Lajme ekonomike!

Diskutime tek 'Ekonomia & Biznesi Shqiptar' filluar nga Daniel H, 8 Jan 2007.

  1. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Miratohen depozitat e naftës në Porto Romano



    Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar dje projektimin për planin e përgjithshëm rregullues të fshatit Voskopojë dhe lejen e ndërtimit për depozitat e naftës në Porto Romano për shoqërinë ‘Europetrol‘. Kjo e fundit, megjithëse ka hasur vështirësi në miratimin e saj për shkak të disa problemeve teknike, përfundimisht është miratuar nga kryetari dhe anëtarët e KRRTRSH-së. Këshilli i Rregullimit të Territorit miratoi dje sheshin dhe lejen e ndërtimit për vendosjen e depozitave të naftës dhe nënprodukteve të saj në Porto Romano Durrës, për shoqërinë "Europetrol" që kap një sipërfaqe prej 15000 m katrorë. Leja e ndërtimit do të jepet për një periudhë 2-vjeçare duke nisur nga data e këtij vendimi.

    Studimi ka marrë parasysh përdorimin optimal të të gjithë sipërfaqes në dispozicion, duke pasur parasysh respektimin rigoroz të distancave të linjës teknologjike dhe vendosjen e duhur të pajisjeve. Në planin e përgjithshëm do të merren gjithashtu në konsideratë edhe kërkesat për mbrojtjen kundër zjarrit, sigurinë në punë dhe mbrojtjen e shëndetit. I gjithë objekti do të rrethohet me mur me lartësi 2,5 m, i qëndrueshëm dhe i pakalueshëm nga njerëzit. Ministria e Mjedisit ka miratuar lejen mjedisore për zhvillimin e aktivitetit të objektit të mësipërm, duke përcaktuar që të plotësohen kushtet përkatëse për ndërtimin dhe funksionimin e tij. KRRTRSH-ja miratoi gjithashtu, edhe detyrën e projektimit të planit të përgjithshëm rregullues të fshatit Voskopojë, që do të nisë pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të rregullores për administrimin e Qendrës Historike të Voskopojës në përputhje me këtë rregullore. Ndërkohë që në projektimin dhe zhvillimin perspektiv të fshatit Voskopojë, sipas udhëzimeve të planit të përgjithshëm rregullues do të përcaktohen vija kufizuese e ndërtimeve për një afat kohor prej 10 vjetësh dhe kufijtë e shtrirjes gjeografike perspektive të fshatit, hartimi i projektit të rrjetit rrugor kryesor në territorin e shtrirjes perspektive të fshatit, zgjidhja e zonimit funksional dhe përparësitë e zhvillimit të zonave dhe hartimi i projektit për furnizim me energji elektrike.
     
  2. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    KESH blen energji edhe për muajin mars

    Korporata energjetike shqiptare importon energji nga 17 kompani të ndryshme për këtë muaj


    Me gjithë problemet e krizës energjetike, Korporata Energjetike Shqiptare ka siguruar për muajin mars nga importi
    sasinë prej 450 MW energji elektrike, nga 17 kompani të ndryshme. Krahas valës së ndryshimeve në qeveri, mësohet se ndryshime drastike do të bëhen edhe brenda KESH-it, të cilat janë të përfolura tashmë që prej kohësh. Burime zyrtare treguan se çmimi i blerjes së energjisë për muajin mars është më i ulët sesa në periudhën e mëparshme, ku vendi ndodhej në një krizë totale të energjisë elektrike. Çmimi i blerjes për këtë muaj është më i ulët mesatarisht me 20 euro për MW, krahasuar me periudhën e mëparshme. Kështu, KESH ka kontraktuar sasinë prej 450 MW, me një çmim, që varion nga 59,90 euro/MW, deri në 81,50 euro/MW. Kryesisht, sasia e importuar me çmimin më të ulët është siguruar nga kompania çeke "CEZ", me 59,90 euro/MW. Nga 61,90 - 69,25 euro/MW, energjia është siguruar nga kompanitë "EGL", "W.P", "HSE", "PÇ", "Espada". Nga kompania "EFT", sipas kontratës së siguruar nga tenderi i zhvilluar në fund të vitit që kaloi, është blerë energji me çmimin 72 euro/MW dhe nga "Atel" me 73 euro/MW. Ndërsa nga kompani të tjera si "Istranbez", "EFT", "Rudnap", "GSA", dhe "Atel", është siguruar energji me çmimin nga 73-78,98 euro/MW. Nga kompania "Verbund" është blerë energji me çmimin 81,50 euro/MW. Sipas Burimeve zyrtare të KESH-it, konsumi i energjisë është 19,7 milionë KW/h/ditë. Importi i energjisë është 10,4 milionë kilovat-orë/ditë, ndërsa prodhimi vendas është 9,3 milionë kilovat-orë/ditë. Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës ka arritur 263,8 metra. Prurjet llogariten në 220 m3/sek, ndërsa niveli i liqenit rritet çdo ditë me 30 cm, thanë burimet zyrtare të KESH-it.
     
  3. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Italianët e "ENEL", investime në Greqi



    Gjiganti energjetik italian "ENEL" është i gatshëm që të investojë afro një miliard euro në Greqi. Drejtori ekzekutiv i ENEL-it, Fulvio Konti, deklaroi se bëhet fjalë për periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2011, kur kompania e tij, do të marrë pjesë në tender për ndërtimin e një elektrocentrali të madh me cikël të kombinuar të punës. "Krahas pjesëmarrjes në këtë tender, planifikojmë të marrim pjesë edhe në tenderin për ndërtimin e dy elektrocentraleve me nga 800 megavatë, si dhe në tenderin për gazifikimin e Athinës", deklaroi Konti. Këto projekte do të realizohen përmes kompanisë së përbashkët "ENEL-KO" e përbërë prej "ENEL"-it, me 75 për qind dhe "Prometeus gaz, me 25 për qind. Sipas Kontit, tregu në Evropën Juglindore për "ENEL"-in është shumë interesant, për shkak se regjistron nivel më të madh të rritjes në krahasim me tregun perëndimor. Ai shtoi se 80 për qind e prodhimtarisë së energjisë në rajon është koncentruar në Greqi, Bullgari, Rumani dhe Serbi.
     
  4. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Hekurudhat në grevë: Qeveria shkeli paktin

    Dje në Durrës punëtorët ndërprenë punën për një orë, duke kërcënuar për bllokimin e transportit


    Greva njëorëshe e punonjësve të hekurudhës ka paralajmëruar një paralizë të plotë të transportit hekurudhor në javët e ardhshme. Mosplotësimi i asnjërës prej pikave të marrëveshjes, së realizuar në vjeshtën e vitit të kaluar mes qeverisë dhe sindikatës së punonjësve të transportit hekurudhor, i ka vënë përsëri në lëvizje këtë të fundit, që tashmë kërcënon me grevë të përgjithshme. Marrëveshja u arrit në shtator të vitit të shkuar mes sindikatës, Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, po mbeti një marrëveshje e fiksuar thjesht në letër. Situata parazgjedhore dhe ajo pas tyre i mbajti të qetë sindikalistët, të cilët më 26 shkurt iu drejtuan Ministrisë me një peticion, në të cilin kërkohet ndërhyrja e menjëhershme për të konkretizuar marrëveshjen e arritur mes palëve. Në këtë marrëveshje ishte fiksuar fillimi i muajit dhjetor të vitit të shkuar si dita që do të shënonte rritjen e pagave të punonjësve të hekurudhës në masën 10 për qind. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave të Shqipërisë, me seli në Durrës, kishte rënë dakord të ndiqte një rrugë të planifikuar më parë për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimit ekonomiko-financiar për punonjësit në varësi të saj. Gjithçka ka mbetur e parealizuar, sipas kryetarit të sindikatës së punonjësve të transportit hekurudhor, Osman Meta. Ai ka deklaruar se, pas ndërprerjes së djeshme për një orë të punës, do të pritet vetëm pesë ditë dhe në rast të mungesës së një përgjigjeje nga Drejtoria e Përgjithshme dhe qeveria, greva do të përshkallëzohet deri në bllokimin e lëvizjes së plotë të trenave të mallrave dhe pasagjerëve. Greva u realizua në parkun e riparimit të lokomotivave dhe vagonëve, në Shkozet.
     
  5. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Konsorciumi "ASG Power" deklaroi se do të ndërtojë 3 impiante vigane në Fier, me vlerë 2 miliardë USD

    Gati ndërtimi i TEC-eve pa leje

    Gjergji Bojaxhi: Nuk kemi dhënë leje për ngritjen e termocentraleve


    Një ditë pasi KRRTRSH miratoi lejen për ndërtimin e Parkut Energjetik në Fier, konsorciumi "ASG Power" prezantoi publikisht projektin e tij për këtë park. Përfaqësuesi i ASG, Agim Gjinali, paraqiti tri projekte madhore, që do të përfshihen brenda parkut, ku midis të tjerave edhe tri termocentrale me kapacitet total prej 1200 megavat. Gjinali bëri të ditur se kostoja totale e projektit, duke përfshirë edhe të tri TEC-et, arrijnë në 2,3 miliardë dollarë dhe sipas tij financimi tashmë është i siguruar në masën 100 për qind. Por zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Gjergj Bojaxhi, deklaroi për gazetën "Shqip" se qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për ndërtimin e ndonjë TEC-i në qytetin e Fierit. "Në lejen e dhënë nga KRRTRSH për ndërtimin e Parkut Energjetik në qytetin e Fierit, parashikohet vetëm ndërtimi i depozitave të gazit të lëngët. Në shkresat zyrtare nuk ka asnjë dokument që flet për ndërtimin e ndonjë TEC-i në qytetin e Fierit", tha Bojaxhi.

    Projekti

    Sipas Gjinalit, parku energjetik që do të ndërtohet në qytetin e Fierit do të përfundojë brenda vitit 2009. Në projekt përfshihen ndërtimi i tri objekteve madhore. "Qendra e gazifikimit të gazit natyror në të lëngët dhe tri TEC-et me kapacitet total prej 1200 mega, do të kushtojnë së bashku rreth 2,3 miliardë dollarë. Gazi natyror që do të vijë nga Egjipti, Algjeria dhe Libia, do të transportohet çdo ditë me 5 anije të mëdha drejt stacionit të madh të rigazifikimit të gazit natyror në të lëngët (LNG), me kapacitet vjetor prej 10 miliardë metrash kub.

    Për realizimin e këtij procesi, projekti përfshin ndërtimin e një pontili me gjatësi 3 km, pasi deti në këtë vijë bregdetare nuk është i thellë. Përfaqësuesi i ASG, Agim Gjinali, deklaroi se konsorciumi ka siguruar aktualisht të gjitha fondet e nevojshme për ndërtimin e këtij parku energjetik. "Përveç objekteve të mësipërme, ne parashikojmë të ndërtojmë edhe një linjë nënujore interkonjeksioni, e cila do të lidhë Fierin me Brindizin dhe do të transportojë gaz të lëngët dhe energji elektrike ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë", tha Gjinali.

    Vendndodhja e parkut

    Parku Energjetik, që parashikohet të ndërtohet në qytetin e Fierit, fillimisht u projektua për t‘u ndërtuar në Vlorë. Pas ardhjes në pushtet të qeverisë demokratike, Kryeministri Berisha deklaroi se do të ndryshonte gjurmën e naftësjellësit. Për këtë Kryeministri shqiptar i kërkoi konsorciumit të ndërmerrte një studim tjetër për të përcaktuar vendndodhjen e re të Parkut Energjetik. Studimi i ri, paraqitur nga kompania "ASG Power", përcakton si vendndodhjen e re të Parkut Energjetik zonën e midis grykëderdhjeve të lumit Seman dhe Vjosë në jug të kolektorit të Hoxharës, në qytetin e Fierit. Sipërfaqja që do të zërë ndërtimi i këtij parku është afro 120 hektarë. Studimi i ri i kushtoi konsorciumit, që përfshin disa kompani amerikane dhe evropiane të njohura në fushën e energjetikës, 15,2 milionë dollarë.

    Efektet në ekonominë e vendit

    Kompania "ASG Power" parashikon që të nisë punimet në muajin gusht dhe t‘i përfundojë në vitin 2009.

    Vlera e ndërtimit të këtij projekti kap shumën e 2,3 miliardë dollarëve. Për realizimin e tij do të punësohen 3500 punëtorë si dhe 350 të tjerë do të jenë të përhershëm për shfrytëzimin e projektit.

    Nga ky projekt shteti ynë do të ketë të drejtën që të blejë gaz dhe energji me çmim më të ulët se në treg, për të plotësuar të gjitha nevojat e veta të brendshme me energji.

    Pjesa tjetër e prodhimit, rreth 8 miliardë metra kub gaz, do të transportohet në tregjet evropiane përmes Italisë apo Ballkanit, përmes një tubacioni nëndetar dhe pjesa tjetër e elektro-energjisë përmes një linje të rinovuar të tensionit të lartë brenda vendit, si dhe një linje të re kabllore nënujore për në Itali, me kapacitet transmetimi prej 1000 MW.
     
  6. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    BB vë kushte, ujësjellësi aplikon gjoba



    Ndërmarrja e Ujësjellësit Fier nuk po del dot nga kriza. Ende shumë kontraktorë nuk e paguajnë ujin. Në këto kushte, ndërmarrja ka aplikuar për një financim nga banka Botërore, për të përmirësuar shërbimet e saj. Por BB ka vendosur kushte në shkëmbim të investimeve dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit duket se e ka marrë seriozisht këtë. Kështu, përveç gjobave edhe sanksioneve të tjera ligjore, janë kërcënuar me mbyllje 354 subjekte të biznesit të vogël në Fier. Ky vendim ka dalë nga Agjencia e Arkëtimeve të kësaj ndërmarrjeje, pasi subjektet e biznesit të vogël nuk kanë paguar konsumin e ujit të pijshëm për vite me radhë. Sipas kreut të kësaj Agjencie, Artur Gjika, këto subjekte janë kthyer në debitorët më të mëdhenj ndaj Ujësjellësit, ndaj edhe penaliteti do të jetë i formës më ekstreme, sa do të kalojë jo vetëm në ndjekje penale në rast mospagimi, por edhe në mbyllje të aktivitetit. Kjo masë e fundit do të ndërmerret prej zyrës së regjistrimit të biznesve në Tatim-Taksa, zyrë që është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar me Ndërmarrjen e Ujësjellësit.
     
  7. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Miratohet leja për depozitat në Porto Romano

    Shoqëria "Europetrol" merr lejen e ndërtimit nga KRRTRSH


    Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë i ka hapur rrugën në mbledhjen e fundit ndërtimit të depozitave të karburanteve në Porto Romano, pranë Durrësit. Dy ditë më parë, KRTRRSH miratoi sheshin prej 15 mijë metrash katrorë dhe lejen e ndërtimit për vendosjen e këtyre depozitave. Leja i është dhënë shoqërisë "Europetrol" për dy vjet. Studimi ka marrë parasysh përdorimin optimal të gjithë sipërfaqes në dispozicion, si dhe respekton në mënyrë rigoroze distancat e linjës teknologjike dhe vendosjen e duhur të pajisjeve. Në planin e përgjithshëm, merren në konsideratë gjithë kërkesat për mbrojtjen kundër zjarrit, sigurinë në punë si dhe mbrojtjen e shëndetit. I gjithë objekti do të rrethohet me mur me lartësi 2,5 m, të qëndrueshëm dhe të pakalueshëm nga njerëzit. Ministria e Mjedisit ka miratuar lejen mjedisore për zhvillimin e aktivitetit të shoqërisë "Europetrol", duke përcaktuar kushtet përkatëse për ndërtimin dhe funksionimin e tij.
     
  8. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Posta Shqiptare, e paaftë për të realizuar angazhimet e reja

    Dështon shpërndarja e faturave të energjisë elektrike dhe telefonit në rrugë postare në Fier


    Dega e Postës Shqiptare në Fier nuk po përballon dot shërbimet suplementare që ka marrë përsipër. Radhë të gjata po krijohen përditë në sportelet e pagesave të faturave të energjisë elektrike dhe të telefonisë fikse. Burime nga dega e Fierit e Postës Shqiptare bëjnë të ditur për gazetën "Shqip", se nuk mund të përballohet ky shërbim ekstra tashmë që ky institucion ka marrë përsipër si shpërndarja e faturave të energjisë, telefonave, ujësjellësit, pensioneve dhe një sërë shërbimesh të tjera. Fierakët i janë drejtuar pas kësaj pengese zyrës së informatizimit për të mësuar nëpërmjet kompjuterit vlerën e lekëve që kanë për të paguar për shkak se shërbimi postar nuk ka realizuar shpërndarjen e faturave pranë familjeve të tyre. Nga qytetarët që nuk kanë marrë dot faturat, por edhe nga filiali i Postës, konfirmohet se vetëm një lagjen kryesore të Fierit "Apolonia" është mundur të realizohet në masën 66 për qind shpërndarja e faturave, kurse të gjitha lagjet e tjera të qytetit nuk mbulohen me këtë shërbim. Motivi i vetëm i moskryerjes së këtij shërbimi, sipas burimeve zyrtare është mungesa totale e sistemit të adresave, si dhe numri i ulët i punonjësve të shërbimit postar. Sipas kreut të degës së Postës në Fier, Ferdinad Agalliu, kjo anomali do të shoqërohet edhe me faturat e muajit shkurt deri sa të normalizohet situata administrative me anën e një ristrukturimi të ri të kësaj dege. "Do të vazhdojmë deri atëherë sa Posta Shqiptare të krijojë struktura të rregullta në përballimin e këtij shërbimi me qëllim menaxhimin e këtyre shërbimeve publike", thotë Agalliu. Ndërkohë, në bashkinë e Fierit konfirmohet se mungesa e sistemit të adresave ka ndikuar gjithashtu në dështimin e misionit të Postës Shqiptare.
     
  9. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Gjirokaster

    Proteston fshati: Duam ujë gjatë verës



    Banorët e fshatit Bulo, në rrethin e Gjirokastrës, vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, megjithëse shumë herë me radhë kanë ngritur zërin për këtë çështje. Nisur nga fakti se përpara kemi stinën e nxehtë, banorët këmbëngulin që problemi i tyre të marrë zgjidhje, sepse qysh prej një viti janë të detyruar që ujin ta mbushin në fshatrat përreth. I vetmi investim në rrjetin e ujit të pijshëm për këtë fshat është bërë në vitet ‘95-‘96, kur u dha një fond për rregullimin e ujësjellësit, por që prej kësaj kohë askush nuk është interesuar më për të. Banorët thonë se shkak për krizën e vazhdueshme të ujit janë bërë ndërhyrjet e paligjshme në rrjet, që janë me dhjetëra. Ata kërkojnë ndihmën e shtetit për të siguruar furnizimin normal me ujë të pijshëm.
     
  10. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Konkretizohet pas dy muajsh shkarkimi. Zëvendësministri i Energjetikës emërohet drejtuesi i ri i Korporatës

    Bie Beli, në KESH vjen Bojaxhi

    Pas urdhrit të Kryeministrit, Këshilli Mbikëqyrës pushon drejtorin


    Pas muajsh të mbushur me paralajmërime që evokonin kokën e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, mbyllja e procesit të zgjedhjeve vendore, solli ekzekutimin e vendimit pë shkarkimin e Andi Belit. Urdhri për pushimin nga puna të kreut të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, u zyrtarizua dje në mëngjes brenda strukturave të KESH-it dhe të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie, e konfirmuan për "Shqip", informacionin e shkarkimit të numrit një të elektrikut shqiptar, mesditën e djeshme. Megjithatë, ende nuk dihet me siguri se kush do të marrë në dorë frerët e drejtimit të korporatës së trazuar të dritave, pas largimit të Belit, i cili shërbeu si një flijim për kolapsin energjetik të periudhës nëntor-janar. Sakaq dihet se ekzistojnë tre kandidatura për kreun e KESH-it, dhe mësohet identiteti i vetëm njërit prej zëvendësuesve të drejtorit të shkarkuar. Ai është zëvendësministri aktual i Energjetikës, Gjergji Bojaxhi. Numri dy i energjetikës shqiptare ka qenë ndër të paktët zëra zyrtarë që kanë pranuar vështirësitë e mëdha në pikun e kolapsit të furnizimit të vendit. Megjithatë, pasardhësi i Belit, do të miratohej zyrtarisht nga mbledhja e Bordit Drejtues të KESH, e cila u shty vazhdimisht gjatë ditës së djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes.

    Vetë Kryeministri Sali Berisha ishte përgatitur prej muajsh për të spostuar përgjegjësinë e qeverisë, te insitucionet e nivelit të dytë. Ai deklaroi se Enti Rregullator ka përgjegjësi për situatën e rëndë pasi nuk parashikoi 24 orë drita, ndërsa KESH që është i detyruar të sigurojë energji, duhet ta kishte programuar situatën. "Ne premtuam 24 orë drita për 2007 dhe kushdo që nuk e ka kuptuar këtë do të mbajë përgjegjësi", kërcënoi Berisha. Megjithatë, ky kërcënim u materializua vetëm pas zgjedhjeve. Dashi i kurbanit, Andi Beli, po shkon duke marrë mbi vete përgjegjësinë e një krize që mbi të gjitha i përket qeverisë dhe vetë Kryeministrit, kur ky i fundit urdhëroi për disa muaj rresht, furnzim 24 orë me energji, çka rrënoi rezervat në hidrocentrale.

    Nuk dihet se çdo të ndodhë me Belin, të nesërmen e boshatisjes së zyrës së tij në katin e dytë të zyrave qendrore të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, por të paktën, dihet se me ç‘punë është marrë më parë. Para se të emërohej në krye të KESH-it, ai ka punuar për kompaninë italiane ENEL. E njëjta që bashkë-keqmenaxhoi Korporatën për disa vjet gjatë qeverisë Nano, pa sjellë asnjë përmirësim të përfillshëm në rezultatet dhe performancën e saj. Por, nuk mund të mos përmendet që KESH-i gëzon vetëm kompetenca operacionale, ndërsa vetë roli i ERT-së nuk është shumë i qartë. Realisht, është Ministria e Energjetikës ajo që përgatit strategjitë dhe i paraprin krizave. Genc Ruli, në fakt, një mbrëmje para deklaratës së Berishës, bëri autokritikë në media, duke pranuar përgjegjësitë e ministrisë së tij. Sipas deklaratave më të fundit të qeverisë, vetmja mënyrë për të dalë nga kriza, është rritja e importit. Aq më tepër tani, pas mbylljes së TEC-it të Bullgarisë, problemi është gjetja e burimeve të energjisë dhe rrugëve të transmetimit, të cilat, për sa i përket rajonit të Ballkanit, janë gjithmonë problematike.

    Ndërkaq, KESH-it i duhet të shpenzojë rreth 160 milionë euro për krejt 2007-ën, për të garantuar një nivel të pranueshëm furnzimi të vendit, shifër kjo që përbën rekordin historik të importeve të energjisë. Korporata duhet që brenda një kohe të shkurtër të arritjë të privatizojë edhe sektorin e saj të Shpërndarjes, si dhe të garantojë një nivel të pranueshëm të furnzimit dhe arkëtimeve; probleme këto që me sa duket është supozuar t‘i zgjidhë shkarkimi i Belit.
     
  11. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    "Albtelekom", fati i shoqërisë në udhëkryq

    Qeveria nuk jep asnjë garanci për realizimin e suksesshëm të shitjes te turqit


    Historisë së shitjes së shoqërisë së vetme publike të telefonisë fikse, "Albtelekom", ende nuk i dihet fundi. Qeveria shqiptare edhe pse ka kohë që ka hyrë në negociata me shoqërinë turke "Calik Enerji", së cilës i është shitur njëherë kjo shoqëri në vitin 2004, ende nuk di të japë një përgjigje se kur do të zyrtarizohet shitja. Burime nga shoqëria turke "Calik Enerji" thanë se në datën 14 mars pritet vizita e Kryeministrit turk Erdogan, i cili do të shoqërohet edhe nga presidenti i shoqërisë turke dhe një ditë më pas, më 15 mars, burimet u shprehën të sigurta se do të nënshkruhet kontrata e shitjes. Por burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë thanë se ende mjaft çështje teknike kanë mbetur pa zgjidhur dhe besojnë se drafti final i kontratës nuk do të jetë gati deri në fund të marsit. Nga burime të shoqërisë turke mësohet se gjatë negociatave "Calik" ka rënë dakord të plotësojë kërkesat e qeverisë shqiptare, për të plotësuar kushtin si investitor strategjik, duke pasur një kontratë menaxhimi me shoqërinë tjetër turke të telefonisë, "Turk Telekom", si dhe të plotësojë certifikatën e cilësisë. Të njëjtat burime thanë se edhe për çmimin deri tani duket se palët janë marrë vesh që të mbetet po ai me të cilin u shit njëherë shoqëria, rreth 120 milionë euro. Por mbetet ende e paqartë nëse "Calik" ka hequr dorë nga e drejta e parashikuar në kontratën e parë të shfuqizuar nga parlamenti, nëse ka të drejtë për të përdorur rrjetin e telefonisë celulare të dy operatorëve ekzistues, në rastin e një shërbimi të tretë celular nga ana e tyre. Nga Ministria e Ekonomisë nuk pohohet asnjë nga këto rezultate të negociatave, por thuhet se çmimi do të jetë në varësi të rezultatit të bisedimeve për kontratën e re. Ministria e Ekonomisë vazhdon të besojë se kjo çështje nuk do të zgjidhet shpejt. Siç duket, tonet që Kryeministri turk Erdogan do t‘i japë vizitës së tij në Tiranë, do të përcaktojnë edhe fatin e "Albtelekom". "Calik Enerji" u zgjodh nga ish-qeveria socialiste si blerësi i "Albtelekom"-it, por pas ardhjes në pushtet të së djathtës, në korrik të vitit 2005, kontrata nuk u ratifikua në parlament, duke u bërë automatikisht e pavlefshme. Qeveria Berisha pretendonte se kjo kontratë kishte parregullsi dhe dyshonte për afera korruptive. Ajo deklaroi se do ta shiste "Albtelekom"-in me një vlerë më të lartë se 120 milionë euro, shifër e marrë nga socialistët.
     
  12. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    KESH, lumë akuzash mbi Belin

    Ish-drejtori akuzohet për paaftësi në drejtimin e korporatës dhe në menaxhimin e krizës


    Këshilli Mbikëqyrës i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ka lëshuar një lumë akuzash ndaj ish-drejtorit të kësaj korporate, Andi Beli, për paaftësi dhe mungesë profesionalizmi. Menjëherë pas shkarkimit të tij nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të KESH, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë miratuar një deklaratë në të cilën bëhen publike arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi. "Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se drejtimi i korporatës ka shfaqur dobësi serioze kryesisht: në parandalimin dhe zgjidhjen në kohë të problemeve të furnizimit", thuhet në raport. Por akuzat nuk mbarojnë me kaq. Më tej, Këshilli Mbikëqyrës ka bërë përgjegjës Belin edhe për mosarritjen e treguesve të synuar të performancës, duke iu referuar kryesisht nivelit të ulët të arkëtimeve. Megjithëse kanë nënvizuar faktin se gjatë periudhës që qëndroi në krye të korporatës Beli u përball me një sërë situatash të disfavorshme hidroenergjetike, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk kanë ngurruar ta etiketojnë ish-drejtorin si të paaftë dhe të papërshtatshëm për të përmbushur objektivat e vendosura. "Konstatohet se performanca e përgjithshme e korporatës mbetet në nivele të pamjaftueshme, krahasuar me synimet dhe objektivat e përcaktuara, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të treguesve të arkëtimit dhe uljes së humbjeve, parandalimit në kohë të krizave etj., që kërkonin një dinamizëm dhe përgjegjshmëri më të lartë të autoritetit menaxhues të saj".

    Ky ka qenë edhe motivacioni zyrtar që ka argumentuar vendimin për shkarkimin e Belit. Ish-drejtori që erdhi në krye të KESH-it rreth 18 muaj më parë u duk sikur do t‘i mbijetonte akuzave të vazhdueshme të opinionit publik dhe të shoqërisë civile për mosmenaxhim të mirë të korporatës. Por pozitat e tij filluan të tronditeshin që në momentin kur Banka Botërore deklaroi publikisht se KESH nuk kishte mundur të plotësonte asnjë nga objektivat e vendosur nga donatorët. "Për herë të parë, gjatë 4 viteve të fundit, KESH nuk ka arritur asnjë nga treguesit e vendosur nga donatorët", deklaroi rreth 2 muaj më parë përfaqësuesi i përhershëm i Bankës Botërore, në vendin tonë, Nadir Mohammed. Për disa herë më radhë, Beli kishte refuzuar të jepte dorëheqjen duke mos i pranuar për asnjë moment akuzat se kishte përgjegjësi në krizën energjetike që përfshiu vendin në muajt e fundit të vitit të kaluar.
     
  13. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Nga prilli, jo më abone

    Firmat e transportit urban deklarojnë humbje kolosale


    Duke nisur nga muaji prill, përdoruesit e aboneve dhe vërtetimeve të invalidëve apo veteranëve, nuk do të mund t‘i përdorin autobusët urbanë me këto dokumente. Atyre do t‘u duhet të paguajnë "cash", për transportin publik në kryeqytet. Kërcënimi që përjashton përdorimin e autobusëve me këto dokumente, vjen nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas. Kreu i bashkimit të sipërmarrësve, Hazbi Parllaku, paralajmëroi masa ekstreme, duke argumentuar shtimin e aboneve e vërtetimeve false, si dhe rritjen e përfituesve të shërbimeve falas, në kushtet e një mungese totale të subvencioneve. Sipas të dhënave të publikuara në 11 linjat urbane të kryeqytetit lëvizin çdo ditë rreth 120 mijë qytetarë. Ndërkaq, numri i mjeteve në total është 226. Ngërçi në biznesin e transportit publik, lidhet me mungesën e bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve, çka sjell akte të cunguara ligjore, duke penguar lëvrimin e subvencioneve. Kreu i Transportit Publik në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavia, thotë për "Shqip" se problemet që ngrenë operatorët e transportit qytetas janë reale. Por ai vlerëson se reagimi dhe kërcënimet e tyre janë të tepruara, sepse firmat kanë detyrime kontraktuale, ku përfshihet respektimi i aboneve dhe dokumenteve të tjera të identifikimit. Drejtuesi i transportit publik në bashki, shpjegoi se procedura ka mbetur në vend që nga viti 2003 dhe pavarësisht kërkesave që i janë bërë Ministrisë së Transporteve për bashkëpunim, nuk është marrë përgjigje konkrete.
     
  14. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Kompanitë mbahen nga sigurimi i detyrueshëm

    Shqiptarët nuk regjistrohen vullnetarisht për tu siguruar. Sigurimi makinave mban në tregun


    Shqiptarët vazhdojnë të neglizhojnë sigurimin e jetës dhe pasurisë për shkak të mungesës së një kulturë të mëparshme të sigurimeve por edhe për arsye se nuk besojnë shumë te kompanitë që veprojnë në treg. Numri i kompanive të sigurimit të jetës dhe jo-jetës ka arritur në 11 por përsëri tregu mbahet me paratë që paguajnë poseduesit e makinave ose ata që marrin kredi dhe që detyrohen nga banka të sigurojnë investimin. Përndryshe tregu i sigurimeve do të ishte një flluskë sapuni që do të sillte falimentime të mëdha dhe kosto për konsumatorët. Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve tregojnë se tregu xhiron rreth 45 milionë dollarë ose thënë ndryshe volumi i primeve të shkruara bruto për periudhën Janar-Dhjetor 2006 rezultoi 4,5 miliardë lekë. Ky treg është rritur krahasuar me vitin 2005 kur ishte rreth 40 milionë dollarë. Raporti nënvizon se të ardhurat e siguruara nga primet e shkruara në aktivitetin e sigurimeve në këtë periudhë kanë pësuar një rritje me 481 milionë lekë ose rreth 12 për qind kundrejt vitit 2005.
    Biznesi që i falet sigurimit të detyrueshëm
    Po të shohësh të dhënat e publikuara rezulton s tregu mbahet kryesisht nga sigurimet e detyrueshme. Firmat e sigurimit mbledhin nga sigurimi i makinave (përgjegjësitë ndaj palëve të treta për përdoruesit e mjeteve motorike) rreth 30 milionë dollarë ose rreth 66,05 përqind të totalit. Këto para kryesisht investohen në blerjen e bonove të thesarit nga të cilat kompanitë e sigurimit marrin interesa vjetorë në rreth 7 për qind. Ndërsa kompanitë e sigurimit po bëjnë marketing me produktet e tyre, të dhënat e viti 2006 tregojnë se krahasuar është rritur pjesa e xhiros që zë sigurimi i detyrueshëm ndaj totalit.

    E Hene, 05 Mars 2007
     
  15. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Sigurimet, rifillojnë mashtrimet me çmimet

    Atlantik ankohet se konkurrentët po shesin nën vlerëson nominale. AMF: nuk dimë gjë


    Kompanitë e sigurimeve i janë rikthyer konkurrencës së ashpër me njëra-tjetrën duke shitur policat e sigurimit nën vlerën nominale të miratuar nga udhëzimi i Ministrit të Financave. Në një spot radiofonik të kompanisë Atlantik këshillohen klientët e sigurimeve të detyrueshme të makinës që të mos mashtrohen nga kompanitë e tjera që shesin sigurimet nën primin e përcaktuar me urdhër nga Ministri i Financave. Tregu i sigurimeve në Shqipëri është i rregulluar pikërisht për shkak të probleme që kishte hasur më parë shitja e policave të sigurimit të detyrimit ndaj palëve të treta nën vlerën nominale të përcaktuar në policë. Kjo solli rënien e fuqisë paguese të dëmeve nga ana e shoqërive të sigurimit pasi të ardhurat e siguruara nuk mbulonin raportet dëme/prime për shkak edhe të numrit të madh të aksidenteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të policisë rrugore në Shqipëri ndodhin mesatarisht aksidente disa herë më shumë se në vendet e rajonit dhe se në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sigurimi makinave
    Shitja e policave duhet të bëhet në kufijtë minimal dhe maksimal dhe përcaktohen nga udhëzimi i ministrit të Financave, sipas fuqisë motorike, llojit të makinës dhe vitit të prodhimit. Me urdhrin e majit 2006, i cili ka fuqi deri në maj të këtij viti, ministri i Financave rriti primin e pastër të sigurimeve me rreth 20 për qind. Njëkohësisht me vendim qeverie nr. 192, datë 25.03.2005 “Për kriteret dhe procedurat e licensimit të agjenteve në sigurime dhe rregullat për mbikëqyrjen e tyre”, u kërkua që shoqëritë e sigurimit të ngrinin sistemin online për shitje në kohë reale të policave të sigurimit. Por vetëm INSIG investoi vetë në këtë sistem. Shoqëritë private të sigurimeve nuk kryen vetë investimet e tyre por krijuan një agjent të përbashkët, ASA. Sipas informacioneve zyrtare nga faqja e internetit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, “vetëm shoqëria e agjentit në sigurime A.S.A sh.a, ka realizuar këtë lidhje on-line për raportimin e shitjeve të policave të sigurimit njëkohësisht në Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve dhe Shoqëritë e sigurimeve për të cilat ky agjent shet. Ndërkohë që shoqëria Union Distribucion Servis Albania sh.p.k, si agjent në sigurime i cili shet Kartonin Jeshil për llogari të shoqërive të sigurimit, ka realizuar lidhjen e saj për raportimin e shitjeve të policave që ky agjent shet, vetëm me shoqëritë e sigurimit, ende nuk është bërë lidhja e këtij agjenti me Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve”.

    Një agjent i vetëm
    Por me krijimin e ASA-s shoqëritë përqendruan shërbimin në vetëm 3 pika në Tiranë ku numri i makinave ka kaluar shifrën 100 mijë dhe për sigurimin e makinave duhet të rrish në radhë. Madje në muajt e parë të funksionimit të ASA-s agjentët ta përcaktonin kompaninë ku do të merrje policën e sigurimit mbi bazën e një rradhe të përcaktuar. Kjo pasi shoqëritë e sigurimeve që themeluan ASA-n kishin vendosur që të shpërndanin të ardhurat e krijuara mbi bazën e pjesës së tregut që kishin kompanitë në vitin e fundit. Kjo është një praktikë që shkel konkurrencën ndaj dhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim.

    E Hene, 05 Mars 2007
     
  16. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Çudia e rradhës, Basha rrit çmimet e transportit

    Komunizmi ra, por çmimet e transportit privat caktohen ende nga qeveria

    Altin Xhikneli

    Ministria e Transporteve rrit çmimet e biletave për udhëtimet ndërqytetës. Kjo ministri ka propozuar listën e re të çmimeve për transportin ndër urban, hekurudhor dhe liqenore në Këshillin e Ministrave dhe pritet që 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare të bëhet operative. Vendimi i Qeverisë nr 66, i marrë më datë 7 shkurt të këtij viti shprehet qartë se “Tarifat e transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus dhe të transportit ujor (liqenor) të jenë sipas përcaktimeve në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”. Kësisoj, pasi ky vendim është zbardhur rezulton se çmimet e biletave për transportin rrugon ndër qytetar janë rritur mesatarisht me 25%. Edhe pse në Shqipëri janë liberalizuar mjaft sektorë të ekonomisë, transporti, çuditërisht rezulton akoma i centralizuar në dorën e qeverisë ku për më tepër rregullon dhe çmimet. Kështu, ky ligj i cili e ka bazën e tij në vitin 1992, mbetet akoma në fuqi për faktin se tarifave të transportit rrugor ndërqytetor i cili tashmë kryhet vetëm nga kompani private. Gjatë vitit 2005, numërohen afro 90 kompani të licencuara private që merren me aktivitetin e transportit rrugor. Kështu, që nga viti 1992, e deri tani, ligji ka ndryshuar vetëm dy herë, ku janë bërë rritje tarifash për transportin rrugor, hekurudhor dhe ujor. Në vitin 1998, kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano mori vendimin për rritjen e çmimeve të biletave të transportit rrugor dhe ujor me 60% dhe atij hekurudhor me 40%. Më pas rregullimi i dytë, është bërë nga kryeministri Berisha, me një vendim qeveria të datës 2 shkurt 2007, ku është miratuar lista me rritjen e çmimeve të biletave mesatarisht 25% për transportin rrugor. Kështu, ligji i cili e ka fillesën në vitin ’92 detyron kompanitë të përdorin cmimet e vendosura nga Këshilli i Ministrave, dhe në rast të kundërt ato gjobiten. Në ligj në nenin 5 thuhet shprehimisht se “Këshilli i Ministrave cakton kufij të njëjtë të çmimeve e të tarifave të detyrueshme për zbatim dhe nga personat juridikë a fizikë privatë, vendas ose të huaj, për mallrat dhe shërbimet në emërtesë të tij. Këshilli i Ministrave vendos kontroll mbi çmimet e mallrave dhe shërbimeve monopol”.
    Konkurrenca
    Licencimi është një tipar i rregullimit të sistemit të transportit rrugor e më gjerë në vend. Kështu, konkurrenca ekziston vetëm në marrjen e licencave pranë ministrisë së Transporteve apo dokumenteve në bashki por jo midis kompanive me çmime. Kësisoj, shoqatat e ndryshme të transportit bëjnë marrëveshje me qeverinë për të përcaktuar çmimet e transportit ndër urban dhe qeveria i miraton ato, duke faturuar çmime të larta në kurriz të konsumatorëve, në një kohë që do ishte normale që në këtë treg të konkurrohej dhe me çmime. Çuditërisht, në vend janë liberalizuar shumë sektorë të ekonomisë, cmimet e biletave të transportit mbeten ende monopol në duart e pushtetit qendror apo lokal. Madje, kohë më parë kur si pasojë e krizës energjetike disa shoqata të prodhuesve të bukës morën vendimin për të rritur çmimin e bukës dhe u ra në ujdi me Ministrinë e Ekonomisë, për një rritje prej 10 lekësh për copë. Por disa prodhues të vegjël nuk e rritën çmimin dhe bënë konkurrencë duke detyruar shoqatat e prodhuesve të ulin përsëri çmimin. Kjo dëshmoi qartë, se ndërhyrja e qeverisë në treg me rregullim çmimesh ishte një masë e kotë dhe do të dëmtonte në radhë të parë konsumatorin.


    Transportet kërcënojnë me greve

    Pas kaosit të krijuar në datën 1 mars në sistemin e transportit publik, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetar, e cila denoncon praninë e lartë të dokumenteve të falsifikuara që lejojnë përdorimin falas të këtij shërbimi. Sipas tyre, nga të dhënat e ministrisë së Transporteve, numri i invalidëve, nga 5 mijë në 2003 ka mbërritur në 30 mijë në fillim të viti 2007. Ata kanë parashtruar një sërë kërkesash për ministrinë e transportit dhe Bashkinë e Tiranës, ku sipas tyre mund t’i shpëtojnë kërcënimit falimentues.

    E Hene, 05 Mars 2007
     
  17. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Ankandi i kromit, fiton çmimi më i ulët

    Albkrom: Ministria e Drejtësisë në afera korruptive. Do t’i padisim në gjyq


    Administratori i fabrikës së Albkrom akuzon për vjedhje, Zyrën e Përmbarimit, Kukës për vjedhjen e bërë në tenderin e 4 mijë tonë koncentrat kromi. “Fabrika e pasurimit të Kromit Bulqizë sh.p.k, e drejtuar nga Administratori Bukurosh Koçi kërkon të denoncojë disa shkelje të rënda në ankandin zhvilluar më datë 16 shkurt 2007 në Zyrën e Përmbarimit Kukës ndaj kompanisë së tij”. Sipas tij, në ankandin e organizuar për shitjen e një stoku prej afro 4 000 tonësh koncentrat kromi, pronë e kompanisë “Albkrom Sh.a” (në likuidim e sipër), me një vlerë tregu të vlerësuar mbi 20 milion lekë të reja, janë bërë abuzime të mëdha. Kështu, vlera dysheme e këtij ankandi ishte 19.475.704 lekë, dhe vetë Fabrika e Pasurimit të Kromit, Bulqizë sh.p.k ka ofruar 22,53 milion lekë ose afro 1,32 milion lekë më shumë se ofertuesi fitues.
    “Në kundërshtim me gjithë logjikën e thjeshtë të konkurrimeve të zakonshme në ankande, komisioni nuk ka pranuar vazhdimin e ankandit, me gjithë kërkesat e kompanisë tonë për ofrimin e shumave edhe më të larta për objektin në fjalë. Ky vendim i komisionit është shoqëruar me kundërshtime të përfaqësuesve të pronarit në likuidim “sh.a Albkromit””. Vendimi për fituesin është shtyrë me argumentin e verifikimit të transaksioneve bankare. Nga ana tjetër administratori, bën të ditur se sipas procesverbalit zyrtar për shpalljen e fituesit, ankandi rezulton të jetë kryer pa udhëzimin përkatës, për hollësitë ligjore dhe administrative të zhvillimit të tij, pasi ai ka mbërritur në duar të komisionerëve 3 ditë pas zhvillimit të ankandit. Procesverbali ka mangësi të theksuara, pasi nuk rezulton të jetë protokolluar dhe vulosur.
    Ngjarja
    Ankandi fillimisht është pezulluar nga Ministria e Drejtësisë dy ditë pas zhvillimit të tij. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës së Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë Ylvi Selmani kontaktuar nga kompania, pezullimi është kryer për shkelje të procedurave, tejkalim të kompetencave të përmbaruesit dhe ankandi do të kryhet nga vetë pronari Albkrom sh.a. Por sipas administratorit Koçi, “11 ditë pas zhvillimit të ankandit një urdhër i dytë nga Ministria e Drejtësisë ka kërkuar vazhdimin e ankandit me gjithë shkeljet e shumta të konstatuara, pasi gjithë komisioni u thirr në Ministrinë e Drejtësisë ku u detyrua të shpallë fitues ofertuesin me vlerë më të ulët, një qytetar i thjeshtë i pajisur vetëm me një certifikatë personale lindjeje”. Kështu, “Fabrika e Pasurimit të Kromit sh.p.k”, ka hedhur në gjyq këtë çështje, dhe i ka dërguar shqetësimet e tij Kryeministrit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë.

    E Marte, 06 Mars 2007
     
  18. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Ulen interesat e bonove të thesarit

    Investitorët fitojnë më pak nga borxhi për qeverinë. Paradokset e bankave me interesat

    Gerti Osmani

    Konkurrenca në investimin për blerjen e bonove të thesarit ka sjellë rënien e interesave dhe rrjedhimisht më pak të ardhura për investimin në bono thesari. Bonot janë një investim i sigurtë që përdoret gjerësisht nga bankat, shoqëritë e sigurimit dhe individët, nëpërmjet blerjes së borxhit të qeverisë në ankandet e përjavshme që organizon Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Për shumë qytetarë bonot e thesarit janë një kursim ashtu si dhe depozitat në bankë me një ndryshim që interesat në blerjen e bonove janë paksa më të larta dhe rreziku është afër zeros pasi qeveria dhe shteti nuk falimentojnë, madje as teorikisht. Themi paksa më të ulta sepse të dhënat e ankandit të fundit të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë tregojnë se interesat për bonot me afat maturimi 12 mujor kanë rënë nga 7.65 % në mesin e muajit shkurt në 7.32 për qind në fund të muajit shkurt. Pikërisht me 28 shkurt është zhvilluar dhe ankandi i fundit për të cilin Banka e Shqipërisë ka shpallur dje rezultatet ku vihet re rënie e interesave edhe për bonot me afat 6 mujor dhe 3 mujor. Kështu sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë yield-i i bonove të thesarit 6 mujore ka rënë nga 7 për qind në 6.83 për qind ndërsa për ato me afat 3 mujor nga 6.01 % në 5.94 për qind. Kjo është rënia e dytë e rradhës e regjistruar gjatë këtij vit pasi më parë prirja ishte për një rritje të interesave të bonove të thesarit.

    Paradokset e interesave
    Interesat e depozitave, kredive dhe bonove të thesarit në tregun bankar shqiptar paraqesin disa paradokse. Kështu për shembull megjithëse rreziku i depozitave është më i lartë se ai i bonove, pasi një bankë që i ke besuar kursimet edhe mund të falimentojë ndërsa shteti nuk falimenton, interesat e depozitave janë më të ulta. Teoria thotë se sa më i lartë rreziku për një investim aq më i madh duhet të jetë dhe kthimi(interesi). Ky paradoks e ka një shpjegim në teorinë e kërkesë-ofertës pasi qeveria shqiptare ka kërkuar financime në rritje nëpërmjet bonove të thesarit. Kështu vetëm në ankandin e fundit qeveria ka marrë 16.4 miliardë lekë ose rreth 170 milionë dollarë financime.
    Një paradoks tjetër është ai i sjelljes së bankave me interesat kundrejt Bankës së Shqipërisë. Ndërsa kjo e fundit rriti normën bazë të interesit pritej dhe rritja e interesave në sistemin bankar si për depozitat, bonot e thesarit ashtu dhe për kreditë. Por në fakt nuk ndodhi kështu. Sipas Bankës së Shqipërisë “rritja e interesave të kredive ka tejkaluar rritjen e sinjalizuar nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që, interesat e depozitave në lekë nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm”. Një paradoks tjetër është dhe rënia në këtë periudhë e interesave të bonove të thesarit pasi Baka e Shqipërisë e frikësuar nga rritja e inflacionit rriti normën bazë të interesit, një veprim ky që nuk u pëlqye nga ministri i Financave Ridvan Bode. Por megjithëse pritej rritja e interesit të bonove, ndodhi e kundërta dhe këtë e tregon dhe ankandi i fundit. Në këto ankande u paraqitën shumë kërkesa për blerje bonosh, si 41 të tilla për bonot një vjeçare nga të cilat u pranuan vetëm 6 dhe 25 kërkesa për bonot 6 mujore ku u pranuan vetëm 11.


    Afati: 12 mujor(shuma miliardë lekë)
    Kërkuar Pranuar
    Shuma 12.54 7.6
    Kërkesat 41 6
    Interesi 7.51% 7.32


    Afati: 6 mujor(shuma miliardë lekë)
    Kërkuar Pranuar
    Shuma 6.624 5.5
    Kërkesat 25 11
    Interesi 6.91 % 6.83 %

    Afati: 3 mujor(shuma miliardë lekë)
    Kërkuar Pranuar
    Shuma 3.5 3.3
    Kërkesat 16 16
    Interesi 5.94 5.94

    Ndryshimet e interesave(%)
    14 shkurt 28 shkurt
    12 Mujore 7.65 7.32
    6 Mujore 7 6.83
    3 mujore 6.01 5.94

    E Marte, 06 Mars 2007
     
  19. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Doganat të përzjera në konkurrencën për gazin

    Luftë tregtare, grosistët nga Greqia dhe Italia tentojnë të bllokojnë gazin e lirë nga Gjeorgjia dhe vendet e tjera

    Altin Xhikneli

    Rreth 35 milionë euro që qarkullon biznesi i gazit të lëngshëm në Shqipëri kanë përfshirë në një luftë të ftohtë, doganat, ministrinë dhe biznesin. Konflikti për cisternën me 1400 tonë gaz të bllokuar nga doganat ka më shumë përmasat e një beteje për treg, se sa analiza teknike e cilësisë së gazit që është kthyer në debat mes doganave e inpektoriatit të naftës e gazit.
    Importi i gazit ka një rritje të lartë, sidomos nga vendburimet si Gjeorgjia apo Ukraina, nga viti në vit dhe konkurrenca për tregje në Shqipëri ka filluar t’i nxjerrë dhëmbët. Sipas të dhënave të doganave, importi i gazit, gjatë vitit 2006 është 34.2 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 24.3% krahasuar me vitin 2005.
    Mungesa e energjisë elektrike ka qenë një faktor determinues në zhvillimin e këtij tregu, ku importet që nga viti 1999, kanë pësuar një rritje mesatarisht 50% çdo vit. Megjithatë importi i gazit, në vitin 2006, ka qenë më i lartë se viti 2005 por ritmi i tij ka qenë më i ulët se vitet paraardhëse, dhe kjo për arsye që furnizimi me energji elektrike gjatë këtij viti ishte më i madh. Vendi nga i cili Shqipëria importon më shumë gaz është Greqia ku për vitin 2006, janë importuar 9 milionë euro gaz. Më pas vijnë importet nga Italia me 6 milionë euro në total.
    Shumë biznese e kanë konsoliduar pjesën e tyre në këtë treg. Por aktualisht, disa firmat shqiptare kanë filluar gradualisht të ndërrojnë partnerët tregtarë tradicionalë të gazit apo të gjejnë partnerë të tjerë, duke shkuar drejt vendeve prodhuese. Kjo vihet re pasi importi nga vende si Gjeorgjia, apo Ukraina ka pësuar ka rritur peshën e tij në tregtinë e gazit çdo vit. Importi i gazit nga Gjeorgjia ka pësuar një rritje të fuqishme gjatë këtyre viteve dhe kështu, kjo është bërë problem për bizneset e lidhura me Greqinë apo Italinë, pasi ndjejnë konkurrencë e vendeve që e prodhojnë gazin dhe e shesin me kosto më të lirë.
    Konflikti për tregje
    Gazi i importuar nga kompania “Vjosa” sh.a ka futur në konflikt inpektoriatin e naftës dhe gazit me doganat, të cilat pretendojnë se cilësia e tij është jashtë standardeve. Ndërkohë që kompania e cila importon gaz nga Gjeorgjia pretendon se gazi është brenda parametrave ligjorë në Shqipëri. Kreu i Inspektoratit Shtetëror për Kontrollin e cilësisë së Gazit dhe Naftës, Ilir Kurti akuzoi drejtorin e doganave, Përparim Dervishi për mashtrim me analiza e bëra nga doganat në lidhje me kompaninë Vjosa Sh.a. Ai u shpreh, se analizat e bëra jashtë shtetit për gazin e importuar nga kjo kompani kanë rezultuar brenda standardeve shqiptare për cilësinë e gazit. Nga ana tjetër vetë ky inspektoriat ka bërë analizat dhe sipas Kurtit gazi ka rezultuar brenda standardeve. Analizat e bëra nga doganat në një laborator maqedonas janë cilësuar si të keqdashëse dhe antiligjore, nga pronari i firmës. Ai është shprehur se ky kontroll nuk është bërë për asnjë kompani tjetër dhe kjo shpreh qartë që ky veprim është i qëllimshëm. Sipas tij, dëmi i firmës, së cilës i është komunikuar kthimi mbrapsht i mallit në Gjeorgji, llogaritet në rreth 1 milionë dollarë. Tashmë, pas këtij konflikti, çështjen e ka marrë në dorë vetë Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës e cila shprehet se këtë konflikt do ta zgjidhë nëpërmjet agjencive shtetërore. Kjo deklaratë e METE, duket se do t’i japë të drejtë kompanisë pasi analizat e bëra në një laborator tjetër mund të bëhen në raste specifike dhe që janë të akredituara në shtetin shqiptar.

    E Marte, 06 Mars 2007
     
  20. forwardi

    forwardi Primus registratum

    Re: Lajme ekonomike!

    Bizneset më të mëdha të vendit ballkanik kthejnë sytë për të investuar në tregun shqiptar të shitjes dhe transportit
    Sllovenët, gati të mësyjnë në ShqipëriKompanitë "Mercator" dhe "Intereuropa" shpallin publikisht interesin e tyre
    Kompanitë sllovene shprehin interes për tregun shqiptar. Mercator Sllovenia, njëri nga grupet më të mëdha evropiane në fushën e shitjeve më pakicë dhe "Intereuropa", korporata e fuqishme që ofron shërbime transporti pothuajse në të gjithë shtetet e Ballkanit njoftuan se objektivi i tyre i ardhshëm ishte Shqipëria. Menjëherë pas hyrjes së Sllovenisë në Bashkimin Evropian, kompanitë e këtij vendi po shtrijnë aktivitetin e tyre në tregjet e tjera të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore. Por specialistët shqiptarë dhe përfaqësuesit e kompanive të mëdha thonë se tregu shqiptar i pakicës (që njihet me termin tregu i retail) rezulton të jetë jo vetëm më i çorganizuari në Evropë, por edhe në rajon. Në vend ka ende një numër shumë të lartë të dyqaneve të vogla, shumica e të cilave shet produkte pa paguar TVSH-në dhe pa fatura tatimore. Një situatë e tillë duket se ka qenë edhe faktori kryesor që ka mbajtur deri më sot larg investitorët e huaj, që prej vitesh janë shfaqur në rajon. Ndërkohë, tregu i shitjeve ma pakicë në Shqipëri mendohen se gjeneron rreth 500 milionë euro të ardhura në vit. Ndonëse rregullat e ekonomisë së tregut në vendin tonë kanë filluar të funksionojnë që përpara 16 vjetësh deri në 2005-ën, në këtë sektor janë shfaqur veçse raste sporadike të një tregtie me pakicë të organizuar. Në vend operonin mjaft markete apo supermarkete të vogla, të cilat ofronin një gamë të vogël produktesh. Në ndryshim nga vendet e
    tjera fqinje, tregtia me pakicë në Shqipëri nuk ka prodhuar ndonjë grup apo kompani të madhe biznesi, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të këtij sektori. Duke marrë parasysh fragmentarizimin e tregtisë me pakicë në vendin tonë operojnë vetëm një numër shumë i vogël supermarketesh moderne me përmasa të mesme në qytetet kryesore të vendit. Sipas të dhënave nga INSTAT, rezulton se gjatë vitit 2006 tregtia me pakicë në Shqipëri është rritur me 30 për qind krahasuar me një vit më parë, çka do të thotë se ky treg rritet me mbi 100 milionë euro në vit. Një vit më parë, Kryeministri Berisha ftoi bizneset sllovene që të investonin në Shqipëri. Në një takim të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ku merrni pjesë me dhjetëra kompani sllovene, Berisha u garantoi atyre se do të kishin mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në qoftë se do të investonin kapitalet e tyre në vendin tonë.
     

Shpërndajeni këtë faqe