Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Celularët pa kod, ndalohet importi

    Nga 1 tetori nuk do të lejohet hyrja e celularëve pa numrin IMEI. Përfitime për AMC-në dhe Vodafonin

    Lufta kundër informalitetit ka prekur edhe tregun e telefonave celularë. Sipas disa ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” pas datës 1 tetor 2007 AMC dhe Vodafone nuk do të ofrojnë shërbim për aparatet që nuk kanë të regjistruara kodet e tyre që në gjuhën teknike quhen numrat IMEI. Në fakt të dyja shoqëritë që ofrojnë shërbimin e telefonisë celulare prej kohësh e kishin kërkuar një “favor” të tillë për të mbajtur edhe tregun e aparateve celularë. Me ndryshimet e bëra në ligj, kompanitë do të kenë dorë të lirë të shkëpusin shërbimet për aparatet celularë që nuk kanë të regjistruar numrat IMEI e që praktikisht do të thotë për thuajse të gjithë 2 milionë abonentët. Ndaj dhe një tjetër imponim me forcën e ligjit pritet të çojë në arkën e të dyja shoqërive miliona euro të ardhura, tashmë nga shitja e aparateve celularë. AMC e ka patur një eksperiencë të ngjashme në fillimet e aktivitetit në mes të vitit 2000, menjëherë pas privatizmit ku përveç kartës së aksesit shiste edhe aparatë jashtë standartit të kohës, “Alkatel”, me çmimin 200 dollarë për copë.

    Ndryshimet e ligjit
    Operatorët e telefonisë celulare do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e tyre për të gjitha kartat SIM dhe numrat IMEI të aparateve celulare, që janë në përdorim në datën 1 tetor 2007. Me
    hyrjen në fuqi të këtij ligji, duke filluar nga data 1 tetor 2007, operatorët e telefonisë celulare do të ofrojnë shërbimet e tyre vetëm për numrat IMEI të aparateve celulare, për të cilat importuesit apo zotëruesit e tyre kanë ndjekur procedurën e mëposhtme: a) importuesit e aparateve telefonike celulare, në çastin e deklarimit dhe të pagesës së detyrimeve fiskale pranë shërbimit doganor, duhet të deklarojnë edhe listën e numrave IMEI të aparateve të importuara; b) individët, të cilët, në çastin e hyrjes në doganë, zotërojnë aparate celulare, që futen për herë të parë në Shqipëri, vlera e të cilave është mbi minimumin e patatueshëm, të vendosur me ligj, ndjekin të njëjtën procedurë si në shkronjën “a” të kësaj pike; c) individët, të cilët, në çastin e hyrjes në doganë, zotërojnë aparate celulare, që futen për herë të parë në Shqipëri, vlera e të cilave është nën minimumin e patatueshëm, të vendosur me ligj, duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë pranë shërbimit doganor një deklaratë individuale për numrin IMEI të aparatit telefonik celular. Shërbimi doganor njofton zyrtarisht operatorët e telefonisë celulare për numrat IMEI, të deklaruar nga importuesit dhe individët, në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike.

    E Enjte, 17 Maj 2007
     
  2. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Porti i Durrësit, kredi 14 milionë euro nga BERZH

    Qeveria shqiptare merr një tjetër kredi për terminalin e Portit të Durrësit. Dje u nënshkrua marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit "Porti i Durrësit". Në emër të Qeverisë Shqiptare nënshkroi Ministri i Financave Ridvan Bode, ndërsa në emër të BERZH-it, firmosi përfaqësuesi i saj, Murat Yildiran. "Kjo do të mundësojë lehtësimin dhe rritjen e vëllimit të përpunimit të mallrave dhe pasagjerëve si dhe do të rrisë rentabilitetin e aktivitetit ekonomik të Portit të Durrësi"- sqaroi ministri. Përfaqësuesi i BERZH-it, Yildiran tha se "ky projekt e çon në 90 milion Euro, portofolin e BERZH-it për këtë sektor, megjithëse Banka dëshiron të bëjë më shumë dhe ta rrisë portofolin e kredisë për Shqipërinë brenda vitit në 120 milion Euro". Projekti për Portin e Durrës ka një kosto të përgjithshme prej 40 milion Euro, dhe do të bashkëfinancohet nga Banka Europiane për Investime (BEI) me një kredi prej 18 milion Euro, nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me një kredi prej 14 milion Euro, Bashkimi Europian me një grant prej 2,2 milion Euro dhe nga Qeveria Shqiptare me 5,8 milion Euro. Kredia jepet për ndërtimin e terminalit të trageteve të pasagjereve, si dhe punime të tjera ndihmëse në funksion të tij. Projekti është organizuar në tre komponentë kryesorë dhe parashikohet të përfundojë në tetor 2010.

    E Enjte, 17 Maj 2007
     
  3. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Berisha heq kambistët nga tregu

    “Kambistët na pengojnë për integrimin në NATO”. Në fakt rregullojnë tregun

    Agron D. vazhdonte dje pasdite të tundte shukën e parave te semafori pranë Ministrisë së Ekonomisë për të sfiduar atë që kishte thënë disa orë më parë kryeministri Berisha se s’do kishte më shkëmbim parash në rrugë. Por në fakt në sfidën e tij këtë herë nuk dukej dhe shumë i bindur se do t’ia kalonte paq siç kishte bërë në 15 vitet e fundit me aksionet blic të policisë së qeverisë “Meksi”, “Nano”, “Majko”, “Meta” prapë “Majko” edhe një herë në fund “Nano”. Madje edhe aksionet e policisë bashkiake të Edi Ramës i kishte suportuar pa shumë probleme. “Këtë herë duket se e kemi keq punën. Mirë që biznesi ka rënë thuajse fare, por sulmi i pritshëm i policisë që filloi që sot do të na lërë pa punë”, thotë ai. Pak orë më para, gjatë pikut të punës mes orës 10-12 të paradites, policia kishte krijuar një gardh duke vështirësuar jo pak punën e kambistëve në tregun e lirë të valutës. Përveç luhatjeve të pakta të euros dhe dollarit, që kanë krijuar pak të ardhura për ta, aksioni i djeshëm i policisë u ka dhënë dhe goditjen e fundit pas temperaturave të larta të kësaj jave.
    Një treg informal....
    Lufta e qeverisë ndaj informalitetit ka gjetur “viktimat” e rradhës, kambistët e tregut të lirë të këmbimit valutor në qendër të Tiranës. Kësaj here qeveria ka premtuar masa të reja për të “zhdukur” këtë treg. Madje sipas Berishës, kambistët po i sjellin aq të këqija këtij vendi sa mund të rrezikojmë dhe integrimin në NATO. “Fenomeni i shkëmbimit të parave të rrugë është absolutisht i paligjshëm, dëmton rëndë imazhin e vendit dhe rrugën e integrimit euroatlantik të tij, ndërkohë që në Shqipëri ka një sistem bankar nga më të zhvilluarit në rajon, ku operojnë 20 banka private nga më të mëdhatë në Europë”-tha Berisha dje në mbledhjen e qeverisë.
    Kështu, pas deklaratës së pardjeshme të Ministrit të Financave Ridvan Bode mbi mbylljen me çdo kusht të tregut valutor ka qenë vetë kryeministri Berisha i cili dje në mbledhje të qeverisë i ka dhënë dorën e fundit. Kryeministri bëri të ditur se në kuadër të luftës kundër informalitetit, ekspertët e ministrisë së Financave dhe të ministrisë së Brendshme po punojnë për përgatitjen e një vendimi, i cili ka si qëllim moslejimin e përdorimit të parave Cash jashtë sistemit bankar apo zyrave të shkëmbimit valutor.
    Berisha tha se “kambistëve do t’u ofrohet mundësia për dhënien e licencave për hapjen e zyrave të shkëmbimit valutor dhe do t’u përcaktohet një afat nga të dy ministritë përkatëse, pas të cilit askush prej tyre nuk mund ta ushtrojë më veprimtarinë e shkëmbimit të parave në rrugë”. Por deri tani askush nuk e ka kuptuar se pse fenomeni i shkëmbimit të parave në rrugë është i dëmshëm për konsumatorët shqiptarë. Ky treg dita-ditës është duke humbur terren vetvetiu pasi konsumatorët po i drejtohen bankave për këmbimin e parave. Para dy ditësh ka qenë ministri i Financave Bode i cili tha se “Ne mendojmë që po ashtu, i duhet dhënë fund tregut të valutës, një treg ndërkaq është bërë i tepërt dhe duket një relike e tranzicionit. Kjo, sepse kuadri ynë ligjor dhe infrastruktura bankare dhe agjentëve financiarë është e mjaftueshme dhe garanton që të gjitha transaksionet të bëhen në mënyrë dhe rrugë të ligjshme”.

    ...apo rregullues
    Po të krahasosh kurset e këmbimit që zbatojnë bankat në Shqipëri shikon se marzhi i diferencave është nga 3-5 lekë për çdo dollar apo euro të këmbyer. Ndërsa kambistët mbajnë marzhe të ulta fitimi sigurisht dhe për shkak të kostove më të ulta por që prej shumë kohësh mbajnë dhe ekuilibrat në këtë treg. Por kryeministri duket i vendosur në favoret e tij të rradhës për bankat për t’iu kaluar edhe fitimet e kursit të këmbimit për shkak se zyrat e këmbimit valutor nuk po i konkurrojnë bankat. Ndërsa po të krahasosh kursin e këmbimit që zbatojnë kambistët është shumë afër me kursin mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

    E Enjte, 17 Maj 2007
     
  4. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Fillojnë “gungat” e taksës së sheshtë

    Berisha ndryshon mendje. Taksa e sheshtë, por jo për të gjithë. Shpëtojnë pagat e vogla

    Kryeministri përsëri ka ndryshuar planin për taksën e sheshtë. Tashmë filozofia liberale e vetë kryeministrit për të hedhur në treg një taksë unike për tatimin mbi të ardhurat, sigurimet shoqërore dhe tatim fitimin është ndryshuar. Dje vetë kryeministri Berisha bëri të ditur se taksa e sheshtë nuk do të jetë e “pastër”. Pra kjo do të thotë që taksa e sheshtë nuk do të jetë 10% për të gjitha nivelet e pagave. Berisha dje në mbledhjen e qeverisë, u shpreh se “po përgatitet një vendim që ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Sipas këtij vendimi, tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë (të vjetra), pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen. “Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 300 mijë lekë (të vjetra)”.

    Deformimi i taksës së sheshtë
    Por kjo i humbet kuptimin filozofik taksës së sheshtë, pasi është një reformë fiskale e përgjysmuar. Deri diku ka dhe një ngjashmëri me tatimin aktual mbi të ardhurat i cili është progresiv, pasi deri në 300 dollarë do të tatohet ndryshe. Një reformë e tillë, e taksës së sheshtë në fakt është ndërmarrë dhe nga vende të tjera ku kanë aplikuar taksën e sheshtë me limite. Kryeministri tha se vendosja e taksës së sheshtë me 10 për qind për të ardhurat personale përbën lehtësimin më të madh të barrës fiskale që mund të vendoset mbi këto të ardhura. Sipas tij, biznesi shqiptar do të jetë biznesi me barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë. “Rezultatet e këtij revolucioni fiskal dhe të përpjekjes sonë për të lehtësuar dhe thjeshtuar barrën burokratike mbi biznesin kanë sjellë frytet e para shumë pozitive”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e qeverisë. Asnjë nga vendet nuk ka zbatuar filozofinë e taksës së sheshtë të pastër. Sipas revistës së mirënjohur “The Economist” të gjitha vendet që kanë ndryshuar sistemin progresiv të tatimit mbi të ardhurat personale nuk kanë aplikuar një taksë të sheshtë të pastër, por e kanë modifikuar atë deri sa dhe i ka humbur kuptimi.
    Tatimet më të larta
    Sipas skemës së re që propozon qeveria për taksën e sheshtë, ku punonjësit me pagë nga nën 100 USD do të merren në “mbrojtje”, pjesa tjetër deri në 300 do të taksohet ndryshe. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti që barra më e rëndë e kësaj reforme fiskale do të bjerë mbi ata me të ardhura mesatare, pra mbi 300 USD. Këta të fundit krahasuar me sistemin aktual të pagesës së tatimeve do të paguajnë më shumë me taksën e sheshtë. Dhe ky është numri më i madh i punonjësve të administratës publike dhe sektor privat.

    E Enjte, 17 Maj 2007
     
  5. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Taksa e sheshtë 10 % fillon nga shitja e banesave

    Pasi refuzoi të taksonte me TVSH biznesin e ndërtimit, qeveria vendos të taksojë shitësit privatë të banesave

    Ndërkohë që qeveria ka lënë të hapur debatin për taksën e sheshtë, një ligj i dekretuar ditët e fundit nga Presidenti shënon dhe zbatimin e kësaj takes në Shqipëri duke filluar nga data 1 korrik 2007. Me ligjin 9716 janë miratuar disa ndryshime për tatimin mbi të ardhurat që marrin fuqi në gjysmën e dytë të vitit dhe që kanë të bëjnë me tatimin që vendoset ndaj shitësit të pronës së paluajtshme. Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, në nenin 11 të ligjit të ri cilësohet se kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, tokë e ndërtesa, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Duke sheshuar tatimin mbi të ardhurat nga shitja e pasurive të paluajtshme, qeveria ka bërë rritje me 10 herë të tatimit për objekte me vlerë deri në 2 milionë lekë, 5 herë për prona me vlerë nga 2-6 milionë lekë dhe 3.3 herë për prona të paluatshme që kanë vlerë mbi 6 milionë lekë. Pra edhe këtë herë taksa e sheshtë prek më së shumti pronarët e vegjël që shesin një apartament apo dyqan në vlerë simbolike porn ë përgjithsi me këtë sheshim në 10 për qind të taksës rritet barra mbi të gjitha trasaksionet me pronat e paluatjshme.
    Rritet informaliteti
    Nëse qeveria trumbeton se me taksën e sheshtë do të ulë informalitetin duke i bërë të paguajnë të gjithë nga “pak”, rasti i tatimit mbi të ardhurat shitjen e pronës së paluatshme do të vërtetojë krejtësisht të kundërtën. Edhe sipas versionit të më parshim të ligjit, tatimi paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme,para kryerjes së regjistrimit të pasurive të mësipërme, në përputhje me aktet ligjore. Por po të shohësh kontratat e noterizuara me vullnetin e lirë të shitësit dhe blerësit rezulton se edhe kur tatimi ishte progresiv, 1, 2 dhe 3 për qind sipas shumave respektove deri në 2 milionë, deri në 6 milionë dhe mbi 6 milionë, vlerat e raportuara janë disa herë më të ulta se ato të tregut. Kështu apartamente me vlerë mbi 10 milionë lekë raportohet se shiten nën 2 milionë lekë pikërisht për të shmangur barrën fiskale. Ndërsa me rritjen e tatimit në 10 për qind, tatimi rritet të paktën 3 fish ndaj dhe prirja do të jetë drejt nënshkrimit me vlera të vogla të kontratës.
    Modalitetet
    Sipas ligjit pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë të detyruara që, brenda 10 ditëve, të transferojnë për llogari të administratës tatimore tatimin e paguar, sipas parashikimeve të këtij neni.”.

    Gjobat ndaj punëdhënësit
    Në ligjin e ri të miratuar për ndryshimin, është menduar edhe për gjobitjen e punëdhënësit kur vonon ose shtrembëron deklaratën e pagës së të punësuarit. “Për rastet e shkeljeve të dispozitave të parashikuara në shkronjën “e” të nenit 14,punëdhënësi gjobitet me 10 për qind të shumës së tatimit të mbajtur në burim, të deklaruar me vonesë, por jo më pak se 10 mijë lekë.”

    Tatimi mbi të ardhurat nga shitja pasurive të patundshme

    Vlera(lekë) Ishte Bëhet
    Deri në 2 milionë 1 % 10 %
    2-6 milionë 2 % 10 %
    Mbi 6 milionë 3 % 10 %

    E Enjte, 17 Maj 2007
     
  6. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    COCA-COLA

    Jo vetëm pije freskuese, por dhe turizëm e investime

    Në konferencën "Coca-Cola Bottling Shqipëria" (ÇBS) grupi "Acies", që zotërohet nga familja Busi, konfirmoi interesin për investimet në Shqipëri. Jo vetëm pije freskuese, por edhe turizëm dhe investime, ky është qëllimi për të rritur investimet në Shqipëri, që u theksua nga presidenti i grupit, znj. Cristina Busi Ferruzzi, gjatë konferencës së ÇBS-së, që u mbajt nga data 2 deri më 4 maj në ambientet e mrekullueshme të Llogorasë, në prani të 200 të ftuarve. "Familja jonë,- deklaroi presidenti i grupit "Acies" dhe administratori i Përgjithshëm i ÇBS, Cristina Busi,- ndihet gjithmonë e më shumë bijë e kësaj toke, ku së bashku me popullin e këtij vendi, arritëm të çojmë përpara projekte ambicioze që përfaqësojnë krenarinë e grupit tonë. ÇBS paraqet një realitet ekonomik dhe tregtar që shihet me interes nga ekspertët e sektorit, një ndërmarrje e lindur nga rrënojat e një periudhe të trishtë, që sot eksporton "know how". Objektivat e arritura deri më sot,- vijoi Presidenti Busi, - na bëjnë të shohim më tej dhe është kjo arsyeja që na shtyn të vazhdojmë me plane shumëvjeçare, të përcaktuara dhe të shumëllojshme mbi investimet në Shqipëri, jo vetëm në sektorin e pijeve freskuese, por dhe në fushën turistike dhe imobiliare". Për të nderuar të ftuarit ishte i pranishëm edhe Presidenti i ÇBS, z Luca Busi, i cili mori vlerësimet për rezultatet e arritura nga ndërmarrja në Shqipëri, nga menaxheri i "Coca-Cola Adriatic" dhe "Balcan Region", Nikos Coumettis. Midis të ftuarve ishte edhe stafi drejtues i "Uji i Ftohtë Tepelenë", lider i ujërave minerale në Shqipëri, partner i rëndësishëm tregtar i ÇBS; stafi drejtuesi i "Sibeg", prodhuesi "Coca-Cola" për Sicilinë dhe shoqëri e grupit "Acies", e kryesuar nga znj. Cristina Busi Ferruzzi dhe gjithë rrjeti tregtar i ÇBS.
     
  7. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    AMC

    "Albakarta Minifutboll", kampionati i universiteteve

    "Albakarta Minifutboll" ose Kampionati i Universiteteve, filloi zyrtarisht më 14 maj, në një ceremoni të organizuar në një nga komplekset sportive të Tiranës. Risia e këtij evenimenti të rëndësishëm të organizuar nga AMC për këtë vit është se skuadrat pjesëmarrëse do të përbëhen nga studentë të universiteteve publike dhe jopublike. Gjithashtu, edhe ndeshjet do të zhvillohen në më shumë qytete, sesa edicionet e kaluara. Kampionati do të mirëpritet në qytetet: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.

    Janë 120 skuadra, të cilat do të marrin pjesë në kampionatin "Albakarta". Shorti, që u hodh gjatë ceremonisë së hapjes, përcaktoi edhe kalendarin e ndeshjeve. Finalja e madhe e këtij kampionati do të zhvillohet në datën 26 maj, në Tiranë. Në përfundim të ndeshjeve, skuadra fituese do të nderohet me një kënd interneti për universitetin që përfaqëson. Gjithashtu, do të dhurohen komplete sportive NIKE, si dhe dhurata të ndryshme. "Një aktivitet i tillë, i cili mban tërësisht vulën e AMC-së, është në vazhdën e kontributit që kompania jonë ka dhënë në fushën e edukimit sportiv, si një nga aspektet më të rëndësishme të përgjegjësisë sonë sociale", theksoi ndër të tjera, përfaqësuesi i AMC-së, z. Yiannis Tsakos.

    I organizuar për të tretin vit radhazi, kampionati "Albakarta Minifutboll" përkon plotësisht me filozofinë e AMC-së për të përkrahur dhe nxitur të rinjtë dhe veçanërisht studentët. Falë këtij aktiviteti tepër të rëndësishëm, universitetet e vendit do të kenë mundësi të organizojnë kampionatin e tyre të futbollit. Pjesëmarrja e lartë e skuadrave tregon dhe interesimin e madh të studentëve për këtë kampionat.
     
  8. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Qeveria ul tatimet për pagat deri në 30 mijë lekë

    Berisha akuzon kambistët: Te "Dollari" pastrohen para

    Qeveria shqiptare ka paraqitur projektin e saj për mbrojtjen e punonjësve me të ardhura të ulëta nga zbatimi i taksës së sheshtë. Formula e prezantuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, nga Kryeministri Berisha parashikon përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10 mijë lekët e pagës të punonjësve me të ardhura mujore deri në 30 mijë lekë. Propozimi i ekspertëve të Ministrisë së Financave pritet të kthehet në vendim vetëm pas pak ditësh nga qeveria. Sipas Kryeministrit Berisha, kjo zgjidhje jo vetëm mbron personat me paga të ulëta nga taksa e sheshtë prej 10 për qindësh, por është një trajtim fiskal shumë i favorshëm për biznesin. "Në këtë mënyrë, ne përgjysmojmë barrën fiskale mbi punonjësit me të ardhura mujore të ulëta deri në 30 mijë lekë për të mbrojtur këtë shtresë nga efektet e taksës së sheshtë", tha Berisha. Por Kryeministri ka përsëritur edhe premtimin e tij për ta bërë Shqipërinë vendin me taksat më të ulëta në botë. "Me këtë barrë fiskale, deri tani 20 për qind, por që zbret në 10 për qind, së bashku me zbritjen që i bëhet me 150 për qind tatim-fitimit dhe me uljen e ndjeshme vitin e kaluar të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit me 31 për qind, biznesi shqiptar do të jetë biznesi me barrën më të ulët fiskale në Evropë dhe më gjerë", vazhdoi Berisha. Për të argumentuar rezultatet e reformave fiskale të ndërmarra nga qeveria, Kryeministri analizoi disa tregues, të cilët, sipas tij, kanë njohur një zhvillim pozitiv gjatë vitit të fundit. "Eksportet e vitit 2006 ishin 20 për qind më të mëdha se në vitin 2005. Po kështu, kreditimi i ekonomisë vazhdon të zgjerohet me ritme të larta", vijoi Berisha.

    Efektet te punonjësit

    Në fakt, ky vendim i qeverisë pritet të amortizojë efektet e vendosjes së taksës së sheshtë për punonjësit me të ardhura mujore deri në 30 mijë lekë. Por, në fakt, ky vendim nuk mbron të gjithë ata që do të preken nga efektet negative të taksës së sheshtë. Këtu bëhet fjalë për ata punonjës, të ardhurat e të cilëve variojnë nga 30 deri në 40 mijë lekë në muaj. Taksat e këtyre individëve, buxhetorë apo jo qofshin këta, do të dyfishohen si pasojë e zbatimit të taksës së sheshtë. Më konkretisht, një punonjës që përfiton një pagë prej 40 mijë lekësh në muaj, aktualisht paguan 1440 lekë tatim mbi të ardhurat personale. Pavarësisht se skema e re nuk është bërë ende plotësisht e qartë nga qeveria, me hyrjen në fuqi të taksës së sheshtë, i njëjti punonjës pritet të paguajë rreth 2740 lekë tatim mbi të ardhurat personale në muaj.

    Biznesi

    Taksa e sheshtë e paraqitur nga qeveria parashikon njësimin në nivelin 10 për qind të dy komponentëve tatimorë, që janë tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin. I pari prek direkt dhe pa përjashtim të gjithë punonjësit, si ata të sektorit publik, ashtu edhe ata të sektorit privat, pasi ka të bëjë me taksën që shteti mban mbi rrogën e një individi. Komponenti i dytë, tatimi mbi fitimin, prek aktivitetin e bizneseve. Për momentin, niveli i kësaj takse në vend është rreth 20 për qind dhe zbatimi i taksës së sheshtë sjell një përgjysmim të tijin. Në përgjithësi, biznesi e ka mbështetur taksën e sheshtë për shkak se ajo lehtëson ndjeshëm detyrimet tatimore për të.

    Qeveria përjashtoi sigurimet

    Në fakt, disa specialistë të ekonomisë tregojnë se platforma e paraqitur nga qeveria nuk bën fjalë për një taksë të sheshtë të pastër. Si argument ata përdorin modelin maqedonas. Qeveria maqedonase vendosi taksën e sheshtë më 1 janar të vitit të kaluar, duke njësuar në nivelin 12 për qind të gjithë komponentët tatimorë të këtij vendi. Kështu, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksat e punës, tatimi mbi fitimin, ai mbi të ardhurat personale dhe çdo taksë tjetër në këtë republikë, që prej datës 1 janar 2006 tatohet në masën 12 për qind. Projekti i qeverisë shqiptare për taksën e sheshtë parashikon vetëm bërjen 10 për qind të tatimit mbi fitimin dhe atij mbi të ardhurat personale duke lënë të pandryshuara të gjitha taksat e tjera. Rekomandimet e vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë qenë për një ulje të mëtejshme të masës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe atyre shëndetësore, për shkak të evazionit të lartë që ndodh me këtë taksë. Por të dy këto elemente tatimore u lanë jashtë taksës së sheshtë nga qeveria, megjithëse Kryeministri Berisha ka premtuar se do të ulë përsëri masën e kontributeve, pas uljes që u bë vitin e kaluar me 31 për qind.


    Berisha: Kambistët pastrojnë para


    Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka kërkuar nga Ministria e Rendit dhe ajo e Financës, që të marrin masat për të mbyllur sa më parë tregun e kambizmit në rrugë apo siç quhet ndryshe "tregu i zi i dollarit". Në mbledhjen e radhës të qeverisë, duke iu drejtuar ministrave respektivë Nishani dhe Bode, Berisha vuri në dukje se mbyllja e këtij tregu vjen si domosdoshmëri për reduktimin e dukurisë së pastrimit të parave, që është praktikuar shumë në këto forma të këmbimit të parave. Akuzat e Kryeministrit vijnë vetëm një ditë pasi ministri i Financave, Ridvan Bode, zbardhi një pjesë të projektit që detyron biznesin të kalojë të gjitha pagesat e punonjësve dhe mbi 90 për qind të transaksioneve tregtare në rrugë bankare. Duke kërkuar që kambistëve t‘u jepet një afat i caktuar para mbylljes së një tregu të tillë, kreu i qeverisë ka theksuar se ka ardhur momenti që të mos ketë më para cash në rrugë. "Nuk mund të nxihet fytyra e Shqipërisë për 50 kambistë, në një kohë kur në ka një sistem bankar nga më të mirët dhe ku janë prezente banka nga më të njohurat në arenën ndërkombëtare. Çuditërisht, ky treg vazhdon njësoj si 15 vjet më parë. Unë nuk mund të akuzoj kambistët, por fenomeni është mirëfilltas dhe tipik për larje parash", u shpreh Berisha.

    Në këmbim të kësaj, kreu i qeverisë u ka ofruar kambistëve mundësi për licenca dhe për zyra shkëmbimi. "Të insistohet pranë Bankës së Shtetit apo autoriteteve që lëshojnë licencat, që t‘u jepet mundësia kambistëve për të hapur zyrat e tyre. Nuk mund të nxihet e të damkoset vendi me një veprimtari absolutisht të paligjshme", përfundoi Berisha.
     
  9. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Moska bën gati 450 milionë USD investime

    Strategjia ruse për tregun e naftës e gazit, deri në vitin 2030

    Viktor Hristenko, ministri i Energjetikës së Rusisë, flet në mbledhjen e 62-të të Komisionit Ekonomik Evropian,(KEE) pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Zhvillimi i strukturës energjetike ruse, në të vërtetë është zhvillim i infrastrukturës që lidh KEE-në. Sigurimi i energjisë është tema kyçe e energjetikës bashkëkohore. Ministri rus kundërshtoi përpjekjet, siç tha ai, për t‘u marrë të drejtën energjetike shteteve sovrane dhe e cilësoi si problematike iniciativën e Komitetit të Senatit Amerikan për Çështjet e Drejtësisë, i cili miratoi njëzëri projektligjin me të cilin u ndalohet shteteve te huaja, që të krijojnë organizata kartel të naftës e gazit si OPEK-u. Rusia po bën saktësimin e strategjisë energjetike deri në vitin 2030, duke i marrë parasysh problemet e reja në botë. Parimet themelore të zhvillimit janë: siguria e tregut të brendshëm të energjisë dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare; liberalizimi i tregut të brendshëm energjetik; rritja e investimeve; zhvillimi i infrastrukturës dhe i provincave të reja të naftës e gazit; vendosja e rregullave të bashkëpunimit energjetik me konsumatorët dhe transportuesit; rritja e efikasitetit energjetik dhe zhvillimi i burimeve ripërtëritëse të energjisë. Liberalizimi i tregut të energjisë deri në vitin 2011. Vëmendje gjithnjë e më të madhe po tërheq krijimi i rezervave të reja të qymyrit, të energjisë atomike dhe i burimeve ripërtëritëse. Kjo do të kërkojë 450 miliardë dollarë investime deri në vitin 2020. Hristenko mori në konsideratë edhe deklaratën e zyrtarëve rusë, se Komisioni Ekonomik Evropian(KEE), në të cilin hyjnë edhe SHBA e Kanadaja, është më shumë komision i Hemisferës së Veriut, sesa i Evropës. "Do të thosha se KEE përfshin edhe vende të Azisë së Mesme e Kaukazit, prandaj paraqet edhe organizatë euroaziatike". KEE është Evropë mjaft "e madhe", kufijtë e së cilës i përcaktojnë lidhjet ekonomike tregtare dhe sistemi i infrastrukturës. Kjo duket më shumë në rritjen e shkallës së integrimit në energjetikë. Prandaj, zhvillimi i strukturës energjetike ruse, në të vërtetë është zhvillim i infrastrukturës që lidh KEE. Vitin e shkuar përfunduam projektin me të cilin do të rritet sasia e naftës së dërguar në Evropën Perëndimore. Është zgjeruar sistemi naftësjellësit balltik dhe diskutohet realizimi i projektit BTS-2, me kapacitet 75 milionë tonë. Në jug, tashmë është bërë projekti Burgas-Aleksandropulos, i cili mundëson zgjidhjen e problemeve për çlirimin e rezervave të Detit të Zi. Punohet aktivisht në rritjen e sasisë së gazit që dërgohet në Turqi e Evropën Lindore. Gazsjellësit "Vija e Katër", Jamal-Evropë dhe "Vija e veriut", mundësojnë përmbushjen e kërkesës në rritje për gaz në tregjet e Evropës Qendrore dhe dërgimin e gazit rus në Skandinavi e Britani të Madhe. Herë-herë përballemi me situata të tilla, kur veprimet tona, ose i keqkuptojnë ose nuk njihen në bashkësinë ndërkombëtare. Rusia mendon se OKB është instrumenti kryesor për arritjen e stabilitetit botëror. Në sferën energjetike, roli i kësaj organizate, i komisioneve të saj, krahas të tjerave dhe i KEE-së, duhet të rritet", përfundoi Hristenko.
     
  10. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Në borxh për plehrat e Sharrës

    Qeveria mer 6 milionë euro kredi edhe për pastrimin e plehrave të Sharrës nga firma italiae


    Italianët do të “pastrojnë” plehrat e Tiranës. Na japin borxh rreth 6 milionë euro të cilat do ti xhirojë po një kompani italiane falë një mekanizmi të vjetër që zbatojnë në Shqipëri. Të gjitha fondet e Cooperacionit italian thithen nga firmat italiane pa tender dhe në shumicën e rasteve me probleme në zbatimin e projekteve. Gjithësesi projekti për menaxhimin e mbetjeve të Sharrës është i një rëndësie jetike për kryeqytetin shqiptar, Bashkinë dhe Qeverinë. Në Tiranë, në mes të rreth 800 mijë banorëve jetojnë si drejtuesit e qeverisë ashtu dhe të Bashkisë të cilët nuk gjenin dot as 6 milionë euro(aq sa kushton një pallat në periferitë e Tiranës) për t’i dhënë zgjidhje problemit.
    Marrëveshja
    Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe përfaqësuesi i firmës Italiane Gesteco Augusto Nidoli, firmosën dje në Tiranë, marrëveshjen për fillimin e punimeve për ndërtimin e landfillit të Sharrës. Projekti, vlera e të cilit arrin shifrën e rreth 6 milionë Euro, është një financim i Qeverisë Italiane nëpërmjet Kooperacionit Italian, i cili do të nisë menjëherë nga zbatimi dhe punimet për ndërtimin e tij do të zgjasin 24 muaj. Kredia do të ndahet në fonde të parashikuara për punime ndërtimi 3.781.919 Euro, në paisje për makineri 1.818.081 Euro dhe në asistence teknike 400.000 Euro.
    Projekti
    Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të drenazhimit për kapjen e ujrave të ndotura, në total rreth 7 km, ndërtimin e rrugëve të brëndëshme dhe të jashtme me qëllim lehtësimin e komunikimit në këtë fushë, në total rreth 4.2 km, ndërtimin e një sistemi pusesh për kapjen e gazrave dhe djegien e tyre, (gjithsej 8 puse me një thellësi max deri në 8 metra secili), një rezervuar grumbullues për kapjen e ujrave të ndotura, me një volum prej 10.000 m3 si dhe një sitem pompimi me qëllim aktivizimin e këtyre shllameve. Gjithashtu në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i ambienteve të reja për ndërmarrjen që administron sot këtë fushë, (rreth 5.000 m2), rrethimi i fushës ekzistuese si dhe monitorimi i situatës në mënyrë të vazhdueshme edhe mbas mbylljes.
    Në të gjitha hapat e prezantimit të këtij studimi si dhe të plotësimit të tij nga konsulenti, është punuar ngushtë me Autoritein Bashkiak, me njësinë e Projektit pranë MPPTT, si dhe me Kooperacionin Italian në Tiranë. Projekti për ndërtimin e landfillit të Sharrës, konsiston në vënien nën kontroll të situatës ekzistuese si dhe në rritjen e kapaciteteve të përpunimit në të vetmen fushë përpunimi për qytetin e Tiranës.

    E Shtune, 19 Maj 2007
     
  11. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bujqësia në krizën e fondeve

    Buxheti heq subvencionet, bankat nuk japin kredi ulja doganave falimenton biznesin


    Bujqësia shqiptare është mbërthyer nga një krizë e mungesës së parave për shkak të reduktimit të subvencionimit të buxhetit. Prej disa vitesh buxheti i shtetit ka ulur mbështetjen për sektorin bujqësor për shkak të mungesës së fondeve dhe angazhimeve për të konkurruar me tregjet e rajonit dhe Bashkimit Evropian me të cilat doganat janë ulur ndjeshëm. Po ashtu bankat e shikojnë ende me rrezik dhënien e kredive në sektorin bujqësor dhe në total nuk janë dhënë më shumë se 5 milionë euro gjithsej për agroindustrinë dhe blegtorinë. Kjo shumë përbën më pak se 1 për qind të totalit të kredisë dhe bankat e lidhin me mungesën e titujve të pronësisë dhe riskun e lartë që ka huadhënia në këtë sektor. Ndërkohë vetëm banka Procredit dhe disa shoqëri të vogla kursim-kredi apo fondacione japin shuma minimale nga 50 mijë në 500 mijë lekë për sektorin bujqësor. Këshilli i Agrobiznesit ngriti pikërisht uljen e subvencioneve në bujqësi si ai i projektit të karburantit dhe ngurrimin e bankave për të kredituar në këtë fushë pa një siguri të qeverisë.

    Strategjia e rradhës
    Problemet e përmendura në deklaratën e KASH duhet të ishin në agjendën e Ministrisë së Bujqësisë por në fakt duket se janë harruar. Dje Ministria e Bujqësisë diskutoi me përfaqësues të shoqërisë civile, të organizatave jo qeveritare dhe të projekteve të huaja, që zbatohen në vendin tonë, si USAID, FAO, BB, SNV, strategjinë e rradhës, që quhet kombëtare dhe e Zhvillimit Sektorial te Bujqësisë. Ministri Gjana, tha se "fermerët tanë përballen me më shumë probleme se sa fermerët e vendeve të tjera, ndaj dhe kjo është arsyeja që synojmë të akordohen më shumë fonde për zhvillimin rural, në mbështetje të modernizimit të fermës dhe zhvillimin e tregjeve". Sipas tij, janë vendosur tre prioritete apo objektiva, pas konsultimesh të shumta. "Specializimi i bujqësisë shqiptare, krijimi i rrjetit të marketingut dhe adaptimin e standardeve në prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore, të cilat janë detyrat tona primare", tha Gjana. Strategjia, tha Gjana, përfshin planet për të forcuar zbatimin e mekanizmave, bazuar në detyrat e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe sipas modelit të BE.
    Ringritja bujqësisë
    Pavarësisht problemeve bujqësia po jep shenja zhvillimi në mënyrë të veçantë në ndërtimin e serave dhe eksportin e prodhimeve të hershme. Por edhe pemëtaria duket se ka marr një zhvillim pas një stanacioni mbi 10 vjeçar, falë edhe një mbështetje në total prej 5 milionë dollarësh që ka vënë buxheti i shtetit. Prodhimi agroushqimor në Shqipëri gjatë vitit 2006, shënoi një rritje prej 10%, në krahasim me një vit më parë, ose në vlerën e 48 miliard lekëve nga 43 miliard lekë, bënë të ditur sot burime nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit . Sipas MBUMK-s agroindustria ka bërë hapa të rëndësishëm zhvillimi duke hyrë në rrugën e konsolidimit të saj. Aktualisht industria ushqimore agropërpunuese përfaqësohet nga 2053 fabrika dhe linja përpunimi, që përfshihen në ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Sipas specialistëve të bujqësisë, "gjatë vitit që u mbyll, kompanitë e konsoliduara në fushën e agropërpunimit rritën investimet private, përgjithësisht në drejtim të teknologjisë, e cila është importuar nga shtetet perëndimore, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Gjermania, investime këto që kapën shifrën e 20 milion usd".

    E Shtune, 19 Maj 2007
     
  12. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Biznesi për një ditë, dogana për tre

    Në terren në doganën e Tiranës, ku dallohet ironia qeveritare me planet për lehtësimin e biznesit.

    Gjergj Erebara, Altin Xhikneli

    Do të lehtësojmë procedurat për biznesin. Tani do të paguani më pak taksa. Regjistrimi i biznesit të ri do të bëhet për 1 ditë, vetëm me 1 euro.... Këto janë disa nga deklaratat e kryeministrit Berisha që në krye të herës kur erdhi në pushtet.
    Por realisht këtë mund ta besojnë vetëm naivët militantë, apo njerëzit që nuk merren me biznes.

    ****
    Kur je gazetar dhe bën lajme çdo ditë mbi çështje të tilla, është një histori tjetër. Por kur të bie rruga te dogana e Tiranës për të paguar doganën e një makine të vjetër të sjellë nga Gjermania, atëherë fillon ta kuptosh se sa larg realitetit je. Duket se ke shkruar vetëm budallallëqe.

    Procedurat
    U deshën disa ditë kohë për të kryer një procedurë të thjeshtë zhdoganimi të një makine për të parë se si funksionojnë nismat e premtimet e qeverisë për të lehtësuar procedurat e biznesit. Në fakt udhëtimi për në doganën e Tiranës nuk mund të kuptohet pa treguar pak eksperiencën e blerjes së makinës në Gjermani dhe krahasimin e shërbimit doganor shqiptar me të disa pikave doganore në vende të BE-së dhe aspirantëve të saj. Procedura për blerjen e një makine në Gjermani, e cila përfshin aktin e shit-blerjes, siguracionin ndërkombëtar-kartonin jeshil, deklaratën e eksportit, certifikatën e origjinës “Euro 1”, targat e përkohshme dhe dokumentin e kontrollit teknik zgjat vetëm 1 orë. Pra, blen një makinë dhe me të gjithë këtë dokumentacion shoqërues pas 1 ore e mund të bredhësh Evropën pa asnjë shqetësim. Aventura fillon kur vjen në pikën doganore kufitare të Shqipërisë.

    Mirë se vjen në atdhe
    Makina kishte përshkruar vende si Gjermania, Sllovenia, Austria, Kroacia, Mali i Zi dhe më në fund arrin në pikën doganore të Hanit të Hotit. Kontakti i parë me doganën ishte hapja e bagazhit, dhe duke qenë se kjo nuk kish ndodhur në asnjë nga vendet e sipërpërmendura, më bëri pak përshtypje...por kjo më bëri në fakt të kuptoj pas atij udhëtimi të gjatë se isha në atdhe. Më pas, duhet të zhdoganoja makinën por dogana e Hanit të Hotit nuk bën zhdoganime makinash dhe kështu duhej një garanci nga një agjenci doganore. Përsëri asnjë shans për zgjedhje, pasi unë dëshiroja të bëja zhdoganimin e makinës pa ndërmjetës të tjerë. Rrugët ishin dy: para në dorë doganierit ose garancia nga agjencia doganore në Tiranë. Zgjodha të dytën.
    Ligji shprehet se për 4 orë duhet të shkosh në pikën doganore për të konfirmuar ardhjen. Shkoj në pikën doganore në Tiranë dhe një roje polic sheh makinën dhe thotë bën 1 mijë lekë(të vjetra). Këtu filloi aventura e parë e shtetit ligjor kundër vesit. I dhashë një karmonedhë 200 lekëshe se nuk kisha të thyera dhe roja doganor më tha “Faleminderit, Mirëupafshim”. Të nesërmen shkoj në agjecinë doganore dhe më njoftojnë që duhen fotokopjuar, përkthyer dhe noterizuar në 2 kopje të gjithë dokumentet. Kostoja e këtyre ishte 3500 lekë noterizim përkthim, dhe 7 mijë lekë agjencia doganore për shërbimin. Bëhet një mal me dokumenta për tu dorëzuar në doganë dhe “dita doganore” përfundon pasi ora shënon 13.00.

    Të noterizosh dokumentet gjermane
    Dita e dytë edhe pse mund të duket ekzagjerim konsumohet me dokumentin e quajtur “Euro 1”. Quhet dokument i origjinës dhe vërteton se makina është prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me BE-në, çdokush përfiton heqjen e taksës doganore 2 % po ta zotërojë këtë dokument. Por “mrekullia shqiptare” ka një shpikje të vetën për certifikatën EURO1. Agjencia doganore thotë se ky dokument duhet noterizuar, duke shënuar që në prani të noteres ti je garant që ky dokument është origjinal. Shkojmë tek noterja dhe na shpjegon se ajo nuk ka se si të dalë garant për një dokument që është marrë në Gjermani pasi nuk ka se si ta vërtetojë këtë. Kthehemi në agjenci dhe pas peripecive dhe akrobacive agjencia vendos të bëjë vetë një deklaratë të firmosur nga unë që certifikata është origjinale....prapë jologjikë, ligj-procedurë- udhëzim. Pyesja veten pse një agjenci doganore mund të dalë garant i një letre të lëshuar në Gjermani dhe për më tepër të shtypur nga firma e njohur “Bundesdrukerei”, e cila ka prodhuar kartëmonedhat e Euros dhe pasaportat ekzistuese shqiptare....!

    1 dokument gjermani, 41 shqiptari
    Më në fund dokumentet janë bërë gati në agjencinë doganore për tu futur brenda në doganë. Kurioziteti më shtyn ti numëroj, dhe shoh që janë 41 praktika doganore, dy ditë kohë e harxhuar dhe mbi 100 USD. Kjo e gjitha për të paguar doganën, TVSH-në etj taksa. Ndërkohë që shitësi i makinës në Gjermani më tha, të lutem më posto certifikatën e eksportit të makinës pasi të mbërrish në vend se më duhet të marr TVSH-në e rimbursueshme. Bilanc i thjeshtë, ai me një dokument merr TVSH-në, unë me 41 dokumente duhet ta paguaj atë. Në ditën e tretë kam punë me doganierët e Tiranës. Si fillim punonjësja e agjencisë doganore më kërkon 5 mijë lekë të vjetra për “kafe” që dokumentet të ciklohet në doganë e mos të vonohen një ditë. Paguaj 5 mijë lekëshin e parë, por më pas vjen punonjësja e agjencisë dhe më thotë që do të jepni ndonjë tjetër lek që kur të kontrollohen dokumentet të dalë që janë në rregull dhe janë llogaritur saktë taksat doganore. Kësaj radhe humbas durimin dhe refuzoj të paguaj. Lëre i them se do ta zgjidh vetë i them. Vendos të përdor “statusin” e gazetarit për të funksionuar ligji dhe i dërgon një mesazh me celular drejtorit të doganës së Tiranës ku i them se kam tri ditë që po merrem për të zhdoganuar makinën time dhe se po më kërkojnë 5 mijë lekë në çdo praktikë doganore që po kaloj. Ai më merr në telefon dhe më thërret në zyrë. Pas një diskutimi të gjatë e të lodhshëm formal sa kodi doganor, thërret në zyrë doganierin i cili para drejtorit thotë “makina nuk ka asnjë problem dhe mbaron për 10 minuta”. E thjeshtë, nëse do të mbarosh punë në doganë duhet ose të paguash ryshfet ose të kesh njohje interesash, e kundërta kudo përveç Shqipërisë. Tek kaloja sportel më sportel më kujtohej kryeministri me nismat e tij të fund për formalizimin e biznesit. Thashë...është më e lehtë të kërkosh gjilpërën në kashtë sesa të formalizosh biznesin në një shtet informal si ky.

    E Shtune, 19 Maj 2007
     
  13. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Nafta, rritet çmimi brenda javës

    Një litër benzinë dje kushtonte 140 lekë ndërsa nafta kap çmimin e benzinës 130 lekë

    Gert Osmani

    Ka marrë një tjetër goditje xhepi i konsumatorëve që përdorin makina gjatë fundjavës së kaluar. Çmimi i benzinës është rritur përsëri, hera e dytë brenda javës duke arritur në 140 lekë për litër. Ndërkohë që nafta eurodiezel ka kapur çmimin që kishte benzina një javë më parë, 130 lekë për litër. Me 5 lekë më pak për litër tregtohej dje nafta D2, që ndryshe quhet dhe nafta e ARMO-s por prania e saj në treg mbetet e përkohshme. Duke ju referuar të dhënave të Reuters, rezulton se një rritje të çmimeve të karburanteve ka patur në të gjitha bursat dje për shkak se një azilant i paidentifikuar ka shkatërruar një nga rezervat më të mëdha të naftës në Nigeri. Reuters raportonte se çmimi i naftës dje në Bursa arriti në 70 dollarë për fuçi.

    Çmimet në Shqipëri
    Por tregu shqiptar nuk reflekton me shpejtësi ndryshimet në bursat ndërkombëtare, siç mund të ndodhë në vendet e BE-së apo SHBA. Grosistët shqiptarë prej vitesh aplikojnë një praktikë të njohur të rritjes së çmimeve pas një shtrenjtimi në bursat ndërkombëtare ndërsa nuk ndodh thuajse asnjëherë me rastet e kundërta. Pra uljet e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar nuk shoqërohen me rënie të çmimit në tregun shqiptar. Kështu prej rreth 1 viti e gjysëm çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka qenë në rënie duke u ulur me rreth 25 % nga piku i krizës me 84 dollar/fuçia në më pak se 60 dollarë fuçia. Por ndërsa në të gjithë botën poseduesit e automjeteve shijuan këtë ulje drastike të çmimeve, në Shqipëri ato u mbajtën të “ngrira” në 135 lekë për benzinën dhe 125 lekë për naftën. Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kjo ndodh për shkak se importuesit e kanë të detyrueshme të mbajnë rezerva, të cilat janë importuar me çmime të larta para periudhës së rënies së çmimeve. Por këto “rezerva të shtrenjta” duket se nuk mbarojnë asnjëherë ose më saktë mbarojë kur çmimet në tregun ndërkombëtar fillojnë të rriten.

    Si ndalen milionat e naftës
    Tregu i naftës (tregu i shumicës i importit, duke përjashtuar Armon) xhiroi rreth 23.1 miliarde lekë (ose rreth 237 milionë dollarë) gjatë vitit 2006, me një rritje në vlerë prej rreth 26 për qind, në raport me vitin 2005. Rritja e numrit të makinave dhe problemet me krizën energjetike kanë rritur ndjeshëm kërkesën për karburante duke mbajtur artificialisht edhe çmime të larta në treg ndërkohë që në bursat ndërkombëtare çmimi shënoi ulje nga 20-25 për qind. Sipas vlerësimeve të Monitor, rritja në vlerë ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së importeve (zhdoganimeve) me rreth 7% si sidomos si rrjedhojë e rritjes së çmimit mesatar të shumicës me rreth 20%, në krahasim me 2005. Tregu vazhdon të karakterizohet nga norma mjaft të ulëta të deklarimit të fitimit, që variojnë nga 0.5% deri në 2% (raporti fitim/ardhura) ndërsa drejtoria e përgjithshme e Tatimeve nuk ka njoftuar asnjë rishikim të bilanceve të grositëve të karburanteve. Sipas të dhënave operative operatorët kryesorë në treg janë Kastrati me 22 për qind të tregut të shumicës dhe Taçi Oil me 18 për qind. Rritje të konsiderueshme ka patur edhe kompania turke Alpet sidomos në rrjetin e shtrirjes duke zënë mbi 10 për qind të tregut të pakicës.

    E Marte, 22 Maj 2007
     
  14. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    "Dashuria e re" e Berishës me FMN-në



    Ndryshe nga kur ka qenë president, Berisha tashmë ka një “dashuri” të re për Fondin Monetar Ndërkombëtar të cilin e shprehu dhe në takimin me zv drejtorin e përgjithshëm Portugal. Berisha tha se “Ne i mbetemi shumë mirënjohës FMN-së, e cila është pjesë e kësaj përpjekje dhe e këtij suksesi. Ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin me FMN-në edhe pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje”.
    Shumë vetë mund ta ketë harruar që në korrikun e vitit 1996 ku FMN nuk firmosi marrëveshjen me qeverinë shqiptare. FMN-ja nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen përkatëse me shtetin shqiptar, për shkak të përkeqësimit të treguesve buxhetorë në prag të zgjedhjeve politike të kohës. Po ashtu Fondi kishte paralajmëruar qeverinë për rrezikun e kolapsit të skemave huammarësve piramidale por Berisha asokohe President e kishte refuzuar këshillën për shkak se vendi ishte para zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme, të cilat duhet të fitoheshin me çdo çmim. E në fakt zgjedhjet u fituan por çmimi që paguan shqiptarët ishte 1.2 miliardë dollarë të humbura, inflacion 42 për qind, rënie ekonomike 8 për qind pa përmendur viktimat në njerëz si pasojë e konflikteve civile pas shkatërrimit të depove të armëve. Kohët ndryshojnë dhe Berisha e FMN kanë gjetur një “dashuri të re”. Tani arsyet e kësaj dashurie të re janë dy: ose Berisha ka ndryshuar radikalisht ose FMN ka humbur forcën kundrejt Shqipërisë dhe po pret me zor mbarimin e marrëveshjes. Më shumë mundësi mbetet kjo e dyta pasi që pas largimit të Jan Peter Olters, i cili dallohej për sensin kritik dhe argumentimin e thëllë, pasuesja e tij Ann Magret Westin nuk ka bërë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa një nga përfaqësuesit e mëparshëm të FMN-së Voker Trichel. Trichel ishte zëdhënësi “de fakto” i ish-ministrit të Financave Anastas Angjeli pasi mbështeste më shumë se sa kryeministri Nano të gjitha veprimet e Angjelit, madje pati zëra se edhe paguhej me 20 mijë usd në muaj në mënyrë informale nga qeveria e kohës.

    E Marte, 22 Maj 2007
     
  15. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Çudia e radhës e Berishës: Çmime reference për shitjet

    Një surprizë e re për biznesin: referencë për çmimet e shitjes për të mbledhur taksat

    Altin Xhikneli

    Kryeministri Berisha ka gjetur rastin e ardhjes së zv/drejtorit të përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Portugal për të linçuar nismën e re të kontrollit të çmimeve të shitjes së produkteve. Numri dy i FMN-së Portugal i pyetur nga gazetarët, për nismën e re të qeverisë mbi vendosjen e pagave minimale në sektorin privat, ai u shpreh se “Ne kemi diskutuar në përgjithësi për rëndësinë e luftës kundër informalitetit, sepse informaliteti krijon një fushë loje të pabarabartë për pjesëmarrësit. Ata që janë në sektorin formal dhe që i binden rregullave janë në disavantazh ndaj atyre që janë pjesëmarrës në sektorin informal. Pra, kemi diskutuar në përgjithësi për domosdoshmërinë e luftës kundër informalitetit dhe nuk kemi hyrë në detaje”. Më parë shefi i misionit të FMN-së Szekeley kishte deklaruar se “djalli fshihet pas detajeve”, kur ishte pyetur për reformat fiskale të qeverisë.

    Borzgjezët post-komunistë
    Por ka qenë kryeministri i cili mezi ka pritur rastin të përmendë që lufta që po bën ndaj informalitetit do të shtrihet dhe më gjerë në sektorin privat. “Më lejoni t’ju informoj se gjatë darkës që do të kem me Portugal do ta informoj hollësisht me të gjitha masat që po ndërmerr dhe që ka ndërmend të marrë qeveria. Kjo masë ka qenë vetëm njëra anë, së shpejti do të jetë edhe ajo e çmimit të shitjes referencë, duke respektuar plotësisht vetë deklarimin si parim themelor. Por vërtetësia e transaksioneve është kusht themelor për lirinë e tregut dhe konkurrencën e lirë. Dhe ne synojmë vetëm këtë. Kalimi nga sistemi komunist në sistemin kapitalist krijon edhe një grup borgjezësh “sans culotte”, e cila nuk shkon. Mund të jesh ose njëri ose tjetri”-deklaroi kryeministri Berisha.
    Kontrolli i çmimeve
    Edhe pse nisma e marrë nga qeveria për kontrollin e pagave në sektorin privat nuk është pritur fare mirë nga biznesi, kryeministri ka vendosur ta shtyjë dhe më tej këtë konflikt duke u përcaktuar çmimet e shitjes së produkteve.
    Nisma e kontrollit të çmimeve duke përcaktuar çmime reference për produktet nuk njihet në asnjë vend të botës ku ekonomia e tregut është parim bazë. Madje dhe referencat doganore të cilat zbatohen në Shqipëri për çmimet e importit tregojnë se shteti nuk është i aftë të gjejë forma të tjera për të formalizuar transaksionet dhe faturat e blerjes së mallrave nga sektori privat. Për më tepër, që sistemi doganor dhe ai tatimor është nga më të korruptuarit në rajon, dhe nuk është as e moralshme që t’i kërkosh biznesit formalitet kur administrata tatimore e doganore janë të zhytura në informalitet. Para së gjithash, çmimi i referencës për shitjen e produkteve cënon lirinë e tregut, dhe klasifikimin që i bën vetë tregu aktorëve të tij.
    FMN, qeveria dhe biznesi
    Kryeministri Berisha u shpreh se njohu Portugal edhe me përpjekjet e mëdha dhe përqendrimin e qeverisë për të lehtësuar barrën fiskale dhe burokratike ndaj biznesit dhe shndërruar Shqipërinë në një vend shumë tërheqës për investimet e huaja. Nga ana tjetër të gjitha nismat ligjore të ndërmarra nga qeveria për formalizimin e biznesit kanë hasur në dy pengesa kryesore. E para ka të bëjë me vetë sipërmarrësit të cilët nuk janë dakord me këto reforma por të paktën kërkojnë konsensus për miratimin e ligjeve të tilla që cenojnë drejtpërdrejtë ata. Problemi i dytë, i nismës ligjore për formalizimin e sektorit privat është hedhur poshtë nga presidenti i Republikës për antikushtetueshmëri dhe cenim të lirisë së tregut.

    E Marte, 22 Maj 2007
     
  16. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    One Stop Shop, gati për bizneset

    Kalon në komisionin e ekonomisë ligji për regjistrimin e bizneseve në një ditë. Pritet vula e parlamentit

    Komisioni i Kuvendit të Ekonomisë dhe Financës, diskutoi dhe miratoi sot Projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 7638 datë 19.11.1992 "Për Shoqëritë Tregtare" të ndryshuar, e cila është si derivat i projektligjit "Për ngritjen e Qëndrës Kombëtare të Regjistrimit" që do të funksionojë si një One -Stop-Shop, për rritjen e cilësisë dhe krijimin e lehtësirave të regjistrimit të biznesit. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, ndryshimet e propozuara këtu janë bërë duke pasur parasysh risitë që sjell projektligji për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Një pjesë e dispozitave, që propozohen të ndryshohen në ligjin për shoqëritë tregtare , ka lidhje me faktin se procedurat e publikimeve , ligjërisht të detyrueshme për fazën e regjistrimit dhe në çaste të caktuara të veprimtarisë së shoqërisë, deri tani të rregulluara me ligjin nr. 7667, i cili do të shfuqizohet, do të rregullohet nga ligji për shoqëritë tregtare dhe nga ligji "për ngritjen e Qëndrës Kombëtare të Regjistrimit". Dispozitat që kanë të bëjnë me formalitetet e caktuara për vlefshmërinë e mbledhjeve të aksionarëve, veprimet për likuidimin apo edhe për publikimet e mundshme, në rastin e emetimit të aksioneve të reja dhe të tregtimit të këtyre të fundit, do të rregullohen nga ligji për shoqëritë tregtare.
    Miratimi i paketës së plotë ligjore, që është hartuar për regjistrimin e biznesit, do t'i hapë rrugë edhe hartimit të të gjitha akteve të tjera nënligjore, për bërjen funksionale të Qëndrës Kombëtare të Regjistrimit, që do të nisë nga puna më 1 Shtator të këtij viti.

    E Merkure, 30 Maj 2007
     
  17. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Gati taksa e sheshtë 10% në qeveri

    Sot pritet që qeveria të kalojë ligjin për paketën e re fiskale. Zyrtarisht vendoset taksa e sheshtë 10%

    Altin Xhikneli
    Ministria e financave ka kaluar draftin për paketën fiskale të re ku në thelb do të jetë taksa e sheshtë prej 10 përqind. Sot në mbledhjen e qeverisë pritet që kryeministri Berisha ta shpallë zyrtarit dhe të miratojë paketën e re fiskale. Burimet nga ministria e Financave bëjnë të ditur se thelbi i ligjit fiskal të ri, do të jetë taksa e sheshtë e cila është vendosur në nivelin e 10 përqindëshit. Edhe pse linçimi i taksës së sheshtë është bërë muaj më parë, kësaj radhe është zyrtare dhe sot të do prezantohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Një nga të rejat e paketës fiskale të re do të jetë dhe detyrimi bizneseve për transaksionet me vlerë mbi 300 mijë lekë, të të cilat do të kryhen nëpërmjet bankave. Kështu, nisma aq e debatur e taksimit të sheshtë, do të kalojë në qeveri edhe pse debatet për të kanë qenë mjaft të mëdha që në prezantimin e saj. Kështu së shpejti sistemi i ri fiskal mbi tatimin mbi të ardhurat do të ndryshojë nga ai taksim progresiv në atë të sheshtë. Që nga hyrja në fuqi e kësaj takse do të jenë rrogëtarët e nivelit mesatar dhe ata të varfër të cilët do të paguajnë më shumë taksa mbi pagat e tyre.
    Këtë e ka pranuar kaherë dhe vetë kryeministri duke folur për taksimin e sheshtë. Berisha është shprehur se taksa e sheshtë nuk do të jetë e “pastër”. Pra kjo do të thotë që taksa e sheshtë nuk do të jetë 10% për të gjitha nivelet e pagave. Duke reklamuar taksën e sheshtë, ai është shprehur se “po përgatitet një vendim që ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Sipas këtij vendimi, tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë (të vjetra), pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen. “Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 300 mijë lekë (të vjetra)”.
    Përballja me biznesin
    Edhe pse biznesi nuk e ka parapëlqyer taksën e sheshtë, kryeministri është shprehur i vendosur për ta miratuar atë. Por, edhe pse kjo taksë është prezantuar nga qeveria si filozofi ekonomike në të vërtetë do të përdoret për të luftuar biznesi informal. Në një takim me përfaqësues të biznesit, Berisha është shprehur se “ne u shkëputëm nga taksa progresive dhe vendosëm sistemin e taksës së sheshtë, sërish bëhemi të barabartë, por dallimi është substancial. Dallimi është ky, taksa e sheshtë kërkon që të jemi të vërtetë, të dalim nga informaliteti”.
    Tatimet më të larta
    Sipas skemës së re që propozon qeveria për taksën e sheshtë, ku punonjësit me pagë nga nën 100 USD do të merren në “mbrojtje”, pjesa tjetër deri në 300 do të taksohet ndryshe. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti që barra më e rëndë e kësaj reforme fiskale do të bjerë mbi ata me të ardhura mesatare, pra mbi 300 USD. Këta të fundit krahasuar me sistemin aktual të pagesës së tatimeve do të paguajnë më shumë me taksën e sheshtë. Dhe ky është numri më i madh i punonjësve të administratës publike dhe sektor privat.

    E Merkure, 30 Maj 2007
     
  18. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Punonjësit e Albtelekom kërkojnë kontrata me Calik Enerji

    Punonjësit e Albtelekom kërkojnë kontrata pune me turqit e Calik. Në të kundërt kërcënojnë me grevë të përgjithshme

    Altin Xhikneli
    Punonjësit e Albtelekom kanë kërcënuar me grevë të përgjithshme pasi kanë marrë vesh se Calik Enerji do të jetë pronari i kompanisë shtetërore. Pretendimi i punonjësve të kompanisë shtetërore Albtelekom lidhet me kontratat e punës, të cilët ata duan ti nënshkruajnë tashmë me pronarin e ri. Punonjësit kanë kërkuar, “trajtim me pagë mujore për dy vjet dhe një vit pagesë asistencë, sipas ligjit Nr 8306 datë 14.03..1998,për punonjësit që do largohen nga puna. Trajtim me një pagë plus në çdo dhjetë vjet, për punonjësit që kanë mbi 15 vjet punë në Albtelekom,punonjësit që mbeten në punë të marrin një vit pagë shpërblim dhe të përfitojnë 5 % të aksioneve nga procesi i privatizimit, të trajtohen me një ligj të veçantë”. Kështu, ata i kanë dërguar letër qeverisë dhe parlamentit që kërkesat e tyre të merren parasysh. Kështu, beteja prej 1 viti e gjysmë për privatizimin e kompanisë shtetërore Albtelekom me turqit e Calik Enerji ka përfunduar dhe kontrata është firmosur. Tashmë pritet që të bëhen publike vetëm detajet e saj. Nga ana tjetër, privatizimi i Albtelekom nga Calik Enerji do të krijojë struktura të reja organizative e normalisht dhe pushime nga puna pasi si çdo kompani ka strategjinë e të zhvillimit. Kryesisht në privatizimet e kompanive të mëdha shtetërore në vend, punonjësit si numër nuk janë reduktuar por janë zëvendësuar me të tjerë. E kjo për pasojë se në kompanitë shtetërore kryesisht qeveritë punësojnë militantët e tyre, të cilët pas privatizimit detyrimisht do largohen për shkak të aftësive të tyre profesionale.
    Kush është Calik
    Çalik, si kompani e ka fillesën në biznesin e pambukut dhe më pas grupi i drejtuar nga Ahmet Çalik e ka zgjeruar veprimtarinë në një sërë fushash ndër të cilat edhe në sektorin bankar ku në Shqipëri ka 100 % të aksioneve të bankës së dytë për nga asetet, BKT. Në tregun e telekomunikacioneve eksperienca e turqve të Çalik është e brishtë dhe arritja më e madhe e tyre ishte privatizimi i Albtelekomit. Calik do të privatizojë 76 % të aksioneve të Albtelekomit.
    Calik pa “roaming”
    Qeveria i ka hequr të drejtën e roamingut në kontratën e re të ri negociuar me turqit e Calik Enerji. Roaming në këtë rast nënkupton që operatori i ri në treg, Eagle Mobile të shfrytëzojë rrjetin e kompanive ekzistuese për një periudhë të caktuar, kjo sipas legjislacionit të vendit, me qëllim që futja e tij në treg të bëhet sa më shpejt. Calik me t’u bërë pronar i Albtelekom, duhet të fusë të treg operatorin celular Eagle Mobile duke shfrytëzuar antenat operatorëve ekzistues AMC dhe Vodafone. Por qeveria ia ka hequr këtë të drejtë kompanisë turke me qëllim që kompania të investojë vetë në instalimin e rrjetit për operatorin celular. Kjo do të thotë që periudha e investimit nga ana e Calik do të zgjasë të paktën 2-3 vjet, dhe operatori Eagle Mobile do të hyjë të treg efektivisht pas kësaj periudhe. Kështu, dhe një herë operatorët AMC dhe Vodafone janë përfituesit direkt të kësaj marrëveshje të bërë nga qeveria me Calik në kurriz të konsumatorëve.

    E Merkure, 30 Maj 2007
     
  19. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Frenohen shitjet në ndërtim

    Tremujori i parë jep shifra mjaft pesimiste për shitjet në sektorin e ndërtimit. Ndërtuesit: Zhbllokoni lejet!

    Shitjet në sektorin e ndërtimit kanë rënë në mënyrë drastike. Të dhënat e marra nga Instat, tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti shitjet e realizuara nga bizneset e ndërtimit kanë pësuar një rënie prej 57% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2006. Indeksi i Shitjeve në sektorin e Ndërtimit në tremujorin e parë 2007 rezulton me një rënie prej 56.6 përqind
    krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithëse krahasuar me
    tremujorin e parë të vitit të kaluar ka nëj rritje prej, 7.1
    përqind kjo shifër tregon se ky sektori po i afrohet dita-ditës një krize të pashmangshme. Këtë e ka paralajmëruar më parë dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë i cili ka shprehur shqetësimin në lidhje me shitjet në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Madje vetë banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një studim të mirëfilltë për këtë treg dhe ka vënë re se ndërtimi po kalon një periudhë të keqe. Problemet me frenimin e rritjes së këtij sektori janë të shumta dhe lidhen dhe me mos marrjen e lejeve të ndërtimit si pasojë e bllokimit të shumë Këshillave të Rregullimit të Territorit. Shpesh biznesmenët janë ankuar në qeveri për këtë problem por ende KRT-të vazhdojnë të mbajnë peng miratimin e lejeve të reja të ndërtimit. Një tjetër faktor i cili ka ndikuar në rënien e sektorit të ndërtimit ka qenë dhe zvogëlimi gjithnjë e më shumë i sipërfaqeve për ndërtim sidomos në kryeqytet. Kjo ka sjellë dhe një rritje cimesh të përvitshme sidomos për apartamentet e banimit. Studimi i Bankës, nxjerr në pah se faktori kryesor që ka shkaktuar rritjen e çmimeve nga ana e ofertës, është zvogëlimi i numrit të lejeve të ndërtimit. Ndërkohë, reduktimi i sipërfaqeve të ndërrueshme dhe çmimi i truallit, janë cilësuar të një rëndësie mbi nivelin mesatar që ka ndikuar nga ana ofertës, rritjen e çmimeve. Nga ana tjetër faktorët që nxisin kërkesën për apartamente banimi cilësohen kanë të bëjnë me lëvizjet demografike, rritja e preferencës për të investuar në periudha afatgjata si dhe rritja e të ardhurave të individëve në veçanti e emigrantëve.

    Tirana për qira
    shumica e apartamenteve të reja të cilat blihen si nga qytetarët me të ardhura të larta ashtu dhe nga emigrantët përdoren për tu dhënë me qira. Kjo për arsye se çdo vit në kryeqytet rritet kërkesa për shtëpi me qira për dy arsye; e para ka të bëjë me lëvizjet demografike të qëndrueshme drejt kryeqytetit dhe e dyta me ardhjen e mijërave studentëtve çdo vit në universitete. Nga opinionet e mbledhura për ecurinë e çmimeve në zona të ndryshme të Tiranës, nga Banka e Shqipërisë, vihet re një luhatshmëri e ndjeshme nga njëra zonë në tjetrën. Një fakt i tillë mund të vijë si rezultat jo vetëm i shumëllojshmërisë së apartamenteve me karakteristika specifike, që ndodhen në zonat e ndryshme por dhe si pasojë e kërkesës së lartë. Nga përpunimi i opinioneve vihet re se ndryshimi i qirave sipas zonave varion në intervale më të ngushta. “Oferta e lartë e shtëpive që jepen me qira, duket të krijojë një treg me konkurrencial dhe më pak hapësira për luhatshmërinë e niveleve të qirave”-thuhet në studimin e Bankës.

    Apartamentet e vjetra për cmime të larta
    Ndërkohë, duket se çmimi i apartamentit nuk ndryshon nëse apartamenti blihet për herë të parë apo rishitet thuhet në këtë vrojtim të Bankës së Shqipërisë. Çmimet e apartamenteve të rishitura, luhaten ndjeshëm nga njëra zonë në tjetrën. Gjithsesi, disa prej të intervistuarve gjykojnë se vlera e lartë për banesat e ndërtuara para vitit 1990, vjen si prej besimit për një cilësi më të kontrolluar të banesave, ashtu edhe për faktin se shumë nga to janë rikonstruktuar, në përshtatje edhe me kërkesat e kohës.

    E Premte, 01 Qershor 2007
     
  20. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Reforma, 300 tatimorë pa punë

    Taksat vendore në Bashki e Komuna lënë pa punë 300 tatimorë. Vetëm në Tiranë 100 jashtë tatimeve

    Do të jenë 300 punonjës tatimorë të cilët do të pushohen nga puna nga reforma e re. Kjo reformë është bërë nga Drejtoresha e re e Përgjithshme e Tatimece, Gerta Picari. Sipas burimeve pranë tatimeve kalimi i mbledhjes së taksave vendore nga bashkitë dhe komunat do të sjellë një reformë të strukturën e inspektorëve tatimorë. Kështu, sipas burimeve janë 300 punonjës tatimesh të cilët do të dalin pa punë, nga të cilët 100 vetëm në Tiranë. Kalimi i vjeljes së taksave për biznesin i vogël në bashki dhe komuna ka sjellë një anomali dhe vonesa të mëdha në pagesat e tyre. Madje si pasojë e kësaj çoroditje të administratës publike qendrore e vendore, janë vonuar dhe pagesat e detyrimeve nga ana e biznesit. Por askush nuk është toleruar dhe pse jo për faj të biznesit. Ato biznese të cilat nuk kanë patur mundësi ti paguajnë taksat në kohë menjëherë kanë marrë dhe gjobat përkatëse.

    Konflikti qeveri-bashki
    Disa bashki të cilat në zgjedhjet vendore kanë planifikuar që të shfrytëzojnë të gjithë hapësirën ligjore për të rritur apo ulur taksën e biznesit të vogël. Sipas ligjit, nivelit të taksave të përcaktuar qeveria dhe të miratuar në parlament, mund ti shtohet ose pakësohet 30%. Kështu, ka zëra që disa bashki të majta të shfrytëzojnë këtë hapësirë për të rritur me 30% nivelin e vendosur nga qeveria. Kjo ka bërë që vetë zv.ministri Mima të bëjë një thirrje që krerët e bashkive të majta të bashkohet me filozofinë e djathtë për ulje taksash. “Ministria e Financave fton administratorë e rinj lokalë të sapozgjedhur të mbajnë të gjitha premtimet e bëra në fushatën elektorale lokale për uljen me 30% të ngarkesës fiskale, e ndërgjegjshme që kjo shkon në një linjë edhe me filozofinë e qeverisjes në nivel qendror për të lënë sa më shumë para në duart e biznesit ç’ka përkthehet në më shumë investime, më shumë punësim, më shumë prosperim për shqiptarët”- është shprehur Mima.

    E Premte, 01 Qershor 2007
     

Shpërndajeni këtë faqe