Përkthime

Diskutime tek 'Letërsia' filluar nga Diabolis Dassaretis, 12 Nov 2002.

  1. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Pranë varrit tim mos rri dhe vajto;
    Unë s’jam atje. Unë s’fle, jo.

    Unë jam njëmijë erëra që fryjnë.
    Unë jam shkëlqimi i diamantit në borë.

    Unë jam rrezedielli mbi kallinjtë e lakuar.
    Unë jam shiu i vjeshtës, i shtruar.

    Kur ti zgjohesh në heshtjen mëngjesore
    Unë jam ngutja e ngritjes prore

    E zogjve të qetë në fluturimin në rrathë.
    Unë jam vezullimi i yjeve në natë.

    Pranë varrit tim mos rri dhe vajto;
    Unë s’jam atje. Unë s’kam vdekur, jo.
     
  2. makuciko

    makuciko Forumium praecox

    Re: Përkthime

    DRITARJA

    Pak kohë më parë, dola një mbrëmje,
    Kur hëna argjendin e saj e qetë,
    Të bardhë mbi mjegullën e natës nderte
    Dhe pashë – një vajzë po rrinte vetëm.
    Shihte dritares mbytur n'mendime,
    Si ta mundonte një dhimbj' e heshtur,
    Thua s'kish parë kurrë si ishte
    Rruga dhe tej, kodra e zhveshur.

    „Jam unë!“, dëgjova një pëshpërimë,
    Trembur u drodh dora e saj,
    U hap dritarja në errësirë,
    Hëna mbas reve humbi pastaj.
    „I lumi ti!“, thashë i malluar,
    „Për ty po pret e ëmbla natë.
    Një bukuroshe edhe për mua,
    Nën hënë dritaren kur do ta hapë?“

    Aleksandër Pushkin
     
  3. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Theofil Gautier

    Simfoni në të Bardhë Maxhor

    Qafëbardha me atë vijë harkuar,
    si në rrëfenjat e Veriut që njëri sheh,
    femrat mjellma të Rinit të përmalluar
    lundrojnë dhe këndojnë në breg.

    A, hipur ndonjë dege përmbi
    me pendët që kanë veshur,
    lëkurat ju ndrisin me më bardhësi
    se bora mbi të cilën janë prehur.

    Nga këto femra njëra veçon,
    kur mes nesh ndonjëherë zbret,
    bardhësi si drita e hënës përçon
    akullnajës nën qiej të kthjellët;

    ajo pamje dehëse të grish
    me freskinë e saj boreale
    me dhurata perlash-mish,
    mes bardhësisë për skandale!

    Gjiri I saj, borë ngjeshur në globe,
    kameliat e bardha tej shtyp,
    atllasit të bardhë të një rrobe,
    mbrojtëse në betejën e paturp.

    Në betejën e bardhë të madhe,
    atllas dhe lule mposhten
    dhe pa kërkuar hakmarrje,
    zverdhen porsi xheloze.

    Mbi bardhësinë e supit të saj,
    si prej gurit të Parosit që të trullos,
    porsi një natë në polin në skaj,
    një i ftohtë i padukshëm pllakos.

    Prej çfarë kristalesh të virgjër bore,
    prej çfarë trëndafili thelb,
    prej çfarë qiriri e prej çfarë nafore
    bardhësia e asaj dore është derdh'?


    Qumështit i është marrë pika
    fjolla qiellit të kaltër dimëror,
    zambakut argjëndi që ka palca,
    e bardha e detit shkumbor;

    mermer i bardhë, trup i ftohtë, i zbehtë,
    përjetësim hyjsh e hyjnish;
    i mugëti argjend, opali i qumështtë
    që japin ylberë të vagullt qartësish;

    fildish, duar dhe krahë ngrihen,
    dhe porsi flutura bardhoshe,
    në pikat e notave tek thyhen
    lënë pezull puthje drithëroshe;

    kunadhes së virgjër të panjollosur,
    fëshfërimën për të mos ja ndjerë
    gëzofin e bardhë ja ka hedhur
    supeve qark edhe në llërë;

    argjënd i brishtë lulesh trillane
    si prej dritaresh xhama ngjyrosur;
    çurgat e bardha të postafëve,
    lotët e Ondines kallkanosur;

    murriz i plandosur i Majit
    nën motin dimërak të luleve të tij;
    albastri i trishtimit
    që rigjen të tijën zbehtësi;

    puplat e bardha të pëllumbit
    borë përmbi çatinë në kullë,
    rrëshkitja e stalaktitit
    lot i bardhë në të zezën guvë?

    Prej Norvegjisë a Groenlandës
    me Serafitën ajo erdhi?
    Apo është Madona e borës
    a sfinks i bardhë që dimri gdhëndi,

    sfinks që nga orteku u gropos,
    roje e akullnajave yjore,
    që brenda të bardhit gjoks,
    fsheh të ngrira sekrete bardhore?

    Nën akullin e qetë pushon,
    Oh! kush mundet atë zemër ta shkrijë!
    Oh! kush mund ti trëndafilojë një ton
    kësaj bardhësie që s'do t'ja dijë!
     
  4. makuciko

    makuciko Forumium praecox

    Re: Përkthime

    ARSYEJA DHE DASHURIA

    Vajzën djali desh' ta zinte befasisht.
    Ajo iku. "Ndal!", thirri ai, "Bukuroshe, ndal!
    Thuaj vetëm: Ty të dua! - unë pastaj
    Nuk të ndjek më - për Venusin! - këtë ta dish!".
    "Mos fol! Hesht!", vajzën Arsyeja këshilloi.
    Por Erosi tha: "Thuaj: Ty unë të besoj!".

    Dhe: "Ty unë të besoj!", foli vajza zëdrithruar.
    Ndjenë flakën e dashurisë të nxeht' si furrë,
    Kur në këmbët e vajzës djali ra në gjunjë
    Dhe ajo syulur shihte, turpëruar.
    Arsyeja bërtiti: "Ik, pra, ç'pret!?",
    Por "Rri!" i pëshpëriti Erosi në vesh.

    Ajo ndenji dhe me drithmë e përhumbje
    Të bukurën vajzë, djali e mori përdore.
    "Shih atje, tha, djegur flake dashurore,
    Dy pëllumbat përmbi degë të blirit puthen!".
    Kur Arsyeja "Ik, pra, ç'pret!?'" asaj i tha,
    Djallush' i vogël e këshilloi: "Bëj si ata!".

    Ndjeu zemrën t'ia gufonte dashuria.
    Turp' i ëmbël i mbuloi sytë e saj.
    Mbushur gaz e dashuri u mbështet pastaj,
    Më të dashurit i ra në krah't e tija.
    "Qofsh e lumtur!", foli Vagabond' i vogël.
    Po Arsyeja? Ah, ajo e qepi gojën!

    Aleksandër Pushkin
     
  5. Guest

    Re: Përkthime

    <div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Originally Posted By: McCik</div><div class="ubbcode-body">ARSYEJA DHE DASHURIA

    Vajzën djali desh' ta zinte befasisht.
    Ajo iku. "Ndal!", thirri ai, "Bukuroshe, ndal!
    Thuaj vetëm: Ty të dua! - unë pastaj
    Nuk të ndjek më - për Venusin! - këtë ta dish!".
    "Mos fol! Hesht!", vajzën Arsyeja këshilloi.
    Por Erosi tha: "Thuaj: Ty unë të besoj!".

    Dhe: "Ty unë të besoj!", foli vajza zëdrithruar.
    Ndjenë flakën e dashurisë të nxeht' si furrë,
    Kur në këmbët e vajzës djali ra në gjunjë
    Dhe ajo syulur shihte, turpëruar.
    Arsyeja bërtiti: "Ik, pra, ç'pret!?",
    Por "Rri!" i pëshpëriti Erosi në vesh.

    Ajo ndenji dhe me drithmë e përhumbje
    Të bukurën vajzë, djali e mori përdore.
    "Shih atje, tha, djegur flake dashurore,
    Dy pëllumbat përmbi degë të blirit puthen!".
    Kur Arsyeja "Ik, pra, ç'pret!?'" asaj i tha,
    Djallush' i vogël e këshilloi: "Bëj si ata!".

    Ndjeu zemrën t'ia gufonte dashuria.
    Turp' i ëmbël i mbuloi sytë e saj.
    Mbushur gaz e dashuri u mbështet pastaj,
    Më të dashurit i ra në krah't e tija.
    "Qofsh e lumtur!", foli Vagabond' i vogël.
    Po Arsyeja? Ah, ajo e qepi gojën!

    Aleksandër Pushkin
    </div></div>

    Pushkinin e preferoj, por sa i arrire perkthimi (vlen per tu
    theksuar)!
     
  6. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    T.S.Eliot

    Hipopotami

    Similiter et omnes revereantur Diaconos, ut mandatum Jesu Christi; et Episcopum, ut Jesum Christum, existentem filium Patris; Presbyteros autem, ut concilium Dei et conjunctionem Apostolorum. Sine his Ecclesia non vocatur; de quibus suadeo vos sic habeo.
    S. IGNATII AD TRALLIANOS
    And when this epistle is read among you, cause that it be read
    also in the church of the Laodiceans.


    Hipopotami vithegjërë
    pushon më bark në batak;
    ndonëse i fortë duket për të tërë,
    ai është veçse mish dhe gjak.

    Mishi dhe gjaku: i dobët, i pambrojtur,
    i ndjeshëm nga goditja nervore;
    ndërsa Kisha e Vërtetë është e pamposhtur
    se ngrihet mbi themele shkëmbore.

    Hipoja këmbshtrembër shkon drizë më drizë
    në kërkim të të mirave materiale,
    ndërsa Kishës së Vërtetë s'i duhet të lëvizë
    për të mbledhur të ardhurat në pare.

    'Potami kurrë s'mund ta këpusë prej degës
    mangon në të mangos pemë;
    por frutat e shegës dhe të pjeshkës,
    për fresk të Kishës, vijnë detit të përtejmë.

    Zëri i hipos në kohën për shumim
    tradhëton me epje të ngjirura që çuditin,
    por për çdo javë ne dëgjojmë ç'gëzim
    ka Kisha e bërë një me Zotin.

    Dita e hipopotamit si prej doze
    është gjumë; natën ai shkon për gjueti;
    Zoti punon në rrugë misterioze-
    Kisha mund të flejë dhe hajë njëheri.

    E pashë potamin me sytë e mij
    me krahë të zbresë nga savanat e lagështa,
    dyzina ëngjëjsh këndojnë rreth tij,
    Lavdi për Zotin, në hosana zëlarta.

    Gjaku i qengjit atë ka për ta larë
    dhe krahët do t'ja palosë si hyjni,
    në mes shënjtorëve ka për tu parë
    duke luajtur me harpën e artë në gji.

    I bardhë sa bora do të lahet, toç,
    me ç'kanë kutitë e virgjëreshave dëshmore,
    ndërsa Kisha e Vërtetë mbetet përposh
    mbështjellë në mjegullën e vjetër moçalore.
     
  7. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Mao Ce Dun

    Përgjigje një miku

    Re të bardha lundrojnë përmbi malin Guaj;
    Erën kalëruar, Princeshat zbresin kodra blerimi.
    Sa pikëluan bambutë me lotët e tyre vaj,
    Tani janë robina në re kuq-trëndafili.

    Valët majëbore të liqenit Dancing përqiell të gufuara;
    Ishulli i gjatë ushton me këngë që tokën trondit.
    Unë jam përhumbur në ëndrra, ëndrrat e patratuara,
    Të tokës së bisqeve lulëzuar që dielli i agimit i shndrit.
     
  8. makuciko

    makuciko Forumium praecox

    Re: Përkthime

    <div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Originally Posted By: Fantazia</div><div class="ubbcode-body">
    Pushkinin e preferoj, por sa i arrire perkthimi (vlen per tu
    theksuar)!


    </div></div>

    Flm, Fantazia. Meqë të pëlqen Pushkini, po shkruaj edhe diçka tjetër:

    NATASHËS

    Shih si tretet vera e bukur!
    Dielli ditët po i le.
    Mjegulla bije përhumbur,
    Netëve kudo mbi dhe.
    Rri shëmtuar fush' e blertë,
    Të ftohtë lozin përrenjtë,
    Floku pyllit zu' t'i thinjet,
    Blu' e qiellit po përhimet.

    Ku je ti, Natasha, shpirt?
    Pse s'të sheh më asnjeri?
    S'do tek vendthi ynë të vish?
    Në mes miqsh, s'do të jesh ti?
    Ndanë liqenit më s'të gjej,
    As nën degë të blirit s'je.
    As mëngjesit, as në mbrëmje,
    Nuk e shoh fytyrën tënde.

    Dimri hedh nxituar hapin,
    Gunën shtroi mbi fushat, pyjet.
    Në kasollen e fshatarit
    Dridhet flaka e kandiles.
    S'të shoh më, ah, mirë e di
    Dhe si zogu në kuvli,
    Zemërvrarë mbaj sytë përjashta,
    Kushedi, mos vjen Natasha...

    Aleksandër Pushkin
     
  9. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Persi Bisi Shelli

    Një fjalë shumë shpesh është përdhosur

    Një fjalë shumë shpesh është përdhosur
    Që unë ta përdhos më;
    Një ndjenjë shumë rrejshëm përbuzur
    Që ti ta përbuzësh atë;
    Një shpresë edhe më shumë dëshpëruar
    Që urtësia ta zbutë;
    Dhe mëshira jote më e pranuar
    Se ajo prej tjetërkujt.

    Unë mund të jap jo çfarë burrat quajnë dashuri:
    Por ti a nuk do ta pranosh
    Adhurimin që zemra ngre përmbi
    Dhe qielli nuk e hedh përposh,
    Dëshira e fluturzës për një yll,
    E natës për të ditën që agon,
    Përkushtimin për diçka të vagullt
    Nga sfera e pikëllimit tonë?
     
  10. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Bodler

    Epigraf për një libër të dënuar

    Lexues baritor dhe i paqtuar,
    i matur e naiv njeri me nam,
    flake këtë libër saturnian,
    zdërhalljesh dhe të trishtuar.

    Nëse nuk ke bërë retorikë
    me Satanin, zanatçiun më në zë,
    flake! ti s'ke për të nxënë kurgjë;
    dhe mua do më marrësh për histerik.

    Por nëse, pa asnjë magjepsje,
    syri yt në gjire di të zhytet,
    lexomë, të mësosh të të jap endje;

    o shpirt kureshtar që s'tutet
    dhe që kërkon paradisin tënd,
    mëshiromë! ... në jo, të nëm rëndë!
     
  11. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Robert Frost

    Ermali dhe lulja e dritares

    Dashnorë, harroni dashurinë tuaj
    dhe dëgjoni për këtë dashuri:
    ajo një lule dritareje
    ai në dimër një puhi.

    Kur perdja e dritares, kallkanosur,
    shkriu një mesdite,
    dhe zogu i verdhë i burgosur
    varur mbi të cicërinte,

    ai e shqoi atë nëpër xham,
    s'mundej për tjetër veç ta shihte,
    dhe vetëm sa i kaloi pranë
    në mbrëmje përsëri të vinte.

    Ai ishte një puhi malsie,
    i lidhur me akull e borë,
    zogj të paçiftuar e rroba zije,
    pak dashuri njihte ai i gjorë.

    Por ai mbi pezul ofshau,
    parvazit i dha një të shkundur,
    siç dëshmuan të gjithë nga qarku
    që atë natë s'ishin përgjumur.

    Ai nuk triumfoi veç për pak
    atë për fluturim ta fitonte
    prej xhamit që dukej ndër flakë
    dhe dritës së sobë-dritares që ngronte.

    Por lulja u hoq mënjanë
    me mendime të prapa për ti shkruar,
    dhe mëngjesi e gjeti puhinë
    njëqind milje larguar.
     
  12. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Neruda

    XV

    Më pëlqen kur hesht se është sikur mungon,
    ti më dëgjon prej së largu, zëri im pa të prekur.
    Duket që në sytë e tu rrjedha gurgullon
    duket se një puthje gojën ta ka mbyllur.

    Sikur çdo gjë është mbushur me shpirtin tim
    ti del prej gjërave, mbushur me shpirt nga imi.
    Flutura e ëndrrës, më përngjet si shpirti im,
    dhe unë të përngjasoj me fjalën trishtimi.

    Më pëlqen kur hesht sepse si e largët ti je.
    Ti je si në vajtim, si një flutur që s'rresht.
    Ti më dëgjon prej së largu dhe zëri im nuk të ze:
    më ler që në qetësinë tënde të hesht.

    Më ler të të flas me heshtjen tënde sërish
    e qartë si një llampadar, si një unazë e thjeshtë.
    Ti je porsi nata, qetësie dhe yjësish.
    Heshtja jote është prej ylli, aq të largët dhe të brishtë.

    Më pëlqen kur hesht se është sikur mungon.
    E largët dhe e dhimbshme si të kesh vdekur.
    Një fjalë atëhere, një buzëqeshje mjafton.
    Dhe unë jam i lumtur, i lumtur që s'ka ndodhur.
     
  13. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Gete

    Vallja e vdekjes

    Rojtari në mesnatë vështron
    varret aty poshtë përhapur;
    Hëna gjithçka e ndriçon;
    Oborr i kishës si ditën - zbardhur.
    Kur, një varr hapet dhe një tjetër, dhe:
    ata dalin, një grua këtu, një burrë atje,
    me qefinët e bardhë të zhgryer.

    Shtriqen, të drejtojnë kokallë e koskë,
    Vallëzojnë në rreth, rrotullohen,
    i varfër dhe i ri, i pasur dhe rrozgë;
    qefinët ndër koska ju ngatërrohen
    dhe meqë s'ka më turp që ti mbajë,
    shkunden të gjithë, dhe majë më majë
    qefinët hidhen nëpër kodra.

    Kërkëllet kur ngrihet kokalla, kërciri,
    me gjeste ata përpara në valle;
    trokëllimë dhe poterë ka qimitiri
    si e rënë drurëve me ngadale.
    Rojtari nga e gjithë kjo qesh;
    kur Tunduesi i poshtër i pëshpërit në vesh:
    Shko! dhe rrëmbe një qefin.

    E bën sa mendimi! shpejt dhe vrapon
    mbas portës së kishës mbyllur.
    Hëna të ndriçojë njëlloj vazhdon,
    vallen që ata heqin pa u tutur.
    Por më në fund ky dhe ai humbet,
    një vidhet, më pas një vishet
    dhe vrap, gjendet nën lëndinë.

    Por një, pengohet dhe zvarritet
    dhe bie dhe ngrihet varr më varr;
    asnjë nga shokët aq keq s'vritet,
    kur ja, ai nuhat veshjen në ajër.
    Godet portën e qelës që e zmbraps,
    stolisur dhe bekuar kjo qelë me fat
    vezullon me kryqe metalike.

    I duhet qefini ndryshe s'e merr dheu,
    Për tu menduar kohë më nuk mbetet,
    Ndaj stolitë gothike me forcë mbërtheu
    nga e dala në të dalë kacavirret.
    Po i sillet të shkretit rojtar, medet!
    Ngjitet nga nyja në nyje përpjetë,
    si merimagë, ndjekësi i tmerrshëm.

    Rojtarin e shkund, rojtari meit,
    por ai kënaqet që qefinin rifiton.
    Vjen fundi, ai përgjatë u vërtit,
    Një dhëmb i hekurt e kafshon.
    Hëna mbas resh i dha vetes lejëkalim,
    Këmbana fuqishëm dha një kumbim
    dhe skeleti përdhe u shkërmoq.
     
  14. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Emili Dikinson

    XXVII

    Unë jam askushi! Kush jeni ju?
    Dhe ju askush jeni gjithashtu?
    Atëhere u bëmë çift - mos e rrëfe!
    Se ata na syrgjynosin ne.

    Sa mërzi të jesh dikushi!
    Sa popullore, si një bretkocë
    ti thuash emrin gjithë ditën e ditës
    një bataku mahnitës.



    LIX

    Morra fuqinë time në duar
    dhe shkova kundër botës mbarë;
    S'qe aq sa e Davidit është kallzuar,
    por unë isha dy herë më guximtar.

    Shënjova guralecin, por vetë unë
    ishte gjithë që ra përtokë.
    Të ishte Goliati i stërmadh shumë,
    a vetëm unë shumë i vogël?



    LX

    Një hijemik për ditë të nxehta
    është më lehtë të gjesh
    se një temperaturash të larta
    për orën e ftohtë të mendjes.

    Erëtreguesi pak për nga lindja
    shpirtrat prej muslini përlan;
    nëse gjoksoret e leshta më të forta
    se ato prej nape janë,

    kush duhet fajësuar? Endësi?
    Ah! filli i kokolepsur!
    Tapetet e paradisit
    kaq pa kujdes janë endur.
     
  15. Mortal

    Mortal Guest

    Re: Përkthime

    Me pelqeka ky perkethimi. E kam qef E.D. dhe poezite e saja i preferoj me teper ne English.
     
  16. eniad

    eniad Forumium maestatis

    Re: Përkthime

    Dickinson eshte e vecante, otherworldly.
    Une te bej urimet e mia per perpjekjet perkthumin, por, per mendimin tim, ca gjera jane shume te ndryshuara.
    Tek e para (I am nobody - poezi e shkelqyer filozofike e Dickinson-it), je skematik, formal. Nese mbyll syte dhe pyet dike keshtu, nuk. i thua "ju jeni askushi", por (gjithnje sipas idese se poezise), psh. "une s'jam askush, ti kush je...") etj.
    Dickinson nuk eshte formale, eshte e mprehte, e drejtperdrejte, e prere dhe gjuha duhet ta jape kete. Edhe kuptimet e fjaleve, here here tjetersohen; "how dreary to be someone" nuk ka merzi brenda, eshte fjale qe shprek frike dhe "repulsion", neveri. Me tej vargu i fundit eshte "to an admiring bog" qe nuk ka te beje me mahnitjen, por me idene e Dickinsonit per qenie qe te shohin me admirim bosh.
    PS. Kerkoj ndjese nese tingelloj e keqe ose sikur nuk e vleresoj punen tende. Nuk eshte aspak qellimi im. Urime per perpjekjen edhe njehere /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/smile.gif
     
  17. makuciko

    makuciko Forumium praecox

    Re: Përkthime

    KTHIMI

    Babeta vdiq - mirë pa i ardhur vakti.
    Mbesa e saj e kishte arkivolin gati.
    Kështu, kjo mbesa, hipur me të shoqin,
    Në makinë të varrimit me sa shpejt'si që pati,
    Me një frymë kufomën u nisën ta varrosin.

    Por në Berlin çfarë nuk të sjell sebepi!
    Pa shkuar shumë, ç'bëri ky shoferi!?
    Tek Porta e Brandenburgut, në të majtë,
    Ngjeshi makinën, një vitrinë bëri sallatë.

    Ndër llamarina, copra xhami dhe korseta
    Të vdekur nxorrën shoferin, mbesën e të shoqin.

    Vetëm kufomen (kemi fjalën tek Babeta),
    Vetëm atë s'di si e shpëtoi Zoti.
    Ngaqë për fat, ajo s'ish fare e vdekur,
    U kthye në shtëpi, madje dhe duke qeshur.

    Joahim Ringelnac
     
  18. mimoza70

    mimoza70 Primus registratum

    Re: Përkthime

    me pelqejne shume poezit e Pushkinit. Shume vite me pare kam pas lexuar shume poezi. U bene vite qekur kam emigruar ne Angli qe nuk kam lexuar shume. Duke lexuar keto poezit ndjeva nostalgji per te kaluaren dhe deshiren per te lexuar perseri.

    faleminderit
     
  19. makuciko

    makuciko Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Pranoj

    Ju dua, ndonse po marr fund.
    Dhe po lajthit dhe turp më vjen
    Dhe si i marri i pamend,
    Pranoj përpara jush më gjunjë.
    Nuk ndreqem në kët' moshë, jo,
    Veç në m'u ktheftë mençuria.
    Prapë duhet ta marr vesh ngado,
    Se më ka dehur dashuria.
    Ju jeni larg - s'mund ta duroj.
    Më rrini pranë - ndjej turbulli.
    Mbytur dëshire jam, por s'kallzoj
    Sa shumë ju dua, ëngjëlli im.
    Kur ndjej në dhomën tuaj tinëz
    Të lehtin hap, të ëmblin zë,
    Kur shoh fustanin farfuritës,
    Më braktis mendja, shkon e më lë.
    Më qeshni ju - ndjej ngushëllim.
    Më ktheni shpinën - jam zemërvrarë.
    Në ditë sfilie më jep çlirim
    Veç dora juaj fildish e bardhë.
    Kur rrinit ulur përmbi qëndismën,
    Kur u përkulët, Zot se sa hijshëm,
    Syt' edhe flokët përposh të unjur,
    S'shkoni në mend si më mahnitët,
    Porsi fëmijën më bëtë të lumtur.
    Kur t'jua them fatkeqësinë,
    Pikëllimin tim të xhelozuar,
    Kur ju në ditë shiu t'përhimë
    Shëtisni jashtë krejt e vetmuar?
    ...
    Alina! Më jepni pak ngushëllim!
    S'shpresoj t'më doni ndonjëherë.
    Për ju s'kam ndoshta asnjë vlerë.
    I pranoj mëkatet, ëngjëlli im.
    Bëni se më doni! Të vërtetën,
    S'ka zor ta mposhtë syri juaj.
    Ah, është e lehtë t'më gënjesh mua!
    Unë shpesh me qejf gënjej vetveten.

    Aleksander Pushkin

    Shënim: Poezia e mësipërme dhe dy poezitë e tjera të Pushkinit, të cilat i kam hedhur këtu janë marrë nga gjermanishtja ("Puschkin - die Gedichte". Përkthimi nga rusishtja në gjermanisht është i Michael Engelhard)
     
  20. Diabolis Dassaretis

    Diabolis Dassaretis Forumium praecox

    Re: Përkthime

    Uilliam Uordsuorth

    Ajo ishte një hije gëzimi

    Ajo ishte një hije gëzimi
    kur feksjen e saj ma kapi vështrimi;
    një shëmbëlltyrë e dashur, nisur
    çastin për të stolisur;
    sytë e saj si yjet e muzgut të kthjellët;
    si muzgu, gjithashtu, flokët e saj të errët;
    por dhe gjithçka tjetër përreth pikturës
    prej ditësh maji dhe agimi gëzimprurës;
    një trajtë vallëzuese, një pamje e galduar,
    që të fanitet, të tremb duke të sulmuar.

    E pashë më nga pranë, por dhe kështu,
    një shpirt ishte, një grua gjithashtu!
    Lëvizje familjare të lehta dhe të lirshme,
    dhe hapat me liri virgjëreshe;
    një pikëpjekje ku bënin takime
    kujtime të ëmbla, po aq të ëmbla premtime;
    një krijesë jo aq e shkëlqyer dhe e përkorë
    për bukën e përditshme të natyrës njerëzore;
    trishtime kalimtare, të thjeshta rrengje,
    lavdi, fajësim, dashuri, puthje, lotë dhe qeshje.

    Tani e shoh me sy të qetë
    pulsin makinës ku i rreh;
    një krijese që merr frymë thellë,
    udhëtare mes jetës dhe vdekjes sjellë;
    me arsye të fortë, dëshirë dhe maturi,
    durim, largpamje, forcë dhe aftësi;
    një grua e përkorë, fisnikërisht hartuar,
    për të këshilluar, rehatuar dhe drejtuar;
    dhe prapë një shpirt dhe shkëlqimtare
    me njëfarë drite ëngjëllore.
     

Shpërndajeni këtë faqe