Nje ese shume e bukur nga nje i burgosur

Diskutime tek 'Letërsia' filluar nga Holland2010, 19 Jan 2012.

  1. Holland2010

    Holland2010 Anëtar aktiv

    ESE
    Tema: “Libri, shoku që më bën të fluturoj...”

    Më thonin dikur: lexo librat e shkollës, lexo se do të të duhen…! Por unë nuk e kuptoja. Nuk dija t’i vlerësoja gjërat atëherë kur isha i lirë.
    Unë librin mësova ta dua këtu, brenda këtyre mureve. Ndoshta kur njeriu rri i izoluar, ka kohë të mendojë më shumë, ka kohë të rrijë më shumë me veten…
    Në orën e parë të biblioterapisë, një shok më hodhi një dorë mbi supe e më tha: Shfleto ndonjë libër, sepse librat janë si vajzat, të bëjnë patjetër të dashurohesh!
    Nuk mund të rrija indiferent pas kësaj që më tha shoku. Rrëmbeva një libër që më goditi nga titulli dhe nisa të ecë nëpër rreshtat e tij. Nisa të ecë njëlloj siç nis të ecë një fëmijë që s’ka hedhur kurrë më parë hapa në jetën e tij. Unë ecja ngadalë, ndaloja, kthehesha pas, pushoja, ecja sërish me hapa më të shpejtë e papritur e ndjeva se po fluturoja. Po, po, po fluturoja, por jo me trup, por me shpirt. Teksa lexoja shpirti im fluturonte, ndihej i lirë. Imagjinata ime kalonte çdo kufi. Mendja ime përshkonte hapësira pa fund dhe unë përshkroja oqeane, depërtoja në qiej pa fund, bëja gara me erën, sfidoja kohën…përqafoja lirinë.

    Mësova ta dua librin, sepse libri më thotë shumë gjëra që në fakt unë i di, por kam nevojë të m’i thotë dikush, pa më qortuar, pa më bërë të ndihem fajtor, pa më gjykuar, pa më thënë se jam gatuar mirë apo keq. Kur unë lexoj më duket sikur flas me dikë dhe ky dikush ka një zë aq të ngrohtë e aq të dashur sa s’di ta them me fjalë. Libri në fakt nuk flet me mua, por flet me shpirtin tim.

    Kam mësuar se njerëzit edhe mund të të zhgënjejnë: dikush të tradhëton, dikush të gënjen, dikush të përdor, dikush të do me interes, dikush të fyen, dikush kënaqet kur ti je keq…Brenda mureve mësova se sa herë që mes njerëzve ndihem keq, një libër më bën të ndihem mirë sepse brenda tij dikush ka të njejtën dhimbje si unë, vuan si unë, madje më hap zemrën e më thotë gjëra që edhe unë i mendoj e i ndjej njëlloj si ai. Kështu unë duke kërkuar shokun, gjej veten në libër.
    Unë librin mësova ta dua këtu, brenda mureve të izolimit, sepse nëse trupi mbyllet brenda mureve, shpirti do mësojë të fluturojë…
    Irsid Curri
    Sweety el and Wise like this.

Shpërndajeni këtë faqe