Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Energjia, aforfe edhe për 2007-ën

    ERE miratoi shtyrjen e afatit për faturat e paracaktuara deri në 31 dhjetor të këtij viti


    Më shumë se 85 mijë familje shqiptare do të vazhdojnë edhe për këtë vit të paguajnë energjinë e konsumuar në bazë të faturave aforfe. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar së fundmi kohëzgjatjen e aplikimit të faturave aforfe për konsumatorët familjarë, që nuk janë të pajisur me matës deri në 31 dhjetor të vitit 2007. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kishin marrë përsipër të përfundonin pajisjen e të gjithë abonentëve me matës brenda datës 31 mars të këtij viti, por edhe këtë herë ky ka mbetur vetëm një premtim. "Duke u bazuar në argumentet që na paraqiti KESH, si dhe për shkak të procedurave të tenderimit të energjisë vendosëm që të shtyjmë sërish afatin e aplikimit të faturave aforfe, deri më 31 dhjetor të këtij vit", tha Nepravishta. ERE ka lënë në fuqi tarifat e mëparshme, të cilat janë miratuar që në tetor të vitit 2004. Sipas këtyre tarifave, abonentët në qytet do të paguajnë aforfe sasi më të mëdha energjie se ata në fshat, ndërkohë që kjo sasi ndryshon edhe në bazë të stinës, pasi në dimër do të paguhet më shumë se në verë. Por ndryshime në sasinë e faturuar do të ketë edhe midis rretheve të ndryshme, ku abonentët në qytetet më të mëdha do të paguajnë më shumë për energjinë se ata në qytetet e vogla. Sipas Nepravishtës, KESH ka marrë përsipër që të përfundojë pajisjen e të gjithë abonentëve familjarë me matës brenda këtij viti, afat i cili do të përkojë edhe më heqjen nga qarkullimi të faturave aforfe.

    Abonentët

    Korporata Elektroenergjetike Shqiptare numëron aktualisht mbi 900 mijë abonentë në të gjithë vendin. Nga këta, vazhdojnë të jenë të papajisur me matës dhe për rrjedhojë të paguajnë energjinë aforfe, rreth 85 mijë abonentë familjarë. Për disa herë me radhë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së bashku me KESH kanë premtuar më shumë se një herë të përfundojnë pajisjen me matës, por deri më tani kjo nuk është arritur. Për këtë arsye, ERE gjobiti KESH-in me gjobën qesharake prej 150 mijë lekësh. "Ne ligji në këtë rast na jep dy kompetenca. Ose heqjen e licencës ose gjobitjen e KESH-it. Heqja e licencës është e pamundur, pasi kemi të bëjmë me një operator publik dhe i vetmi sanksion që na mbetet janë gjobat", tha Nepravishta. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, ka bërë të ditur rreth 2 muaj më parë se, KESH ka përgatitur të gjithë dokumentacionin përkatës dhe se brenda muajit prill do të shpallë tenderin për blerjen e matësve të energjisë elektrike.
     
  2. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Fluturimet, linjë direkte Tiranë - Nju-Jork

    Dy kompani amerikane fillojnë fluturimet direkte Shqipëri-SHBA. Çmimi 469 euro vajtje, 795 vajtje-ardhje


    Duke filluar nga dita e sotme, shqiptarët do të mund të fluturojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me linjë direkte Tiranë - Nju-Jork. Shoqëritë amerikane ajrore "Adriatic Eagle Air" dhe "American Trans Air", njoftuan se do të fillojnë fluturimet direkte Tiranë - Nju-Jork dhe anasjelltas, një herë në javë. Me avionët, me kapacitet 317 vende. Avioni do të niset nga Nju-Jorku çdo të shtunë dhe mbërrin në Tiranë të dielën, ndërsa udhëtimi i anasjelltë do të nisë nga Tirana çdo të hënë dhe mbërrin në Nju-Jork të martën. Njëkohësisht do të funksionojë dhe linja direkte Nju-Jork - Prishtinë dhe anasjelltas. Nga Prishtina nisja do të kryhet çdo të mërkurë. Biletat e udhëtimit, do të kushtojnë 469 euro vetëm vajtje dhe 795 euro vajtje - ardhje gjatë sezonin të rregullt. Burime nga dy kompanitë bënë të ditur se për momentin është planifikuar që fluturimet të vazhdojnë vetëm për sezonin pik, nga qershori deri në shtator. Por, nëse kërkesa do të jetë e lartë, atëherë periudha e fluturimeve mund të zgjatet. Ardhja e dy kompanive të mëdha ajrore amerikane në Tiranë përkon me vizitën e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush.

    Tregu i fluturimeve

    Të dhënat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, flasin për një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve që fluturojnë nga Shqipëria nga viti në viti. Kështu, për vitin 2006, numri i pasagjerëve shënoi një rritje me 15% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërkohë që numri i fluturimeve u rrit me 2,5%. Megjithëse mungojnë të dhënat e sakta financiare për paratë që qarkullojnë në këtë treg, ekspertët llogarisin se volumi vjetor i tij luhatet në shifrat e 200 milionë eurove.

    Është pikërisht kjo rritje e tregut dhe përmirësimi i infrastrukturës së aeroportit, ajo që po sjell një rritje të interesit nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Pas hyrjes së "British Airways" dhe gjigandit gjerman "Lufthansa", gjatë vitit të kaluar, këtë vit në Shqipëri vijnë dhe dy kompani prestigjioze fluturimi amerikane. Konkurrenca në rritje po sjell nga ana e saj edhe ulje të çmimeve, ndërkohë që drejtuesit e shoqërive ajrore mendojnë se potencialet e rritjes së tregut shqiptar janë edhe më të mëdha. Por kjo rritje frenohet nga fakti se shqiptarët kanë ende shumë vështirësitë për t‘u pajisur me viza.
     
  3. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Ngjitet "Bell Air" bie "Albania Airlines"



    Megjithëse e filloi aktivitetin e saj vetëm në mars të vitit të kaluar "Bell Air" arriti të bëhej kompania e tretë e fluturimeve dhe e para nga shoqëritë Low Cost, për nga numri i pasagjerëve të transportuar. Për vitin, kjo kompani transportoi rreth 117 mijë udhëtarë, duke zënë kështu 13% të tregut. Pozitat e "Bell Air" u forcuan mjaft pas bllokimit të kompanisë tjetër (Low Cost), me kosto të ulët, "Albatros", nga ish-drejtori i Aviacionit Civil, Gazmend Dibra. Ndërkaq, "Alitalia" duket se është kompania më e preferuar nga shqiptarët. Të paktën kështu del nga statistikat e ofruara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Gjatë vitit të kaluar me shoqërinë italiane fluturuan 20% e numrit total të udhëtarëve që kanë kaluar nëpërmjet Rinasit, që e kthyer në shifra do të thotë mbi 180 mijë pasagjerë, ose rreth 35% më shumë se në vitin 2005. E dyta është shoqëria shqiptare "Albanian Airlines", që zuri 18% të tregut, me afro 164 mijë pasagjerë. Krahasuar me vitin 2005, numri i udhëtarëve të "Albanian Airlines" ra me rreth 18%. Kujtojmë që për vitin 2005, "Albanian Airlines" ishte e para në treg me afro 26% të numrit të pasagjerëve.
     
  4. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Urdhri i Rrengës: Bëjeni pagën minimale 35 mijë lekë

    Ja si përgjegjësi për kontrollet në "Top Media" shkel ligjin


    Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP) ka urdhëruar një rivlerësim të pagave në "Top Media", sipas një kuote aforfe. Sipas një urdhri të paprecedentë, drejtuesit e VIP-ave kanë urdhëruar inspektorët që ushtronin kontroll prej disa muajsh, duke kaluar në sitë dokumentet financiare të "Top Medias", duke kërkuar një rivlerësim të pagave, bazuar në pagat minimale 30000 dhe 35000 lekë, për efekt të përllogaritjeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Sipas dokumentit konfidencial që "Shqip" arriti të sigurojë, urdhri ka ardhur nga përgjegjësi i kontrollit në Degën e Tatimpaguesve VIP, Adem Rrenga. Sipas këtij urdhri dhe pagave minimale që Rrenga ka përcaktuar, rezulton që "Top Media", të jetë e vetmja shoqëri në Republikën e Shqipërisë që duhet t‘i kishte paguar punonjës, si pastrueset apo rojet me një pagë prej 30 mijë lekësh, në një kohë që edhe institucionet publike, si dhe pjesa dërrmuese e bizneseve zbatojnë për këto kategori të punësuarish, pagën minimale që lejon ligji. Nga ana tjetër, problemi i kësaj shkrese është vetë ligji, i cili ka sakaq të përcaktuara një nivel page, i cili nuk mund të ndryshohet me urdhër nga një drejtues tatimesh. Pikërisht, rreziku i pasojave penale, i ka detyruar inspektorët e përfshirë në kontroll, t‘i kthejnë përgjigje Rrengës, duke theksuar faktin se rivlerësimi aforfe i pagave ishte një kërkesë e tij. "Sipas urdhrit Tuaj, grupi i kontrollit është duke kryer përllogaritjet edhe për efektet financiare që lindin për sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe TAP (tatimin mbi të ardhurat personale) nga rivlerësimi i pagave, duke u bazuar në pagën minimale 30000 dhe 35000 lekë", thuhet në shkresën që tatimorët u dërgojnë eprorit të tyre. Por, në përgjigje të kësaj shkrese, përgjegjësi i kontrolleve te VIP-at, e ka kthyer atë mbrapsht, pasi ka shkarravitur me stilolaps pagën minimale aforfe, duke iu trembur edhe ai pasojave ligjore. Gjithashtu, me shkrim dore ai ka sqaruar se arsyeja e vonesës së kontrollit, nuk është interpretimi i blerjes të së drejtave audiovizive nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç deklarojnë inspektorët, por "nisur nga fakti që subjekti (Top Media), ndërpreu në mënyrë të njëanshme kontrollin". Në fakt, vetë punonjës të shkarkuar të tatimeve, kanë deklaruar konfidencialisht, por edhe publikisht, siç është rasti i Avdyl Rrushit, se nga "Top Media" kanë gjetur të gjithë mirëkuptimin dhe gatishmërinë e mundshme, për t‘u vënë në dispozicion çdo informacion financiar të kërkuar. Por, duke qenë se dokumentet në fjalë gjenden sakaq në prokurori, në cilësinë e provës materiale, për abuzimet që po kryejnë drejtuesit tatimorë me kontrollet në "Top Media". Burime pranë administratës tatimore, bëjnë të ditur se gjasat janë që rivlerësimet e pagave të kryhen me shifra më të ulëta, në mënyrë që urdhëruesit e kësaj procedure t‘u shpëtojnë pasojave penale për shkelje të ligjit shqiptar. "Top Media" dhe bizneset e tjera që supozohet nga strukturat qeveritare se kanë të njëjtën pronësi me të, vazhdojnë të jenë për të shtatin muaj rresht, nën presionin dhe mbikëqyrjen e rreptë të tatimorëve. Ndonëse deri më sot janë kryer kontrolle të njëpasnjëshme, të tejzgjatura dhe periudha e hulumtimeve të inspektorëve sapo kaloi muajin e shtatë, duke shënuar edhe një rekord kombëtar në historinë pluraliste të vendit, xhaketat e hirta, vazhdojnë të vërtiten pa arsye në ambientet e këtij grupi mediatik. Dokumentet e zbuluara së fundmi, dëshmojnë edhe një herë për informalitetin e veprimeve të tatimeve, nën udhëheqjen dhe porositë e drejtuesve të qeverisë.
     
  5. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    ARMO, sytë nga tregu me pakicë

    Shoqëria ka ndërmarrë një sërë rinovimesh teknologjike për përmirësimin e cilësisë


    ARMO (kompania publike e përpunimit dhe tregtimit të naftës), vazhdon punën për rritjen e cilësisë së gazoilit D2, me synim, arritjen e standardit të BE-së për përqindjen e lejuar të squfurit. Burime zyrtare të ARMO-s, thanë dje për mediat, se gjatë vitit 2006, gazoili i prodhuar nga uzinat e përpunimit të naftës, u përmirësua në parametrat e cilësisë së gazoilit D2. Në këtë lloj karburanti, përqindja e squfurit arriti 0.1%, nga 0.2% që ka qenë niveli i tij mesatar gjatë viteve të fundit. Përmirësimi i rritjes së parametrit të cilësisë së karburanteve për ARMO-n, lidhet me objektivin që ka kjo kompani për t‘u afruar me standardin e BE-së, ku përqindja e squfurit në karburant llogaritet në masën 0.02%. Megjithatë, qëllimi shtrihet në një afat më të gjatë. Duke përmirësuar cilësinë e karburantit, ARMO-ja do të mund ta hedhë atë në treg për konsum të përgjithshëm, çka do ta bënte shoqërinë një lojtar të fortë në tregun vendas të karburanteve. Një masë e tillë, përveçse do të përmirësonte financat e shoqërisë, do të ulte edhe varësinë e vendit nga importi i karburanteve. Tregu i hidrokarbureve në Shqipëri, i paraqitur në më shumë se një rast si zyrtarisht i liberalizuar, paraqet keqfunksionime absurde, tipike të një tregu monopol, apo së paku, të një tregu ku çmimet nuk fiksohen sipas kursit në bursë, por sipas ujdive të grosistëve të importit të karburanteve. Kjo do të thotë se përmirësimi gradual i cilësisë së naftës "Made in Albania", duhet të fillojë t‘i shqetësojë importuesit, të cilët do të humbin një pjesë të tregut në një afat jo shumë të largët. Gjithashtu, këto përmirësime teknologjike, parashikohet të kontribuojnë pozitivisht edhe në rritjen e vlerës së aseteve të shoqërisë në rastin e një privatizimi, i cili duket se po afron. Ndonëse prodhon më shumë se 1/3 e karburantit që konsumohet çdo vit në Shqipëri, ARMO-ja zotëron vetëm 25% të tregut. Shkaku kryesor është pikërisht cilësia e dobët e naftës që prodhon, si dhe ndërhyrja e qeverive në administrimin e prodhimit të saj. Sipas statistikave të vitit 2005, Shqipëria importon rreth 400 mijë ton karburant në vit, ndërkohë që në vend prodhohen rreth 250 mijë ton në vit nga rafineritë e ARMO sh.a., shoqëri me kapital shtetëror, e cila merr naftën që shoqëria tjetër "Albpetrol" sh.a. e nxjerr nga nëntoka dhe pasi e rafinon, e hedh në treg. Gjithashtu, furnizimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve publike me karburant nga ARMO-ja, ul ndjeshëm sasitë që hidhen në treg, ndërkohë që një gjetje e qeverisë "Nano" për t‘i ulur në mënyrë drastike sasitë e naftës shqiptare që hidhej në treg, ishte projekti i naftës pa akcizë për fermerët. Sipas kësaj skeme, tashmë e pezulluar, fshati do të përfitonte dhjetëra mijë ton naftë me 40 lekë për litër, për nevoja që lidheshin me bujqësinë. Por ndërkohë, pikat e karburantit kanë shitur më pak naftë vendi, prej më shumë se dy vjetësh. Prodhimi i naftës shqiptare arriti rekordin në vitin 1965, kur sasia vjetore kapi shifrën 2.4 milionë ton. Me kalimin e viteve, teknologjia kineze e përdorur degradoi, duke e ulur prodhimin gradualisht. Megjithatë, deri në vitin 1994, ARMO-ja ruante monopolin e saj, deri kur u hap tregu në ‘95-ën, kohë kur gjërat shkuan edhe më mirë. Shoqëria filloi të eksportonte në Mal të Zi, gjatë embargos së karburantit mbi ish-Jugosllavinë. Epoka e artë mbaroi menjëherë me ardhjen e vitit 1996, e deri në ‘98-ën, kohë kur të paktën zyrtarisht, puset shqiptare filluan të vuanin pasojat e një degradimi të fortë. Nafta e nxjerrë nga nëntoka nga "Albpetrol" sh.a. arrinte vetëm në rreth 300 mijë ton në vit, ndërkohë që produkti i rafinuar që ARMO-ja hidhte në treg arriti vetëm në 100 mijë ton, nga të cilat afërsisht, 70 ton ishin naftë dhe 30 ton benzinë. Në vitin 2000, rritja e çmimit të naftës në bursë nga 22 USD për fuçi deri në 35 USD për fuçi, solli shtrenjtimin e importit, duke favorizuar ARMO-n, e cila gjithashtu, rriti çmimin. Si rregull, ARMO-ja mban një çmim 5-6 lekë më pak se importi, duke kryer një lloj dumping-u të ligjëruar, i cili është krejt i justifikuar kur bëhet fjalë për sektorë strategjikë, siç është rasti i energjisë. Aktualisht, shoqëria përpiqet të ruajë cilësinë dhe kuotat e prodhimit, duke kryer rinovime të herëpashershme teknologjike, në përpjekje për t‘u përballur me degradimin e kapaciteteve ekzistuese.
     
  6. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Fushë- Krujë

    Bush takon klientët e "Opportunity Albania"



    Kujtim Nuzi, Suzana Rakipi, Luiza Mukaj, Klarita Topi dhe Blerim Dema, janë disa nga klientët e "Opportunity Albania", të cilët kanë pasur fatin të takohen personalisht me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Presidenti Xhorxh Bush ka mbërritur rreth orës 15:40 në Fushë-Krujë. Ai dhe zonja e tij Laura Bush, si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Marcy Ries kanë zgjedhur të vizitojnë një nga zonat e aktivitetit të "Opportunity Albania", një institucion financiar amerikan, i cili ka nisur aktivitetin e tij në 1999 me mbështetjen e USAID-it. Në Fushë-Krujë, Bush u prit nga qindra qytetarë që kishin mbushur trotuaret e qytetit, duke mbajtur në duar flamuj amerikanë dhe brohorisnin me gëzim si për të plotësuar sfondin e plotë të mikpritjes vendase. Ndërsa është shpallur edhe "Qytetar Nderi" i Fushë-Krujës, Presidenti Bush duke falënderuar kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, tha se "një pjesë e vizitës sonë ishte që të takoheshim edhe me biznesmenët e vegjël të këtij vendi, ne ishim shumë të interesuar që të bisedonim me ju". Si për t‘u shkëputur disi nga deklaratat politike, ai ka zgjedhur të prekë më nga afër atë që është realiteti shqiptar, Shqipërinë e vërtetë, atë që tenton të ngrejë krye e të ndryshojë për të mirën e të gjithëve. Duke theksuar në çdo deklaratë mbështetjen në vazhdimësi nga ana e popullit amerikan, Presidenti Bush, nuk mund të mos interesohej edhe për "Opportunity Albania", e cila prej tetë vjetësh ka zgjedhur të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj mbështetjeje të madhe. Nga Drejtoresha e Degës së "Opportunity Albania" në Fushë-Krujë, znj. Emila Cangu, Presidenti Bush është njohur me aktivitetin e këtij institucioni financiar dhe ndryshimet e mëdha që kanë transformuar jetët e mijëra klientëve në vend. E të gjitha këto copëza historish njerëzore, nuk mund të mos i bënin përshtypje Presidentit amerikan Bush, i cili mbi të gjitha mbeti i impresionuar nga shpirti sipërmarrës i popullit shqiptar. Ai u prek nga historitë personale të dëgjuara nga vetë klientët e "Opportunity Albania". Ata u shprehen se marrëdhënia me këtë organizatë është tepër e rëndësishme për suksesin e bizneseve të tyre. Për Presidentin Bush të tilla shërbime financiare, në bazë të së cilës është përmirësimi i jetesës së njerëzve që duan të ndryshojnë për mirë janë shumë të rëndësishme. Ato ndikojnë në zhvillimin ekonomik të komunitetit, ndërsa theksoi edhe një herë mbështetjen në vazhdimësi nga ana e popullit amerikan. "Në Amerikë, shumica e vendeve të punës krijohet nga biznesi i vogël dhe i mesëm dhe mendoj se e njëjta gjë do të jetë edhe në Shqipëri", deklaroi Presidenti Bush. Kjo ishte ndalesa e fundit e Presidentit të SHBA-së në vizitën e tij në Shqipëri.

    Për Robert Hart, Drejtor Ekzekutiv i "Opportunity Albania", vizita e Presidentit amerikan Bush në zyrën e Fushë-Krujës është një ngjarje mjaft e rëndësishme për "Opportunity Albania". "Dëshirojmë të falënderojmë Presidentin Bush për vizitën e tij në zyrën tonë, autoritetet lokale si dhe popullin e Fushë-Krujës. Gjithashtu, vlerësojmë mbështetjen e pandërprerë nga ana e USAID-it. U jemi mirënjohës stafit të "Opportunity Albania", klientëve tanë të Fushë-Krujës, pasi pa ta asgjë s‘do të ishte e mundur", është shprehur z. Hart.
     
  7. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Albtelekom, negociatat bllokohen sërish

    Turqit bëjnë naze. Kërkojnë fitimin e shoqërisë shqiptare për 3 vitet e fundit, që llogaritet rreth 35 milionë usd


    Privatizimi i Albtelekomit është kthyer padyshim në një telenovelë të stërzgjatur, e cila duket se nuk do të përfundojë kurrë. Sa më shumë që duket se i afrohet fundit aq më shumë largohet data e nënshkrimit të kontratës së shitjes së kompanisë së vetme publike të telefonisë fikse në vend te shoqëria turke, "Calik Enerjy". Burime konfidenciale thanë për "Top Channel" se turqit tani pretendojnë, që të marrin nga pala shqiptare edhe fitimin e siguruar nga Albtelekom, që prej vitit 2004, kur edhe u nënshkrua për herë të parë kontrata mes tyre dhe qeverisë shqiptare. Por negociatorët vendas e kundërshtojnë këtë përderisa nuk ka një kontratë të ratifikuara në Kuvend dhe asnjë pikë e saj nuk është e vlefshme ligjërisht. Fitimi i Albtelekomit që nga 2004-a ka qenë mesatarisht 12 milionë dollarë në vit. Në fakt, kjo nuk mund të pranohet kurrsesi nga qeveria "Berisha", pasi kjo do të konfirmonte deklaratat opozitës, që e cilësojnë një gabim të qeverisë shtyrjen e privatizimit. Në rast se pala shqiptare do të pranonte kërkesën e turqve për vitin e tre viteve të fundit të Albtelekomit, atëherë vlera reale e kësaj shoqërie do të ishte ndjeshëm më e ulët nga ajo që parashikonte kontrata fillestare e nënshkruar nga ish-qeveria socialiste e drejtuar nga Nano.

    Mosmarrëveshjet s‘kanë të sosur

    Në këtë vorbull negociatash janë mbërthyer tashmë palët dhe ende nuk dihet se çfarë zgjidhje do të ketë problemi. Pak kohë më parë, dy pikat, që mbanin larg marrëveshjes palët ishin çështja e roamingut të brendshëm dhe kushti për bashkëpunimin e shoqërisë turke me një partner strategjik në këtë privatizim. Ndërsa tani, këto dy pika mosmarrëveshjesh janë zëvendësuar nga dy të tjera. Përveç pretendimeve të "Calik" për të marrë fitimet e viteve të fundit, një tjetër çështje ende e pazgjidhur nga negociata po mbetet edhe borxhi që Albtelekom ka ndaj të tretëve. Turqit pretendojnë se ky borxh është 3-4 herë më i madh se ai që paraqet pala shqiptare, e cila e vlerëson atë në rreth 5 milionë euro. Deri në këtë moment të negociatave këto janë dy pikat më të rëndësishme, që kanë mbetur pa zgjidhje çka po e shtyjnë pambarimisht privatizimin e Albtelekomit drejt një afati më të gjatë ende të paditur.

    Humbjet

    Ekspertë të opozitës kishin paralajmëruar kohë më parë se shtyrja e privatizimit të Albtelekomit prej afro 2 vjetësh ka ulur vlerën reale të kësaj kompanie me rreth 15 deri në 20 për qind. Kjo për shkak të mungesës së investimeve në këtë sektor dhe kostos së borxhit. Kështu, 120 milionë dollarë nëse do të ishin marrë 2 vjet më parë mund të kishin shkuar për investime publike dhe shteti shqiptar nuk do të detyrohej që këto para t‘i merrte borxh nga jashtë, borxh i cili ka kosto për shkak të interesave. Si rrjedhojë, vetëm për këtë arsye, vlera reale e Albtelekomit, sipas ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, do të reduktohej nga 120 milionë në 100 milionë euro nëse kjo shoqëri do të shitej tani. Tashmë, kësaj i shtohen edhe kërkesat e turqve për të marrë fitimin e dy-tre viteve të fundit, i cili mendohet se shkon rreth 35 milionë euro. Të gjitha këto do ta çonin vlerën reale të Albtelekomit në një shifër shumë më të ulët nga ajo, prej 120 milionë eurosh, që nënshkroi ish-ministri socialist i Ekonomisë, Anastas Angjeli, në vitin 2005.
     
  8. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Paketa fiskale, biznesi: Qeveria s‘po na merr mendimet

    Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë e cilësoi zhgënjyes vendimin e Komisionit të Ekonomisë


    Biznesi është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i Komisionit Kuvendor të Ekonomisë për rrëzimin e dekretit të Presidentit Moisiu, që e cilësonte ligjin e gjobave si antikushtetues. Gjatë një takimi me ministrin e Financave, Ritvan Bode, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Xhefri Grifin, tha se ky vendim bie në kundërshtim me pretendimet e qeverisë për bashkëpunim me biznesin. "Vendimi final i Presidentit për mosdekretimin e ligjit të gjobave ishte më se i duhur për komunitetit tonë, madje për këtë ne i paraqitëm publikisht edhe një letër Komisionit të Ekonomisë. Sidoqoftë, vendimi i Presidentit u hodh poshtë dhe sugjerimet tona nuk u morën parasysh dhe ne e konsiderojmë këtë si një zhgënjim", tha Xhefri. Ai ka deklaruar se biznesi në përgjithësi dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në veçanti janë përpjekur të mbajnë një dialog të hapur me qeverinë gjatë viteve të fundit. "Ne mendojmë se e kemi një dialog të hapur me qeverinë, por për hartimin e këtij ligji nuk ka pasur diskutime të hapura. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë më në të ardhmen," vijoi më tej Xhefri. Por Bode e argumentoi këmbënguljen e mazhorancës për miratimin e ligjit të gjobave si një domosdoshmëri për të rritur kontrollin dhe disiplinën fiskale në kuadër të uljes së taksave që, sipas tij, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë qeveria. Madje, ai ka mbrojtur fort edhe nismat e tjera të kundërshtuara nga biznesi, sidomos atë për përcaktimin e pagave në sektorin privat dhe për rritjen e tatimit mbi të ardhurat, i cili prek kryesisht punonjësit. "Nëse do të krahasojmë disa tregues fiskalë të vendit tonë me ata të rajonit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, do të vihet re një diferencë e madhe te taksat e punës", tha Bode. Sipas tij, Shqipëria ka tregues të krahasueshëm me ekonomitë e ngjashme fqinje për mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe është më mirë në mbledhjen e tatimit mbi fitimin. "Por ne jemi shumë më ulët, gati sa gjysma e Maqedonisë në mbledhjen e taksave të punës, çka tregon se pikërisht këtu është informaliteti më i madh", vazhdoi ministri Bode.

    Taksa e sheshtë

    Deklaratat e ministrit bien në kundërshtim me vendimet e marra nga qeveria kohët e fundit. Në rast se ajo që thotë Bode është e vërtetë, se informaliteti është shumë më i madh në taksat e punës, ku përfshihet tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve, atëherë qeveria duhet të ndërmerrte masa për reduktimin e barrës në këto taksa. Por futja e taksës së sheshtë ul barrën fiskale për bizneset nëpërmjet përgjysmimit të tatimin mbi fitimin, ku Bode thotë se ne jemi më mirë se vendet e rajonit dhe e transferon atë tek individët, përmes rritjes së tatimit mbi të ardhurat, ku bëhet më shumë evazion. Ekspertët thonë se normalisht një rritje e barrës fiskale stimulon evazion më të madh. Në këtë pikë, Bode ka debatuar edhe me përfaqësuesit e bizneseve fasoniste, të cilët janë shprehur haptazi kundër taksës së sheshtë. "Ne ulëm vitin e kaluar me 30 për qind kontributet dhe ju nuk raportuat rritje pagash", iu drejtua Bode atyre. Kjo shkaktoi reagimin e fasonistëve. "E keni gabim zoti ministër. Janë 36 mijë të siguruar që janë regjistruar rishtas menjëherë pas uljes së sigurimeve dhe këto shifra janë raportuar pikërisht nga ju", replikoi Donika Mici, prodhuese këpucësh.

    Reklamat

    Ndërkaq, pas kundërshtimeve që hasi në këshillin konsultativ të biznesit, qeveria duket se është tërhequr nga vendimi që kufizon shpenzimet për reklama duke mos i njohur ato si të tilla kur kalojnë nivelin 1 për qind të xhiros. Megjithëse paketa fiskale është miratuar tashmë nga qeveria, Bode u shpreh i hapur për të ndryshuar këtë limit në bazë të sugjerimeve që do të vijnë nga grupet e interesit përpara se paketa të shkojë në Parlament për miratim.
     
  9. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Korrik, tregti e lirë me rajonin

    CEFTA sjell risi, pasi ajo liberalizon jo vetëm tregtinë e produkteve, por edhe atë të shërbimeve


    Marrëveshja e Përbashkët e Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit, e pagëzuar me emrin CEFTA do të nisë të zbatohet duke filluar që nga data 1 korrik 2007. Lajmin e ka bërë të ditur për mediat, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Shqipëria është një nga 5 vendet që e ka ratifikuar këtë marrëveshje që në vitin 2006. Ajo u firmos në kryeqytetin e Rumanisë në Bukuresht më 19 dhjetor 2006, nga kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse të rajonit. CEFTA ka rëndësi të veçantë në drejtim të liberalizimit të tregjeve, zhvillimit të mëtejshëm tregtar mes vendeve anëtare të saj. Për Shqipërinë, kjo marrëveshje e tregtisë së lirë do të sjellë shkëmbime tregtare pa tarifa doganore për të gjitha produktet industriale dhe pritet të zgjerojë akoma më tej liberalizimin e tregtisë për produktet bujqësore. Por në dallim nga MTL-të e tjera të zbatuara deri më tani, CEFTA, sjell disa risi, pasi ajo liberalizon jo vetëm tregtinë e produkteve, por edhe atë të shërbimeve.

    CEFTA

    Zgjerimi i CEFTA ishte një propozim, që u lëshua nga Kroacia si një alternativë ndaj idesë fillestare të Bashkimit Evropian për krijimin e të ashtuquajturës "Zona e Tregtisë së Lirë Ballkanike". Por ky plani i Brukselit u kritikua ashpër në Kroaci me ankesa se ngjasonte me ish-Jugosllavinë dhe do të ngadalësonte rrugën e Kroacisë në pranimin në BE, duke e futur atë së bashku me vende të tjera që nuk janë aq larg në proces. Si rrjedhojë, Kryeministri kroat, Ivo Sanader, kërkoi në atë kohë, të zbusë kritikat më të ashpra, duke sugjeruar njëherazi si alternativë zgjerimin e CEFTA-s, e cila kishte ekzistuar më parë, por që ishte reduktuar si pasojë e hyrjes së Polonisë dhe Rumanisë në Bashkimin Evropian. Që nga viti 2001, vendet në rajon kanë përpunuar rreth 31 marrëveshje dypalëshe tregtare, por shumë ekspertë thonë se zbatimi i tyre ka qenë i rastit. Zgjerimi i CEFTA ka për qëllim të zëvendësojë këtë mori marrëveshjesh dhe do të zbatohet më lehtë. Përveç kësaj, CEFTA do të modernizohet nëpërmjet shtimit të kushteve të reja për harmonizimin e rregullave dhe procedurave, duke përmirësuar debatin e zgjidhjeve, tregtinë e shërbimeve dhe mbrojtjen e pronës intelektuale. Statistikat zyrtare të Komisionit Evropian tregojnë se tregtia në rajon u rrit me 33 për qind, brenda tre vitesh, nga 2001 deri në 2004, kur arriti 3,5 miliardë euro. Ndërsa, tregtia me pjesën tjetër të botës u rrit me 21 për qind, nga 30,2 miliardë euro në 2001, në 36,4 miliardë euro në 2004.
     
  10. Hellena

    Hellena Primus registratum

  11. Hellena

    Hellena Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, rendit arsyet që e çojnë vendin drejt një krize të thellë ekonomike

    Rreziku i inflacionit dhe mungesa e investimeve publike kanë krijuar rreziqe të caktuara monetare, që tashmë janë shndërruar në tendenca reale, duke e forcuar së tepërmi vlerën e lekut në shkëmbimet ndaj valutave të tjera kryesore të huaja. Por, një gjë e tillë nuk është pozitive për një ekonomi të brishtë si kjo e jona. Kështu ka theksuar dje, në daljen e tij përpara mediave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani. Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë propozoi dje, për të tretën here brenda këtij viti, për rritjen e normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar këtë normë në nivelin e lartë prej 5,75%. Banka qendrore ka vendosur dje të rritë me 0,25% normën bazë të interesit për monedhën kombëtare. Kjo, sipas guvernatorit Fullani, detyrohet nga shumë shkaqe, ndër të cilat vlerësohet se ka një ndikim të fuqishëm fakti se aktiviteti fiskal nuk ka ecur sipas planit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, në 6 muajt e parë të vitit 2007, buxheti fiskal vazhdon të karakterizohet nga teprica fondesh, të cilat pasqyrojnë kryesisht shkallën e ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale. Nga ana tjetër, deficiti tregtar ka shënuar një zgjerim të dukshëm gjatë tremujorit të parë të vitit, duke gjeneruar premisa për krijimin e zhbalancimeve në sektorin e jashtëm të ekonomisë.
    Ndërkohë, nëpërmjet integrimit në rritje të tregjeve financiare shqiptare, politikat e ndjekura nga Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale janë pasqyruar edhe në tregun e brendshëm valutor. Këto zhvillime mbartin implikime më të gjera në treguesit e tjerë të sistemit financiar, në aktivitetin ekonomik dhe në politikën monetare.

    Inflacioni

    Por, rreziku kryesor vjen nga inflacioni. Parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë flasin për zhvillime inflacioniste në 12 muajt në vijim si dhe rreziqe potenciale, materializimi i të cilave do të ndikonte negativisht në devijimin e inflacionit nga objektivi prej 3 për qind i Bankës së Shqipërisë, - tha guvernatori Fullani. Sipas tij, rreziqet mund të përfshihen në:
    rritjen e kërkesës së brendshme. Rritja e kërkesës së ekonomisë për mallra e shërbime manifestohet në forcimin e presioneve inflacioniste dhe në zhbalancime në sektorin e jashtëm të ekonomisë, nëpërmjet zgjerimit të deficitit tregtar dhe presioneve mbi kursin e këmbimit. Të dyja këto forma çekuilibri janë të dëmshme për perspektivën e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatgjatë.


    Vendimi

    Pas shqyrtimit analitik të çdo elementi rreziku, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se materializimi i disa faktorëve është konsumuar, ndërkohë që për të tjerët ekziston një mundësi reale ndodhjeje. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 5.75 për qind.

    PASOJAT

    Vendimi i Bankës së Shqipërisë do të ketë dy pasoja direkte dhe të pashmangshme për të gjithë ata që e kanë marrë kredinë e tyre në lekë dhe jo në valutë të huaj. Do të jetë tanimë më e shtrenjtë të paguash këstet mujore të kredisë. Kjo pason rritjen e kostos së kredivfe në euro, pas vendimit më të fundit të Bankës Qendrore të Europës, monedhë në të cilën kanë marrë kredi shumica e klientëve shqiptarë të bankave. Natyrisht, një peshë më të rëndë tani do ta ndiejnë kryesisht klientët që kanë marrë kredi të mëdha, si subjektet prodhuese apo ato tregtare, ndërkohë që klientët e tjerë do të kenë një ndikim relativisht të vogël.
    Nga ana tjetër, çdo rritje e normës bazë të interesit do të sjellë si pasojë të pashmangshme rënien e interesit të investuesve të huaj, të cilët kanë në dispozicion valutë të huaj, por e thyejnë atë me monedhën vendase. Dhe, një shtrenjtim i saj sjell ulje të normës së fitimit për ta. Kjo, e ndodhur në një kohë kur qeveria “Berisha” po vendos pagat e sheshta, masë e kundërshtuar me force, sidomos nga biznesi fasionist, do të ketë një ndikim të padiskutueshëm në largimin apo frenimin e hyrjes së kapitaleve të reja nga jashtë vendit, si nga emigrantët ashtu edhe nga qytetarët e kompanitë e huaja, që deri tani po josheshin nga programe të tilla si “Shqipëria një euro”, etj.



    Gazeta Albania
     
  12. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Xhuveli sherr me Boden për çmimin e ujit

    Ministri i mjedisit propon uljen e cmimit te ujit te pijshem por e hedh poshtë Bode

    Një propozim i ministrit të Mjedisit Lufter Xhuiveli ka mbetur pa realizuar për shkak të kundërshtimeve të homologut të tij të Financave Ridvan Bode. Xhuveli propozoi që çmimi i ujët të pijshëm të ulet nga 0-41 lekë për m/kub në 0.19 lekë. Ministri Lufter Xhuveli i propozoi Këshillit Kombëtar të Ujit i cili kryesohet nga kryeministri uljen e çmimit të ujit që përdoret në shtëpitë shqiptare, por që kundërshtohet nga ministri i Financave Ridvan Bode. Ulja e tarifës se përdorimit është propozuar edhe lidhur me ujin teknologjik ne vlerën 50 lekë për metër kub nga 150 lekë që është aktualisht. Por kryeministri Berisha deklaroi se për bizneset uji do të llogaritet me tarifën 1 euro.
    Debatet për ujin
    Ndërsa ministri Lufter Xhuveli, lidhur me projketvendimin "Për miratimin e tarifave të përdorimit të ujit", u shpreh se, është patur parasysh programi i Qeverisë, rekomandimet e misionit të Bankës Botërore, kërkesat e biznesit, përvoja e vendeve fqinj, etj. Sipas tij, aktualisht tarifat variojnë nga 20-41 lekë për çdo metër kub uji dhe me këtë projektvendim të ri këto tarifa, zbresin në 0.19 lekë dhe se efekti për këtë ulje të çmimit do të jetë 44 milionë lekë. Ndërsa Ministri i Financave, Ridvan Bode, lidhur me këtë politikë të uljes së çmimit, u shpreh se ajo që është e rëndësishme dhe që duhet t'i propozohet qeverisë, është kthimi i ujit në një mall tregu. "Nëqoftëse ne nuk arrijmë ta bëjmë këtë shërbim atraktiv për biznesin, për konçesionim të shërbimit, apo për privatizim të një pjese të këtij shërbimi, unë mendoj se nuk do të mund të arrijmë të zgjidhim konfliktin që kemi me furnizimin," u shpreh ministri Bode. Sipas tij, ka një nismë të qeverisë për t'i kaluar gradualisht dhe për t'i administruar ujesjellësat nga bashkitë dhe komunat, por ka një prapambetje të theksuar të administrimit korrekt financiar të këtij sektori, duke theksuar se nëse është e nevojshme të ulet tarifa, duhen marrë parasysh edhe faktorët që rëndojnë mbi buxhetet e ndërmarrjeve të ujësjellësve.
    Ndërsa Kryeministri Berisha, duke e konsideruar ujin si një potencial të madh industrial, u shpreh se, uji teknologjik do t'u jepet bizneseve me qiranë me vlerën më simbolike dhe do të përfshihet në listën e tarifave 1 euro, në mënyrë që prodhuesit e lëngjeve, birrës dhe përdoruesit e tjerë, të kenë një ulje të kostos së prodhimit.

    E Premte, 08 Qershor 2007
     
  13. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Taksa e sheshtë ul pagat e 36000 mësuesve

    Arsimtarët kërkojnë që rritje e pagave të bëhet para aplikimit të 10 % mbi pagën

    Federata e Sindikatave ts Arsimit dhe Shkencës, FSASH, dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, SPASH, organizuan dje një konferencë shtypi për të bërë publik qëndrimin e tyre mbi aplikimin e taksës së sheshtë në sektorin e arsimit dhe pasojat e kësaj takse mbi pagën e mësuesve të sistemit parauniversitar.
    Të dy sindikatat e arsimit, gjatë këtyre muajve të fundit kanë ndjekur me vëmendje dhe shqetësim synimin e Qeverisë për vendosjen e taksës së sheshtë në sektorin privat dhe publik dhe pasojat që do të ketë vendosja e kësaj takse mbi pagën e sindikalistëve që ne mbrojmë. “Shqetësimet tona i kemi parashtruar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, veçanërisht në takimet që kemi zhvilluar e kontaktet që kemi marrë me drejtues kryesorë të Ministrisë së Financave. Por, pa përfunduar ky proces negociimi, që na është premtuar, taksa e sheshtë tashmë është bërë nga Qeveria një realitet”, thanë sindikalistët.
    Vendosja e kësaj takse rëndon drejtpërsëdrejt dhe në mënyrë shumë të ndjeshme mbi pagat e rreth 36.000 të punësuarve në sektorin e arsimit parauniversitar. Per ta bërë më të qartë këtë ndikim, mjafton të theksojmë se aktualisht paga më e ulët në arsimin parauniversitar për mësuesin që fillon punën për herë të parë në shkollën 9-vje[are është 25.150 lekë, ndërsa për mësuesin që fillon punën në shkollën e mesme është 28.150. Kjo kategori mësuesish, pra mësuesit që fillojnë punën për herë të parë dhe që kanë një vjetërsi në punë deri në 15 vjet në arsimin 9-vje[ar dhe deri në 7 vjet në arsimin e mesëm, ndonëse sipas premtimit të Qeverisë 10.000 lekët e para të pagës nuk do të tatohen, ata prap së prap do të paguajnë një tatim nga 900 deri në 1000 lekë në muaj më shumë se tatimi që pagujnë sot.
    Këtë masë të uljes së pagës e pësojnë rreth 10.000 mësues. Por, me vendosjen e taksës së sheshtë, shumë më e ndjeshme është ulja e pagës mujore neto për rreth 25.000 mësues të tjerë që kanë një vjetërsi në punë mbi 15 vjet në arsimin 9-vjeçar dhe mbi 8 vjet në arsimin e mesëm. Këto kategori mësuesish sot marrin një pagë mujore bruto mbi 30.000 lekë dhe per pasojë, nuk përfitojnë nga mostatimi për 10.000 lekëshin e parë, siç bëhet për ata punonjës, paga mujore bruto e të cilëve është nën 30.000 mijë lekë.
    Për pasojë, mësuesi në shkollën e mesme me vjetërsi në punë mbi 7 vjet, nga 943 lekë tatim mbi pagën që paguan sot, mbas vendosjes së taksës së sheshtë, do të paguajë 3007 lekë, ose 2.064 lekë më shumë se tatimi që paguan sot, ndërsa mësuesi me vjetërsinë maksimale në shkollën e mesme do të paguajë 2.120 lekë më shumë.
    Qëndrimi i Sindikatave është se ky kompensim duhet të bëhet para ose krahas rritjes së pagave që do të bëhet më 1 Korrik.

    E Premte, 08 Qershor 2007
     
  14. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Përfundon hetimi për celularët

    Autoriteti i Konkurrencës dëgjon kompanitë për herë të fundit. Vendimi mund të merret brenda këtij muaji. AMC dhe Vodafone rrezikojnë miliona dollarë gjobë

    Gert Osmani
    Komisoni i Konkurrencës pritet të marrë së shpejti një vendim pas hetimit të tregut të telefonisë mobile në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp nga Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të raportit “Mbi hetimin e thelluar në tregun e telefonisë së lëvizshme” dhe në zbatim të procedurave që parashikon ligji nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sot në ambjentet e Autoritetit të Konkurrencës u zhvillua një seancë dëgjimore me shoqërinë Albanian Mobile Communication-AMC, palë nën hetim. Përfaqësuesit e shoqërisë AMC kanë paraqitur argumentat e tyre në lidhje me raportin e përgatitur nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës.
    Sipas deklaratës për shtyp, pikat kryesore të diskutimeve u përqëndruan në përcaktimet e tregut përkatës, pozitën dominuese të shoqërisë në treg dhe abuzimin e mundshëm me pozitën dominuese. Përfaqësuesit e AMC-së paraqiten argumentat e tyre në lidhje me këto çështje dhe pretendimet kundrejt konkluzioneve të raportit përfundimtar se kjo kompani nuk ka pozitë dominuese dhe se nuk ka abuzuar me pozitën dominuese në treg.
    Në ditët e ardhshme në Autoritetin e Konkurrencës do të zhvillohet një tjetër seancë dëgjimore ku përfaqësuesit e shoqërisë Vodafone Albania do të paraqesin pretendimet e tyre pas vënies në dispozicion të raportit të Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës. Me përfundimin e seancave dëgjimore dhe vënien në dispozicion të të gjithë informacionit të nevojshëm, Komisioni i Konkurrencës do të marrë një vendim përfundimtar mbi raportin “Për hetimin e thelluar në tregun e telefonisë së lëvizshme”.

    E Premte, 08 Qershor 2007
     
  15. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Firmoset kontrata për gazin e Iranit që mund të kalojë nga Shqipëria

    Zviceranët e EGL, marrëveshja kundër vullnetit të SHBA

    Altin Xhikneli
    Gazi iranian do të kalojë përmes Shqipërisë për tregun e Europës Perëndimore. Kompania zvicerane EGL, e cila operon dhe në Shqipëri ka nënshkruar një kontratë 25 vjeçare me kompaninë shtetërore të eksportit të gazit për të transportuar 5.5 miliardë metër kub gaz në vit drejt Italisë. Kështu, në tregun e gazit për transportin drejt tregun të Europës Perëndimore, ku si portë do të përdoret Italia, kompania EGL konkurron me atë ASG. Të dy këto kompani kanë marrë leje për të ndërtuar depozitat e tyre në gjirin e Semanin. Kështu loja për zotërimin e tregjeve të energjisë, është bërë tashmë më e ashpër, pasi kompania EGL ka nënshkruar kontratën tashmë me iranin. Joachim Conrad, kreu i EGL-së u shpreh për agjencnë Reuters se marrëveshja planifikon që gazi iranian të kalojë përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Kështu do të ndërtohet një gazsjellës ku pikë fundore do të ketë Italinë-tha ai. Kreu i EGL, Conrad, refuzoi të shprehë vlerën e marrëveshjes për gazin, por u shpreh se ajo do të jetë 10-25 miliardë euro, duke u varur nga disa faktorë, përfshirë çmimin e energjisë. “Me këtë lëvizje, ne do të krijojmë një rrugë të katërt për të tregtuar gazin në Europën Perëndimore”-tha ai. Gjer tani, shumica e gazit që shkon në Europë transportohet nga Rusia, Deti i Veriut dhe Afrika e Jugut. Kështu, sipas tij, gazsjellësi i ri Trans Adriatik është në fazën e ndërtimit dhe do të përfundojë në vitin 2010. EGL tashmë është në fazën përfundimtare me partnerë të tjerë strategjikë, dhe do t’i bëjë emrat publikë pas verës së këtij viti.
    Projekti
    Gazsjellësi i ri, në të cilin EGL do të investojë 150 milionë euro në pronësi, do të bashkohet me gazsjellësit ekzistues nga Irani në Turqi, dhe pjesa tjetër që do të ndërtohet është Greqi-Shqipëri-Itali. Marrëveshja me Iranin ishte bërë kohë më parë, por u bë publike vetëm tani kur EGL prezantoi të pasqyrat financiare për 6 mujorin. Nga ana tjetër, presioni amerikan bëri që kompania austriake OMV të mos nënshrkuajë një marrëveshje paraprake për gazin me Iranin në prill të këtij viti. Conrad tha se konfliktet politike kanë prioritetet e tyre.
    “Siguria afatgjatë për të ofruar gaz është më e rëndësishme sesa implikimet afatshkurtra politike”-u shpreh ai.
    EGL, ose Elektrizitaetsgesellschaft Laufenburg është nën pronësi e Axpo Holding AG me 87%, dhe ka 7.7 miliardë USD shitje vjetore. EGl ka planifikuar të ndërtojë disa TEC-e me gaz në Itali për të shfrytëzuar sasinë e gazit që do sjellë. Conrad tha se “Ne duhet të ndërtojmë veprat tona në të gjithë zinxhirin e gazjellësit”. Gazi është burimi i dytë energjetik në Bashkimin Europian pas naftës, dhe zë ¼ e nevojave energjetike. Ndërkohë që Irani është rezerva e dytë në botë për gazin pas Rusisë. Gazsjellësi, Trans Adriatik është 513 kilometra i gjatë dhe do të vijë nga Greqia Perëndimore. Nga Greqia do të ndërtohet pjesa e mbetur e gazsjellësit për në Shqipëri e më pas për në Brindizi të Italisë ku 117 km do të jenë në detin e hapur Adriatik.
    Konkurrenti ASG
    Kompania "ASG PoWer" parashikon që të nisë punimet në muajin Gusht, dhe të përfundojnë në vitin 2009. Vlera e ndërtimit të këtij projekti, kap shumën e 2.3 miliard dollarë. Për realizimin e tij, do të punësohen 3.500 punëtorë si dhe 350 të tjerë do të jenë të përhershëm për shfrytëzimin e projektit. Nga ky projekt, shteti ynë do të ketë të drejtën që të blejë gaz dhe energji me çmim më të ulët se ato të tregut, për të plotësuar të gjitha nevojat e veta te brendshme me energji. Pjesa tjetër e prodhimit, rreth 8 miliardë metër kub gaz në vit, do të transportohet në tregjet europiane përmes Italisë apo Ballkanit, përmes një tubacioni nëndetar dhe pjesa tjetër e elektro-energjisë, përmes një Linje të rinovuar të tensionit të lartë brenda vendit, si dhe një linje të re kabllore nënujore për në Itali, me kapacitet transmetimi prej 1.000 MË. "ASG PoWer" do të punojë për zbatimin e projektit me kompaninë italo-amerikane “SAIPEM and Black and Veatch”.

    E Premte, 08 Qershor 2007
     
  16. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Vlorë, emigrantët mbushin “xhepin” e sigurimeve shoqërore

    Subjektet private që operojnë në qytetin e Vlorës kanë shfaqur interesim në rritje për sigurimin e punonjësve. Burime nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Vlorë shprehen se "ka rritje të dukshme të interesit të administratorëve për plotësimin e dokumentacionit ligjor për punonjësit e siguruar ashtu si dhe për rritjen e numrit punonjësve të kësaj kategorie". Paralelisht me këtë, sipas burimeve, është punuar edhe për pajisjen e të siguruarve me librezat e punës, gjë që përbën dhe një nga kërkesat bazë të ligjit. Përmes këtij procesi, janë krijuar kushtet për uljen e shkallës së informalitetit në sektorin privat. Plotësimi i dokumentacionit ligjor për punonjësit e siguruar përbën një nga prioritetet e personelit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë, në raport me subjektet private që operojnë në këtë qytet. Por nga ana tjetër, sigurimi vullnetar mbetet një nga drejtimet kryesore të punës së kësaj drejtorie. Kjo dhe për faktin se 75 përqind e personave që janë siguruar vullnetarisht pranë këtij institucioni janë emigrantë që punojnë prej vitesh në Itali, apo Greqi. Në këto kushte, me afrimin e periudhës së pushimeve verore, personeli i institucionit përgatit një program të veçantë pune për të afruar këtë kategori të siguruarish. Fluksi i emigrantëve që sigurohen rritet ndjeshëm në periudhat e pushimeve verore dhe në stinën e dimrit, kur mjaft prej tyre kthehen pranë familjeve. Në këto periudha, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore aplikon një program të veçantë sensibilizimi, ku përfshihen mjetet e ndryshme të informimit, angazhimi i agjentëve sigurues etj. Përmes këtyre metodave, emigrantët njihen me procedurat dhe avantazhet e sigurimit vullnetar, pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore. Aktualisht pranë kësaj drejtorie, rezultojnë të siguruar vullnetarisht 3000 persona, të cilët kanë derdhur kontributet shoqërore në periudha të ndryshme, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit. Këtu kanë ndikuar edhe lehtësirat e procedurave përkatëse, sipas të cilave cilido mund të përfitojë vite pensioni, mjafton që të paraqitet pranë sporteleve të këtij institucioni me një dokument identifikimi dhe të shlyejë detyrimet përkatëse.

    E Shtune, 09 Qershor 2007
     
  17. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Falimentojnë zyrat e këmbimit

    Një tjetër fitore e bankave. Rregullorja e re bllokon kambistëvt dhe zyrat e valutës

    Megjithëse Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka ulut tarifat e licencimit për kambistët këta të fundit nuk mundet ta gëzojnë këtë të drejtë. Kjo e thjeshtë pasi, ligji e përcakton qartë që sipërmarrësit duhet të jenë persona juridik. E si të tillë, askush nga “hallexhinjtë” që ushtron aktivitetin e tij në rrugë nuk ka as para e për më tepër interes që të regjistrohet si person juridik pasi do t’i duhet të paguajë një mal me taksa. Por nga ana tjetër heqja me detyrim e kambistëve nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, shprehet një kambist do të ulë ndjeshëm fitimin e agjencive të këmbimit valutor të licencuar. Kjo, sipas tij sepse shumica e këtyre agjencive kryejnë aktivitetin më të madh të transaksioneve me kambistët dhe jo me bankat pasi marzhi i fitimit të bankave për kursin e këmbimit është i lartë. Kështu, thotë ai me këtë rregull të ri do të penalizohen jo vetëm njerëzit që punojnë çdo ditë për të nxjerrë bukën e gojës e që nuk kanë mundësi të licencohen, por dhe 60 agjencitë e licencuara. Pra nëse në tregun e kambistëve, marzhi i këmbimit të një monedhe të huaj është i ulët (një kampist e blen dollarin me 92 lekë dhe e shet me 92.5 lekë), agjencitë kanë një marzh disi më të lartë (pra e blejnë te kambistët me 92.3 dhe e shesin me 93 lekë). Në momentin që një hallkë e këtij zinxhiri ndërpritet, pra kambistët, atëherë këmbimi valutor do të drejtohet nga bankat e nivelit të dytë të cilat kanë një marzh mjaft të lartë fitimi. Nivelet që mbajnë bankat për shkëmbimin e valutës janë shumë të ulta për blerjen nga klientët dhe shumë të larta për shitjen duke i nxjerrë jashtë tregu edhe zyrat e këmbimit valutor.
    Humbësit dhe fituesit
    Nuk dihet saktësisht pse qeveria ka menduar dhe stigmatizuar kambistët në rrugë, pasi ato që do të humbin vërtetë në këtë rast janë konsumatorët shqiptarë të cilët do të këmbejnë valutat me një kosto më të lartë e më pas disa dhjetëra të vetëpunësuar që nuk do kenë me çfarë të merren si dhe agjencitë e këmbimit valutor të cilat do të pësojë humbje të mëdha. Nga ana tjetër fituesit e vetëm në këtë “betejë” do të jenë bankat të cilat do të kenë nën kontroll këmbimin valutor ka konkurrentë rregullatorë.
    Rregullat e reja
    Banka e Shqipërisë ka vendosur rregulla të reja për zyrat e këmbimit valutor me qëllim nxitjen e individëve që do të largohen me dhunë nga tregu i këmbimit për t’u licencuar. Kështu, sipas BSH-së, rregullorja e re përmban ndryshime thelbësore në krahasim me rregulloren e mëparshme për licencimin e zyrave të këmbimit valutor, që janë nivel më i ulët të kapitalit minimal të kërkuar për hapjen e një zyre të këmbimit valutor, që kryen vetëm veprimtarinë e këmbimit. Ky kapital ulet në vlerën 1,500,000 lekë nga 2,500,000 lekë që ishte parashikuar në rregulloren e mëparshme. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë edhe komisionin për dhënien e licencës nga 2,500 lekë, në 1,500 lekë.
    Sipas Bankës nëpërmjet rregullores së re, synohet lehtësimi i procesit të licencimit të zyrave të këmbimit valutor për t’i krijuar këtij tregu hapësirën e nevojshme për formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

    E Shtune, 09 Qershor 2007
     
  18. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Trangulli shpëton inflacionin

    Ulen çmimet e perimeve, shtrenjtohen cigaret dhe karburantet. Inflacioni ngec 1.4 %

    Çmimet në muajin maj janë rritur vetëm 1.4 për qind krahasuar me një vit më parë duke shënuar nivelin më të ulët të inflacionit. Rënia e çmimeve të prodhimit të stinës ka ulur ndjeshëm nivelet e çmimeve në treg, raportohet në njoftimin e Institutit të Statistikave. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Maj 2007, shënoi një ulje prej 0.8 përqind krahasuar me muajin e kaluar. Ndërkohë që shifra që njihet si norma vjetore e inflacionit, në muajin Maj ishte 1.4 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.1 përqind.
    Lirohen zarzavetet
    Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” shënoi një ulje prej 2.2 përqind. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 14.9 përqind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecave me 33.0 përqind, domateve me 33.7 përqind, bizeleve me 26.9 përqind, specave me 18.4 përqind, patellxhaneve me 12.0 përqind etj. Gjatë muajit Maj çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim uljet në nëngrupin, “peshk” me 0.7 përqind, nëngrupin “qumësht djathë e vezë” me 0.4 përqind, nëngrupin “ vajra dhe yndyrna” me 0.3 përqind, etj. Ndërsa indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 2.7 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të portokalleve me 7.0 përqind, limonave me 7.6 përqind, kivit me 2.8 përqind, mollëve me 0.2 përqind, dardhave me 1.7 përqind etj.
    Shtrenjtohet cigaret dhe karburanti
    Duhani dhe cigaret kanë vijuar të rrisin çmimet edhe gjatë muajit maj. Indeksi i grupit “Pije alkolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.6 përqind, rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të cigareve me 0.8 përqind. Indeksi i grupit “Transport” gjate muajit Maj shënoi një ulje prej 0.2 përqind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të biletave për transportin ajror me 3.7 përqind dhe transportit ujor me 1.0 përqind. Brenda këtij grupi çmimi i karburantit u rrit me 1.7 përqind.

    E Shtune, 09 Qershor 2007
     
  19. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Kripto-fiskalët

    Politika fiskale me ligjet e saj kryesore është si abetarja e aritmetika 1 e biznesit të çdo vendi dhe si e tillë ajo ndikon gjerësisht në ekonominë e tij. Duke ndikuar mbi nivelin e të ardhurave që grumbullohen ajo ndikon në politikën e shpenzimeve buxhetore dhe ndikimin e shtetit në zhvillimin e infrastrukturës dhe në punësim. Të cilat kontribuojnë në përmirësimin e klimës së biznesit. Synimi gjithnjë është të hartohet një politikë fiskale që të sigurojë fluks të ardhurash të qëndrueshme pa kontraktuar veprimtarinë e bizneseve (sektorin privat të ekonomisë). Mbi të gjitha ajo ç'ka është theksuar vijimësisht është nevoja për të diskutuar gjerësisht politikën fiskale me grupet e interesit, në radhë të parë bizneset, me synim arritjen e përfitimeve maksimale.
    Për herë të parë në vitet e tranzicionit, Partia Demokratike erdhi në pushtet me një platformë fiskale të hartuar, prezantuar e diskutuar mjaft më herët se të zhvilloheshin zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Për hir të së vërtetës u përpunua një platformë serioze që vlerësohej se do të kishte efekt pozitiv në klimën e të bërit biznes në vend dhe në nxitjen ekonomike.
    Por me mjaft habi, me krijimin e ekzekutivit janë paraqitur platforma fiskale, janë hartuar ligje e janë nxjerrë akte nën ligjore që më shumë i ngjajnë ekonomisë informale shqiptare në mënyrat se si hartohen, miratohen e zbatohen. Platforma para zgjedhore duket e padëshirueshme. Tjetër logjikë fiskale ka zënë vend dhe të tjera mënyra veprimi po shfaqen.
    Kemi një zinxhir ngjarjesh në fushën fiskale, aspak transparente, dhe të ndodhura në shkëputje me realitetin shqiptar. Një sërë masash të marra të shprehura në formën e ligjeve apo akteve nënligjore hartohen në fshehtësi. Dërgohen në Këshill të Ministrave në fshehtësi dhe atje miratohen. Më pas dërgohen me një urgjencë të pajustifikuar në Parlament duke i kaluar vetëtimthi nga Komisionet parlamentare, duke i hequr edhe vetë instancave politikëbërëse në Institucionet e Shtetit të drejtën praktike të bërjes së oponencës dhe të ndryshimeve të projekteve të hartuara. I gjithë ky proces teknik bëhet pa as më të voglin komunikim apo konsultim me grupet e interesit dhe në radhë të parë me atë pjesë të biznesit që do të zbatojë këto akte, pasi të hyjnë në fuqi.
    Diskutimi mungon, megjithëse përfituesit nga ky diskutim janë edhe fiskalistët qeveritarë të cilët nëpërmjet ballafaqimit dhe diskutimit do të mund të kuptojnë se cilat janë përmasat dhe drejtimet e ndikimit të politikave të tyre në ekonomi.
    Apo ndoshta e dinë se pretendimi i parë që do të ngrihet në çdo ballafaqim do të jetë fakti që në shumicën e tyre këto ligje hartohen pa studiuar të paktën tregun ekzistues!
    Rasti më i fundit i kufirit tavan të vendosur për njohjen e shpenzimeve për marketing në firmat shqiptare është një tjetër rast tipik dhe një tjetër ngjarje më shumë që konfirmon se fiskalistët qeveritarë po punojnë në kushtet e një mungese të plotë dëshire për transparencë, dëshirë për komunikim dhe studimi të informacionit mbi realitetin shqiptar. Realisht është e vështirë të gjejmë dot arsyen e vërtetë të një dëshire të tillë për të fshehur, e për t'u fshehur.
    Për të mbrritur më pas në diskutimin për konsum publik në Kuvend. Aty sigurisht që në mbledhje të hapura thirren grupet e interesit, të cilat as që dëgjohen të paktën me qetësi. Në këto mbledhje polemizohet me grupet e interesit. Polemizohet pozitë-opozitë për arsye jo parimore. E para do të mbrojë me çdo kusht projekt-ligjin e qeverisë. Dhe e dyta do të kundërshtojë me çdo kusht çdo gjë që paraqet qeveria. Dhe në fund të kësaj shfaqjeje polemizuese projekt ligji nuk pëson as më të voglin modifikim por gjen rrugën e miratimit. Se sa do të gjejë rrugën e zbatimit kjo mbetet të shohim. Ndërsa është e qartë që kjo mënyrë veprimi po dëmton jo pak aktivitetin e sektorit privat në vend dhe klimën e të bërit biznes.Të na rrojnë pra, kripto-fiskalistët! MONITOR

    E Shtune, 09 Qershor 2007
     
  20. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Lobi i bankave mund biznesin

    Bankierët shtrëngojnë qeverinë të detyrojë biznesin të përdorë bankat. Vendimi nuk asnjë lidhje me informalitetin

    Bankat kanë përshëndetur dje atë që vetë kishin kërkuar: detyrimin e biznesit të kryejë të gjitha pagesat nëpërmjet sistemit bankar. Një lob bankierësh prej kohësh po bënte presion praën qeverisë për të kaluar edhe pagat e të punësuarve në sektorin privat nëpërmjet sistemit bankar. Duke pretenduar se kanë infrastrukturën e nevojshme, bankat kërkojnë të rrisin fitimet e tyre nëpërmjet detyrimin të biznesit të kryejë pagesa në sportelet e tyre. Por, po të kemi parasysh abuzimin e bankave duke vendosur komisione për pagat e punonjësive buxhetorë, interesi i biznesit pritet të jetë i ulët në përgjigje të kësaj gatishmërie. Në vitin e parë të fushatës anti-cash, ndërmarrë që në vitin 2004, bankat premtuar se nuk do të mbanin komision ndaj indididëve që punon në administratën publike dhe do të merrnin pagat në sportelet e tyre. Por në vitin e dytë të zbatimit të marrëveshjes, thuajse të gjitha bankat aplikuan komision nga 150 deri në 250 lekë në muaj për ata që merrnin pagat. Dhe kjo në një mënyrë jo vetëm jotransparente por edhe abuzive pasi bankat përdorin likuiditetin e më shumë se 120 mijë të punësuarve në sektoin publik. Jo të gjithë të punësuarit i tërheqin menjëherë pagat e tyre madje shuma të konsiderueshme mbeten të depozituara në banka për të cilat këto të fundit nuk paguajnë asnjë interes. Madje nga ana tjetër po këto shuma jepen për kredi konsumatore, po për punonjësit e administratës publike, me norma interesi nga 13-18 për qind në vit.
    Bankat ok me qeverinë
    Komuniteti bankar në Shqipëri vlerësoi dje masat dhe vendimet më të fundit nga ana e Qeverisë Shqiptare të cilat i kishte propozuar vetë, për reduktimin e ekonomisë informale dhe pagesave me para në dorë, duke synuar qarkullimin e pjesës më të madhe të tyre nëpërmjet kanaleve zyrtare bankare. Në një deklaratë për shtyp, Shoqata Shqiptare e Bankave, bën të ditur se tashmë bankat në Shqipëri e kanë përballuar me sukses fazën e parë të përpjekjeve të qeverisë për reduktimin e pagesave me para në dorë dhe aktualisht ato janë gati të përballojnë me profesionalizëm dhe kompetence lëvizjet më të fundit të qeverisë në këtë drejtim. "Sistemi bankar përfaqëson sektorin më pararojë dhe më të zhvilluar të ekonomisë shqiptare dhe bankat zotërojnë një infrastrukturë të avancuar shërbimesh si dhe një rrjet degësh e agjencish gjithnjë në rritje e plotësisht të afta për të trajtuar dhe përpunuar çdo volum transaksionesh shtesë në të ardhmen. Për më tepër, bankat po vazhdojnë të kryejnë investime të konsiderueshme në këtë drejtim", thuhet në deklaratën e SHSHB.
    "Bankat do të vazhdojnë të jenë partneri më i besueshëm për gjithkënd dhe ne si komunitet bankar besojmë se bankat deri më sot e kanë merituar plotësisht besimin dhe mirënjohjen e publikut shqiptar", përfundon deklarata e Shoqatës Shqiptare të Bankave.

    E Shtune, 09 Qershor 2007
     

Shpërndajeni këtë faqe