Nena e dashur OLLGA

Diskutime tek 'Teologjia' filluar nga ilia spiro, 24 Oct 2015.

  1. ilia spiro

    ilia spiro Primus registratum

    Ollga Spiro Karafili erdhi në këtë jetë në 1 Tetor 1942.
    Prindërit e saj, që u bekuan në mënyrë të veçantë me këtë fëmijë, i treti sipas rradhës, ishin Spiro Nikolla Karafili nga Narta e Vlorës dhe Kalica Kristo Dusha nga Peshtani i Leskovikut.
    Nëna e saj, Kalica në moshën 12 vjeç u shpërngul me prindërit e saj dhe u vendosën në Tiranë. Ishte një familje në gjëndje të mirë ekonomike për kohën. Kishin edhe një ëmbëltore “Grand Italia” në pazarin e Tiranës, që e drejtonte vëllai i saj Leonodha, i cili kishte kryer shkollën për pastiçier në Stamboll. Në këtë qytet kjo familje i kishte lidhjet e hershme, jo vetëm për shkak të kurbetit dhe arsimimit, por në këtë qytet të lavdishëm të Bizantit ka shërbyer si prift në Patriarkanën fort të shenjtë edhe At Ilia, gjyshi i Kalicës.
    Kristoja, i ati i Kalicës emigroi në Amerikë dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1940. Në këtë dyqan pastiçerie iu bë edhe propozimi i Spiros, që të shihte për grua motrën e Leonidhës, Kalicën. Në këtë kohë Spiro ishte oficer, major i artilierisë së Ahmet Zogut, mbretit të parë shqiptar.
    Perëndia duke dëgjuar lutjet e Kalicës, që ishte një vajzë e ndrojtur me moral shumë të lartë, që dëshironte të martohej më një burrë jo sipas dëshirës së saj, por sipas njohurisë dhe vullnetit të Perëndisë; ai i tregon asaj se do të martohej me një burrë me emrin Spiro. Të gjitha ngjarjet rrodhën drejt kurorëzimit të këtij çifti në Kishën Katedrale në Tiranë në vitin 1938.
    Fëmija e parë ishe një djalë, të cilit ia vunë emrin Llazar, por nga pakujdesia e mjekëve, për shkak të një gangrene në kokë, vdiq 4 muajsh. Hidhërimi pushtoi prindërit e rinj, por në mënyrë të veçantë nënën e re, Kalicën, e cila nuk gjente ngushëllim për humbjen e djalit. Por Perëndia, që dëshiron të shërojë plagët, i thotë asaj “Të mos hidhërohej shumë, se ajo do të jetë në jetën e saj bashkë me Ollgën” - e cila nuk ishte lindur akoma.
    Fëmija e dytë ishte një vajzë, Maria , e cila përsëri nga një lindje e vështirë dhe pakujdesia e mjekëve, pati një dëmtim në legen, duke e vuajtur këtë për gjatë gjithë jetës.
    Fëmija e tretë ishte një tjetër vajzë, që siç ishte paralajmëruar nga lart e mori emrin Ollga. Gjatë kohës së luftës familja kaloi vite të vështira, si shumica e familjeve dhe njerëzve në atë kohë. Por periudha më e vështirë që ajo kaloi ishte koha pas luftës ne vitet 1944, kur pushtetin e morën komunistët-ateist, deri në vitet 90, kur ky pushtet u rrëzua. Për gjatë gjithë kësaj kohe, këta njerëz të mirë dhe besimtar u panë nga regjimi ateist-komunist si reaksionar, që nuk iu pëlqente pushteti popullor. Privimet filluan menjëherë. Spiro, si ushtarak i Zogut, rrezikoi jetën në ditët e para të pushtetit komunist. Por lutjet e zjarrta të gruas së tij dhe mirësia e tij tek të gjithë, e shpëtuan nga pushkatimi. Më vonë ai u privua nga grada dhe profesioni i tij si ushtarak dhe u detyrua të punojë punë të rëndomta për të mbajtur familjen. Edhe Kalica u detyrua të shesë shumë nga paja e saj.
    Por megjithë këto mundime dhe privime, drita e besimit nuk u shua në këtë familje. Ollga shpesh thoshte se gjyshi i saj Kristo, para se të drekonin lexonte një pjesë nga ungjilli, i cili ishte gjithmonë aty. Kalica i shoqëronte gjithmonë vajzat në Kishën Katedrale për të diela dhe të kremte, festa shenjtorësh; fëmijëve iu mbetej në kujtesë himnet që dëgjonin dhe bukuria e ikonave që shihnin. Ollga thoshte
    “ Akoma i mbaj mend ato shandanë, ikona dhe himne, sidomos dhjakun Sotir Kanxherin që këndonte shumë bukur.”
    Në moshën 12 vjeç Ollga pagëzohet nga xhaxhai i saj, Panajot Karafili në kishën qëndrore të Nartës, në Shën e Dielë.
    Nga natyra, Ollga ishte një vajzë shumë e zgjuar, njeri i shoqërueshëm dhe i dashur, por edhe shumë e kujdesshme për të ruajtur pastërtinë morale si një gjë shumë të shtrenjtë, si një thesar shpirtëror që duhet ta ruante me çdo çmim, sipas porosisë të apostullit “Trupat tuaj janë tempull të Perëndisë, gjymtyrë të Krishtit” - po edhe sipas mësimit të prindërve të saj dhe të shembullit të jetës së tyre. Nëna i këshillonte dhe lutej shumë për vajzat. Por edhe babai, Spiro, njeri me moral dhe autoritet, ndikoi jo pak në jetën e vajzave, dhe në mënyrë të veçantë tek Ollga, e cila duke qënë një krijesë e bukur e Perëndisë, I duhej të përballonte shumë sulme nga njerëz pa moral, por dhe ata që kishin qëllime serioze, por që Ollga i duhej t’i rrefuzonte sepse, nuk ishin sipas vullnetit të Perëndisë. Nga jeta e shumë shenjtorëve dhe njerëzve të virtytshëm të tilla raste ngasje, inspirohen nga armiku i padukshëm, Djalli, që kërkon t’i rrëzojë të rinjtë e virtytshëm në mëkatin e imoralitetit dhe t’i largojë nga rruga që ka përgatitur Perëndia për shpëtimin e tyre, pra nga virgjëria.
    Por ajo qëndroi me fuqinë e Zotit dhe i turpëroi të gjithë ata që donin të përfitonin nga bukuria e saj. Dhe ai që u turpërua më shumë nga të gjithë dhe u tërhoq i mundur, ishte demoni i imoralitetit. Me këtë jetë të përkushtuar Ollga që në fëmijërinë dhe rininë e saj tërhoqi simpatinë dhe dashurinë e Zotit Krisht, Dhëndrrit të shpirtit besimtar dhe të moralshëm.
    Në shkollë mësonte vetë dhe përparonte në mësime me rezultate të shkëlqyera. Mbasi mbaroi shkollën 8 vjecare dhe më pas Politeknikumin, vazhdoi studimet për inxhenieri elektrike në UT, natën; dhe në këtë kohë punonte në zyrën e tregëtisë të Ministrise së Jashtme. Për shkak të biografisë së keqe – sipas rregjimit, por arsyeja ishte qëndresa në moralin e saj, - u transferua me punë në Kombinatin e Mishit në Tiranë, ku punoi si inxhiniere elektrike. Edhe aty ajo u bë shënjestër e shumë sulmeve të padrejta, por të gjitha i mposhti me moralin e saj dhe punën e saj të përkushtuar. Atje punoi derisa doli në pension. Është për t’u theksuar se punën e dëshironte dhe nuk i shmangej. Ky virtyt ishte i dukshëm tek ajo deri në fundin e jetës, që për ne që e njihnim nga afër e shikonim se me sa sedër punonte, për t’iu mos bërë barrë askujt, por çdo gjë ta merrte sipas punës dhe mundimit të saj.
    Viti 1967, një vit i zi dhe absurd për Shqipërinë, për shkak të ligjit anti-fe dhe persekutimit të hapur ndaj klerit dhe popullit besimtar, e gjeti Ollgën 25 vjeçe. Pavarësisht se mjaft njerëz e humbën besimin, ligjin dhe moralin duke iu përshtatur kohës: të injorantëve dhe ateistëve në pushtet, familja Karafili qëndronte e fortë. Nëna Kalica kurrë nuk e shoi kandilin dhe nuk pushoi së foluri hapur për Perëndinë dhe fuqinë e tij. Ajo i shikonte gjërat me syrin e Perëndisë. Thoshte që “Enverin e ka vendosur Perëndia për të larë mëkatet e popullit, por njeriu po të bëjë mirë, asgjë nuk e prek” siç thotë edhe apostulli: “Dhe kush do t’ju bëj keq në qoftë se ju ndiqni të mirën. Por edhe sikur të vuani për drejtësi, lum ju. Pra, mos kini frikë asnjë prej tyre dhe mos u shqetësoni.”
    Kjo i jepte zemër Ollgës e cila në këtë kohë do të përballonte një luftë të paparë nga sigurimi i shtetit duke i ngritur asaj akuza si armike e pushtetit, moskokëçarse, dhe si agjente duke hapur për të dosje dhe hetime. Të gjitha ishin akuza të gënjeshtra dhe shpifje prej njerëzish manjak të asaj kohe. Ajo qëndronte duke duruar dhe luftuar e vetme, pa i thënë gjë askujt, as prindërve, as nënës, se nuk donte t’i shqetësonte. Zoti Jisu Krisht ishte me të; dhe e shpëtonte me fuqinë e tij nga laku i armikut.
    Ajo na thoshte se e shikoja veten të ulur në derën e burgut të rrethuar me gjëmba, por Zoti apo ndonjë shenjtor vinte dhe nxirrte dosjen time prej andej. Në realitet çështjet e hapura mbylleshin në mënyrë të çuditshme, por jo për Ollgën që e dinte gjithnjë e më shumë se ishte Zoti që e ruante nga të gjitha të këqiat. Ashtu siç ai u tha apostujve: “duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Edhe kjo do t’ju jetë juve për dëshmi. Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më përpara me ç’fjalë të përgjigjeni, sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj.” (Llk: 21: 13-15)
    Ollga kaloi edhe prova të tilla dashurie flijuese, duke rrezikuar dhe jetën e vetë për jetën e të tjerëve. Sigurimi i shtetit kërkonte që ajo të bënte dëshmi të rreme për të tjerët. Por ajo nuk pranoi, edhe pse e kërcënuan me jetë; duke përmbushur fjalët e Zotit në Ungjill: “A ka dashuri më të madhe se sa të japësh jetën për tjetrin?”
    Dhe kështu dashuria e Zotit për atë rritej, por dhe dashuria e saj për Zotin po ashtu. Shpirti i Perëndisë dhe shpirti i saj u bashkuan aq shumë, dhe nuk u ndanë deri në fund të jetës.
    Në moshën 14 vjeçe, kur lutej për gjatë gjithë natës për nënën e sëmurë në shtëpi, na thoshte se: “Në ëndërr m’u shfaq Zoti si Dhespot mbi re” - dhe këto pamje hyjnore do t’i shoqëronin gjithë jetën e saj, sidomos në moshën 40 vjeçe, kur në 1982 iu shfaq një gjendër në rrëzë të veshit, që iu zhvillua për dy vjet, duke rrezikuar jetën dhe duke ia dëmtuar pamjen. Këto, siç thoshte vetë ajo, ishin periudha të vështira, por edhe kërkimi për të bërë vullnetin e Zotit, duke ia dorëzuar totalisht shëndetin e saj fuqisë së Perëndisë.
    Zoti shumë herë i shfaqej dhe e ndalonte ta operonte. Vetëm kur erdhi koha e përcaktuar nga Ai, Ollga mori vendimin ta operojë gjëndrën. Gjëndra ishte kanceroze, e natyrës femërore. Mjekët që filluan operacionin, e lanë përgjysëm atë, duke kërkuar aprovimin e motrës së saj për të vazhduar ose jo, pasi çdo gjë dukej e pashpresë dhe shumë e rrezikshme për jetën, se gjithçka ishte zhvilluar në vendin, ku nervat janë të ndërthurur. Motra Maria tregon se mbasi e pyetën mjekët dhe ajo nuk dinte çfarë të thoshte duke i lënë mjekët në vendimin e tyre, i ra të fikët dhe s’mbante mend asgjë më pas. Mjekët bënë një pastrim sipërfaqësor dhe e mbyllën operacionin me bindjen se çdo gjë ishte e kotë. Vdekja ishte e sigurt. Ollga në këtë kohë, kur mjekët kryenin veprimet rutinë, thotë se i kishte dalë narkoza dhe ndjente dhe dëgjonte çdo gjë. Madje edhe qepjen e operacionit e ndjente për së gjalli. Mjekët prisnin që ajo të vdiste. Habia ishte se një nga pacientët që ishte shtruar në të njëjtën dhomë, që për mjekët kishte dalë me sukses, mbas disa kohësh vdiq; por Zoti Jisu Krisht, I Cili është Mjeku i Vërtetë dhe Zot i jetës dhe i vdekjes, e urdhëroi që të mos ta prekte më gjendrën, as të bënte kimio-terapi, sepse për atë do të kujdeset vetë Zoti dhe ajo do të jetonte.
    U ndalëm në këtë fakt, në jetën e Ollgës, sepse këtu kemi të bëjmë me një mrekulli të dukshme në trupin e saj, sepse sado që gjendra e ekzaminuar si kancer femër dhe tepër agresive, mbeti e pazhvilluar, ajo jetoi edhe 25 vite të tjera. Kur rastësish mjekët që e kishin operuar e takonin, thoshin me habi: “Akoma s’paske vdekur!?”
    Por ku do Zoti, prishen ligjet e natyrës.
    Ollga thoshte shpesh: “Vetë Zoti i rregulloi gjërat kështu që të bënte tek unë vullnetin e tij të pakthyeshëm.”
    Vullneti i Zotit ishte që ai shpirt i pastër, ai trup i dlirë, ajo vajzë besnike mbas gjithfarë provash, siç thotë edhe apostulli Jakov: “ Konsiderojeni për gëzim të madh, vëllezër të mi, kur bini në lloj-lloj ngasjesh; duke ditur se prova e besimit tuaj punon durim. Edhe durimi le të ketë veprim të përsosur, që të jeni të përsosur e të tërë, pa të meta në asnjë gjë.” - që Ollgës t’i jepej dhurata e mrekullisë.
    Ollga thoshte vetë: Vetë Zoti m’u shfaq dhe më tha: “Mijëra e mijëra njerëz më luten që t’i shfaqem vetëm një herë; dhe Unë i shfaqem kujt të dua; dhe ty dua të të jap këtë dhuratë.”
    Dhe nuk duhet të çuditemi për këtë në qoftë se i besojmë fjalëve të Zotit në Ungjill. “Edhe shenja mbi ata që do të besojnë do të jenë këto: Në emrin tim do të nxjerrin djaj, gjuhë të reja do të flasin, gjarpërinj do të zënë.
    Edhe në pifshin ndonjë gjë që sjell vdekje, nuk do t’u bëjë dëm atyre; përmbi të sëmurë dy duar do të vënë, dhe do të shërohen.”
    Tashmë Ollga e përkushtuar tërësisht duke hequr dorë nga martesa njerëzore, sipas vullnetit të Zotit, e fejuar me Dhëndrrin e shpirtit të saj, Zotin Jisu Krisht, ajo që në sy të njerëzve ishte inxhinere elektrike, por dhe kapriçoze për ata që nuk arritën ta mposhtin moralin e saj dhe për disa sy dashamirës fatkeqë, për shkak të sëmundjes që iu shfaq, u bë sipas hirit një instrument i Zotit, një gjymtyrë e dashurisë dhe fuqisë së Tij për t’u lutur dhe për të transmentuar Hirin shërues dhe mrekullibërës, fuqinë kundër demonëve tek sa e sa njerëz që vuanin dhe lëngonin në atë errësirë ateiste-djallëzore, ku pavarësisht se feja ndaj Zotit ishte e ndaluar me ligj, adhurimi diabolik në kultin e njeriut dhe ritualet magjike bëheshin hapur dhe pa pengesë.
    Në këtë kohë shumë njerëz filluan të vinin fshehurazi në shtëpinë e saj. Ishte vetë Zoti që i drejtonte tek ajo me mënyrat e tij të panumërta, por dhe njerëz që kishin gjetur çlirim nga hallet e tyre, nëpërmjet lutjes që iu bënte Ollga dhe vënies së duarve mbi kryet e tyre. Ata lajmëronin të afërmit të tyre, që kishin të njëjtat probleme si ata. Ollga pasi kthehej nga puna e shtetit, u shërbente këtyre njerëzve deri në orët e vona të natës; dhe shumë prej këtyre u shëruan jo vetëm mendërisht dhe fizikisht, por edhe shpirtërisht, që do të thotë: se filluan të besojnë dhe të bëjnë jetë sipas besimit.
    Ollga, kjo dhuratë e madhe ishte vepra e Zotit, siç thotë edhe Shkrimi: “Atje ku mëkati është më i madh, edhe hiri është më i madh”. Dhe mrekullitë bëhen për ata që s’besojnë ngaqë nuk kanë mënyrë tjetër për ta takuar Perëndinë; që duke parë të besojnë dhe të shpëtohen.
    Kështu u krijua një vëllazëri besimtarësh, një kishë e fshehtë mes një qyteti ateist. Këta njerëz, tashmë të përforcuar në besim për shkak të mrekullisë që bëhej tek ata dhe të afërimit e tyre, filluan të marrin guxim dhe të kundërshtonin çdo ligj absurd dhe të ashpër duke bërë pelegrinazhe në vende të shenjta, në kisha të transformuara në muze ose objekte të tjera, në rrënoja kishash, duke ecur natën, në mot të vështirë dhe mbi të gjitha në rrezik për jetën.
    I gjithë ky guxim martirik, patjetër shpërblehej me bekime dhe shfaqe hyjnore, të cilat i dëshmojnë shumë njerëz, që i jetuan këto ngjarje të përmbinatyrshme, të cilët jetojnë edhe sot; besimtar të mirë dhe pjesëtar aktiv të kishës.
    Le të kujtojmë një ngjarje, kur ky grup besimtarësh të drejtuar nga Ollga, në të premten e zezë në njërin prej viteve të ateizmit, duke vajtur drejt kishës së Shën e Premtes, Kavajë, një dritë qiellore prej së larti i drejtonte rrugën dhe i mbulonte të gjithë pjesëtarët e grupit. Por edhe brenda kishës ata tregojnë se dëgjuan vajtime ëngjëjsh; ndërkaq në fshat bëhej një dasëm.
    E sa e sa ngjarje të tjera, të cilat ndoshta koha do t’i zbulojë si dëshmi e gjallë të mbrojtjes hyjnore që merrni këta njerëz guximtar në atë periudhë aq të errët, të frikshme dhe absurde.
    Në vitin 1990, Ollga bashkë me bijtë e saj shpirtëror, të cilit siç thamë - kishin kaluar shumë rreziqe në periudhën ateiste, - u mallëngjen dhe u gëzuan së tepërmi, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke përligjur besimin dhe optimizmin e tyre, se kishat një ditë do të hapeshin. Kështu, ata morën pjesë aktive në hapjen e kishave dhe në ceremonitë fetare që u bënë në ato ditë. Në këto kohë vetë Ollga thoshte: “Nuk dija cilën rrugë të ndiqja?” ¬- duke kuptuar se për kohën e ateizmit, e rëndësishme ishte të ruheshe besimi në Zotin e vërtetë. Edhe vetë Zoti Jisu Krisht, ashtu si herë të tjera ndërhyri për t’i treguar rrugën e vërtetë dhe të përsosur të besimit. Ollga tregon: “E pashë veten në një udhëkryq, dhe një procesion dhespotësh me veshje hieratike që ecnin drejt një rruge të drejtë. Një zë më tha: ‘Shko mbas atyre!’
    Kjo ishte arsyeja që ajo dhe ata që e ndiqnin për aq vite u bashkuan me Kishën Orthodhokse, sipas besimit të etërve të saj, duke u bërë pjesë aktive e Kishës në Shqipëri të sapongjallur në atë kohë, duke qënë gjithashtu edhe mbështetje e eksarkut dhe më vonë Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopit Anastas.
    Ollga dhe mjaft njerëz që e ndiqnin, ishte e para që ngriti zërin në incidentin që bënë disa eksponent jo orthodhoks, por edhe të pabesë gjatë fronëzimit të imzot Anastasit si Kryepeshkop i KOASH-it, i përzgjedhur në mënyrë kanonike nga Patriarkana Ekumenike; por i pranuar edhe nga autoritete e vendit.
    Një natë, përpara se të ndodhte kjo gjë e turpshme dhe e frikshme, si gulçimat e fundit të atij sistemi ateist-komunist, dhe të njerëzve pa frikë Perëndie, vetë Zoti iu shfaq në ëndërr dhe i foli nga ikona e tij duke i thënë: “Kështu silleni ju shqiptarët me ikonën time?” Dhe të nesërmen ndodhi ai incident që shumica e njerëzve e dinë. Por e vërteta triumfoi dhe u lavdërua e fronëzuar në vendin e saj.
    Ollga thoshte se njëherë Zoti i kishte thënë: “Çdo gjë që do t’më kërkosh, do të ta jap. Nuk do të mungoj asgjë. Por vetëm një gjë të kërkoj: të jesh e drejtë me bijtë e mi!”
    Ajo thoshte se fillimisht nuk i kuptonte këto fjalë, duke menduar për mënyra të ndryshme për kuptimin e tyre. Më vonë i kuptoji këto fjalë, kur filluan shumë të rinj të vinin tek ajo, që ishin të pashpresë, duke ecur në luginën e hijes dhe të vdekjes. Ajo u bë me hirin e Zotit, nënë në shpirt për ta, duke i lindur dhe rritur ata në Perëndinë. Kështu, edhe ajo fjalë e fshehur deri atëherë u realizua.
    Shumë nga ata të rinj, student, u bashkuan aq shumë me atë sa nuk u ndanë deri në fund dhe ajo si një nënë e dhembshur, duke mbajtur mbi vete sëmundjet dhe lëngatat e tyre, i ndihmoi, i ndriçoi, i pagëzoi, i martoi dhe disa prej tyre u bënë punëtor të vreshtit, si klerik ashtu edhe laik, që edhe sot vazhdojnë dhe shërbejnë.
    Vdekja e të atit, xha Spiros, në vitin 1994 e tronditi.
    Ai ishte një njeri shumë i thjeshtë, por një intelektual i vërtetë. Pavarësisht se komunizmi dëshironte t’i degradonte këta njerëz, ai deri në fund interesohej për besimin dhe për veprën në Zotin të bijës së tij, që tashmë kishte filluar të kryheshe hapur. Nga fundi i jetës së tij lexonte biblën në italisht, një gjuhë që i pëlqente shumë që nga koha e rinisë kur kishte qënë në shkollën ushtrarake. Ollga e donte shumë të atin e saj dhe i ishte mirënjohëse, që me mundimin e tij i kishte rritur dhe arsimuar; por edhe me karakterin e tij të drejtë, disa herë edhe tepër rigoroz, kishte ndikuar pozitivisht në jetën e saj. Kështu, xha Spiro, ky njeri i drejtë, i mbylli sytë në duart e bijës së tij, duke shkuar në paqe në vendin e të drejtëve, në gji të Abrahamit.
    Tashmë Ollga, mbeti vetëm me nënën e saj, Kalicën – vazhdoi veprën e Zotit, që çdo ditë e më tepër bëhej më e lodhshme, por edhe më e gëzuar, sepse shumë njerëz vinin dhe kërkonin ndihmë edhe mrekullitë ishin të shumta.
    Por mrekullia më e madhe ishte se ata njerëz deri në atë moment nuk besonin, tashmë pohonin hapur se Jisu Krisht është Zoti dhe Shpëtimtari i tyre. Këtë pohim e përmbushnin me pagëzimin e shenjtë. Kështu shtoheshin bijtë e Zotit dhe të Kishës.
    Nënë Kalicën që të gjithë e njohim si besimtare tepër të fortë, për këshillat e saj tepër të sakta; disa herë duke qortuar më një humor të hollë; por siç kuptoheshin më vonë, nuk ishin thjeshtë fjalë njeriu, por këshilla dhe qortime prej së larti, që i fliste Perëndia nëpërmjet gojës së saj. Dhe këto gjëra zbuloheshin tek ajo për shkak se ajo ishte një flijim i gjallë i dashurisë për Perëndinë. E lënguar në shtrat për shumë vite dhe e shenjtëruar prej vuajtjeve të shumta dhe lutjes së pandërprerë, Kalica ishte kthyer në një televizor shpirtëror, duke na dhënë mesazhe qiellore. E çuditshme ishte edhe për Ollgën vetë, se si nëna e saj i dinte të gjitha gjërat që bëheshin jashtë në botë, duke mos patur komunikim; duke i parathënë ngjarjet para se të ndodhnin dhe duke treguar vullnetin e Perëndisë. Koha i vërtetonte se të gjitha ato që Kalica thoshte u zbuluan si të vërteta. Nuk duhet të çuditemi për këtë hir profetik që ajo kishte. Jeta e saj ishte e shenjtë. Ajo thoshte me shumë përulësi: “unë i kam ruajtur porositë e Zotit”
    Shpesh herë Ollgës i tregonte për shfaqje shenjtorësh që e vizitonin dhe i tregonin punë të ndryshme. Kur kryepeshkopi, imzot Anastas në vitin 1994 rrezikoi të largohej nga Shqipëria, Kalica na mblidhte të gjithëve dhe na thoshte: “Mos kini frikë, se nuk e heq dot njeri. Zoti e ruajti për Shqipërinë. Ai është çika e patriarkanës .”
    Shumë e lumtur ishte kur në shtëpi erdhi kryepeshkopi për ngushëllimin e burrit të saj. E donte shumë atë, se e shikonte si dhuratë të Zotit. Por edhe kryepeshkopi e admironte atë grua besnike dhe të virtytshme. Mund të themi se lutja e saj e fshehtë dhe mistike, që e bënte në shtratin e saj, si një fli e gjallë, shpëtoi jetën e shumë njerëzve, por edhe kishën nga shumë rreziqe, që i vinin nga forcat e errëta. Fjetja e saj në Zotin ishte në paqe – si një kandil që mbasi mbaron vaji shuhet në këtë jetë, për t’u ndezur i pashuar në dritën e amëshuar, në Mbretërinë e Qiejve, në tendat e të drejtëve. Vdekja e nënës e tronditi Ollgën. Nuk ishte vetëm një lidhje biologjike, por edhe një lidhje shpirtërore. Ishin dy shërbëtore të Zotit që i shërbenin dashurisë së Tij, duke flijuar jetën e tyre për të. Mbas vdekjes të së ëmës, Ollga u lidh më shumë me bijtë e saj, duke vazhduar punën në Zotin. Punën e saj e kryente në shtëpi. Ajo ishte si një kishë, ku njerëzit që hynin nga jashtë, të paditur, të sëmurë, të lodhur, të dëshpëruar – dilnin të ndriçuar, të shëruar, të çlodhur, të gëzuar dhe me shpresë për jetën. Fuqia e lutjes së saj ishte shumë e madhe, siç thotë edhe Shkrimi: “Fuqi të madhe ka lutja e të drejtit”. Dhe mrekullitë që Zoti ka bërë nëpërmjet lutjes dhe vënies së duarve të saj, ishin të panumërta. Ato ndodhnin tek fëmijët dhe tek të rriturit; si me probleme shpirtërore edhe më ato trupore; si me probleme familjare edhe shoqërore. Kush mund t’i numëroj? Sa e sa vetë kanë për të treguar, brenda dhe jashtë vendit. Ato bëheshin me të gjithë njerëzit, pa dalim: edhe me besime të ndryshme. Ajo nuk largonte asnjë, por për të gjithë i lutej Zotit Krisht sipas porosisë dhe i prekte me duar e saj duke transmentuar hirin mrekullibërës të Zotit. Ajo thoshte: “unë i lutem Zotit Jisu Krisht për ty, por duhet edhe ti t’i lutesh Atij për veten dhe fëmijën tënd” Pastaj i jepte ujë të bekuar dhe i lyente me vaj, të marrë nga kandilet e shenjtorëve të kishës. Askujt nuk i imponohej, por iu tregonte nga përvoja e saj dhe nga mësimi i kishës se shkaku I sëmundjeve, në shumicën e rasteve është mëkati dhe pabesia. Pastaj iu jepte me vete një lutje ku kishte renditur lutjen zotërore, lutje drejtuar Zotit Jisu Krisht, Hyjlindëses dhe shenjtorëve. I drejtonte tek Zoti dhe tek Kisha e Tij. Ajo thoshte:
    “unë jam thjeshtë një ndërmjetëse; dhe shërimin nuk e bëj unë, por Zoti Jisu Krisht nëpërmjet lutjes sime”.
    Priste me durim që hiri i Perëndisë të punonte me shpirtërat e këtyre njerëzve. Përveç problemit që ata kishin në shëndetin e tyre, ajo lutej që Zoti Jisu Krisht t’i ndriçonte që ta pranonin si Zotin dhe Perëndinë e jetës së tyre. Për shumë njerëz u lut gjatë gjithë jetës së saj. Të gjithëve ju shërbeu njësoj; por jo të gjithë e përmbushën dëshirën e zemrës së saj që të bëheshin të krishterë orthodhoksë. Kjo është përgjegjësia e atyre, dhe vetë do të përgjigjen përpara Zotit Krisht, se si vepruan me dhuratën që morën nga shërbëtorja e tij. Ndërsa ata që dëshironin të njihnin besimin e vërtetë dhe të bashkoheshin me Krishtin, iu bënte katekizëm dhe i drejtonte në kishë dhe tek bijtë e saj, që shërbenin në kishë si klerikë e katekistë. Pastaj i pagëzonte duke u bërë, sipas dëshirës së tyre, nun për ta. Nuk dimë sa është numri i pagëzimeve të shumta që ka krye si nun, por edhe si kumbare në martesa të shumta. Nuk kursehej asnjëherë, madje gëzohej që njerëzit ndryshonin jetën, që fillonin ta besonin dhe ta donin Zotin dhe të bënin një jetë misterore brenda kishës.
    Ajo ishte një burim i gjallë që furnizonte lumin e madh të krishtërimit orthodhoks me gjak të ri. Njerëzit e donin; ia besonin jetën e tyre; i hapnin zemrën – dhe askush nuk u zhgënjye, duke besuar se ato që dëgjonin prej saj, nuk i thoshte thjeshtë një njeri, por si një njeri i Perëndisë, bëhej goja e Krishtit dhe fuqia e Tij për ata që e donin me të vërtetë të vërtetën. Ishte me të vërtetë një jeronde, dhuratë Perëndie. Të gjitha këto i vërteton thjeshtësia e saj dhe përulësia. Kurrë nuk mbahej me të madhe, pavarësisht se Zoti bënte çdo ditë mrekulli të dukshme, nëpërmjet lutjes dhe duarve të saj, siç ka bërë Zoti me shenjtorët e Tij. Në sy të njerëzve ishte një njeri tepër i zakonshëm. Nuk i pëlqente të dukej. Kishte frikë Perëndie. Bënte jetë misterore brenda kishës. Interesohej shumë për shpëtimin e shpirtit të saj deri në fund, duke thënë se Zoti është i drejtë dhe nuk i mban anë askujt, por e shpërblen njeriun sipas veprave të tij. Por sa e thjeshtë dhe e përulur ishte, aq e zjarrtë dhe pakompromisë për të mbrojtur të vërtetën si ndaj Perëndisë, ashtu edhe për njerëzit, duke mbajtur anën e atij që i ishte bërë padrejtësi dhe nëpërkëmbej nga të tjerët. Ajo nuk shikonte në faqe të njerëzve, por thoshte ato që ndjente, duke besuar se po flet para Perëndisë që i shikon, i dëgjon dhe i gjykon të gjitha me drejtësi. Zelli i saj orthodhoks shfaqej edhe në komunikim me besimtarë jo të krishterë orthodhoks, ose heretikë. U thoshte me urtësi dhe butësi dhe më dashuri dhe me dallim, të vërtetat e besimit tonë orthodhoks, siç mëson apostull Pjetri: “Dhe jini gjithmonë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj, kujtdo që u kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi dhe druajte, duke patur ndërgjegje të mirë.” Rezultatet nuk ishin të pakta; sa vetë ndryshuan mendjen; pranuan të vërtetën dhe u bënë të lirë prej saj. Vetë ata mund të dëshmojnë për këtë.
    Le të theksojmë edhe diçka tjetër: Shumë njerëz, në shenjë mirënjohje, por edhe sipas shëmbullit të shumë mashtruesve të mashtruar, që në emrin e Zotit kërkonin të pasuroheshin, i afronin edhe para Ollgës. Po ajo kurrë nuk i pranoi. U thoshte njerëzve prerë: “unë nuk ju shërbej për para” – duke thënë se Zoti im më ka urdhëruar që këtë punë ta kryej falas, siç i urdhëroi apostujt e tij: “Falas morët, falas jepni!” – duke e treguar kështu veten: një anargjënde.
    Të gjitha sa thamë, janë një retrospektivë e zbehtë e jetës të nënës sonë shumë të dashur, Ollga; dhe tregojnë se Hiri i Perëndisë tek ajo nuk vajti më kot. Luftoi luftën e mirë dhe fitoi. “Pema njihet nga frutat. Një pemë e mirë nuk mund të bëj fruta të këqia. Ju do të njihni profetët nga frutet e tyre.”
    Por ashtu si të gjithë njerëzit edhe ajo nuk mund të rrinte përgjithmonë midis nesh që aq shumë e dëshironim; dhe ashtu si Zoti tha në kryq “Mbaroi”- dhe dha frymën e tij tek Perëndia At – edhe ajo thoshte para se të vdiste: “Unë e kam mbaruar punën time, më duhet të shkoj”. Ndërsa bijve të saj u thoshte: “Tani u rritët, tani mund të ecni vetë”.
    Dhe kush mund t’i besonte ato fjalë. Dhe kur një sëmundje martirike e zuri, me dhimbje të mëdha, askush nuk besonte se Zoti do ta merrte pranë Tij. Qëndroi deri në fund duke duruar dhimbje të pa para. Ajo u thoshte atyre që i rrinin pranë dhe i shërbenin: “Ju nuk e kuptoni se sa dhimbje kam”
    Orët e dhimbjes i kalonte në lutje të pandërprera. Duronte kryqin e saj. Kërkonte mëshirën e Zotit; fuqinë e tij, që të qëndronte deri në fund. Dhe qëndroi.
    Mbylli sytë në paqe dhe dha shpirtin e saj të dlirë mbas një vuajtje martirike rreth orës 15:00 në 14 janar të vitit 2010, rrethuar nga bijtë shpirtëror dhe njerëzit e saj të familjes.
    Dhimbja ishte shumë e madhe. Lotët u derdhën si lumë. Aq e madhe ishte dëshira që ajo të jetonte, saqë shumë nuk e besonin se Ollga kishte ndërruar jetë. U lutën tek Zoti ta ngjallte. Dhe disa e besuan këtë. Por rrugët e Perëndisë janë të ndryshme me ato të njeriut: “Vallë, cili është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri mbi punëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohë? Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu.”
    Ai që lufton luftën e mirë dhe e mbaron punën e dhënë nga zotëria, i takon të kurorëzohet me lavdi dhe nder dhe të pushojë përjetë në gjirin e Abrahamit dhe në tendat e të drejtëve. Sipas apostullit: ” Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun, dhe koha e ikjes sime arriti. Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta. Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që duan dukjen e tij.”
    Vdekja nuk është fundi për njeriun e Perëndisë, por ajo është portë që të çon në jetë. I madh është hidhërimi përpara vdekjes dhe i frikshëm kryqi i mundimit. Po më i madh është gëzimi dhe jeta e lumtur, ku nuk ka as dhimbje as lotë, por jetë të amëshuar. Shpresa, se ajo vajti tek Zoti i saj dhe tek Zoti ynë dhe tek Dhëndrri i shpirtit të saj, tek nëna dhe etërit e saj, për t’u gëzuar në lumturinë e përjetëshme, në ato që syri nuk i pa dhe veshi i dëgjoi, dhe në zemrën e njeriut nuk hynë, të përgatitura për ata që duan dhe durojnë deri në fund; - na i largon hidhërimin dhe i jep kuptim dhimbjes.
    Zoti u tha apostujve: “ Le të mos turbullohet zemra juaj; besoni Perëndinë, më besoni edhe mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë vende; në mos, do t’ju thosha juve: Shkoj t’ju bëj juve gati vend. Edhe si të shkoj e t’ju bëj juve gati vend, do të vij përsëri, dhe do t’ju marr pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë.”
    Edhe ne besojmë se ajo shkoi tek Zoti të na bëj vënd neve bijëve të saj, në qoftë se do të ecim në gjurmët e saj, duke mohuar veten dhe duke marrë kryqin drejt atdheut të përjetshëm, drejt Atit. Shpresojmë të takohemi përsëri. Edhe secilin ta presë në banesën qiellore, siç na priste në shtëpinë e saj tokësore; për të na paraqitur përpara Zotit si bij të dashur të Tij, të lindur dhe të rritur prej saj.
    I përjetshëm kujtimi o shumë e lumtur nëna jonë shumë e dashur Ollga. Amin.
     
    Solaris likes this.
  2. ilia spiro

    ilia spiro Primus registratum

  3. Airbourne

    Airbourne Valoris scriptorum

    I <nderuar> ilias spiridhjaqis,a ka mundesis te me iluminoqis.....

    Pse Kisha Ortodokse Bullgare nuk merr pjesë në Tubimin e Kishave Ortodokse.

    “Kisha Ortodokse Bullgare si një prej pjesëmarrësve më aktivë në përgatitjen e Tubimit të Kishave Ortodokse në ishullin Kretë ishte në pritje deri në fund të rregullores së zhvillimit të mbledhjeve. Për dokumentet e miratuara gjatë viteve të kaluara Kisha Ortodokse Bullgare ka deklaruar qartë qëndrimet e saj, dokumente për të cilat duhej të kishte debate. Mirëpo, e gjithë kjo nuk u rregullua. Në qoftë se një dokument është nënshkruar në një mbledhje gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar, ai nuk mund të jetë aktual në momentin e tanishëm, sepse koha është e ndryshme. Kisha Ortodokse Bullgare merr parasysh edhe qëndrimin e të krishterëve ortodoksë, të cilët duan të ruhet pastërtia e krishterimit ortodoks. Fakti se nuk mund të ndryshojmë asgjë në dokumentet e miratuara, mungesa e debatit, në të cilin ta mbarojmë pozitën e Sinodit të Shenjtë, na detyroi për të marrë vendimin për mospjesëmarrjen në këtë Tubim. Mendojmë se pjesëmarrja jonë do të ishte vetëm një prani, pa pasur mundësi për t’i ndryshuar këto dokumente.”

    Një prej qortimeve kryesore ndaj Sinodit të Shenjtë edhe nga teologët, edhe nga pedagogët në Fakultetet e Teologjisë për mospjesëmarrjen në Tubim është se mbi Kishën Ortodokse Bullgare ka një ndikim shumë të madh nga ana e Kishës Ortodokse Ruse.

    “Shumë mendime, shumë njerëz. Kisha Ortodokse Bullgare e ka deklaruar pozitën e saj. Kurse fakti se disa prej mendimeve tona janë si ato të Kishës Ruse, të asaj Gjeorgjiane dhe të asaj Antiohiane, nuk është shkas për t’u menduar se ka ndërhyrje në sovranitetin e kishës përkatëse ortodokse. Në fakt ky forum zhvillohet pas 13 shekujsh dhe përgjegjësia e të gjitha kishave sot është shumë e madhe. Kështu qe vendimi i Sinodit të Shenjtë tregon se ne nuk jemi kundër zhvillimit të tij, por jemi kundër shtyrjes së tij. Ne mendojmë se një tubim kaq i rëndësishëm për tërë botën ortodokse duhet të mbahet atëherë, kur të gjithë janë në gatishmëri të plotë për diskutimin e të gjitha çështjeve, të lidhura me jetën e Kishës Ortodokse. Pengesat duhet të përballohen me një konsensus të plotë dhe në kontekstin e funksionimit më të mirë të Kishës. Kështu qe ne në asnjë mënyrë nuk përpiqemi ta sabotojmë forumin e pritur dhe nuk duhet të ndihemi fajtor për mospjesëmarrjen tonë. Përkundrazi, pasi nuk ka pasur një tubim të tillë 13 shekuj, ai mund të shtyhet me akoma një vit, që të përgatitet ashtu siç duhet. Sepse nga gjithsej 100 çështje, do të shqyrtohen vetëm gjashtë, kurse 94 çështjet e tjera kur do të shqyrtohen, pas 100 vitesh?”

    A ka të drejtën ky tubim i madh dhe i shenjtë i botës së krishterë ortodokse për t’i ndëshkuar kishat, të cilat nuk bëjnë pjesë?

    “Tubimi ka të drejtën e marrjes së vendimeve objektive. Mirëpo, unë mendoj se mospjesëmarrja jonë është motivuar dhe do të pyes: “A mund të jenë legjitime vendimet e një tubimi të paplotë? Kështu qe unë shpresoj para se gjithash te përgjegjësia e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët mund të kontribuojnë për dobinë e të gjithë të krishterëve ortodoksë.

    Efkalisto dhe qekam ne BOMB form ......TANI.


     

    Attached Files:

Shpërndajeni këtë faqe