e Martës, edhe ata detyrohen padashje të përfshihen në konfliktin e tyre dhe të shpalosin gjëra intime të cilat e shpien edhe çiftin e ri drejt një konflikti të paevitueshëm. Në aktin e dytë ( titulluar “Nata e Valpurges (Shtrigave)”) kjo lojë fillon të bëhet edhe më e ashpër, ngjarjet shndërrohen në një ankth të vërtetë. Xhorxhi dhe Marta krahas konfliktit të tyre fillojnë t’i sulmojnë edhe mysafirët duke i detyruar ata që te zbulojnë sekretet dhe problemet e tyre martesore. Në aktin e tretë (të titulluar “Ekzorcizëm”) sekretet e të gjithëve zbulohen, maskat çirren, por edhe plagët mbesin të thella. Hani dhe Niku ikin në shtëpinë e tyre, duke e lënë Xhorxhin dhe Martën vetëm në bashkëshortësinë e tyre të brishtë.

    Nga Julia Vrapi

    vazhdon deri ne date 20 dhjetor [​IMG]
     

Shpërndajeni këtë faqe