Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

Diskutime tek 'Arkivi' filluar nga imported_admin, 12 Nov 2002.

  1. StillMandi

    StillMandi i fresket

    Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Ka nisur dje konferenca shkencore ndërkombëtare "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Gjuha shqipe…ja pse po shkatërrohet

    Gjuhëtarët sulmojnë më së shumti mediat dhe politikanët. Ata po e shkatërrojnë gjuhën.

    Zefina Hasani
    Edhe një herë më shumë, gjuhëtarët janë mbledhur të gjithë tok, në një sallë të madhe në Pallatin e Kogreseve për të zbrasur shqetësimet e shtuara në vite, mbi gjuhën shqipe. Ajo po shkatërrohet me ndryshimet që po pëson çdo herë e më shumë shoqëria shqiptare. Ajo po rrëshqet nga shtrati i saj bazë…të cilin ia ndërtuan 30 vite më parë, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (më 1972).
    Është kjo një rrëshqitje që të gjithë po e ndiejnë t'u kalojë para syve, nëpër duar e nëpër këmbë. Pa mundur askush ta ndalojë…këtë rrëshqitje të gjuhës shqipe, nga shtrati standard i saj.
    Ndaj Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Universiteti i Tiranës, organizuan, 30 vjet pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, një konferencë ndërkombëtare "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"…për të vënë, kështu, një gur (pengese) më shumë, në udhën nga ku po rrëshqet gjuha shqipe.
    Dje në ditën e parë të kësaj konference, ishin të pranishëm emra të njohur në fushën e gjuhësisë…Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Fadil Raka, Rahmi Memushaj, Gjovalin Shkurtaj, Seit Mansaku, Shezai Rrokaj, Kolec Topalli…etj. Mes tyre ishte dhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade dhe ish- presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. E mes studiuesve të gjuhës ishin dhe plot shkrimtarë, botues e pedagogë të fakultetit të gjuhë-letërsisë. Kishte dhe plot studiues të huaj si Matteo Mandala (Itali), Viktor Friedman (Amerikë), Irina I. Voronina (Rusi)…
    * * *
    Ndeshja e shqipes me gjuhët e huaja është rreziku më i madh. Me këtë deklaratë nisi kjo konferencë ndërkombëtare. Mediat, ato të shkruarat dhe ato elektroniket, po përcjellin deformimet që i bëhen gjuhës shqipe përmes përdorimit të fjalëve të huaja (në vend të fjalëve që vetë shqipja i ka). Veç mediave, si të rrezikshëm janë shpallur (sërish) edhe politikanët. Edhe ata përcjellin deformime të gjuhës shqipe me fjalët e huaja që përdorin në fjalimet dhe opinionet e tyre. Të rinjtë, gjithashtu, janë shpallur të rrezikshëm, ndërsa synojnë të duken modern në përdorimin e gjuhëve të huaja që ata dijnë…duke i ngatërruar këto gjuhë mes njëra-tjetrës. Kështu në shqipen e tyre futet dhe anglishtja (në shumë forma të saj), edhe italishtja, edhe frengjishtja...Kështu ka ndodhur prej kohësh. Por ndërsa në fillime, ndërhyrja e gjuhëve të huaja ndihej vetëm në leksikologjinë e shqipes, tani ajo ka shkuar edhe më thellë, deri aty nuk mban më. Gjuhët e huaja kanë depërtuar dhe në strukturën e ndërtimit të fjalive në gjuhën shqipe. Për këtë, gjuhëtarët kanë vënë alarmin. Në këto shqetësime ishte përmbledhur edhe fjalimi i Emil Lafes "Shqipja standarde në vështrimin funksional dhe strukturor".
    Pas tij Idriz Ajeti (nga Prishtina) rrëfeu shqipen standarde në shoqërinë e sotme kosovare. Ka renditur përpjekjet e popullit kosovar, për kultivimin e gjuhës duke treguar kështu edhe një herë historinë, nisur që nga 1912. Pas kësaj hisotrie, Agim Vinca, ka mbajtur kumtesën e studiuesit Rexhep Qose në pamundësi të pranisë së tij në këtë konferencë. "Kongresi i drejtshkrimit- 30 vjet pas" ishte tema mbi të cilën Qosja pregatitit fjalën e tij për këtë konferencë ku ka theksuar se "Megjithëse kontestimi i gjuhës standarte mund të zgjerohet në gjuhët që vijnë, mendja historike thotë se gjuha standarte e krijuar në konventën e Kongresit të drejtshrkimit në vitin 1972, është gjuha e sotme dhe ardhëshme e qytetërimit kulturor të shqiptarëve". Veç kësaj Qosja ka theksuar se kërcënimi që po i bëhet gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, nuk do të duhej të nënçmohet. Qosja ka vënë në dijeni se sa më shumë ikin kohët aq më shumë po bie vetëdija për rolin e faktorëve jashtëgjuhësorë, prej të cilëve varet ardhmëria e gjuhës standarte. Studiuesi nga Prishtina ka kritikuar në një farë mënyre mungesën e bashlpunmit mes studiesve të gjuhës (këndej dhe andej kufijve)- "E kur ata që e flasin dhe e shkruajnë të njëjtën gjuhë standarte nuk i përzihen njëri-tjetrit në punët gjuhësore dhe në punë të tjera mund të supozohet se ç'ka e pret gjuhën standarte dhe se ç'ka i pret ato punët e tjera."-ka lexuar Agim Vinca, mesazhin që Qosja ka dërguar në këtë konferencë. Kur kjo kumtesë e Qoses është shpalosur e tëra në atë sallë, rradhën e fjalimit e ka marrë Shaban Demiraj, i cili ka folur mbi "Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde".
    * * *
    E ndërsa të gjithë kanë sulmuar depërtimin e pafre të gjuhëve të huaja, Xhevat Lloshi ka deklaruar se nuk është dakord në mohimin e plotë të huazimeve, i bindur se një pjesë e fjalëvë të huaja që kanë hyrë në përdorim e kanë pasuruar gjuhën shqipe-"Detyra që na mbetet ne si gjuhëtarë, për të mos e lënë gjuhën të shkatërrohet, është që të ndërgjegjësojmë përdorimin e kësaj shqipeje standarde duke e ngritur atë në shkallën që i përket. Këtë shqipe standarde ta bëjmë të përdorshme për shoqërinë në zhvillim". Veç të tjerash, Lloshi ka hedhur idenë e vendosjes së mësimit të gjuhës shqipe edhe në shkollat e mesme. Kjo do të ndihmonte shumë në ndërgjegjësimin e të rinjve në përdorimin e gjuhës standarde të shqipes. Pas Xhevat Lloshit, Seit Mansaku ka folur mbi zhvillimet e strukturës sintaksore të shqipes dhe normat e saj. Diskutimet janë mbyllur rreth orës 13, për të vijuar sërish sot në orën 8 e 30 minuta, në të njëjtën sallë të Pallatit të Kongreseve dhe me të njëjtët personalitete të mbledhur për të analizuar gjendjen e gjuhës shqipe në shoqërinë e sotme shqiptare…30 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

    Shpjegon prof. Shkurtaj
    Situata fatlume e kësaj konference
    Para 10 vjetëve, me rasin e 20- vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, u organizua një tjetër konferencë e tillë, të cilën e quajtën "Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë". Edhe atëherë u bë një bilanc i gjuhës së njësuar shqipe. E njëjta gjë bëhet edhe tani, në këtë konferencë të dytë. "Veçse këtë herë kjo konferencë po zhvillohet në një situatë fatlume për gjuhën shqipe-shpjegon prof. Gjovalin Shkurtaj. Pas luftës së Kosovës shqiptarët mund të lëvizin këndej dhe andej trevave shqiptare për të parë shqipen standarde e cila i ndihmon të ndihen më të bashkuar me njëri-tjetrin". Profesor Gjovalini sqaron se qëllimi i kësaj konference është i qartë dhe i përhershëm…që të shihen e të diskutohen bashkarisht rreziqet që i kanosen gjuhës shqipe-"Është një paradoks i madh që na çorodit të gjithëvë. Nga njëra anë, të gjithë synojmë të hyjmë në Evropë e nga ana tjetër, themi se gjuhët e huaja përbëjnë rrezikun më të madh. Përballë këtij paradoksi ne gjuhëtarëve na mbetet detyrë kryesore që të marrim në duar gjuhën stantarde e të mos e lëmë të tjetërsohet sipas qejfit të secilit prej përdoruesve të saj." Shkurtaj i hedh sytë tek gegërishtja e shkruar në variantin geg dhe folklori i pasur i kësaj gegërishteje-"Këtu duhet të gërmojmë, aty ku dhe leksiku është shumë i pasur".
  2. Hipparchia

    Hipparchia Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Mandi, a mundesh te me postosh adresen per kete artikull, me shume informacion dhe/ose ndoshta link-un, sepse nje shok i im i ngushte eshte gjuhetar (i shqipes), dhe do te mund t'i interesonte, nqs nuk eshte ende ne djeni...

    te fala,
    x.
  3. StillMandi

    StillMandi i fresket

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    http://www.shqiperia.com/faqjapare/gjuhashqipe.php
    marre nga http://www.shekulli.com.al/kulture/12nentor2002/gjuhashqipe.shtml

    Plus nje artikull per kete ngjarje ke dhe tek Koha Jone 12 Nentor 02,
    http://www.kohajone.com/arshive/2002/11/12/lajmi35.htm

    Edhe nje here per gjuhen shqipe
    Alida Cenaj/ Standardet dhe perdorimi aktual i gjuhes shqipe ka mbledhur dje nje konference shkencore nderkombetare nen emrin "Gjuha standarde dhe shoqeria shqiptare sot", ne ambjentet e Pallatit te Kongreseve. Problemet e shumta dhe keqperdorimi i gjuhes se sotme shqipe duket se eshte ende shqetesimi i gjuhetareve shqiptare, te cilet perballen cdo dite e me shume me rrezikun e zhdukjes dhe perfshirjen e shume fjaleve e huaja te panevojshme ne fjalorin shqip. Mbledhja e djeshme, e organizuar nga Akademia e Shkencave te Shqiperise, Instituti i Gjuhesise dhe Letersise ne bashkepunim me Akademine e Shkencave te Kosoves, Universitetet e Tiranes, Prishtines dhe Tetoves, ka trajtuar dje problemet e shumta aq shume te perfolura te shqipes. Tematika e konferences qe do te zhvilloje punimet e saj edhe sot synon perdorimin e drejte te gjuhes shqipe ne te gjitha sistemet, problemet e normes ne morfologji, sintakse, drejtshkrim, etj. Pjesemarres ne kete konference jane studiues shqiptare, kosovare, maqedonas dhe nga diaspora. Te pranishem do te jene gjithashtu edhe albanologe nga Italia, Gjermania, Franca e Amerika.

    Standardet e shqipes

    Ne konferencen e djeshme kane mbajtur referate studiues te njohur si Jorgo Bulo, Idriz Ajeti, Rexhep Qose nga Prishtina, Shaban Demiraj nga Tirana dhe Leonardo Savoia nga Italia, etj. Organizimi i kesaj konference ka per qellim te trajtoje per gjate dy diteve ne Tirane, perkujtimin e 30-vjetorit te Kongresit te Drejtshkrimit te Gjuhes Shqipe te mbajtur ne vitin 1972, si dhe rishikimin e normave drejtshkrimore gjate ketyre viteve dhe reflektimin e ndryshimeve ne gjuhen standarde te shqipes. Prof. Jorgo Bulo, drejtor i Institutit te Gjuhesise dhe Letersise ne Tirane, theksoi ne fjalen e tij domosdoshmerine e bashkepunimit te qendrave te studimit te gjuhes shqipe, ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni.

    Ndersa Emil Lafe, drejtor i Qendres per Studime Enciklopedike ne Tirane trajtoi temen "Shqipja standarde ne veshtrim funksional dhe strukturor", ku u perqendrua ne problemet qe ndeshen sot ne strukture fonologjike, morfologjike, sintaksore te gjuhes shqipe dhe ne nevojen qe zhvillimi i metejshem gjuhesor te jete me i kontrolluar dhe qe gjuha letrare te vihet nen kujdesin shoqeror dhe shteteror". Mbi "Shqipen standarde dhe shoqerine kosovare sot" referoi Idriz Ajeti, ku theksoi faktin se "leksema kosovare ka nje perdorim te gjere. "Eshte per t'u habitur - tha ai - se sa thelle

    ka depertuar ndikimi i gjuhes se huaj ne kete thesar te gjuhes shqipe". Kumtesen e studiuesit Rexhep Qose, ne pamundesi te pranise se tij ne kete konference, e mbajti Agim Vinca me temen "Kongresi i drejtshkrimit - 30 vjet pas", ku theksohet se "megjithese kontestimi i gjuhes standarde mund te zgjerohet ne gjuhet qe vijne, mendja historike thote se gjuha standarde e krijuar ne konventen e Kongresit te Drejtshkrimit ne vitin 1972, eshte gjuha e sotme dhe e ardhshme e qyteterimit kulturor te shqiptareve".

    Konferenca e fundit qe eshte organizuar mbi gjuhen shqipe nga ky institut i perket vitit te kaluar. Pothuajse cdo vit, mbahet nje konference e tille, mbi problemet e gjuhes shqipe.
  4. shqipe

    shqipe Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    ja dhe nje artikull tjeter mbi te njejten teme

    Profesorët, apel për mbrojtjen e shqipes

    --------------------------------------------------------------------------------

    Jetmira Delia

    Gjuha shqipe ndodhet aktualisht nën trysninë e dialekteve dhe gjuhëve të huaja. Ndërkaq që prej viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i shtetit për politikat gjuhësore.

    Këto dy probleme janë vërejtur në ditën e parë e Konferencës shkencore ndërkombëtare me temë "Shqipja standarte dhe shoqëria shqiptare sot". Qëllimi i kësaj konference që zhvillohet në dy ditë është përkujtimi i tridhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe të mbajtur në vitin 1972, si dhe rishikimi i normave drejtshkrimore gjatë këtyre viteve por dhe reflektimin e ndryshimeve në gjuhën standarte të shqipes. Gjatë referateve të mbajtura nga studiues të ndryshëm janë evidentuar disa karakteristika të zhvillimit të gjuhës shqipe gjatë viteve të fundit si dhe nevoja e kujdesit nga shteti për përdorimin e drejtë të gjuhës standarte. Sipas gjuhëtarëve, historia e gjuhës standarte mund të ndahet në dy faza. Faza e parë nis nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në vitin 1972 e deri në vitet tetëdhjetë, ku fillon dhe faza e dytë e cila shtrihet deri në ditët e sotme. Faza e parë sipas tyre karakterizohet nga marrja e disa masave nga shteti për përvetësimin e normave të gjuhës standarte ndonëse jo të plota, përfshirë këtu edhe organizimin e kurseve kualifikuese të mësuesve, korrektorëve dhe redaktorëve letrarë, si dhe kërkesa për përdorimin e gjuhës standarte në administratë. Ndërkaq, pas viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i strukturave shtetërore për çështjet e politikave gjuhësore. Ajo që ndodh aktualisht me gjuhën shqipe është futja e fjalëve të huaja pa kriter, por, përveç leksikut është prekur edhe gramatika. Kjo ndodh më së shumti në media, qoftë në atë të shkruar apo elektronike. Pjesëmarrës në këtë konferencë janë studiues shqiptarë, kosovarë, maqedonas dhe nga diaspora. Të pranishëm janë gjithashtu edhe albanologë nga Italia, Gjermania, Franca e Amerika. Janë mbajtur një sërë kumtesash nga studiues dhe gjuhëtarë të njohur si; Idriz Ajeti, Rexhep Qose nga Prishtina, Shaban Demiraj nga Tirana dhe Leonardo Savoia nga Italia. Mbi "Shqipen standarte dhe shoqërinë kosovare sot" referoi Idriz Ajeti ku theksoi faktin se "leksema kosovare ka një përdorim të gjerë. Është për t'u habitur" - tha ai - "se sa thellë ka depërtuar ndikimi i gjuhës së huaj në këtë thesar të gjuhës shqipe". Leonardo Savoia, profesor i Universitetit të Firences, mbajti referatën "Aspekte ideologjike të nacionalizmit gjuhësor, dhe u përqëndrua në çështjen e gjuhës kombëtare, vështruar në kuadrin më të gjerë të të drejtave gjuhësore" ku, sipas tij, "të drejtat gjuhësore bëjnë pjesë në të drejtat themelore të njeriut". Studiuesit kanë qenë mjaft të etur për të folur rreth problemeve gjuhësore, shpesh duke kaluar kohën e vënë në dispozicion, ndërsa do të kenë mundësinë që edhe gjatë ditës së dytë të konferencës të diskutojnë për të tjera probleme rreth gjuhës standarte dhe shoqërisë shqiptare.
  5. StillMandi

    StillMandi i fresket

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Për kapërcimin krizës gjuhëtarët duhet të rifillojnë gjallërisht detyrën e tyre, t'u imponohen me autoritet shkencor institucioneve dhe komunikimit publik, të mos e lënë kulturën e gjuhës në duart e dashamirësve diletantë që shkruajnë në shtyp

    Për një gjuhë shqipe dinamike

    Nga Xhevat Lloshi
    Më 1972 politika e vendosjes së një gjuhe standard mbi bazën e toksërishtes e arriti qëllimin. Duke i dhënë kulturës shqiptare mbarëkombëtare një mjet aq të domosdoshëm dhe aq të dobishëm, kjo arritje madhore si fakt i eklipsoi kundërshtimet dhe aspektet negative, të lidhura me politikën gjuhësore që i shërbeu politikës së një regjimi. Variantet e gegërishtes e humbën prestigjin; nëpërmjet iluzionit të konvergjencës, të bashkimit, të njësimit mbarëkombëtar ato u dukën sikur u shuan dhe në ligjëratën politike e shkencore u kthyen në tabu, mbetën vetëm si përbërëse të ligjëratës letrare historike dhe linguistike dialektore. Periudha pas vitit 1972 mund të quhet e politikës gjuhësore entuziaste. Në konferencën gjuhësore të vitit 1984 me lehtësi triumfuese u shpall si politikë që të ecej më tej në standardizimin e gjuhës së folur. Prof. A. Kostallari e shpalli shqipen një nga gjuhët letrare më të njësuara të Europës. Edhe pas njëzet vjetësh, kur kjo politikë gjuhësore ishte vënë nën goditje, vijonin të shqiptoheshin pohime të tilla, si: "Gjuha letrare e njësuar është përvetësuar dhe po përvetësohet me zell dhe dëshirë në qytet dhe në fshat, nga toskët dhe nga gegët". (DODI, 1992). Që në fillimet e saj (1991) shembja e regjimit totalitar në Shqipëri u shoqërua nga një komponente e fortë gjuhësore, duke e parë nga disa shtresa shoqërore si veprim që duhej kryer edhe në fushën e gjuhës. Si mbështetje për t'iu kundërvënë politikës gjuhësore zyrtare të deriatëhershme shërbeu libri i A. Pipës (PIPA, 1989). Thelbi i kësaj politike të re ishte: zhdukja e gjuhës standard si diçka e dështuar, si pjellë e hegjemonizmit dhe e kolonializmit të brendshëm; rikthimi te gjendja me dy gjuhë letrare; vendosja si gjuhë letrare shqipe e gegërishtes së Shkodrës. Dy vjet pas botimit të librit, A. Pipa nisi një fushatë politike botimesh dhe pastaj erdhi në Shqipëri për ta kryesuar zbatimin e politikës së tij. Në këto rrethana u organizua tryeza e Shkodrës në korrik 1992 dhe Deklarata ishte shpallja e një politike të re gjuhësore në Shqipëri. Ajo nuk ishte akt kodifikues, siç nënkuptohej duke e quajtur veten Kongresi i dytë, nuk bën pjesë në planifikimin e korpusit të gjuhës, por në planifikimin e statusit të gjuhës, domethënë synonte një hierarki të re të standardeve. Për më se tre vjet u zhvillua një fushatë e shumanshme për ta kthyer këtë në politikë gjuhësore zyrtare dhe u shfrytëzua e gjithë koniunktura politike e kohës. Në këto rrethana u shpërfaq se ajo përputhej me përpjekjet për përçarjen kombëtare, për kundërvënien veri-jug deri në konflikt civil. Pas seminarit për gjuhën e letërsinë më 1995 autoritetet më të larta shtetërore të kohës deklaruan se gjuha standard nuk ishte një çorbë e regjimit të kaluar, se gjuha standard ishte produkt i një zhvillimi të gjatë dhe se zgjidhja më realiste ishte të vazhdohej përdorimi i saj. Në këtë mënyrë u krijua një gjendje e ngjashme me atë pas dështimit të sesioneve të vitit 1952. "Politika e re gjuhësore" u zhvendos në truallin e rishikimit të historisë dhe argumentimeve shkencore, duke ia lënë një kohe më të përshtatshme rishfaqjen e synimeve të vërteta. Ndërkaq raste të ndryshme shërbejnë si shkas për ta ndezur herë pas here polemikën me tone të ashpra, duke mos kursyer politizimet dhe fjalorin agresiv. Një rast i tillë ishte, p.sh. dhënia e një çmimi letrar më 1999 nga Ministria e Kulturës, duke futur në motivimin për çmimin rigjallërimin e gegërishtes (AGOLLI, 1999; LLOSHI, 1999). Gjithashtu më 2001 u ndez një diskutim kundër gjuhës standard në Kosovë, ku më shumë e ngre zërin M. Kelmendi, autori i një libri (KELMENDI, 1998), që e quan gjuhën standard mjet përçarës dhe ka mbështetjen e një nxënësi gjerman të M. Camajt (përkthyesit H. J. Lanksch).
    Si përfundim, duhet vënë në dukje se kontestimi i gjuhës standard nuk arriti të nguliste një politikë për rrëzimin e saj. Megjithatë gjendja në fushën e politikës gjuhësore të shqipes ka ndryshuar. Jo vetëm nuk ka një politikë të vetme imponuese, jo vetëm janë shfaqur disa drejtime deri në konflikt midis tyre, por edhe tërësia e rrethanave në të cilat hyn shqipja në mijëvjeçarin e ri e shtron si kërkesë përpunimin e një politike që t'u përgjigjet pikërisht rrethanave të reja dhe të mos ngecë në rrjetën e problematikës, që i takon së kaluarës. Shumësia e orientimeve të sotme në politikën gjuhësore shkon nga pranimi i gjuhës standard, duke nënkuptuar përpunimin e mëtejshëm, siç është i natyrshëm për të gjitha gjuhët e tjera, deri te qëndrimi më i skajshëm, se dy variantet u përkasin dy orientimeve kulturore-historike të ndryshme dhe bashkë me ndarjen kombëtare duhet të shkëputen sipas modelit të ndarjes së serbishtes me kroatishten.
    * * *
    Dëshiroj të nxjerr në dukje, se librat, punimet, shkrimet, artikujt, diskutimet në këtë lëmë kanë dy karakteristika themelore: e para, ato shërbejnë për ta përçuar politikën, por në mënyrë që ajo të bëhet e pranueshme, bindëse ose tërheqëse. E dyta, ato karakterizohen nga protagonizmi, domethënë autorët duan të tregojnë veten, të imponojnë veten, të nxjerrin përfitime për veten sot dhe në perspektivën historike. Për të qenë konsekuent deri në fund, këtë e pohoj si dukuri objektive shqiptare, jo në mënyrë përçmuese për të tjerët, domethënë nuk e përjashtoj veten nga kjo karakteristikë. Sesionet shkencore të vitit 1952 ishin mbulesa për masat shtetërore që kishin nisur të zbatoheshin. Protagonizmin e përfaqësonin referuesit dhe diskutuesit që nuk ishin gjuhëtarë dhe që madje as u morën më me gjuhësi. Prof. A. Kostallari ka shkruar gjerësisht për konvergjim, njësim, bashkëveprim, ndërveprim, koine sui generis, ndërthurje organike etj., për ta mbuluar faktin që si gjuhë standard po vendosej një variant me bazë toskërishten, natyrisht, një variant i shqipes si gjuhë letrare, që e përfaqësonte shqipen gjithnjë e më gjerë duke u pasuruar e përpunuar më tej. Protagonizmi i tij ishte për ta paraqitur veten si themeluesin e shqipes standard, madje si arkitektin e veprave themelore kodifikuese: drejtshkrimit e fjalorit normativ (LLOSHI, 1991). A. Pipa ka folur gjerësisht për ringjalljen e gegërishtes letrare, për dështimin e gjuhës standard si diçka artificiale, si stratagjemë politike, që i shërbente kolonializmit dhe hegjemonizmit të një pjese minoritet të kombit mbi pjesën tjetër. Në thelb ai kërkonte rivendosjen e po kësaj gjendjeje, duke bërë gegërishten e Shkodrës mjet hegjemonizmi e stratagjemë të një politike dhe, në rast pamundësie të kolonizimit, të shkëputej pjesa jugore e popullsisë si joshqiptare, si myslimano-bizantine. Protagonizmi i tij nuk është në fushën e kodifikimit gjuhësor, por e integron atë në një rrafsh më të gjerë politik: A. Pipa e shihte përçarjen gjuhësore si një mjet për t'i shkaktuar çarjen mburojës së komunizmit në Shqipëri duke e parë veten kështu si hero të antikomunizmit. Kjo nuk u realizua sepse ishte tepër vonë; ndërsa ai kujtonte se diktatura në Shqipëri do të vijonte të paktën edhe një brez, kur doli libri i tij tashmë muri i Berlinit ishte rrëzuar. A. Pipa u kthye në nismëtar të revanshit.
    * * *
    Duke mos hyrë në hollësitë e pafund të kësaj polemike, dëshiroj të tërheq vëmendjen te thelbi i problemit. Është përpunuar një arsenal kundërvëniesh, që lavdërojnë ose nxijnë një interpretim, si p.sh.: kombëtar - antikombëtar, përparimtar - reaksionar, konvergjencë - divergjencë, afrim - largim, bashkim - përçarje, mbarëkombëtar - lokalist, zhvillim i planifikuar - spontan, demokratik - diktatorial, marrëveshje - imponim, rrafshim - diversitet etj.
    Nga shtjellimi i derikëtushëm besoj se del e qartë, që në shekullin XX vendosja e një gjuhe shqipe standard detyrimisht do të shoqërohej me mbizotërimin e një baze dialektore, që pashmnagshmërisht në kohën e zgjidhjes dhe pavarësisht se cila do të ishte zgjidhja, do të perceptohej si mbizotërim i një orientimi kulturor, si hegjemonizëm. Sot kemi një gjuhë standard, që i shërben kulturës shqiptare mbarëkombëtare. Studimi i historisë së saj kërkon një interpretim shkencor, i cili të mos e nxjerrë këtë studim përtej caqeve shkencore, të mos e shndërrojë atë në armë të luftës politike aktuale dhe të protagonizmit të aktorëve të rinj, e më konkretisht të mos e riaktualizojë luftën për pushtet në gjuhë, synimin për mbizotërim dhe hegjemonizëm. Në kontestimin prej vitit 1991 u ringjall pikërisht problematika e mbisundimit, ndërsa arsenali i kundërvënieve të mësipërme është makiazhi i saj. Në rast se interpretimet në diskutimin e sotëm do të heqin dorë nga kjo mënyrë dhe nga protagonizmi, kemi shpresë se do të kalojmë në hullinë e shkencës së mirëfilltë, do ta kapërcejmë konfliktin gjuhësor, do të merremi me përpunimin e një politike gjuhësore të orientuar nga e ardhmja dhe jo nga fantazmat e së kaluarës, kurse një politikë e tillë do të ndihmonte për të kapërcyer edhe krizën e planifikimit e të kodifikimit gjuhësor. Ndërkaq, ndryshe nga ajo që kam trajtuar dhjetë vjet më parë (LLOSHI, 1991), sot më del si shqetësimi kryesor shfrytëzimi për qëllime ideologjike i fatit të variantit letrar të gegërishtes dhe viktimizimi i saj, duke zbatuar për të tërësinë konceptuale që ka të bëjë me të drejtat e gjuhëve rajonale dhe të pakicave. Gegërishtja në të gjitha shfaqjet e saj është pjesë e pandashme e kulturës kombëtare shqiptare, brenda shqiptarëve nga kjo pikëpamje nuk ka vend për asnjë hije të konceptit për minoritetin, kurse çdo përparim e sukses i trajtave mbi bazën e gegërishtes në letërsinë artistike, në gjuhën e skenës, të këngës etj. është një ndihmesë në pasurimin e shqipes përgjithësisht. Më duhet të përsëris tezën, që e kam nbrojtur prej dhjetëra vjetësh, se të dyja bashkë, norma dhe variacioni, janë faktorë të gjallërisë së një gjuhe.
    * * *
    Për kapërcimin krizës gjuhëtarët duhet të rifillojnë gjallërisht detyrën e tyre, t'u imponohen me autoritet shkencor institucioneve dhe komunikimit publik, të mos e lënë kulturën e gjuhës në duart e dashamirësve diletantë që shkruajnë në shtyp. Hapi i parë është të përpiqen për rivendosjen e prestigjit të gjuhës standard. Për gjuhën shqipe letrare nevojitet koncepti i gjuhës së hapur dhe i dinamizmit, si baza e një orientimi të gjerë kulturor kombëtar që të përballojë sfidën e kohës dhe të jetë koncepti mbizotërues i politikës dhe planifikimit gjuhësor për një të ardhme të kapshme. Autorët e vjetër e bënë shqipen gjuhë të shkruar. Rilindasit e bënë gjuhë të kombit. Pas Pavarësisë ajo u shndërrua në shqipen e sotme dhe të një jete shtetërore. Më 1972 i dhamë trajtë si gjuhë standard të mbarë kombit. Tashti, në mijëvjeçarin e tretë na duhet shqipja e hapur për etapën e identitetit në rrethanat e lëvizjes e të shpërhapjes, të dygjuhësisë dhe të integrimit, na duhet shqipja dinamike në epokën e globalizmit.

    Marre nga shekulli publikuar dhe tek http://www.shqiperia.com/faqjapare/gjuhashqipedinamika.php
  6. StillMandi

    StillMandi i fresket

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Intervistë me Migjen Kelmendin, botuesin e gazetës së vetme në gegërisht në të gjitha trojet shqiptare.

    Gegërishtja nuk është e destinuar të zhduket

    "Ne synojmë rritjen e tolerancës brenda kulturës shqipe", - thotë Migjen Kelmendi, botues i gazetës së vetme të mirëfilltë që përpiqet të konservojë gegërishten e shkruar.

    Kelmedi ka kaluar dy të tretat e jetës së tij duke u brumosur me respektimin e standardit gjuhësor, ndërsa tani është bërë mbrojtësi më i flaktë i gegërishtes. Akuza me të cilën përballet gjerësisht në Kosovë është se ai vetë nuk është në gjendje të shkuajë ashtu siç duhet gegërishten, pasi është brumosur tashmë me standardin gjuhësor dhe një pjesë e mirë e publikimeve të tij respekton këtë standard. "Besonim se ishim në rrugë të mbarë deri në vitin 1990", - thotë ai vetë; "por, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe rritjes së komunikimit me Tiranën, na dha mundësi të kuptonim se sa larg ishte ai standard që ne e kishim mësuar me shpresë për të eliminuar ndasitë, nga standardi që përdoret në Tiranë. Kuptuam se sa shumë ishim larguar nga njëri-tjetri". Intervista e mëposhtme publikohet në Tiranë sipas standardit gjuhësor me lejen e vetë Kelmendit. Me këtë akt, ai dëshiron të tregojë se lufta e tij për gegërishten nuk synon të fyejë ato që dinë të flasin standardin, por thjesht t'u japë të drejtë atyre të cilët kanë mësuar nga nëna të flasin gegërisht, se gjuha e tyre nuk është turp.

    Zoti Kelmendi, cilët janë arsyet që ju kanë shtyrë të bëni një gazetë në gegërisht?
    Gazeta "Java" publikohet pjesërisht në gegërisht, është e para media e tillë që prej 30 vitesh në Kosovë. Arsyeja që na shtyu të hedhim këtë hap është se gegërishtja ka qenë e ndaluar dhe përdorimi i saj në media ishte tabu. Tabuja është gjithmonë shumë provokative, por kjo çështje nuk është thjesht thyerje tabush pasi lidhet me nevojën e rishikimit të standardit gjuhësor aktual. Problemet e krijuara nga kongresi i gjuhësisë duhet të diskutohen sot për të gjetur një zgjidhje dhe për të mos e kthyer nevojën për mbajtjen e kongresit të dytë në një tabu tjetër në brendësi të gjuhës shqipe. Ashtu siç është thënë në editorialin e numrit 1 të gazetës "Java", çështja e gegërishtes i përket para së gjithash nevojës për rritjen e tolerancës brenda kulturës kombëtare. Aktualisht është e vështirë të flitet për tolerancë në kulturën shqipe, pikërisht për faktin se kjo kulturë është agresive ndaj idiomës më të vjetër dhe më të përdorur të gjuhës shqipe. Kur them më të vjetër, kuptoj faktin se dokumentet e parë të shqipes së shkruar i përkasin kësaj idiome. Nëse ne në Kosovë flasim për standardin gjuhësor, nuk mund të hiqemi të shurdhër për gegërishten pasi gegërishtja është realiteti gjuhësor i Kosovës. Qëndrimi prej shurdhi ndaj këtij realiteti para së gjithash nuk është shkencor, ndërsa nuk mund të konsiderohet as njerëzor. Ne e nisëm publikimin e "Javës" si një thyerje tabush, por sot kuptojmë se është një çështje e tolerancës kulturore.

    Akademia e Shkencave të Beogradit ka propaganduar gjithmonë idenë se shqiptarët e Shqipërisë janë një popull i ndryshëm nga shqiptarët e Kosovës. Propagandimi i gegërishtes është konsideruar gjithmonë si një hap përçarës dhe vlerësohet se përvetësimi i standardit gjuhësor nga krahinat ku fliten dialekte është konsideruar gjithmonë si një sakrificë në emër të unitetit kombëtar. Juve a nuk mendoni se keni hapur një problem që në fund të fundit konsiderohet përçarje?

    Prania e dy trungjeve kryesore në gjuhën shqipe është dhe ka qenë gjithmonë një realitet. Ai shtet serb që përdorte këtë fakt si argumentim për ndarjen e Shqipërisë nga Kosova nuk ekziston më dhe nuk është i pranishëm në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi mundësi të flasim rreth këtij problemi. Standardi gjuhësor nuk ka pasur kurrë sukses në Kosovë përderisa mbi 80 për qind e popullatës nuk e njeh atë. Ne mendonim se deri diku e kishim përvetësuar standardin gjuhësor, por me rritjen e komunikimit mes shqiptarëve zbuluam realitetin e hidhur se sa ndryshëm flasim shqip. Për shkak të moskomunikimit të gjatë, standardi gjuhësor ka marrë në Kosovë deformime të rënda të cilat na detyrojmë të rishikojmë në mënyrë shkencore problemin. Gazeta "Java" nuk ka marrë përsipër të gjejë zgjidhjen e këtij problemi, por ne dëshirojmë të shfaqim realitetin gjuhësor të Kosovës dhe për të hapur debatin rreth nevojës së ndryshimeve.

    Si e vlerësoni rolin e Kongresit të Gjuhësisë në krijimin e kombit shqiptar?

    Na thonë se pa Kongresin e Gjuhësisë nuk do të kishte ekzistuar kombi, por e vërteta është se shqiptarët kanë ekzistuar edhe para vitit 1972 dhe kanë jetuar edhe pa standard gjuhësor. Si vallë ia kemi dalë mbanë të komunikojmë, të shkruajmë apo vajtojmë ne pa standard gjuhësor?! Ne nuk mund ta konsiderojmë vitin 1972 si një pikë fatale në ekzistencën e kulturës shqiptare. Fakti që ne na nevojitej një standard gjuhësor është i pamohueshëm, por politizimi i tejskajshëm i kësaj çështjeje nga qeveria komuniste e asaj kohe nuk ishte i nevojshëm. Standardi gjuhësor është një hap për thjeshtimin e komunikimit mes njerëzve, por viti '72 nuk e ka thjeshtuar aspak komunikimin mes shqiptarëve. Përkundrazi! Ai e ka komplikuar komunikimin. Ka shumë argumente për këtë përfundim: Së pari, është efektiviteti i ulët i letërsisë shqiptare. Së dyti, është prania me bollëk e paragjykimeve që ekzistojnë në Tiranë për të gjithë ato që flasin gegërisht si malok, shpellar, apo primitiv. Është ky standard që vazhdimisht ka prodhuar dhe mbështetur paragjykime dhe stereotipe mes kulturës shqiptare. Është ky standard që e pakëson fuqinë dhe diversitetin e gjuhës shqipe. Të gjithë njerëzit që kanë kërkuar rishikimin e standardit gjuhësor janë akuzuar menjëherë si përçarës. Unë kisha me thënë të kundërtën. Pikërisht përçarja e shqiptarëve është bërë në vitin 1972 duke e futur vetëm një idiomë të gjuhës shqipe në standard dhe duke lënë gjysmën e gjuhës jashtë. Është pikërisht mohimi i gegërishtes në standard ajo që po krijon dy gjuhë shqipe, ndërkohë që pranimi i kësaj idiome në standard do ta zgjidhë problemin. Realitetet e sotme gjuhësore më japin të drejtë për këtë. Tridhjetë vite pas vendosjes së standardit dhe propagandimit të gjithanshëm të tij, një pjesë e mirë e shqiptarëve të Shqipërisë vazhdojnë të flasin ndryshe. Nëse më pyesni se jam apo jo kundër vendosjes së standardit, unë ju them jo. Nevojitet një standard. Por unë kritikoj me forcë mënyrën se si kultura shqiptare iu përgjigj sfidës së standardit. Një copë rrugë është bërë me këtë standard. Të gjithë ato që e kanë kritikuar atë nuk kanë kërkuar për asnjë çast rrëzimin e këtij standardi dhe ndërtimin e një standardi tjetër me bazë gegërishten. Asnjë njeri që mendon seriozisht për nevojën e ndryshimit të standardit nuk kërkon ndryshimin rrënjësor të tij. Kërkohet thjesht që të kapërcehet parimi diktatorial me të cilin u krijua standardi dhe vendosja e parimeve demokratike për këtë çështje. Standardi duhet të gjejë zgjidhje që i vijnë për shtat jo vetëm një pjese të gjuhës shqipe, por të gjithë gjuhës.

    Pra ju kërkoni vetëm legalizimin e gegërishtes në standard?

    Më së pari nevojitet të hiqet tabuja ndaj gegërishtes. Duhet që të pranohet publikimi i materialeve në gegërisht. Duhet që njerëzit që flasin gegërisht të lejohet të punojnë në media. Që nga krijimi i Parlamentit të Kosovës, shumë deputetë nuk e njohin standardin dhe përpiqen të flasin sipas standardit. Gjuha që përdoret realisht nuk respekton asgjë.
    Intervistoi: Gjergj Erebara/shekulli
  7. manga

    manga Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    n'standard duhet me thane: une kisha per te thene te kunderten...
    problemi i standardit t'shqipes s'asht problem shkenctaresh e gjuhtaresh, por asht problem shoqnor.
  8. StillMandi

    StillMandi i fresket

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Manga,
    Nuk e di ta kem shkruar ate rrjesht qe ke cituar, megjithate edhe nese ka ndodhur kjo nuk do te thote gje.

    Problemi i Gjuhes se Sotme shqipe eshte se po ekspozohet shume shpejt perballe kulturave te tjera qe po e zbehin nga pak. Do vesh re qe gjuha jone eshte varferuar shume ne fjale nese ben nje perkthim nga anglishtja psh. 30% dhe mos me shume te fjaleve do i perkthesh identik sic jane ne anglisht.

    Problemet qe diskutohen ne konference me sa kam vene re jane dy kryesoret.
    1. Roli i Medias dhe i botes letrare ne percaktimin e asaj qe eshte gjuha e paster dhe largimin e zhargoneve qe e demtojne.
    2. Rifutja dhe respektimi i Dialektit Gegerisht eshte shume i pasur ne fjale, megjithese pak i rende ne shqiptim dhe ne fonetike.
  9. manga

    manga Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    s'e ke shkrue ti, por e ka shkrue ai gazetari...edhe, mu ktu asht problemi: permes ktyne detajeve vrehet se sa lehte asht me e influencue nji gazetar amator. njeri qi i sheh kto gabime, t'njajta n'peshe sikurse perdorimi i fjalorit t'huej n'vend t'atij shqyp, menjiheri kalon n'tjera shkalle t'rezonit edhe thote qi ktij gazetari s'duhet me ja vue fort veshin, sepse s'i ka krye me rregull e me kohe detyrat e shkolles (dmth s'e ka msue gjuhen qysh duhet).

    une besoj n'gjuhen shqype edhe jam i bindun qi ajo ka me i qindrue vershimeve t'kohes. nese gjuha jone asht e lige edhe syn qindron, at'here ma mire qysh tash ta ndrrojme njiket gjuhe se sa kur t'bahet vone. s'asht dichka qi po ndodh per here t'pare n'bote: irlandezt e kane humb gjuhen tash e 500 vjet, e kerkush s'kahet per at pune...n'anen tjeter, na vet shqypet e kem hupe religjionin (tipar po qaq i randsishem per shoqnine, sa edhe gjuha), e megjithate s'u ba nami...prap po them, gjuha s'ruhet me kongrese (perkundrazi, ajo veq cungohet): gjuha ruhet me perdorim edhe me rrespektim t'vlerave (s'ban me i thane burre i mire atij gazetari qi s'i ka ba detyrat e shpise kur u kane nxans)...

    s'asht puna te media...puna asht te shkolla: kush ja ka dhane shkollen atij gazetari?
  10. a_maliqi

    a_maliqi Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Letra e Adrian Klosit, drejtuar "perkujtuesve" te standardit.

    Të nderuar kolegë,

    të dashur mjekë, juristë, kritikë dhe gjuhëtarë organizatorë të kësaj përkujtimoreje

    Më lejoni në radhë të parë t'ju dërgoj nëpërmjet këtij mesazhi përshëndetjet dhe urimet e mia më të ngrohta me rastin e kësaj mbledhjeje përkujtimore që bëni për nder të 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

    Besoj se duhet ta ndjeni veten të rinj në zemër e në mendje, kur kujtoni atë vit të shënuar të 1972-shit, 30 vjet më të rinj në moshë, por po aq vjet sa atëherë edhe sot për nga entuziazmi, kur ngritët dorën njëzëri, pa asnjë stepje a dyshim, për të miratuar gjuhën e përbashkët të shqiptarëve, që mbeti e tillë dhe do të jetë e tillë në shekuj të shekujve, siç e deshën dy apo të paktën dy nga ata pak arkitektë të Shqipërisë së re.

    Ne që kemi qenë thuajse të vegjël në atë vit, 1972-shin e mbajmë mend si një vit të zymtë; megjithë disa shenja liberale që kishin nxjerrë kokë në kryeqytet, atmosfera e përgjithshme ishte ushtarake dhe disi e frikshme. Kudo në ajër ndihej preludi i spastrimeve të mëdha, që do të nisnin pak muaj më vonë, e që do të përfshinin pothuajse të gjitha fushat e jetës sonë, me përjashtim të gjuhësisë. Kjo dëshmon, se në vendimet që morët atë nëntor të paharruar lidhur me drejtshkrimin e gjuhës sanë (siç thoshte Buzuku), kryesisht mbi të shkruarin e drejtë të tingullit ë, i cili qysh aty e tutje do të mbushullonte gjithë tekstet e shtampuara të shqipes, ishin kryekëput të drejta, të pakritikueshme, pa as dhe një gjurmë liberalizmi. Asnjë nga kuadrot e larta të gjuhësisë sonë, ata që na vinin në fakultet për të na shpjeguar gjuhësinë marksiste me xhipe ushtarake kineze, nuk u bë objekt i spastrimeve në vitet '70-'80, ndryshe nga sivëllezër të tyre letrarë, përkthyes, historianë, ikonologë etj. etj.

    Por të shkëputemi pak nga kujtimet. Shkaku që më uli t'ju shkruaj është përjashtimi që më keni bërë nga pjesëmarrja në ceremonialin tuaj, ritual që e përsërisni çdo 10 vjet, pa ftuar askënd nga ata që mund të kenë shprehur ndonjë gjykim kritik për vendimet historike tuajat këtu e 30 vjet më parë.

    Sa për kujtesë kam një kontribut të caktuar në gjuhën shqipe, që përfshin veç një numri studimesh mbi gjuhëtarë si F. d. Sosyr, Martin Camaj etj., edhe monografi të plota si ajo për arbërishten e Greqisë, ose fjalorë etj. etj. Për afër 5 vjet kam dhënë mësim albanologji në Universitetin e Mynihut. Në sytë tuaj kam pasur ndoshta fatkeqësinë, që kam shprehur në mënyrë të përsëritur kritikë për disa vendime të Kongresit historik dhe kam kujtuar nevojën për reformime, gjithashtu që kam qenë kundër ndalimit total në gegënishtes letrare nga botimet shqipe, që jam kundër bastardimit të autorëve tanë të traditës në tekstet shkollore, që kërkoj mësimin e gegënishtes nga nxënësit e shkollave tona etj.. Por, më falni që ju kujtoj një të vërtetë kaq të thjeshtë: të ushtruarit e kritikës nuk ta heq dot kualifikimin profesional dhe nuk ta ndryshon dot profilin. Ndërkohë ju keni ftuar mysafirë nga ana e anës, nga disa kontinente të Dheut, duke harxhuar me mijëra dollarë për të bërë festimet e rastit, më falni për konferencën tuaj, ndërkohë që për mua as një 500 lekëshe të taksisë nuk do të kishit paguar, nëse unë do t'ju kisha paraqitur si faturë.

    Por, të kuptohemi, profili im nuk ndërron, pse ju nuk më ftuat në jubileun tuaj të shënuar. Unë do të mbetem njeri që edhe e shkruan edhe e studion fjalën shqipe, pavarësisht nga hierarikia juaj e sotshme e vlerave, që është ajo e qëmotshmja. Madje nuk jam as i mërzitur për këtë mosftim, për të mos thënë se fshehurazi krenohem që disi ia paskeni frikën debatit tim në atë podium, ku me sa duket do të përsëdytet a përstretet uniteti i '72-shit. Jo, të isha nisur nga arsye private, nuk do t'jua kisha shkruar këtë mesazh të hapur në një gazetë të madhe; porse, duke pyetur disa miq e kolegë, që më thanë gjithashtu se nuk ishin ftuar prej Jush, kuptova se gjithçka ndodh në kuadrin e një politike, që në thelb ka mbetur, le ta themi hapur, enveriste-kostallariane. Ju nuk keni ftuar as Aurel Plasarin, studiues e filolog i nderuar, as Ardian Vehbiun, ndër më të talentuarit gjuhëtarë të brezit të mesëm, as "disidentë" të hapur të njësuarishtes si Migjen Kelmendin në Prishtinë as... as. Më e keqja është se, sikundër mësojmë nga kolegë të tjerë (të ftuar) referatet për konferencën tuaj jubilare, duhej të ishin dorëzuar në drejtori (!) qysh një muaj më parë.

    Por le ta lëmë tani mënjanë mbledhjen tuaj nostalgjike, për të folur më mirë për çështje të përmbajtjes, që janë në të vërtetë objekti i këtij shkrimi. Duke qenë se s'më jepet mundësia të komunikojmë në një sallë të mbyllur, më lejoni që t'ju drejtoj këtu publikisht nja katër a pesë pyetje dhe më gëzoni, sikur përgjigjet për këto pyetje të m'i jepni po përmes shtypit, qoftë edhe dikur më vonë, pasi të kalojnë këto ditë të hareshme të Përkujtimit.

    1. A do të vazhdoni ta quani gjuhën që normuat më 1972 dhe që përdorim të gjithë sot në shtyp e libra gjuhë të njësuar shqipe? Ka më kuptim që të përdoret demagogjia për një gjë që është krejt e thjeshtë dhe evidente? Gjuha standarde shqiptare është varianti tosk me nja dy shtesa, të marra nga gegënishtja, si prapashtesa -ues dhe fjalë si ranishte e zanore, që nuk ndryshojnë asgjë nga karakteri i saj thjesht tosk. Nga varianti, apo variantet veriore të shqipes në këtë gjuhë të normuar nuk u mor asgjë prej tingëllimit të tyre (as zanore të gjata e të shkurtra, as hundorësia etj.), pra hiçgjë në pikëpamje fonetike dhe po asgjë në gramatikë. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme dhe çnjerëzore. Shumë gjuhë standarde europiane e më tej janë krijuar si mbizotërim i njërit dialekt dhe humbje e dialekteve të tjera. Çudia më e madhe është se, edhe 30 vjet mbas një vendimi zyrtar, në një Kongres, ku ishit ju delegatë (por ku nuk ishte ftuar askush prej përfaqësuesve të qarqeve letrare të Veriut, kuptohet, pjesa më e madhe e tyre dergjeshin në burg, ose jetonin në ekzil, ndër ta studiues me emër si Namik Ressuli, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj), por ku këta nuk thanë dot fjalën e tyre, ju vazhdoni të flisni për gjuhë të njësuar. Toskërishtja me gegënishten nuk kanë qenë asnjëherë të njësuara dhe as nuk mund të njësohen nga ndonjë tryezë akademike; ato do mund të ishin afruar pas disa brezash, sikundër jua patën thënë Aleksandër Xhuvani e Eqrem Çabej qysh në vitin 1952 (po ju nuk dëgjonit ata, por dëgjonit zyrtarët e lartë të PPSh, pasi fundja ata ju mbanin me rrogë). E pra le ta themi hapur, tani që s'na dënon më njeri, se gjuha që përdorim sot në shkrim është një toskërishte e normuar. Apo nuk jeni dakord? Atëherë pyetja mbetet në fuqi.

    2. Pasi kemi pranuar që përdorim e shkruajmë në publik një toskërishte të normuar, çdo të bëhet me gegënishten e shkruar që ka një traditë mbi 500 vjeçe? Do vazhdojmë ta ndalojmë nëpërmjet mallkimit (për përçarje kombëtare), përqeshjes dhe heshtjes? E keni vënë re si torturohen nxënësit e shkollave me Fishtën e me Mjedjen, bile edhe me Migjenin, pasi nuk i kuptojnë më? Nuk do të kushtonte asgjë, as juve, si korifej të gjuhësisë zyrtare, as Ministrisë së Arsimit, që nxënësve t'u jepeshin disa orë mësim për këtë variant të shqipes me një muzikalitet e pasuri të magjishme leksiku. Mos keni frikë se do t'i mundoni! pasi nxënësit shqiptarë kanë një kokë aq të madhe sa aty mund të hyjnë brenda gjithë gjuhët e Bashkimit Europian, jo më një variant i shqipes.

    Mos thoni që ndalimi i gegënishtes më 1972, madje qysh me vendosjen e regjimit komunist, nuk pati pasoja për gjuhën dhe kulturën tonë. Merrni vetëm poezinë. Me këtë ndalim shteri poezia e vërtetë nga ato vise, duke mbetur vetëm disa vargje partizane. Tradita e madhe e Bogdanit, Fishtës, Shantosë, Mjedjes, Prenushit, Migjenit etj. humbi përjetë, në mos po vjen ndonjë ringjallje e papritur. Vetëm Martin Camaj në mërgim mundi ta mbajë gjallë atë frymë e atë melodi, por ishte, ajme, një zë thuajse në humbëtirë. Ç'ishte e mirë nga poezia shqiptare që u shkrua në mëmëdhe pas vitit 1945 vinte kryesisht a tërësisht prej autorëve nga Jugu, ndërkohë që deri para Lufte kishte qenë në përgjithësi e kundërta: Veriu e kishte pasur më të fortë tingëllimin e poezisë. Edhe vetëm ky fakt duhet të mjaftojë që të pohoni, se reforma e vitit 1972 solli, krahas normimit, humbje të thella në kulturën tonë. Ky pohim nuk i lëviz asgjë gjuhës sonë të shkruar, pasi veç një i marrë mund të kërkojë sot ndryshimin e gjuhës zyrtare të Shqipërisë, që e ka përqafuar edhe Kosova e Maqedonia, por fjala është gjetiu; fjala është çdo të bëhet me një pasuri që e kishim dhe nuk e kemi më. Nëse doni të heshtni edhe këtë herë, heshtni dhe mos e prishni gëzimin. Veçse kjo pyetje do t'ju shoqërojë në çdo jubile dhe do t'jua prishë gëzimin e festimeve, po nuk u morët sa më shpejt me të.

    3. Si pranuam që shkruajmë dhe flasim në publik një toskërishte të rregulluar (nga rregullat e Drejtshkrimit), a mendoni se kanë vend këto rregulla për t'u përmirësuar? Si duhet thënë, rregulli apo rregulla, problemi apo problema? Si i bëhet, p.sh. që të pakësoheshin ca këto ë-të dhe të-të-të-të e gjuhës sonë? Them se mund ta bëjmë gjuhën tonë të shkruar më të zhdërvjellët, më të saktë, duke e zbatuar atë parim që e keni shpallur si në krye të drejtshkrimit tonë, parimin fonetik. Bie fjala kur përplaset ë-ja e një pjesëze si të ose përemri si më me një zanore në fjalën vijuese, mos do të ishte e udhës ta hiqnim ë-në me një apostrof? Shembuj të tillë ka plot, por pyetja ka të bëjë me thelbin: a mendoni se drejtshkrimi ynë ishte kaq i arrirë, kaq pa cen e pa të plasura, sa ka ngrirë një herë e përgjithmonë? Që të jem i sinqertë, më mirë mos iu përgjigjni kësaj pyetjeje, më mirë mos mendoni për ndryshime ju, që nuk dini të ushtroni pluralizëm, sepse ndryshimet kanë nevojën e një debati të gjerë dhe mirëkuptimi mes njerëzish, nga ata që ju i ftoni ose i përjashtoni; e me të përjashtuar debat mirëkuptimi nuk mund të ketë.

    4. Në ditët e lavdishme, kur vendosët se si duhej drejtshkruar shqipja, thatë se do të punoni edhe për drejtshqiptimin e saj. Ky mbeti një projekt i vagullt i parealizuar asnjëherë. A keni menduar ndonjëherë, a do të mendoni ndoshta në këto ditë përkujtimore, se si duhet shqiptuar drejt shqipja? Duke qenë se nga ky front s'ka pasur asnjë lajm, shumica e shqiptarëve e dinë se shqipja duhet shqiptuar siç shkruhet. Kjo i bën nxënësit e shkretë, qofshin këta nga Jergucati, nga Vermoshi, Dibra ose Bujanovci që të lexojnë mirë, pjesëmarrje, anëtarë, duke e theksuar fort ë-në, megjithëse kjo asnjëherë nuk dëgjohet, hiq disa fshatra të Labërisë. E pra pyetja është: do mund t'i përvisheni kësaj pune, do të nxirrrni një "Drejtshqiptim të gjuhës shqipe", ndoshta duke përsëdytur lavdinë e 1972-shit? Nxënësit dhe gjithë shqiptarët, sidomos ata me origjinë nga Shkumbini e përpjetë, do t'ju ishin mirënjohës.

    Pa u zgjatur më me pyetje të tjera - dhe të tilla ka plot, se gjuha shqipe s'mund të ketë ngrirë më 1972, siç do ta dëshironin ndoshta ata më nostalgjikët mes jush, por ka lëvizur me një temp mjaft të shpejtë - po e mbyll këtu, me shpresë për një përgjigje publike. Vetëm se, dhe këtë e nënvizoj, pasi në të tilla raste e shumta kam marrë përgjigje nga ndonjë jurist, mjek, ose kritik letrar, që këtë herë të marrë mundimin e të më përgjigjet një profesionist, si kolegu ndaj kolegut. Dhe tani, duke ju dëshiruar ditë sa më të bukura në kongresin a përshpirtjen tuaj të radhës, duke dashur nga fundi i zemrës, që kështu si sot të takoheni edhe për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit e më tej, po ju them edhe urimin që ju shkon më shumë:

    Mos u plakshi!

    Ardian Klosi
  11. Prozator

    Prozator Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Është fare e qartë tashmë që euforia, i cila karakterizoi këtë konferencën e fundit për gjuhën standarde, ishte tipike e kohës së kongreseve të Partisë. Edhe më e qartë është që shkenca shqiptare e ka humbur aftësinë e saj për të ecur me kohën. Natyrisht, nëse e ka pasur këtë herë këtë aftësi. Një shembull ilustrues për këtë është fakti që këta të kërrusur që organizuan këtë konferencë ishin shumë përzgjedhës në shijet e tyre për personalitetet e fushës së gjuhësisë. Siç mund të kuptohet, u lanë jashtë ata njerëz që kanë rezervat e veta për gjuhën standarde.

    Nga ana tjetër, pikërisht njerëzit që u përjashtuan nga kjo ngjarje, normalisht, do të derdhin vrerin e tyre personal dhe profesional që tashmë duket i justifikuar. Dhe kjo situatë mund të vrojtohet lehtësisht dy-tre ditët e fundit në shtyp. E vërteta është që disa prej tyre tanimë kanë rastin që për një kohë të gjatë t'i shesin disa nga kopallat e veta për intelektualizëm dhe humanizëm të kulluar edhe për një kohë relativisht të gjatë.

    Ndërsa ndryshimi kryekëput i gjuhës standarde duket hallvë e ftohtë, edhe pse tani është në pozitën më të vështirë në të cilën ka qenë ndonjëherë, aktualizimi i saj duket i pashmangshëm.
  12. a-alket

    a-alket Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    shoh qe te qenit i "kerrusur" te hiqka te drejten te jesh studiues i gjuhes dhe te qenit i ri, gay, apo pordhac te ben direkt person me grada shkencore. botimet e ardian klosit jane pordhaclliqe qe nuk kane lidhje me gjuhen. keta tre bucko duhet te futen ne strukturat e studimit te gjuhes shqiptare qe te marrin pjese ne nje konference te tille. nuk i pelqeka Ardian Kloqes qe Viktor Friedman eshte ne konference dhe jo Ardiani...hah..Friedman ka botuar fjalorin me te plote ndonjehere Anglisht-Shqip<->Shqip-Anglisht...dhe eshte i kerrusur i shkreti se ka studiuar dhe jep mesim ne UC Berkeley..nuk i rri gjoksi para e bytha mbrapa si Ardianit.

    Bahri Beci(universiteti i shkodres) qe eshte pro dy-standardeve ...merr pjese ne kongress, katedra e Shkodres qe ka rezerva per standardin eshte e pranishme ne Kongress. pra, ardianet, e plasaret duhet te inkuadrohen ne strukturat e gjuhesise qe te jene te ftuar e jo pse jane te rinj, gay, apo se kane vjedhur nje pozicion albanologjie ne Uni-Munich!
  13. a-alket

    a-alket Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    nga migjen kelmendi:

    realiteti lingual
    nevoje imediate
    reprezentet e Kosoves
    ridizajnoj
    rast frapant
    argument krucial
    Vokabulari triumfant

    ....
  14. Karl von Ghega

    Karl von Ghega Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Per bscemscs !!!
    I nderruar zoterri !Perr tu fjallosur per temen e siperpermendur ( ashtu si fjallosesh ti me koken perrpjete ) duhet te identifikohesh me emrin tuaj te vertete perndrishe nuk te quhet kjo - eshte faull . Sado shkolle te kesh nuk ma merr mendja se ke aq dituri qe te humoristikoc ato burrat e tjere . Ti na e ditke se Shkodra paska rezerva dhe paska derguar perfaqesues ( e kjo te bie pershtat ty e babait tend komunist ), ghithashtu edhe Ardian Klosi nuk qenka i mire e paska vese ( ti ma merr menda ke me shume se ai )edhe Plasari qenka ku di une se cfare , lexoje nje cicke kete artikullin mo , edhe na dil me nje konkluzion me te shendoce .

    Prof. Dr. David Luka

    10-VJETORI I "DEKLARATËS" SË GJUHËTARËVE TË SHKODRËS

    Në prill të vitit 1992 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i dërgonte Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" një shkresë të firmosur nga drejtori i tij, z. Jorgo Bulo, ku vihej në dijeni se do të përkujtohej 20-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit. Në platformën, që pasonte shkresën, shkruhej: "Në nëntor 1992 mbushen 20 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili sanksionoi kurorëzimin e procesit të njësimit të gjuhës letrare kombëtare ...".

    Kjo platformë, ashtu siç qemë mësuar, tingëllonte si direktivë partie. Pra, gjuhëtarët do të mblidheshin jo për të shpalosur mendimet e tyre, po thjesht për të glorifikuar vendimet e Kongresit.

    Nisma e Institutit për këtë tubim nuk qe rastësi. Sepse, me fillimet demokratike në Shqipëri, qe shtruar për diskutim edhe problemi i gjuhës letrare kombëtare. Çështjet që shtroheshin për diskutim mund të përmblidhen në tri pika:

    A qe shkencërisht e drejtë zgjidhja e Kongresit të Drejtshkrimit?

    Cili qe roli i partisë-shtet dhe personalisht i Enver Hoxhës në këtë proces?

    Cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?

    Problemi i parë duhej të diskutohej detyrimisht, sepse në Kongresin e vitit 1972, qe arritur në përfundimin se "gjuha letrare kombëtare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimin e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes dhe elemente të rëndësishme dalluese të të dy dialekteve"1). Gjuha letrare kombëtare tani do të vështrohej si "mbidialektore"2). Po të ishte kështu, gjithçka do të përligjej. Mirëpo, siç do të pohohej më vonë, baza dialektore e kësaj shqipeje standard, na dilte toskërishtja letrare. Për herë të parë ky fakt u vu në dukje në veprën e Xhenet Bajron (1976)3), ku thuhej qartë se "Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard", pohim që kundërshtohet prerazi nga A. Kostallari se "Në këtë vepër ... formimi i shqipes letrare të njësuar trajtohet në mënyrë të thjeshtëzuar e të shtrembëruar"4). Në këtë situatë, kur për të njëjtin proces shpreheshin mendime krejtësisht të kundërta, diskutimi se cila qe baza dialektore i kësaj shqipeje standard bëhej imperative. Kjo shprehet qartë në intervistën që Anastas Dodi i jep gazetës "Java" të Prishtinës. I pyetur nga gazetari: Pse në Kongres nuk u tha që baza e gjuhës letrare shqipe, që po fiksohej aty, është dialekti toskë?; Dodi përgjigjet: Më kujtohet që kjo punë u bisedua, dhe ne i bëmë vërejtje atij referatit të Kostallarit, edhe i thamë se duhet të thuhet që dialekti bazë është toskërishtja, që vihet në bazën e gjuhës letrare. Por, u tha se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa të sjellë ndonjë dobi5). Në qoftë se në këtë intervistë nuk ka ndonjë lajthitje a ndonjë lapsus, del krejt e qartë se këtu nuk bëhet më fjalë për shkencë gjuhësore, por për politikë demagogjike.

    Problemi i dytë (për rolin e partisë-shtet e të Enver Hoxhës në këtë proces), nuk shtrohej as për mllef e as kot së koti. Me të drejtë E. Sedaj6) rithekson7) se pikëpamjet e A. Kostallarit më 1972 qenë të njëjta me ato të Enver Hoxhës, të paraqitura 17 vjet më parë më 1955.

    Problemi i tretë, cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare, duhej diskutuar doemos, sepse kishte të bënte kryesisht me ndalimin që i qe bërë gegërishtes letrare pas vitit 1972. Çdo të bëhej, pra, me këtë gegërishte, me të cilën qe shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga përfaqësues të mëdhenj e të denjë të kulturës shqiptare si M. Camaj etj.

    Në qoftë se sot, pas dhjetë vjetësh, mjaft gjëra janë sqaruar, më 1992 shumë prej tyre shtroheshin për zgjidhje. Kjo ishte një ndër arsyet që përligjte një tubim gjuhëtarësh. Po ajo që e bënte të domosdoshëm këtë tubim qe përjashtimi që po i bëhej këtyre gjuhëtarëve8)nga veprimtaritë zyrtare të kohës, vetëm sepse nuk mendonin njëlloj me direktivën e platformës, bile edhe po e kundërshtonin atë.

    Më 24 korrik 1992 Muzeu Historik i Rrethit, në bashkëpunim me Katedrën e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës organizuan Tryezën e rrumbullakët me temë "Probleme të gjuhës letrare kombëtare". Veprimtaria u zhvillua në sallën e ligjëratave të Muzeut.

    Për të formuar një ide të qartë për këtë tubim të stërpërfolur mbarë e mbrapsht, po sjell këtu Platformën e diskutimit shkencor për problemet e gjuhës letrare kombëtare në tryezën e rrumbullakët, e cila i bashkangjitej ftesës për pjesëmarrje në këtë veprimtari9). Aty shënoheshin edhe çështjet që do të diskutoheshin:

    1. Një ndër tiparet kryesore të gjuhës shqipe, duke u nisur që nga autorët e vjetër, veçanërisht te Bogdani, në periudhën e Rilindjes e në vazhdim (Komisia Letrare e Shkodrës, 1917) ka qenë konvergjenca gjuhësore, e cila ka pasur si mbështetje gjithnjë konvergjencën kombëtare ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore. Në këtë kuadër, si duhet trajtuar Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe?

    2. Për metodën e punës së përdorur në njësimin e gjuhës shqipe në Kongres thuhet: "Nënsistemet e gjuhës letrare, të para në terësinë e tyre komplekse, na lejojnë të arrijmë në përfundimin se gjuha letrare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimiun e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes me elemente të rëndësishme të të dy dialekteve ...". Ç'mund të thuhet për këtë përfundim?

    3. Si mund të mendohet e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?

    Si duhen vlerësuar tri mendimet, që qarkullojnë në sferat intelektuale:

    a. Të prishet ajo që është vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit; gjithsecili të shkruajë sipas dëshirës?

    b. Të vazhdohet si deri tani?

    c. Të ruhet gjuha letrare kombëtare e njësuar. Ndërkaq, mënyra se si është vepruar për këtë njësim, mund dhe duhet të rishikohet. Është fjala për ta pasuruar këtë njësim, për ta bërë më elastik dhe më të pranueshëm për të gjithë. Krahas të shkruhet pa asnjë kufizim gegërishtja latrare.

    Në tubimin e Shkodrës, përveç gjuhëtarëve shkodranë, morën pjesë edhe tre gjuhëtarë të ftuar nga Instituti i Gjuhësisë (B. Beci, S. Mansaku e E. Lafe). I ftuar qe edhe prof. A. Pipa, që ndodhej në Shkodër rastësisht. Ky tubim zgjati pa ndërprerje plot gjashtë orë. Në fund u lexua një Deklaratë, që më vonë u botua në dy gazetat lokale të Shkodrës10).

    Për këtë Deklaratë është folur e shkruar shumë, po gjithsesi a priori, sepse autorët e këtyre shkrimeve nuk e kanë njohur as tekstin origjinal të botuar, as historinë e hartimit të saj.

    Në Tryezën e rrumbullakët të Shkodrës u përfaqësuan dy rryma, duke shprehur këta dy palë mendime. Të parët kërkonin mosnjohjen e Kongresit dhe të vendimeve të tij. Të dytët e pranonin atë, po kërkonin që të zhvillohej debat e diskutim për ta përmirësuar e për ta bërë të pranueshëm nga të gjithë. Deklarata, për të cilën po flasim, paraqet tani sintezën e të dy rrymave. U vendos që palët tani e mbrapa, mund t'i shprehnin mendimet e tyre në mënyrë të veçuar, personale, po jo më në emrin e gjuhëtarëve të Shkodrës. Kjo gjendje paraqitej e qartë në pikën e tretë të Platformës së dhënë më lart.

    Meqë Deklarata nuk u lejua të lexohej në konferencën "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot" (nëntor 1992), atëherë u mendua që kumtesa që unë do të mbaja në këtë Konferencë, të paraqiste Deklaratën e mësipërme. Po meqë kumtesa në të ardhmen do të botohej në emrin tim, unë paraqita aty variantin e parë të kësaj Deklarate, që përfaqësonte mendimet e rrymës së moderuar të gjuhëtarëve të Shkodrës.

    Duke krahasuar tani Deklaratën me kumtesën time, mund të nxirren edhe përfundimet përkatëse. Duke shtuar këtu edhe këmbënguljen time për ta shkruar Deklaratën në gjuhën letrare të njësuar, bëhet krejt e qartë që gjuhëtarët e Shkodrës po kërkonin vetëm debat e diskutim, asgjë më tepër.

    Sulmi frontal, që nisi kundër kësaj Deklarate, qe botimi i saj në revistën "Albanica"11). Prof. A. Pipa, s'di sepse, e ktheu tekstin e Deklaratës në gegërishte dhe në disa vende e ndryshoi atë. Dhe prapë, s'di sepse e pa më pyetur e pa më marrë leje, në krye të 420 nënshkruesve të saj, vuri emrin tim. Ky veprim i pamatur i prof. Pipës solli tërë ato ngatërresa, që tashmë njihen.

    * * *

    Dhjetë vjet pas Deklaratës së gjuhëtarëve të Shkodrës, që po kërkonin vetëm debat e diskutim për gjuhën letrare kombëtare dhe për vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, nevoja për rivlerësime12) dhe për dialog shkencor13), është bërë e pranishme brenda e jashtë vendi. Mirëpo, gjuhësia zyrtare, që vazhdon politikën gjuhësore të partisë, mban tash tridhjetë vjet të njëjtin qëndrim. Pashallarët e kuq vazhdojnë të mos lejojnë asnjë debat e diskutim, duke zbatuar haptas politikën e përjashtimit. Njëri prej tyre, që mbart mbi vete remineshenca latente të së kaluarës, së cilës i përket i tëri, është shprehur qartë se "Gjuha letrare shqipe dhe drejtshkrimi i saj e përballuan me sukses një 'tërmet' në fillim të viteve '90 dhe po i përballojnë edhe disa pasgoditje me energji të dobësuar"14). Në këtë shprehje nuk merret vesh: a qe tërmeti i dobët, apo ndërtesa e fortë?

    Në referatin e mbajtur në Konferencën shkencore jubilare me rastin e 25-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (organizuar në Tiranë më 12 dhjetor 1997) thuhet: "Në ditët tona njësia e gjuhës letrare kombëtare ka ndërtuar shtetin e njësishëm kulturor të popullit shqiptar në mbarë hapësirën e tij historike15). Tani, fjala shtet në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 shpjegohet kështu: "Organizatë politike e klasës sunduese të një vendi, e cila ka për qëllim të mbrojë interesat e kësaj klase dhe rendit ekzistues, nga klasat dhe forcat kundërshtare brenda vendit dhe nga armiqtë e jashtëm"16). Ky koncept për këtë lloj shteti kulturor shpaloset qartë në të gjithë referatin. Krizën e sotme për zbatimin e normës letrare, referuesit e shpjegojnë me ripolitizimin e çështjes së gjuhës letrare, me shfaqjen e mendësisë anakronike të atyre që "s'paskan harruar asgjë e s'paskan mësuar asgjë"17)! Shqetësimet, që paskan lindur në këto vite, për të ardhmen e gjuhës letrare na qenkan një pjesë e tronditjeve dhe zigzageve në fushën e kulturës, që qenkemi të detyruar të paguajmë si çmim për të hyrë në rrugën e re të lirisë së mendimit, por edhe të triumfit të arsyes. Dhe, si të mos mjaftonte ligjërata e mësipërme, shembull ideal për të shpjeguar paradoksin, na vjen një tjetër thënie lapidare: "Mbyllja dhe izolimi i gjatë patën konservuar te disa elementë mendësinë e së shkuarës dhe mungesën e frymës emancipuese, rrethanat e reja ushqyen te dikush tjetër herostratizmin e adhamutizmin"18).

    Për të gjykuar tani për "frymën emancipuese" (siç !) të autorit të mësipërm, po ju sjell vetëm një fragment të vogël nga artikulli i tij, botuar në revistën "Studime filologjike" më 1985. Në mbyllje të këtij shkrimi prej 6 faqesh thuhet qartë e shkoqur: "Mësimet dhe idetë e pavdekshme të shokut Enver Hoxha për gjuhën tonë amtare ... shembulli i shkëlqyer i veprës së tij do të na udhëheqin kurdoherë në studimet tona shkencore e në të gjithë veprimtaritë praktike..."19).

    Tani gjykoni vetë se kush është Adhamudhi!

    * * *

    Bëhet e qartë tani se në tubimin që do të organizohet me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, janë marrë të gjitha masat që të mos ketë më goditje termeti. Sepse, "Nuk don pasha kallabllëk"!

    -------------------------

    1)Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe I, Tiranë, 1973, f. 88.

    2)Po aty, f. 79 v. A. Kostallari, Mbi disa drejtime të përsosjes së sistemit e të strukturës së gjuhës sonë letrare, SF 2, 1982, f. 7. A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, SF 4, 1984, f. 38/1 (skema).

    3)Janet L. Byron, Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, The Hague-Paris, 1976. Këtë fakt do ta pranonte edhe Xh. Lloshi, gjatë polemikës me A. Pipën, në artikullin Kultura shqiptare përpara shqetësimeve të reja, botuar në rev. socialiste "Sot", nr. 5-6, 1991, f. 21 v. Edhe në konferencën kombëtare "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot" (Tiranë, nëntor, 1992) u pohua haptas se baza e gjuhës letrare shqipe ka qenë toskërishtja letrare.

    4)A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, në rev. "Studime filologjike", nr. 4, 1984, f. 28.

    5)Gazeta "Java", Prishtinë, nr. 2, 15 dhjetor 2001, f. 29.

    6)E. Sedaj, Baza argumentuese e polemikave aktuale për gjuhën e njësuar, në rev. "Phoenix", nr. 3-6, Shkodër, 2000, f. 149.

    7)Në artikullin Enver Hoxha dhe shkencat filologike shqiptare (shkruar nga A. Kostallari e J. Bulo dhe botuar në rev. "Studime filologjike", nr. 4, 1988) thuhet qartë: "... që në Kongresin III të PPSH ai (Enver Hoxha, sh. im) përcaktoi për gjuhësinë tonë një program pune afatgjatë, që i hapi asaj perspektiva të qarta për gjithë periudhën e Pasçlirimit." (f. 3). Ndërkaq, A. Dodi (në artikullin Disa probleme të gjuhës letrare në veprën e Enver Hoxhës, botuar po në të njëjtën revistë, f. 45), shprehet edhe më qartë: Që më 15 qershor 1955 shoku Enver Hoxha me një qartësi shumë të madhe thotë se "gjuha e sotme letrare shqipe nuk është toskërishtja e ngritur drejtpërsëdrejti në gjuhë kombëtare, por është ndërtuar mbi bazën e elementit të përbashkët të shqipes, duke thithur njëkohësisht në përpjesëtime të ndryshme, edhe elemente të veçanta të rëndësishme nga struktura fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve". Ky fakt, që mënjanohet sot nga gjuhësia zyrtare shqiptare, është vënë në dukje nga ne që në vitin 1993, në simpoziumin "Martin Camaj - tradita dhe bashkëkohësia", në referatin me titull Përse ithtarët e Kongresit të Drejtshkrimit nuk e pranojnë debatin shkencor?, botuar në vëllimin "Martin Camaj - tradita dhe bashkëkohësia", Shkodër, 1994 (f. 29).

    8)Për sa më sipër, shiko artikullin tonë E vërteta mbi konferencën shkencore "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot", botuar në rev. "Kumtari" 6, organ i Muzeut Historik të Shkodrës, Shkodër, 1993.

    9)Në këtë Platformë pasqyrohej: "Pjesëmarrja: gjuhëtarë të Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit "Luigj Gurakuqi" dhe të ftuar të tjerë. Auditori: gjuhëtarë, mësues gjuhe dhe intelektualë të interesuar për problemin në fjalë. Koha: 3-5 minuta për çdo përgjigje. Koha e përgjithshme rreth 2 (dy) orë. Shënim: diskutimi do të drejtohet nga një gjuhëtar."

    10)Gazeta "Shkodra" (6 gusht 1992) dhe gazeta "Besa". Gjithashtu edhe në një gazetë me emrin "Libertas" (vjeshtë, 1992).

    11)Albanuica, nr. 3-4, 1992, f. 121 v.

    12)R. Ismajli, Nuk kam përgjigje të prerë se a veproi Kongresi shkencërisht a jo ..., në gazetën "Java", Prishtinë, nr. 3, 1 kallnor, 2002, f. 26. Aty thuhet shkoqur: "Unë mendoj se gjëja e parë që do bërë me qëllim të pasurimit të shqipes është së pari të dëgjojmë mirë njëri-tjetrin, t'i dëgjojmë shprehjet e të folurit në të gjitha anët, t'i identifikojmë ato pika ku na duket se ka probleme dhe pastaj drejtshkrimi ynë dhe zgjidhjet ekzistuese na bëjnë të mundshme që të ketë zgjerime. Unë nuk kujtoj se është mëkat të bëhen kompromise në këto raste ...". Shiko edhe Rolf Ködderitzch (R. Këderiç), Për një gjuhë letrare kombëtare shqipe, në rev. "Hylli i dritës", nr. 1-2, Tiranë, 1996 (veçanërisht në f. 8).

    13)E. Sedaj, Baza ..., , po aty, f. 155.

    14)E. Lafe, Ndihmesa e prof. Mahir Domit për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, në rev. "Studime filologjike", nr. 3-4, 2001, f. 45.

    15)I. Ajeti, E. Lafe, Njëzet e pesë vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit (Vlerësime dhe vështrime në të ardhmen), SF 1-2, 1998, f. 20.

    16)Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 1925.

    17)Njëzet e pesë vjet ..., po aty, f. 14.

    18)Po aty, f. 11.

    19)E. Lafe, Shoku Enver Hoxha për pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, SF 2, 1985, f. 148.
  15. a-alket

    a-alket Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    e perse e do mendimin tim ti. Ti e ke ndare mendjen qe kur linde se ne dejet e tua rrjedh gjaku arian si Von Gega qe na je. Apo te rrjedh gjak arian per ndonje arsye me pak hyjnore??
  16. SI TJETRI

    SI TJETRI Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Ku mund ta gjej trajtesen e prof.Emil Lafe?
  17. B

    B Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Mando besoj se beri mire qe vure kete teme per diskutim.
    E para i dashur Mando eshte se Gegerishtja ka qene nje gjuhe e diskriminuar gjate rregjimit enverist.
    E dyta qe ta shpjegoj me holle eshte se ketu ne albforum deri pak kohe me pare flitej vetem TOSKE dhe po deshe hajde flit GEGE se te gjithe dopicat te URRENIN.
    E treta keta komunista nuk e duan as gjuhe Gegerishte e as Anglishte.
    Keta e duan vetem Toskerishte dhe mundesisht enveriste.
    Ti i dashur Mando je i lindur ne Veri te Shqiperise dhe per ty te flasesh Gegerisht eshte Turp.
    Per mua jo
    Per mua eshte nder dhe lavdi, sepse gjuha ime me tregon se nga jam dhe kush jam.
    Tosket studiojne gjuhen e Njeshit dhe jo te Popullit.
    Tanime qe gjuha shqipe po zbehet ne menyre graduale dhe te pakuptueshme, tanime ju deshironi ta ktheni ne identitet, por eshte pak vone megjithese mundesite jane por jo si te atij viti qe mbahet mend per vitin 1972.
    Ata gjuhetare qe ecin vetem me bindjen se Toskerishtja duhet te jete gjuha qe dominon tere Shqiperine jane te gabuar dhe te humbur mundesisht percares te medhenje te kombit.
    Ja pra cju ka bere Dulla qe ju ka kthyer ne idhuj te tij.
    Te drejtat GEGE do te kthehen ne vend ashtu sikurse dinjiteti i tyre.
    Ju keni vendosur vetem disa shkrime ketu, por sapo keni hyre ne tubacionin mutor komunisto-enverist.
    Ju edhe per gjate historise na keni ofenduar MALOKER.
    Mbaje vath ne vesh miku dhe patrioti im kete qe po te them.
    Edhe gjate rregjimit diktatorial na keni vendosur neper hostene, e kemi qene pike referimi per humoret tuaja te kripura e te pakripura.
    Ne fund te fundit 30 vjete me pare ju keni bere kongresin e drejteshkrimit me deshiren tuaj dhe jo te popullit.
    Ju nuk e keni pyetur popullin se si do te ishte me mire, por zgjuarsia juaj e famshme beri ate qe deshi vete dhe jo ate qe deshem te gjithe.
    He mo nuk eshte ky nje krim qe ju keni bere pergjate dikatures?.......
    Do te fillojne te dalin krimet qe ju keni bere ne dem te ketij populli.
    Do te fillojne te dalin percarjet qe ju keni beri ketij populli.
    Une jam i Mirditas dhe e kam per nder qe jam i tille.
    Edhe gjuhen time e dua dhe e respektoj kaq shume saqe nuk le njeri te ma preke.
    Jam Verior, jam malok, malesor te gjithe i kam.
    Ky eshte nderi dhe dinjiteti im si shqiptar.
    E dua Mirditen dhe gjuhen time.
    Urrej cdo njeri qe mundohet te me asimiloje gjuhe dhe atdheun tim.
    Dashuroj historine time per cdo gje te mire dhe te keqe.
    Kur them urrej, tashme nuk ka me miqesira me asnjeri.
    Boll na vrate.
    Ju jeni me vrases se ata qe na vrane nje histori te tere.
  18. Prozator

    Prozator Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    E vërteta është se regjimi komunist persekutoi një popull të tërë për dekada me rradhë. Nuk mendoj se është e mirë që të përpiqemi të tregojmë se kush është më patriot dhe kush nuk është. Nga ana tjetër, edhe sikur ta bëjmë këtë, të drejtën e etiketimit të njerëzve në vrasës, kriminelë e ku e di unë se çfarë tjetër. Unë mendoj se kur flasim për këto tema është mirë që të jemi tolerantë më shumë ndaj vetvetes.

    Në fakt, Veriu ka pësuar më shumë nga komunistët. Sidomos katolikët. Ironia më e madhe ishte se edhe komisarët e Partisë ishin (flisnin) nga Jugu. Në bisedë me një mik këto ditë, arritëm në përfundimin se lidhjet me perëndimin ishin ato që i vunë këta njerëz në qendrën e persekutimeve dhe krijimit të stereotipeve negative sociale. Në këtë pikë Leonardi, natyrisht ka të drejtë. Ky fenomen faktikisht, po na shoqëron edhe sot: siç e identifikonte Veriori komisarin nga gjuha dhe e quante shtypës, ashtu edhe sot Tiranasi e dallon Veriorin nga gjuha dhe e diskriminon menjëherë edhe kur tjetri nuk e meriton. Pra, po të shikojmë thellë në historinë jo shumë të largët të proceseve sociale të shoqërisë shqiptare, do të zbulojmë se për gjendjen e sotme dhe izolimin në të gjitha planet të Veriut kryesisht e ka fajin vetë shoqëria jonë, që as sot e kësaj dite nuk vetëdijësohemi për këto vepra, që të mund të ndreqim diçka në këtë drejtim, nëse nuk është vonë. Leonardi është vetëm një shembull i frustrimit dhe skajshmërisë që mund të arrijë zemërimi i malësorit.

    Kurse kur flasim për gjuhën, mendoj që disa gjëra po dalin gjithnjë e më të qarta. Psh. një nga ato është që gjuha standarde tregoi se megjithëmend ka vlera dhe gjerësi shprehjeje në shumë pikëpamje, pavarësisht imponimit apo kushteve të tjera shoqërore. Në këtë pikë, pavarësisht se çfarë mund të themi, është se ndryshimi thelbësor i gjuhës standarde sot, duket hallvë e ftohtë. Por, siç edhe e nënkuptova, kërkohet një rishikim i stereotipeve negative në lidhje me gjuhën si hap i parë për t'ju futur problemeve të tjera shoqërore më në thellësi.

    Dhe meqë flasim për konferencën, mund të them se ajo, as që i ka shkuar në mendje të bëjë qoftë edhe një analizë të thjeshtë të raportit të gjuhës me këto çështje shumë të rëndësishme, e jo më të jetë përpjekur t'u japë zgjidhje atyre.
  19. a-alket

    a-alket Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    prozator, jepe gjykimin pasi te lexosh materialet e konferences.
  20. Prozator

    Prozator Fillestar

    Re: Nis Konferenca: "Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot"

    Mbase ke të drejtë. Ato nuk i kam lexuar. Por kam parë e lexuar konkluzionet e nxjerra nga konferenca dhe të thëna me plot gojën nga organizatorët e saj. Kam parë edhe frymën komuniste që mbizotëroi gjatë gjithë ditëve të konferencës si në shtyp, ashtu edhe në deklaratat e gjuhëtarëve. Por di edhe që njerëzit që janë ftuar janë përzgjedhur mirë e mirë.

Share This Page