Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    TVSH në ndërtimi, sa do paguhet në 07
    ERALD KAPRI

    Tatimi i Vlerës së Shtuar për vitin 2007, do të jetë në blerje dhe e kreditueshme. Pavarësisht ndërhyrjeve të institucioneve ndërkombëtare ekonomike kërkuar vendosjen në shitje të saj, kjo gjë nuk u pranua nga Qeveria me premtimin se do të garantohen të ardhurat e parashikuara në Buxhet. Vendosja e TVSH-së në shitje do të rriste automatikisht çmimet e apartamenteve në treg. Udhëzimi më i fundit i Drejtorisë së Tatimeve, i datës 30 nëntor të vitit të kaluar, përcaktoi përfundimisht mënyrën dhe koston minimale të TVSH-në në ndërtim. Tatimi kryesor do të jetë i paguar në blerje dhe ndërtuesit kanë mundësi të kreditimit të saj. Tatimet kanë përcaktuar të gjithë koston dhe hartën e saj e cila varion e ndryeshme për qytete të ndryshme. Natyrisht që Tirana ka edhe kosto minimale më të lartë se qytetet e tjera. Shoqata e Ndërtuesve por edhe shumë ndërtues të tjerë, kanë rënë dakort më kete hartë kostove minimale nëpërmjet të cilës do të paguhet edhe TVSH-ja. Udhëzuesi është cilësuar si minimizues në uljen e evazionit fiskal, mospagimit të taksës.

    Udhëzimi

    Përcaktohet se TVSH do të paguhet vetëm kur të verifikohen sa më mirë faturat e lëndëve të ndërtimit. Kosto minimale fiskale për Tiranën është 30 mijë lekë për metër katrorë, ndërsa për qytetet e tjera do të logaritet si produkt i kostos. TVSH-ja për Tiranën në sipërfaqe ndërtimi do të jetë minimalisht 5 mijë lekë për metër katrorë dhe njëkohëisht për Tiranën TVSH-ja do të jetë minimalisht e pagueshme në 1 370 për metër katrorë. TVSH-ja minimale e pagueshme prej 1 370 për metrash katrorë, mund të reduktohet kur ndonjë punim është bërë me ndonjë subjekt të regjistruar në TVSH të cilët e kanë paguar më parë. Në rastet kur firma e ndërtimit i kryen punimet duke përdorur nënkontraktor, detyrimet për koston dysheme i takojnë firmës që përdor nënkontraktorin. Njëkohësisht do të verifikohen shpenzimet faktike dhe në rast se vërehet se shpenzimet janë më të larta, atëhere nuk do të merret parasysh tatimi dysheme. Nisur nga fakti se strukturat e ndërtimit do të jenë në kate më të ulëta në të ardhmen, nisur edhe nga ndryshimi i planeve urbanistike, atëhere kostoja dysheme ndryshon. Llogaritet se 15 për qind të sipërfaqes së ndërtimit do të paguhet dyfish më pak për garazhet etj. Në rast se ndonjë firmë do të fitojë tender nga Enti i Banesave atëhere nuk do të merren në konsideratë pikat e mësipërme por do të shikohen pikat e kontratës së nënshkruar.

    Sektori i ndërtimi

    Ndërtimi është padyshim sektori më dinamik i ekonomisë dhe mbledhje e TVSH-së në këtë sektor është parësor. Kjo taksë quhet ndryshe edhe taksa që ushqen shtetin me para pasi është e vetmja taksë më efikase. Parashikohet që më vonë, ndoshta pas një viti, që ky tatim të jetë në shitje që do të thotë për ndërtuesit, rritje çmimi. Kalimi i saj në shitje do të thoshte më efikasitet për tatimorë dhe për rritjen e të ardhurave por çmimet e apartamenteve për konsumatorët do të rriteshin minimalisht 20 për qind. Kjo situatë në këtë treg do të ishte e patolerueshme.

    Vendimi plotë për TVSH-në

    1 - Kosto minimale fiskale për Tiranën është 30 mijë lekë për m2
    2 - Për qytetet e tjeta do të llogaritet si produkt i kostos
    3 - TVSH për Tiranën në sipërfaqe ndërtimi do të jetë minimalisht 5 mijë lekë m2
    4 - TVSH minimalisht e pagueshme në Tiranë do të jetë 1 370 për m2
    5 - Kosto minimale fiskale për zonat në Tiranë 2\1 dhe 5\1 do të jetë 45 mijë lekë për m2 dhe minimalisht e pagueshme 2 mijë lekë
    6 - TVSH minimale e pagueshme prej 1 370 për m2, mund të reduktohet kur ndonjë punim është bërë me ndonjë subjekt të regjistruar në TVSH të cilët e kanë paguar
    7 - Në rastet kur firma e ndërtimit i kryen punimet duke përdorur nënkontraktor, detyrimet për koston dysheme i takojnë firmës që përdor nënkontraktorin.
    8 - Në çdo rast do të verifikohen shpenzimet faktike dhe në rast se vërehet se shpenzimet janë më të larta, atëhere nuk do të merret parasysh tatimi dysheme
    9 - Në çdo rast do të kontrollohen të gjitha faturat e blerjes së lëndëve të para dhe materialeve dhe TVSH do e paguar në blerje e cila është e kreditueshme
    10 - Nisur nga fakti se strukturat e ndërtimit do të jenë në kate më të ulëta, atëhere kostoja dysheme ndryshon, 15 % të sipërfaqes së ndërtimit do të paguhet dyfish më pak
    11 - Në rast se ndonjë firmë do të fitojë tender nga Enti i Banesave atëhere nuk do të merren në konsideratë pikat e mësipërme por do të shikohen pikat e kontratës.
     
  2. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Aksionet e AMC për 13 milionë euro

    Shteti do të nxjerrë në shitje 12.6 % të aksioneve. E privilegjuar është kompania Cosmote

    Gerti Osmani-ABC

    Qeveria do të nxjerrë në shitje pjesën e vet të aksioneve të kompanisë celulare Albanian Mobile Communication-AMC. Ka qënë zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo që deklatori se gjatë viti 2007 do të përfundojë privatizimi i plotë i kompanisë së telefonisë celulare, pra i 12.6 për qind të aksioneve që zotëron shteti. Njëkohë pritet të marrë fund dhe kaluari i privatizimit edhe të kompanisë publike të telefonisë fikse “Albtelekom” që pritet t’i kalojë Çalik Group me disa ndryshime jothelbësore në kontratën që kishte firmosur ish-ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli.
    Në kompaninë e parë të telefonisë celulare ish-punonjësit e saj, rreth 95 aksionerë kanë 2.38 për qind të aksioneve ndërsa ministri i Ekonomisë Genc Ruli zotëron në emër të shtetit shqiptar 12.6 për qind të aksioneve. Por midis kompanisë greke Cosmote që ka 85 për qind të aksioneve dhe minorancës, duke përfshirë dhe shtetin shqiptar ka patur një sërë kontradiktash të cilat, mund të marrin zgjidhje me privatizimin total të aksioneve nga aksionari më i madh, Cosmote. Kompania “mëmë” e AMC-së, Cosmote ka të drejtën e parë për privatizimin e aksioneve por në ligjin për privatizimin është vendour që çmimi minimal për shitjen e pjesës së mbetur të aksioneve të mos jetë më pak se ai i shitjes fillestare. Që do të thotë se vlera “dysheme” e blerjes së këtyre aksioneve është 12.6 milionë euro.
    “Historitë” e AMC-së
    Konflikti me aksionerët minoritarë, përsa i përket shpërndarje së dividentit, midis drejtuesve të AMC ka qenë i kahershëm. Kompania vetëm në vitin 2004 ka shpërndarë 2.4 milionë lekë nga fitimet e vitit 2002, ndërkohë që për viten 2000-2005 nuk ka shpërndarë fitim. Arsyetimi i mos shpërndarjes së dividentit nga kompania është në fakt, klasik ku aksionari më i madh, vendos për mënyrën e shpërndarjes së fitimit të kompanisë. Dhe, kësisoj mazhoranca e AMC, ka vendosur që ky fitim të mos shpërdahet por të riinvestohet. Rasti më i fundit është blerja e bondeve kompanisë mëmë Cosmote, prej 50 milionë euro. Në këtë, rast, aksionerët në minorancë janë të humbur për faktin se nuk kanë marrë, përqindje dividenti. Ndërkohë që mosarkëtimi nga administrata tatimore e taksës mbi fitimin e shpërndarë që është rreth 10%, është një tjetër aspekt. Mos shpërndarja e dividentiti e ka historikun që në vitin 2000, ku AMC shtetërore kishte realizuar fitimeve 589 milionë lekë. Shteti luftoi që t’i merrte këto para që i përkisnin por AMC tashmë me pronarë të rinj grek refuzoi duke e çuar çështjen në gjykatë. Përgjigja e drejtuesëve të kompanisë ishte se ajo nuk ishte e detyruar që të shpërndante fitimet e saj, duke deklaruar se do ti rinvestonte.
    Aksionerët e “vegjël”
    Pas shitjes së kompanisë së parë celular në Shqipëri, në vitin 2000, blerësit e saj, Cosmoholding Albania Sh.A morën 85% të aksioneve që në total ishin rreth 813.822 aksione me një vlerë totale 83.6 milionë dollarë. Ndërsa, pjesa tjeter e aksioneve 15% mbeti prone e shtetit shqiptar. Por me urdhër të ministrit të ekonomisë së asaj kohe, më 6 shkurt 2001, AMC kaloi 2,38% të aksioneve për llogari të 95 punonjësve të kompanisë dhe pjesa prej 12.6% mbeten sërish si pronë e shtetit shqiptar e cila pritet të privatizohet gjatë vitit 2007, sipas zv/ministrit Bozdo.
     
  3. MLK

    MLK Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Nje Kompani telefonie mobile kapitalizohet ne bursat perendimore 15 deri 18 % te fitimeve per vitin 2007.
    Atehere AMC qe ka rreth 30 deri 35 milion euro fitimin vjetor (pas taksave dhe pse ajo eviton ne maksimum pagesen e taksave nepermjet sistemeve piramidale, pasi para pageses se taksave e ka rreth 45 milion euro fitimin).
    Pra normalisht, vlera e AMC eshte diku te 400-450 milion euro et 12.6% e kapitalit 50-60 milion euro e jo 13 milion euro si pretendon gazeta!!

    Ps ne keto llogari mora shifrat me te ulta duke pas parasysh faktorin risk te Shqiperise.
     
  4. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    INSIG, miratohet komisioni i privatizimit

    INSIG do të kalojë në duar të privatëve brenda vitit. Ministri i financave Ritvan Bode tha se dikasteri i tij i cili do ta finalizojë këtë process tha se edhe pse ende ligji i privatizimit të kësaj kompanie e vetmja me pronësi shtetërore në tregun e sigurimeve, ende nuk është firmosur nga Presidenti, ministria e ka miratuar komisionin që do të merret me procedurat e privatizimit. “Ne presim dekretimin e njërit prej ligjeve që është miratuar në Kuvend për procedurat e privatizimit të INSIG-ut. Ministri i Financave ka dekretuar komisionin që do të merret me procedurat për privatizimin e INSIG-ut. Ne kemi deklaruar edhe qëndrimin tonë që brenda vitit 2007 të privatizojmë INSIG-un. Shpresojmë që është një situatë pozitive në tregun financiar dhe një rritje interesi nga kompanitë që kërkojnë të futen në këtë treg dhe të bëjmë të mundur pra që brenda këtij viti të kemi rezultate konkrete për privatizimin e kësaj kompanie”, tha ministri Bode. INSIG është kompani me shtrirje edhe në Kosovë e Maqedoni dhe së bashku me kuotën e aksioneve shtetërore në të edhe dy ortakët e tjerë BERZH dhe IFC kanë vendosur që ta shesin atë 100 për qind. A. D
     
  5. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    ARMO nxjerr në shitje pikat e karburanti

    Nga 37 njesi shitjeje 33 pika administrohen aktualisht nga privatët


    Gjithsej 37 pika karburanti të kompanisë shtetërore "ARMO" do të dalin në shitje brenda këtij viti, sipas një vendimi të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ky vendim ngarkon Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës të autorizojë shoqërinë "ARMO" që të bëjë ndarjen e aseteve fikse të saj dhe llogarive financiare që lidhen me veprimtarinë e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve. Shitja e pikave të karburantit konsiderohet si faza e parë e procesit të privatizimit të kompanisë "ARMO", e parashikuar të përfundojë brenda vitit 2007. Privatizimi i pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve do të bëhet në përputhje me procedurat e privatizimit të ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore të vogla dhe të mesme. Shoqëria "ARMO" do të ruajë të gjitha të drejtat mbi asetet, që i përgjigjen veprimtarisë së pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, deri në çastin e privatizimit të tyre. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë, Halim Dariu, shanset më të shumta për privatizimin e pikave të karburantit e kanë kompanitë private që i administrojnë ato që nga viti 1999. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë, Halim Dariu, "nga 37 pikat e karburantit vetëm 33 prej tyre janë në punë, ndërsa 4 prej tyre nuk plotësojnë standardet". Shoqëria ARMO është një shoqëri me kapital 100 për qind shtetëror, por është shoqëri anonime dhe si e tillë ajo është e detyruar që t‘i nënshtrohet procedurës së privatizimit. Kompania shtetërore e naftës, "ARMO", përpunon dhe tregton çdo vit 380 mijë deri në 400 mijë tonë naftë, duke plotësuar kështu 20 deri në 25 për qind të nevojave të tregut shqiptar me gazoil për automjetet. Kompania ka një profil të formuar dhe treguesit e saj janë konsoliduar në vite. Prodhimet e saj tregtohen në të gjithë vendin përmes kontratave që janë lidhur me subjekte të ndryshme private. Çdo vit, ARMO-ja derdh në favor të shtetit rreth 33 milionë USD në formën e tatimeve dhe taksave të ndryshme, mes të cilave ajo e akcizës, tatimi mbi fitimin dhe TVSH-ja. Sipas statistikave të vitit 2005, Shqipëria importoi rreth 400 mijë tonë karburant në vit, ndërkohë që në vend prodhohen rreth 380 mijë tonë në vit nga rafineritë e ARMO sh.a., shoqëri me kapital shtetëror, e cila merr naftën që shoqëria tjetër Albpetrol sh.a. e nxjerr nga nëntoka dhe, pasi e rafinon, e hedh në treg.
     
  6. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Pallatet e reja dhe prenotimet në to, në regjistër të posaçëm

    Garantohen shitjet dhe kreditë në banka

    Të gjitha pallatet e reja do të shënohen në një regjistër të përkohshëm. Ndërsa të gjitha shitjet me prenotim, pra para përfundimit të ndërtesës, do të regjistrohen në këtë dokument. Kjo si për të garantuar mosshitjen për disa herë rresht të një apartamenti, si dhe për t’i dhënë mundësi bankave për të dhënë kredi. Ky regjistrim ёshtё i vlefshëm deri nё regjistrimin e kontratës sё shitjes, pёr efekt tё kreditimit tё blerësit. Pёr regjistrimin e kontratave paraprake zbatohet parimi i pёrparёsisё sё regjistrimit. Ekspertët kanë theksuar se shpesh është vënë re që një ndërtues e ka shitur disa herë apartamentin, duke favorizuar çmimin më të lartë. Kjo duke dëmtuar personin që ka bërë prenotimin i pari. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi vetëm pasi të jetë marrë vendimi dhe nga parlamenti shqiptar
     
  7. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    BB zhbllokon financimin, nis së shpejti TEC-i i Vlorës

    KESH dhe "Maier Inginering" firmosin kontratën paraprake të zbatimit të projektit


    Banka Botërore ka hapur dritën jeshile për fillimin e punimeve që do të mundësojnë ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Burime zyrtare nga BB kanë pohuar për "Shqip" se përfaqësia e Bankës Botërore në Shqipëri ka dhënë formalisht aprovimin për fillimin e punimeve, duke nënkuptuar edhe gatishmërinë e saj për të filluar disbursimin periodik të fondeve të akorduara nga ajo për zbatimin e projektit. Kjo ka bërë që KESH dhe kompania fituese që do të ndërtojë TEC-in, të nënshkruajë pasditen e djeshme kontratën paraprake për fillimin e punimeve, të cilat parashikohen në periudhën mars-prill të këtij viti. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në KESH, Muharrem Stojku, i cili ka bërë të ditur për mediat nënshkrimin e kontratës mes drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Andi Beli dhe përfaqësuesit të kompanisë italiane "Maier Inginering". "Doja të theksoja se sapo mora lajmin që është nënshkruar kontrata për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, e cila ishte e paralajmëruar që do të nënshkruhej brenda muajit janar. Vetëm pak ditë më parë, drejtori i firmës "Maier Inginering", ka qenë në Tiranë për të përfunduar me KESH-in është përpilimin e dokumenteve të kontratës që do t‘u dorëzoheshin bankave financuese, ku ka deklaruar se pritej vetëm drita jeshile nga donatorët për fillimin e punimeve. TEC-i i Vlorës do të realizohet me një financim prej 92 milionë euro, do të ketë një fuqi 90 MW dhe pritet të përfundojë brenda 24 muajsh.
     
  8. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Mallrat e akcizës, si humbin doganat 100 milion euro në vit
    ADI DARSI - Gazeta Metropol
    28 Janar Karburantet, kafeja dhe cigaret mbeten artikujt më të ekspozuar ndaj kontrabandës

    Mallrat e akcizës si mallrat më të ekspozuar nga kontrabanda, në dogana janë gërryeset më të mëdha të buxhetit të shtetit. Nëse nuk do të kontrabandoheshin mijëra tonë cigare, karburante dhe kafe, të ardhurat buxhetore do të kishin mundësinë të mbulonin një rritje shumë të madhe pagash, apo të investoheshin në ekonomi miliona. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, bazuar në të dhënat zyrtare del se në një vit vetëm për tre artikuj, kafe, cigare dhe karburante, shtetit i humbasin minimalisht 100 milionë euro. Gjithçka është përllogaritur minimalisht dhe vetëm për dy taksat më të ndjeshme të tyre, TVSH dhe akcizën. Paratë e humbura do të mjaftonin për 100 kilometra rrugë në vit, por kontrabanda dhe lidhja e saj me krimin e politikën, ia ka hequr vendit këtë mundësi. Në këtë kuptim edhe planet doganore, për të cilat me rritje të vogla krijohen shanse për tu krenuar nga zyrtarët, në thelb nuk janë gjë tjetër vetëm se ligjërim i fenomenit. Ka mjaftuar vetëm pak vullnet i mirë i PD-së në këto muaj të qeverisjes së saj, që rritja në zhdoganimet e këtyre mallrave të ishte e konsiderueshme. Duke konfirmuar kështu se sa shumë është humbur nga doganat. Por edhe sa shumë duhet të bëjë shteti në kushtet kur deri më sot e ka të vështirë të mbledhë edhe borxhet e deklaruara ligjërisht e jo më atë të padeklaruara apo të rrëshkitura kontrabandë.

    Karburantet

    Konsumi i karburanteve në vend edhe pse çmimet sa vijnë e rriten vjen, në një rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Kjo lidhet si me numrin e makinave që shtohen, ashtu edhe me përdorimin gjithnjë e më të gjerë të tyre si energji alternative në drejtime të tjera industriale apo familjare. Por prej shumë vitesh, raportet doganore vërtiten rreth një importi 300 mijë ton në vit dhe pothuaj të gjitha burimet shtetërore e llogarisin konsumin vjetor 400 mijë tonë. Të zhdoganosh më shumë 10,20 apo 30 tonë paraqitet si një sukses. Në vitin 2004 janë zhdoganuar 290 mijë tonë karburante dhe shifra e 2005 kapërcen 300 mijë tonë. Ministria e financave lajmëron suksesin por ndërkohë jep edhe shifrën që në dhjetor 2005 u zhdoganuan 4 mijë ton më pak,saktësisht 34 mijë ton nga 38 të zhdoganuara në dhjetor 2004. Një vit më vonë, nga shifrat zyrtare të doganave rezulton që janë zhdoganuar vetëm 356 544 ton, ose 30 301 ton me shume se ne vitin 2005. Në fakt problemi nuk është vetëm tek rritjet në shifra. Konsumi, në raport me zhdoganimin ndryshon shumë. Një shembull që mund të merret është se, nëse u besojmë shifrave zyrtare me 400 mijë ton konsum dhe me 250 mijë makina në punë rezulton që sikur e gjithë sasia të shkonte në transport, një makinë konsumon 1600 litra në 365 ditë. Ekspertët mendojnë se shifra është larg së vërtetës dhe sipas tyre, konsumi i naftës në vend është e pakta edhe 40 për qind më shumë. Por ka edhe nga ata që besojnë se ai shkon në 1 milion tonë në vit. Por me shifrat më modeste rezulton që, në një vit humben vetëm nga akciza e të paktën 200 mijë tonëve kontrabandë 5.5 milionë dollarë. Edhe më e madhe është humbja nga TVSH-ja, që për këtë sasi të marrë shkon deri në 10 milionë euro, duke e çuar humbjen nga karburantet kontrabandë në një vit, minimalisht 15 milionë euro.

    Cigaret

    Të gjithë prodhuesit e cigareve në Shqipëri kanë falimentuar. Pothuaj të gjithë thonë se shkak, për këtë është futja e cigareve të importit kontrabandë. Faktet zyrtare e kanë konfirmuar këtë shpesh. Mbyllja e një dege tradicionale të industrisë së vendit siç është ajo e cigareve, në fakt nuk është e vetmja e keqe që pëson shteti. Po kaq të frikshme sa vdekja e një industrie janë edhe shifrat e vlerave financiare që humbet në vit dogana. Rasti i falimentimit të prodhuesve e ka bërë këtë treg më të ekspozuar ndaj shumë reagimeve. Por rasti më pikant ishte një studim, që ndërmori për këtë treg ish-përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Jan Piter Olters. Ai doli në përfundimin se në Shqipëri konsumohen në një vit, rreth 8 mijë ton cigare. Do të ishte viti më i mirë 2005-a, nëse kjo sasi do të realizohej në 50 për qind të saj, pra nëse zhdoganoheshin 4 mijë ton cigare. Kjo u arrit në vitin 2006, ku sipas të dhënave doganore janë zhdoganuar 4118 ton, ose 198 ton më shumë se në vitin 2005, por shifra mbetet dukshëm shumë poshtë konsumit të përllogaritur vjetor. Ky artikull është kështu ndër më pikantët jo vetëm si një tregues i efektit të kontrabandës në ekonomi, por edhe në buxhetin e shtetit. Miliona euro humbasin vetëm nga 2 taksa që rrëshqasin në doganë me kontrabandën e cigareve. Një ton cigare do të thotë 50 mijë paketa dhe një paketë cigare e ka akcizën 20 lekë. Po në këtë vlerë është edhe TVSH-ja, nëse marrim çmimin e një pakete me shumicë me vlerë 100 lekë. Nuk është e vështirë të llogaritet se, nga kjo sasi kontrabandë cigaresh humbasin plot 35 milionë euro akcizë e po 35 milionë TVSH. Në total, humbja është 70 milionë euro minimalisht.

    Kafeja

    Zyrtarish,t Shqipëria importoi gjatë vitit të kaluar 4000 tonë kafe, që me një çmim mesatar të shitjes me pakicë shkon në 3,8 miliardë lekë ose rreth 32 milionë euro. Ky përbën tregun zyrtar të kafesë, në vitin e tij më të mirë. Por ajo çfarë bie në sy është fakti se në Shqipëri, sikurse edhe në shumë vende të Ballkanit, çmimi i shitjes me pakicë është dukshëm më i lirë sesa në vendet e tjera të Evropës Perëndimore. Pse ndodh kjo, apo ndryshe nga nxirret fitimi? Të dhënat japin idenë se kostot, për tregtimin e kafesë në Shqipëri, me një çmim mesatar prej 1 000 lekësh për kilogram, nuk është fitimprurës. A do të thotë kjo, që sipërmarrësit e këtij biznesi janë duke zhvilluar një aktivitet me humbje? Përgjigjja është “Jo”. Sipas të dhënave, sasia e kafesë së zhdoganuar për vitin 2004 është rreth 3,8 mijë tonë kafe (më saktë 3,867 mijë tonë), por kjo mendohet se nuk paraqet më shumë se 43 për qind të totalit të kafesë së zhdoganuar në vend. Rezervën e ka vërtetuar rritja e dukshme në zhdoganimet e vitit 2006. Sipas shifrave të DPD rezulton të jenë zhdoganuar 5610 ton, ose 1908 ton me shume se ne vitin 2005. Kështu për vite me radhë, më shumë se gjysma e kafesë e hyrë në Shqipëri ka qenë me një kosto me të ulët, prej mesatarisht 60 lekë për kilogram (akciza për kafen e pjekur është 80 lekë për kilogram dhe për atë të papjekur, 40 lekë për kilogram). Elementi tjetër, për këtë çmim të ulët është i lidhur edhe më cilësinë e ulët të shumicës dërrmuese të kafesë, që importohet në vend. Ka lloje kafesh të cilësisë së ulët, që në tregun ndërkombëtar mund të blihen me një çmim bruto prej 60 centësh për kilogram. Ja përse kafeja shitet më lirë se kudo. Nga 32 milionë euro treg, shteti vjel rreth 9 milionë euro taksa. Me një llogari të thjeshtë del se, në kushtet kur zhdoganohet vetëm 45 për qind e konsumit, humbja vjetore është e pakta 10 milionë euro.

    1. Humbjet nga kontrabanda

    Cigaret humbja 70 milion euro

    Konsumi vjetor 8000 ton

    Zhdoganimi 4000 ton
    Kontrabanda 4000 ton

    Kafeja humbja 10 milion euro

    Konsumi vjetor 9000 ton
    Zhdoganimi 4000 ton
    Kontrabanda 5000 ton

    Karburante humbja 15 milion euro

    Konsumi vjetor 700 000 ton
    Zhdoganimi 350 000 ton
    Prodhim vendi 100 000 ton
    Kontrabanda 250 000 ton

    2. Zhdoganimet e mallrave të akcizës

    Lloji 2006 2005

    Karburant 356 544 ton 326 243 ton
    Cigare 4118 ton 3920 ton
    Kafe 5610 ton 3702 ton
     
  9. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Ligji për dividendin në 2005, ja si do të vepronin bizneset

    Metropol

    Bizneset e mëdha duhet të vendosnin deri në datën 31 korrik, se çfarë do të bënin me fitimin që u shpërndahet aksionerëve dhe të lajmëronin autoritetet fiskale. Sipas ligjit mbi pagimin e taksës së dividendit të miratuar në paketën fiskale 2005, kompanitë duhet të bëjnë bilancin e gjashtëmujorit dhe të caktojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin, do ta riinvestojnë apo do ta ndajnë mes ortakëve. Në rastin e dytë, kjo pjesë fitimi do të tatohet me 10 për qind dhe kompanive u takon ta bëjnë këtë deklaratë deri më 31 korrik. Pikërisht kjo ishte fitorja e biznesit në Komisionin e Ekonomisë, kur u arrit që pjesa e riinvestuar apo e përdorur për rezerva nuk do të tatohej 10 për qind, sepse nuk quhej dividend. “Deri më 31 korrik, këta tatimpagues janë të detyruar në bazë të ligjit, të depozitojnë pranë administratës tatimore, vendimin e organit kompetent vendimmarrës të shoqërisë, për përdorimin e fitimit pas tatimit të vitit paraardhës”, ka bërë të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Tatimpaguesit, që janë subjekt i tatimit mbi fitimin, pas shlyerjes së këtij detyrimi në organet tatimore, brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti, janë të detyruar në bazë të ligjit mbi të ardhurat, të miratojnë rezultatet financiare të vitit paraardhës. Kështu, ligji i tatimit mbi të ardhurat kërkonte që, në rastet kur tatimpaguesi nuk e depoziton deri më 31 korrik në degën e tatimeve përkatëse, vendimin e organit kompetent për fitimin pas tatimit, atëherë i gjithë ky fitim, pa përfshirë rezervat e domosdoshme ligjore do të konsiderohet automatikisht dividend, për t’u shpërndarë dhe do të tatohet, sipas po këtij ligji, në masën 10%.
     
  10. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bizneset e mëdha: 10 për qind taksë për çdo lek të fituar

    KEI FUSHA - Metropol

    27 Janar Ligji për dividendin ka pësuar ndryshime pa u informuar biznesi

    Bizneset e mëdha ,që duhet të deklarojnë bilancet në 30 korrik pranë organeve tatimore janë të detyruar të deklarojnë me dokument zyrtar, se çfarë bëjnë me paratë e fituara dhe e gjithë pjesa e fitimit do tu tatohet me 10 për qind. Kjo ka acaruar bizneset e mëdha, të cilat mundën me Paketën Fiskale 2005 të vendosin me ligj tatimin 10 për qind vetëm të pjesës së fitimit që ju ndahet ortakëve si dividend, ndërsa pjesa tjetër që do të përdorej për qëllime të ndryshme jo vetëm që nuk do të tatohej, por as nuk do të ishte e nevojshme që të përcaktonin se si do ta përdornin.

    “Shoqëritë tregtare, pas pagimit të tatimit mbi fitimin , sipas dispozitave të kreut të III të këtij ligji, në përputhje dhe me dispozitat e nenit 56 të ligjit 7638 datë 19 11 1992 “ për shoqëritë tregtare” të ndryshuar, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e mbylljes së vitit financiar, duhet të miratojnë në Asamblenë e Ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë, rezultatet financiare të vitit pasardhës dhe ta destinojnë fitimin pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore pjesën që do të përdoret për investime ose shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi” thuhet në ligjin e tatimit mbi fitimin që u vu në zbatim gjatë 2006.

    Për ekspertët kontabël ndryshimi nuk është i dukshëm, por i ndjeshëm. Pikërisht fragmenti, që thotë se duhet të destinojë fitimin pas tatimit, ka futur në sherr ekspertët kontabël me kompanitë dhe korporatat e mëdha, të cilat kanë pretenduar se këtë çështje e kanë zgjidhur me Paketën Fiskale të 2004 – 2005-ës. Lufta e biznesit në Komisionet e Financës dhe në fund në Parlament, për të ndryshuar ligjin për dividendin kishte të bënte pikërisht me këtë pikë. Bizneset arritën që të përcaktonin me ligj brenda ligjit për dividendin, se deri në 31 korrik do të përcaktonin pjesën e fitimit që do të shpërndahej si dividend dhe do të tatohej me 10 për qind dhe pjesa tjetër do të shkonte për investime apo për rezerva, por nuk do të tatohej si dividend me 10 për qind duke mos qenë e nevojshme kështu të përcaktohej destinimi i fitimit. Ndërsa në Paketën Fiskale të asaj kohe socialistët edhe pse nuk ishin dakord janë tërhequr në momentin e fundit, duket se në Paketën Fiskale të 2006, demokratët e kanë ripërfshirë këtë detaj të vogël në ligj pa bërë shumë komente apo pa informuar biznesin. Në fund, kur shoqëritë tregtare apo korporatat kanë pritur mbylljen e bilanceve kontabël, janë informuar nga kontabilistët e tyre se, ky ndryshim i vogël kërkon dashje pa dashje edhe vendimin e ortakëve apo të Asamblesë mbi mënyrën se si do ta përdorin fitimin, madje dhe rezervat ligjore. Sipas ekspertëve kontabël në Paketën e vjetër Fiskale nuk ishte e nevojshme, që në vendimin e ortakëve për të miratuar bilancin kontabël të përcaktohej destinimi i fitimit pas tatimit. Ligji ndërkaq përcakton qartë se, në rast se Asambleja e Ortakëve nuk e merr këtë vendim dhe nuk e dorëzon në organet tatimore, atëherë do të vihen gjoba deri në 25 mijë lek të reja për çdo muaj që vonohet vendimi.

    “Personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor, tatimin mbi dividendin e tatueshëm jo më vonë se data 30 korrik, viti kur bëhet miratimi i bilanceve pavarësisht nëse është bërë ose jo pagesa e dividendit “ – bëhet e ditur në ligjin e tatimit mbi fitimin, kur flitet për destinimin e fitimit.
     
  11. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Industria botërore e telefonisë rritet 11.2 për qind në 2006

    Gazeta Metropol

    Industria botërore e telekomunikacionit ka qarkulluar në vitin e fundit 3 trilion dollarë, një shifër kjo, 11.2 për qind më e lartë se në vitin 2005. Shifra është publikuar nga revista vjetore e TIA, Telecommunications Industry Association's, e cila ka dhënë të detajuar edhe rritjet sipas tregjeve në kontinente. Sipas kësaj reviste, tregu amerikan e telefonisë është rritur në vitin 2006 me 9.3 për qind, duke siguruar një qarkullim prej 923 miliardë dollarë. Kjo është rritja më e shpejtë e vënë re në këtë treg që prej vitit 2000. Tregu evropian ka kapur vitin e kaluar vlerat financiare të mbi 1 trilion dollarë dhe në vijim, tregjet aziatike dhe të Paqësorit kanë në totalin e qarkullimit botëror një kontribut prej 715 miliard dollarë. Rritjen më të madhe në sektorin e telekomunikacioneve e kanë patur Afrika dhe Lindja e Mesme, të cilat gjatë 2006 kanë rezultuar me biznes telefonie 21.6 për qind më të rritur se një vit më parë. Zhvillimet spektakolare në këto tregje kanë ardhur falë një rritjeje të fortë të kërkesës botërore dhe investimeve të mëdha në këto rrjete e shërbimi. Parashikohet që në vitin 2010, xhiroja vjetore e këtyre bizneseve të kap shifrat e mbi 4.3 trilion dollarëve amerikanë.
     
  12. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Interesi real i bonove 6 për qind

    Bankat dekurajojnë individët për bonot dhe i nxisin të investojnë në depozita

    Gert Osmani-ABC

    Kalimi i ankandeve të bonove të thesarit nga Banka e Shqipërisë te bankat e nivelit të dytë ka ulur interesin e qytetarëve për të investuar në blerjen e borxhit të qeverisë. Në fakt me kalimin e bonove te bankat, megjithë rritjen e vazhdueshme të yieldit, është ulur ndjeshëm interesi “real” ose neto që fitojnë individët me blerjen e bonove të thesarit. Kjo sepse mbi blerjen e bonove të thesarit bankat aplikojnë disa lloj komisionesh dhe njëkohësisht i inkurajojnë individët të zgjedhin depozitat në vend të bonove të thesarit.

    Bankat: mos blini bono
    Një fushatë jo fort e ndershme ka filluar në bankat e nivelit të dytë që kur Banka e Shqipërisë i kaloi në sportelet e tyre ankandet e bonove të thesarit. Punonjësit e bankave nuk i inkurajojnë individët të blejnë bono thesari por i orientojnë drejt depozitave pasi këto të fundit “mbeten” në bankë ndërsa investimet për bono kalojnë pranë Bankës së Shqipërisë. Madje një nga mënyrat për ti orientuar klientët më së shumti drejt depozitave dhe për ti dekurajuar nga investimi në bono është deklarimi se interesat e depozitave janë më të larta. Dhe në fakt me dy komisionet që aplikojnë dhe tatimin mbi të ardhurat që duhet të paguash investimi në bono ka përfitueshmëri të ngjashme me atë në depozita. Madje dhe më të ulët për disa banka që aplikojnë interesa vjetorë për depozitat deri në 6.5 % për depozitat në lekë.
    Normalisht duhet të ishte ndryshe, pra që interesi i bonove të ishte më i lartë se i depozitave ashtu siç dhe deklarohet në raportet e Bankës qendrore. Nëse i referohemi krahasimit të shifrave interesi për depozitat me afat 12 mujor varion nga 5.5 në 6.5 për qind ndërkohë që për të njëjtën periudhë kohore interesi i deklaruar po të blesh bono thesari është 7.86 për qind. Por bankat të paguajnë interesa më të ulta për bonot sesa interesat që marrin nga Banka e Shqipërisë duke aplikuar komisione.


    Interesi real
    Rezultatet e ankandit të fundit të bonove të thesarit tregojnë që yieldi për bonot me afat 1 vjeçar është 7.86 për qind. Kjo është dhe shifra zyrtare e rezultatit të ankandit por shumë nga qytetarët janë të “zhgënjyer” me paratë që sigurojnë krahasuar me disa vite më parë ose dhe me interesin e shpallur. Kjo pasi që kur ankandet e bonove të thesarit kaluan pranë bankave të nivelit të dytë, këto të fundit vendosën menjëherë komisione për çdo veprim me bonot. Nga njëra bankë te tjetra ky komision varion nga minimumi 1 mijë lekë në maksimumin 3 mijë lekë. Në llogaritjet tona kemi zgjedhur një kufi të ndërmjetëm, 2 mijë lekë për një blerjen e bonove të thesarit në vlerën 500 mijë lekë. Meqënëse të ardhurat nga interesi kur blen bono jepen brenda javës kur është zhvilluar ankandi, Banka ta llogarit interesin që të jep mbi bazën e shumës që mbetet e depozituar(500 000-39300) dhe jo mbi bazën e shumës nominale të bonos. Gjithashtu në kontratën e blerjes së bonove banka të mban dhe një garanci 2 lekë për çdo një mijë lekë të investuara dhe në rastin konkret rreth 1 000 lekë. Si çdo e ardhur tjetër edhe e ardhura nga investimi në bono tatohet me 10 për qind të interesit të fituar dhe në rastin konkret i korrespondon shuma 3930 lekë. Ndaj dhe në total të ardhurat “reae” nga investimi i 500 mijë lekëve në bono thesari janë 29 370 lekë ndërsa interesi “real” për këtë investim vetëm 5.8 për qind ose dy për qind më pak se ai i deklaruari.
     
  13. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Vendimi: Rritet paga minimale te privati

    Rroga më e ulët do të jetë 18.200 lekë. Projekti i financave synon shtimin e të ardhurave për sigurimet shoqerore

    G. Shqip

    Të punësuarit në sektorin privat, që do të kenë një diplomë kualifikimi, do t‘i nënshtrohen një skeme të re të sistemit të pagave të propozuar nga Ministria e Financave. Kjo do të detyrojë punëdhënësit që të deklarojnë në degën e Tatim-Taksave një pagë jo më të ulët sesa ajo që parashikohet në projektligj. Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe përcakton kufirin minimal të pagave në sektorin privat për disa veprimtari ekonomike. Të punësuarit që prek ky projektligj ndahen në dy kategori, ku në të parën futen personeli drejtues tekniko-ekonomik, ndërsa në të dytën punonjësit e angazhuar në punë të kualifikuara. Kategoria e parë do të trajtohet financiarisht me kufij më të lartë të pagës minimale sesa kategoria e dytë, ndërkohë që çdo veprimtari e ndryshme ekonomike, ka shkallë të ndryshme të pagës minimale. Sipas tabelës së propozuar nga Ministria e Financave, minimumi i pagës, që një punëdhënës duhet të deklarojë për të punësuarit e tij në punë të kualifikuara, është 18.200 LEKE (bujqësi, peshkim) ndërsa maksimumi 64.814 LEKE. Sipas propozimit të Ministrisë së Financave (tabela shoqëruese e artikullit), pagat minimale, krahasuar me nivelin aktual, për punëmarrësit që punojnë në punët e kualifikuara janë parashikuar të jenë mesatarisht rreth 1,5 herë më të larta, ndërsa për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të jenë mesatarisht rreth 3 herë më të larta. Ndryshimet në sektorin privat të sistemit të pagave për punonjësit e kualifikuar, nuk do të prekin kufirin minimal të pagës për punonjësit e pakualifikuar. Kjo nënkupton se, pavarësisht se pagat minimale të propozuara nga Ministria e Financave janë të ndryshme sipas degëve të veprimtarive ekonomike, në projektvendim parashikohet që paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve, vetëm për punëmarrësit e pakualifikuar, të jetë e njëjtë, për të gjithë degët e veprimtarive ekonomike, e barabartë me 14 mijë lekë.

    Efekti i pensioneve

    Rritja e kufirit minimal të pagave në sektorin privat, përveç të tjerash është një përpjekje e Ministrisë së Financave për të shtuar të ardhurat në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky veprim ka ardhur vetëm pak kohë pasi qeveria, vendosi rritjen e pensioneve në një nivel jo më pak se 5 mijë lekë për fshatin dhe 10 mijë lekë për qytetin, ndërkohë që një rritje tjetër e pensioneve prej 8 për qind parashikohet në muajin korrik. Në relacionin shpjegues të projektligjit thuhet se "nevoja e përcaktimit të një page minimale të veçantë vjen për faktin se në praktike konstatohet se shumë subjekte, gati në të gjithë rrethet e vendit, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore i paguajnë në nivelin e pagës minimale për të gjithë të punësuarit apo për pjesën më të madhe të tyre". Për këtë arsye, Ministria e Financave i ka kërkuar qeverisë që "për të zbutur këtë fenomen, me qëllim reduktimin e evazionit nëpërmjet pasqyrimit sa më real të pagës mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore", të miratojë dhe kalojë sa më shpejt në parlament këtë projektvendim. Kufiri minimal i pagës është rritur në mënyrë të përshkallëzuar brenda dy viteve të fundit, duke shkuar nga 12.514 LEKE në 13.140 LEKE, ndërsa me ndryshimet e pritshme ai do të mbetet 14.000 LEKE sa ç‘është aktualisht vetëm për punonjësit e pakualifikuar.
     
  14. elviskelmendi

    elviskelmendi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Te dashur vllezer e motra shqiptar, Shpetuam!
    SHqiperia do zhvillohet duke arritur standarte Europiane.
    Keshtu tha Kryemnistri Z. Berisha.
     
  15. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    "Interalbanian" shitet për 2,2 milionë euro

    "Aspis Pronia" blen kompaninë shqiptare të sigurimeve


    Kompania greke e sigurimeve, "Aspis Pronia", ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje për blerjen e 51 për qind të shoqërisë shqiptare të sigurimeve "Interalbanian sha". Siç bëhet e ditur në njoftimin për shtyp, përfaqësuesja ekskluzive e "Mfs Group" me emrin "Holdings Public Company" pagoi 2,2 milionë euro për blerjen e kompanisë shqiptare. "Interalbanian sha" është një nga kompanitë më të reja të licencuara nga autoriteti mbikëqyrës i sigurimeve për të kryer aktivitetin e sigurimeve në fushën e jetës me një staf teknik me përvojë mbi 10-vjeçare në fushën e sigurimeve. Ajo operon në tregun e sigurimeve dhe zë vendin e gjashtë në tregun shqiptar me 7,2 për qind, ndërkohë që zë vendin e tretë për sa i përket sigurimit të automjeteve me 11,2 për qind. Dega shqiptare e "Interalbanian sha" do të zgjerohet më tej në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Me këtë blerje grupi "Aspis Pronia" bëhet grupi i parë që hyn në tregun shqiptar të sigurimeve, ndërkohë që së fundmi ka shtrirë influencën e vet edhe në Qipro. Në njoftimin e kompanisë thuhet se ajo synon një rol të rëndësishëm në tregun bankar dhe atë të sigurimeve në Ballkan, por edhe më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore. Kompanitë e grupit "ASPIS", "Aspis Pronia" dhe "Commercial Value" kanë shprehur interesin për blerjen e "Universal Bank", ndërkohë që kanë marrë miratimin e Bankës Qendrore të Qipros dhe Autoritetit të Konkurrencës.
     
  16. Daniel H

    Daniel H Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Albtelekomi në krizë financiare

    Gazeta ABC
    Raporti i ekspertëve për celularët fajëson Ilirian Kukën për përkatësi partie e mungesë eksperience

    Rënimi financiar i kompanisë publike të telefonisë, Albtelekom ka ardhur nga menaxhimi i dobët dhe kryesisht partiak. Në raportin e ekspertëve për Komisonin Parlamentar të hetimit të monopolit në telefoninë celulare evidentohet rënia financiare e Albtelekomit vit pas viti. Madje ekspertët që punuan pranë Kuvendit e quajnë situatë krize atë ku ndodhen financat e Albtelekomit dhe ky ka qënë një “argument” i fortë që deputetët e mazhorancës ta fshijnë nga raporti pjesën për Albtelekomin. “Deri në fundin e vitit 2004 Albtelekom ka patur monopolin e daljes me jashtë gjë që i ka sjellë një përfitim të dukshëm. Të ardhurat e Albtelekom kanë qenë pak a shumë konstante dhe aktualisht mund të themi se është në krizë. Albtelekom përveç telefonisë fikse ofron edhe internetin, po për shkak te burokracive si dhe penetrimit të ulët te kompjuterave të ardhurat e përfituara nga ky shërbim janë të pakta”, shkruhet në raportin e ekspertëve.
    Duke analizuar shkaqet e ecurisë së dobët të Albtelekom ata përmendin mungesën e investimeve për shtrirjen e rrjetit të Albtelekom edhe në zonat rurale duke u lënë dorë të lirë kompanive celulare për te operuar në këto zona dhe hallkat burokratike për pajisjen e një abonenti me një numër fiks. Sipas ekspertëve abonenti i ardhshëm përveç kohës duhet të harxhojë edhe një shumë të konsiderueshme për pajisjen me linjë fikse. Ndërkohë që në shumicën e vendeve te Europes pajisja e abonentit me linjë fikse dhe aparat fiks është detyrim i kompanisë dhe ofrohet falas ne një periudhë disa ditore.
     
  17. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Telekom, skema e abuzimit, 7 milionë €


    Shekulli
    03-02-2007


    Albtelekomi




    Çmimi i shumicës për një portë 16 euro. Për 200 mijë të tilla nevojiten 3,2 milionë euro, ndërsa qeveria ofron 10 milionë euro në tender

    Albtelekom, 10 milionë euro për njëblerje që kushton vetëm 3.2 milionë

    Ekspertë të tregut të telekomunikacioneve në Tiranë, kanë komentuar dje të dhënat teknike të skandalit me tenderat e Albtelekom. "Shekulli" botoi dje të dhënat e para për tentativën për të realizuar 13 milionë euro investime në një ndërmarrje që është thuajse e shitur me çmim tashmë të përcaktuar. Dyshimet për vjedhje të mëdha fondesh publike në këtë aferë të errët, kuptohen lehtë edhe nga analiza teknike e shifrave të ofruara, të cilat do paguhen nga buxheti i shtetit:

    ***

    Operues në tregun e telekomunikimit, shpjeguan dje për "Shekullin" se përdorimi i 10 milionë eurove për blerjen e 200 mijë "portave", është një skandal më vete. Çmimi i bie 50 euro për "portë". Nëqoftë se blejmë një portë ADSL në treg, maksimumi i çmimit për një portë të vetme është 50 dollarë dhe ky është çmimi më i shtrenjtë në botë për portën e cilësisë më të mirë dhe që vlen vetëm për shitjet me pakicë. Aktualisht me këtë çmim shet kompania , "Far Aëay" (më e shtrenjta e njohur në botë për këtë çështje). Telekomi grek, FranctelekomiBritisctelekom e kanë marrë këtëteknologji nga kjo kompani. Nëqoftëse ti kërkon të blesh 200 mijë portanë bazë të ligjeve të këtij tregu çmimi shkon të paktën tre herë më poshtë se blerja me pakicë, pra çmimi i një porte për një sasi të tillë gjigante do të ishte maksimalisht 20 dollarë, rreth 16 euro... Një llogari e thjeshtë: 200 mijë porta ADSL, edhe sikur t'i duheshin me domosdo Albtelekomit, maksimalisht mund t'i kushtojnë shqiptarëve rreth 3 milion e 200 mijë euro. Ku shkon diferenca e krijuar, që është mbi 6 milionë euro?

    Parashikimet për përfitime kolosale nga kjo aferë janë të kuptueshme për të gjithë operatorët e tregut. Sa për të marrë një shembull, një këshilltar i CISCO-s në Tiranë, (kompani e njohur në botë për këtë teknologji) llogarit se në kushtet e prezantuara në këtë tender, mund të përfitohen rryshfete personale që shkojnë nga 2 në 7 milionë euro. "Për të blerë këto pajisje me shumë pak marifet do të mjaftonin edhe vetëm 1 milion euro, - tha ai me ton humori, duke shtuar: "Me 10 milion euro, në Shqipëri mund të ndërtosh nje Telekom tjeter. ..".

    ***

    Një provë tjetër në fushën teknike që flet qartë për mundësinë e abuzimeve në shifra të mëdha me këto para të qytetarëve shqiptarë, është fakti se Albtelekom praktikisht nuk ka mundësi tu ofrojë klientëve 200 mijë porta. Sot Albtelekomi ka afërsisht 250 mijë abonentë, ndërsa Tirana duhet te ketë rreth 100 mijë abonentë. Po te pyesësh edhe teknikët më të thjeshtë të Albtelekomit, ata e kanë të qartë se nuk i duhen kujt 200 mijë porta ADSL. Shpjegimi teknik bazohet në atë që në gjuhën profesionale quhen "teknikat e lidhjes së konsumatorit fundor". Skema është e tillë: Nëse marrim zonën e "Ali Demit" kur dikush kërkon numër telefon Albtelekom, rëndom të thonë se "nuk ka porta", por po të japësh një rryshfet të vogël të thonë se "ka një zgjidhje", e cila është pikërisht kjo: Nëse ndërmjet postës dhe një pallati ka një linjë fizike (dhe s'ka më të tjera), tekniku vendos një muks, (emër teknik aparature), dhe një demuks nga ana tjeter dhe në të njëjtën linjë fizike ai mund të shfrytëzojë deri në katër linja. Pra një linjë fizike mund të përdoret lirshëm për minimalisht 4 abonentë.Kjo do të thotë se mbi 30 % deri në 40% e portave për telekominnë të gjithë Shqipërinë janë të tilla, pra në këtë llojlidhjesh.

    Përveç kësaj, ADSL ka dhe njëkërkese tjetër specifike që linja nga centrali e deri tek abonenti nuk duhet të jetë me egjatë sa 4 km dhe duhet të ketë një cilësi shumë të lartë, (të mos ketë zhurma etj). Nëse kalon kjo distancë, abonenti nuk mund të ketë këtë shërbim nga Albtelekomi. Kjo do të thotë që 20 % e abonentëve të Albtelekomit, (mund të jenë edhe më shumë, sepse vetëm Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani kanë ciliësi të mirë, pjesa tjetër ka linja të dobta) me instalimin e sistemit ADSL e kanë të pamundur komunikimin me centralin. Pra po llogarisim një minimum prej 20 % të abonentëvetë humbur në këtë mënyrë, duke shtuar edhe 30 % e atyre abonentëve të kategorisë "katër lidhje në një linjë fizike", i bie që Albtelekom teknikisht ka mundësi vetëm për 120 mijë porta.. Atëherë përse i duhen Albtelekomit 200 mijë porta? 80 mijë të tjera ku do të përdoren,për çfarë do të shërbejnë? "Në këtë segment të aferës luhen miliona, sepse kush do të jetë personi që do të kontrollojë teknikisht sa porta erdhën në Shqipëri dhe sa të tilla u instaluan, (këto porta nuk do të zhfrytëzohen menjeherë sepse edhe instalimi i tyre kërkon kohën e tyre), - tha një nga ekspertët e pyetur dje nga "Shekulli", duke shtuar: "E vetmja mundësiqë telekomi të shpërndajë internet është ADSL"

    Dritan Prifti: Tenderat e Albtelekomit, absurditet

    Një absurditet që bazohet mbi marrëveshje të fshehta, - e ka konsideruar, Dritan Prifti, - investimin e 13 milionë eurove në Albtelekom ndërmarrje kjo që në prag të shitjes. Në një prononcim dje për gazetën "Shekulli" deputeti i LSI-së thotë:Më duket krejtësisht e pakuptimtë që në kohën që është vendosur për t'u shitur, drejtuesit e kësajkompanievendosin për të kryer investime të tilla gjigante që kapin vlera marramendëse. Ma do mendja se e gjitha kjo duhet të jetë bazuar me një marrëveshje të fshehtë ndërmjet palëve, dhe ai që pëson në këtë mes është buxheti i shtetit. Megjithatë mua me duket skandaloze. Me aq informacion sa kam e konsideroj krejtësisht absurd një financim të tillë..

    Brace: PS, komision hetimor pas zgjedhjeve

    Edhe deputeti i PS, Erjon Brace, foli dje rreth kandalit të denoncuar në Shekulli. "Shpallja e procedurave për organizimin e dy tenderave të Albtelekomitnë kohën që kjo kompani është në prag të shitjes, vërteton më së miri "qeverisjen me duart e pastra". Pas asaj që lexuam mbi shpalljen e tenderit me një vlerë të konsiderueshme, vërtetohet më se miri se morali i qeverisjes së Sali Berishës është i pavlerë. Mjafton të kujtojmë se çfarë ka dhënë Berisha për procedurat e shitjes së kësaj kompanie pra vitit 2005 dhe t'i krahasojmë këto thënë me ato çfarë tha ai në Turqi përballë pronarëve të rinj dhe do të kuptojmë më së mirë se vetëm moral nuk ka kjo qeveri...

    Për mua,organizimi i tenderave në një kohë që është vendosur për tu shitur kjo kompani dhe është përcaktuar edhe çmimi i saj nuk është gjë tjetër veçse një hap antiekonomik dhe sigurisht që kjo është bërë në marrëveshje apo edhe me negociata që jo vetëm do të ulin çmimin real të shitjes së kësaj kompanie por as që do t'i afrohen atij çmimi që Berisha dikur e akuzonte madje edhe si shumë të ulët.

    Sigurisht që kjo aferë publikuar në gazetën tuaj është një skandal i cili nuk do të anashkalohet nga partia jonë. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të kërkojmë ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë të gjithë procedurat e negociatave që janë zhvilluar për rishitjen e kësaj kompanie, negociata këto që ne kemi bindjen qe janë kryer krejtësisht në mënyrë korruptive në dëm të Albtelekomit dhesigurisht pjesë e hetimit do të jenë edhe këto tendera me shuma marramëndëse...
     
  18. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Albtelekom, kështu po lëshon tregun edhe në lidhjet fikse


    Fatos Çoçoli
    02-02-2007



    Që ndërmarrjet shtetërore, edhe pse me shumë perspektivë, do tëndryshkeshin dhe humbisnin treg për shkak të qenies së tyre pronë publike (pra tek ne, fatkeqësisht nënkupto pronë e askujt), kjo pak a shumë dihet nga të gjithë. Por, pak prej nesh po shqetësohen për dekompozimin tërësor të një gjiganti të industrisë shtetërore shqiptare të shërbimeve. Është fjala për Albtelekom. Vijon të jetë i stërmadh përsa i përket punonjësve që punëson në mbarë vendin (rreth dy mijë vetë), por nuk vijon të qëndrojë i tillë përsa i përket vëllimit të shërbimeve që realizon. Nuk po fiton sa në vitet e kaluara. Fitimi ka nisur t'i bjerë gati përgjysmë. Dikush mund të pyesë, mos vallë familjet shqiptare dhe bizneset nuk komunikojnë më, nuk flasin më në telefon? Nuk është se ato nuk harxhojnë më para për telefonin. Por i harxhojnë në mënyrë më të zgjuar. Kartat e parapaguara të shoqërive të ndryshme private për të folur me jashtë shtetit me emigrantët janë më të leverdishme për shqiptarët për t'u përdorur, në krahasim me linjën direkte të Albtelekom. Ato i kanë hequr Albtelekomit, burimin e tij kryesor të fitimeve në vite (kemi rreth 1 milionë shqiptarë emigrantë jashtë dhe 2.4 milionë shqiptarët e tjerë farefis e prindër të tyre, duan të lidhen e të komunikojnë të paktën një herë në javë apo muaj). Tani shumë pak shqiptarë ngrenë receptorin e telefonit me kabëll në shtëpi, për të marrë bijtë apo farefisin e miqtë e tyre jashtë shtetit, drejtpërsëdrejti nga linja e Albtelekomit. E ngrenë, por formojnë numrat e kartave të parapaguara. Kështu, fitimi kryesor shkon tek këto shoqëri private të zgjuara. Drejtuesve të Albtelekomit, në këto vitet e fundit, as që u
    është bërë vonë për humbjen e këtij tregu të rëndësishëm. Nuk kanë marrë asnjë masë që të rifusin Albtelekomin në lojën e konkurrencës. Nga vjen kjo mosvëmendje e mosveprim i tyre? Kështu, Albtelekomi ka humbur në tetë vitet e fundit rreth 50 milionë euro. Prej këtyre, dy të tretat mund të ishin përdorur në investime për ta bërë këtë ndërmarrje shumë më miqësore e shërbyese. Tani, Albtelekomit po rrezikon t'i hiqet burimi i tij i dytë kryesor i fitimeve. Telefonatat e bizneseve dhe kompanive shtetërore brenda Shqipërisë me numrat celularë. Dy kompanitë private celulare në Shqipëri po zhvillojnë prej afro një viti një politikë e reklamë, për t'i marrë Albtelekomit bisedat e biznesit dhe administrimit shtetëror me celularët. Ato po u ofrojnë kompanive të ndryshme oferta shumë tërheqëse për të harruar tashmë faturën e rënduar telefonike të bisedave me celularë nga rrjeti me kabëll. Kështu, kemi banka që klientët e tyre i marrin në celularët e tyre me numra celularë të instaluar nëpër telefonat e zyrave. Dhe kosto e bisedave është gati dyfish më e lirë se ajo e bisedave me telefon me kabëll (pra me Albtelekom). Numrat e regjistruar tek Albtelekom kanë për të mbetur arkaike, për muze, sepse gati të gjitha OJF-të e organizatat ndërkombëtare, e kanë përqafuar këtë ofertë të kompanive celulare, pse u kushton shumë më lirë. Tregu dhe konkurrenca bëjnë të vetën. Po ku është Albtelekomi në këtë lojë të madhe ku ai vetëm humb? Asgjëkund! Dëgjohen zëra, se shitja e tij dhe kthimi në një ndërmarrje private do të bëhet në muajin shkurt 2007. Do të ishte dalja nga një tunel i mirëfilltë abuzimesh, keqtrajtimesh e vjedhjesh me këtë pasuri të madhe të shqiptarëve.
     
  19. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    "Borxhi i vjetër", Dogana mban peng kompaninë "Olim"

    Gjykata i jep të drejtë firmës, vendimi injorohet nga dogana


    Përplasja disavjeçare mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe kompanisë së prodhimit të vajit "Olim", pjesë e "AM Group", është kthyer ditët e fundit në provën më delikate të marrëdhënieve ende të pakonsoliduara të autoriteteve shtetërore me përfaqësuesit e biznesit. Dëmi llogaritet të jetë shumëplanësh, duke filluar nga kostot financiare, besimi tek autoritetet doganore, imazhi i cenuar i kompanisë, si dhe më kryesorja, rreziku për të dalë në rrugë 230 punëtorë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka "injoruar" së fundmi betejën ligjore me kompaninë e prodhimit të vajit "Olim", të nisur në shtator të vitit 2005, rrjedhojë e një konflikti të hershëm të nisur që në vitin 2002. Autoritetet doganore kanë bllokuar që më 2 dhjetor të vitit të kaluar dhe pa asnjë shkresë zyrtare drejtuar kompanisë "Olim", 600 tonë vaj, pavarësisht se palët kanë një çështje të hapur gjyqësore mes tyre. Paralelisht me këtë, prej afro 10 ditësh, oficerët e policisë gjyqësore, Besnik Tarja dhe Artan Bako, nuk kanë ekzekutuar vendimin e prokurorit të rrethit, i cili ngarkon dy të sipërpërmendurit që t‘i kthejnë kompanisë "Olim", sasinë e vajit të bllokuar prej 600 tonësh.

    Historia

    Përplasja mes dy palëve ka nisur që në vitin 2002, si pasojë e një akti administrativ të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me të cilin i kërkohej kompanisë "Olim" të paguante një gjobë në shumën e rreth 26 milionë lekëve me pretendimin e bazuar në përfundimet e Laboratorit Kimiko-Merceologjik, sipas të cilit malli i ardhur në Portin e Durrësit për llogari të kompanisë "Olim" nuk ishte vaj luledielli i papërpunuar, siç ishte deklaruar nga autoritetet e pronësisë, por ishte vaj luledielli i përpunuar. Pas kësaj kompania ka nisur një sërë procedurash për të vërtetuar se vaji i sjellë në Doganën e Durrësit ishte i papërpunuar, duke marrë për bazë vlerësimin e Drejtorisë së Origjinës, Vlerës dhe Tarifës, si dhe Laboratorit Doganor italian, të cilët arritën në përfundimin se lënda e importuar nga kompania "Olim", ishte vaj i papërpunuar. Kjo bëri që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në korrik të vitit 2004, të rimerrte në shqyrtim çështjen. Përfundimet i rishqyrtimit të çështjes favorizuan sërish pretendimet e kompanisë "Olim", ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e konsideroi çështjen të zgjidhur, duke kërkuar revokimin e vendimeve të mëparshme për pagesën e gjobës nga kompania. Afro dy vjet më vonë, më 2 dhjetor 2006, Drejtoria e Doganës së Durrësit i ka bllokuar kompanisë 600 tonë vaj në mënyrë verbale dhe të kundërligjshme në magazinën që ndodhet në territorin e portit. Kompania i drejtohet gjykatës për këtë çështje dhe në datë 29 dhjetor 2006 me anën një vendimi fiton të drejtën e mospengimit të aktivitetit. Por kjo nuk ka penguar autoritetet doganore të Portit të Durrësit që të vazhdojnë të mbajnë të bllokuar sasinë e 600 tonë vaji në pronësi të kompanisë "Olim".

    Kompania

    Drejtuesit e kompanisë "Olim" kanë kërkuar që të negociojnë në tryezë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi, mosmarrëveshjet e krijuara. Sipas tyre, kreu i Doganave ka refuzuar me arrogancë çdo lloj bashkëbisedimi dhe partneriteti me përfaqësuesit e këtij biznesi, duke vënë seriozisht në dyshim arsyet, për të cilat ai nuk ka pranuar të dialogojë me përfaqësuesit e kompanisë. Ata i janë drejtuar me një letër edhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili ka në varësi Drejtorinë e Doganave. Kompania "Olim" e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1999, është një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të vajit në vend. Në të janë të punësuar rreth 230 punëtorë, ndërkohë që dëmi i llogaritur për shkak të bllokimit të sasisë së vajit vlerësohet të jetë mbi 10 mijë dollarë në ditë. Gjatë konfliktit të fundvitit 2006 dhe janar 2007 kompania ka pësuar një dëm rreth 1,5 milionë dollarë, ndërkohë që akoma më e dëmshme rezulton prishja e imazhit të kompanisë, si pasojë e përplasjes me autoritetet doganore.


    Profili

    Kompania "Olim", e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1999, është një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të vajit në vend


    Të punësuarit

    Në kompani janë të punësuar rreth 230 punëtorë, ndërkohë që dëmi i llogaritur për shkak të bllokimit të sasisë së vajit i madh


    Kërkesa

    Drejtuesit e kompanisë "Olim" kanë kërkuar që të negociojnë në tryezë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi


    Çështja

    Kompania i drejtohet gjykatës për këtë çështje dhe në datë 29 dhjetor 2006 fiton të drejtën e mospengimit të aktivitetit
     
  20. elviskelmendi

    elviskelmendi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Permbaju rregullave te forumit dhe mos shkruaj ne tema kot
     

Shpërndajeni këtë faqe