Provokacionet ne gusht 1949

Diskutime tek 'Tema e ditës (vendet shqipfolëse)' filluar nga qero, 24 Sep 2006.

  1. qero

    qero Fillestar

    Provokacionet ne gusht 1949

    Para disa ditësh në shtypin e përditshëm lexova artikullin e Z. Nuri Dragoj për provokacionet e gushtit të vitit `49-të, të bëra nga ushtria greke ndaj territorit shqiptar. Si historian, si njohës i shumë personaliteteve të asaj kohe dhe si dëshmitar okular, nuk mund të hesht ndaj shtrembërimeve të fakteve dhe mosnjohjes së duhur të realitetit historik.

    Dihet se pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe Greqi u vendosën sisteme shoqëroro-politike diametralisht të kundërta .

    Në Shqipëri pushtetin e morën forcat komuniste, kurse Greqia në sajë të ndërhyrjes anglo amerikane, shpëtoi nga kthetrat e komunizimit. Duhet theksuar se forcat e armatosura të Partisë Komuniste greke, të quajtur EAM, vazhduan luftën e armatosur dhe arritën të pushtojnë gjithë Greqinë kontinentale, deri në periferi të Athinës, ku u krye edhe një atentat në dhjetor të vitit 1944 ndaj kryeministrit të Britanisë së Madhe, Wiston Churchil. Në vitin 1946-të u firmos paqja e Varqizës për të bërë zgjedhje të lira dhe demokratike. Në vitin 1947-të komunistët grekë të nxitur nga Moska, filluan përsëri luftën e armatosur për të marrë pushtetin.

    Ndihma materiale dhe armatime ushtarake për EAM –istët vinin dhe nga blloku komunist dhe hynin ilegalisht në territorin grek nëpërmjet kufirit bullgaro-jugosllav. Pas rezolucionit të Bukureshtit në qershor të `48-ës, Jugosllavia titiste u përjashtua nga blloku komunist dhe u cilësua si “Kali i Trojës” në lëvizjen komuniste.Qysh në verën e vitit 1948-të shteti jugosllav ndaloi çdo ndihmë për eamistët grekë dhe mbylli kufirin me Greqinë. Në të njëjtën kohë, ushtria qeveritare greke mundi të vendosë kontrollin gjatë kufirit greko- bullgar. I vetmi vend që mund të ndihmonte nga ana tokësore forcat komuniste greke mbetej Shqipëria.

    Qeveria e Enver Hoxhës u tregua e gatshme për të zbatuar urdhrat e Moskës, që territori shqiptar të kthehej në një trampolinë për të furnizuar komunistët grekë me çarëdolloj materialesh në funksion të marrjes së pushtetit. Çdo muaj në portin e Durrësit mbërrinte nga Kostanca e Rumanisë një anije sovjetike e ngarkuar me armatime ushtarake dhe materiale të ndryshme për të furnizuar EAM-istët grekë. Anija shkarkohej natën nga një repart ushtarak special dhe ngarkohej në 50 kamione “tatra” duke u nisur menjëherë për në zonën e Bozhigradit dhe Trestenikut të Korçës. Ky material merrej në dorëzim në kufirin shqiptaro-grek nga përfaqësuesit e EAM-it dhe nëpërmjet tuneleve që kishin hyrjen në tokën shqiptare, transportohej në brendësi të tokës greke.

    Në verën e viti 1949-të ushtria greke, e ndihmuar dhe nga forcat ajrore anglo-amerikane, filloi një operacion masiv për t`i shpartalluar përfundimisht forcat komuniste greke, të përqendruara kryesisht në malin e Gramozit, në Vici dhe Kajmalcallan. Operacionin e udhëhiqte kryekomandanti i ushtrisë greke, Aleksandër Papagos, kurse forcat ajrore anglo- amerikane, Van Flit.

    Qeveria komuniste shqiptare në bashkëpunim me EAM-istët kishte hapur themele dhe ndërtuar depo për të furnizuar komunistët grekë në sektorin e Bozhigradit dhe Trestenikut e të Gramozit. Gjithë armatimet dhe materialet që vinin nga kampi komunist futeshin në brendësinë e tokës greke nëpërmjet tuneleve.

    Sigurisht që organet e zbulimit grek kishin të dhëna të hollësishme për vendin ku ndodheshin dhe funksionet që kryenin bazat e vendosura në territorin shqiptar. Komanda e operacionit grek i kërkoi shtetit shqiptar mbylljen e menjëhershme të themeleve dhe ndërprerjen e çdo ndihme për EAM-istët, përndryshe do të ballafaqohej me goditjet e ushtrisë greke.

    I ndodhur përpara një situate të tillë, që mund të sillte rreziqe të paparashikuara, dikatori Hoxha kërkoi ndihmë nga Moska për të përballuar një agresion grek. Qeveria sovjetike, që i dinte mirë planet e ushtrisë greke, e qetësoi diktatorin se provokacionet e ushtrisë greke nuk kishin si synim rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës, prandaj ato duhet të përballoheshin nga ushtria shqiptare. Këtë gjë e pohuan dhe pa asnjë ekuivok edhe këshilltarët sovjetikë pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare.

    “Ne do t’ju ndihmojmë , por jo ushtarakisht”. Ky deklarim solli një pështjellim në radhët e anëtarëve të Shtabit, ku gjenerali Hamit Keçi deklaroi haptazi se ushtria shqiptare nuk ishte në gjendje të ndalonte sulmin grek as edhe një ditë e jo 10 ditë siç kishte deklaruar Enver Hoxha.

    Hamit Keçi u arrestua po atë ditë dhe u dënua si armik i popullit për shprehjet e tij disfatiste.

    Repartet e ushtrisë greke sulmuan më 2 gusht dhe hynë në sektorin e Bozhigradit pas një rezistence të dobët të ushtrisë shqiptare.

    Në ditët në vijim, në zonën e Korçës u dislokuan mbi 6 mijë efektiva të ushtrisë shqiptare për të ndaluar një ofensivë greke në brendësinë e territorit shqiptar. Grekët, pasi shkatërruan tunelet dhe pikat e furnizimit për forcat komuniste greke, u tërhoqen nga sektori i Bozhigradit në brendësinë e territorit të tyre.

    Më 12 gusht forcat greke hynë përsëri në territorin shqiptar në zonën e Bilishtit për të shkatërruar qendrat e furnizmit të EAM-it, që ndodheshin në afërsi të fshatit Trestenik.

    Në lidhje me luftimet që u zhvilluan në dy javët e para të muajit gusht të vitit `49-të në zonën e Korçës midis ushtrisë shqiptare dhe asaj greke, gjeneral Hulmsi Spahiu, ish-komandant i Artilerisë shqiptare më ka treguar: “Ushtria shqiptare në zonën e Korçës komandohej nga oficerë gjysmë analfabetë. Ajo ishte e pajisur si mos më keq si në armatim, ashtu dhe në veshmbathje e ushqime. Ushtrisë i mungonte krejtësisht eksperienca e luftës frontale. Që në fillim të provokacioneve greke, reparte të vogla dhe sidomos efektivat e pikave kufitare mbetën të izoluara pa bukë dhe municione. Kjo i detyroi disa dhjetëra ushtarë të dezertonin dhe të kërkonin strehim politik në shtetin grek.

    Por, gabimi më i madh u bë nga artileria jonë e vendosur në fshatin Pojan të Korçës. Ajo për disa minuta bombardoi ushtrinë shqiptare në fushën e Devollit duke shkaktuar mbi 50 të vrarë dhe shumë të plagosur...

    Kur provokacionet e ushtrisë greke përfunduan, pasi ishin plotësuar objektivat e saj (shkatërrimi i bazave të furnizimit të EAM-it) Enver Hoxha, i veshur me uniformë madhore të gjeneral-kolonelit, i shoqëruar me një shpurë ministrash dhe oficerësh, vizitoi spitalin ushtarak të Tiranës për të dekoruar ushtarët e plagosur në provokacionet greke....

    Enver Hoxha mbajti një fjalim të shkurtër duke u mburrur për “fitoren e shkëlqyer ” të ushtrisë shqiptare kundër monarko –fashistëve grekë.

    Si gjithmonë, disfatat Enver Hoxha i paraqiste si fitore dhe populli i mjerë i duartrokiste.

    Është për të ardhur keq dhe është e pafalshme që disa studiues dhe historianë të sotëm për ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur gjatë kohës së diktaturës komunistes i referohen arkivave të Partisë së Punës dhe historiografisë krejtësisht të politizuar të asaj kohe, duke i parë fenomentet historike me syzet e Enver Hoxhës.

    Nuk ka absurditet më të madh që edhe pas 16 vjetësh pluralizëm, mitet dhe legjendat e sajuara nga propaganda komuniste t`i serviren opinionit publik si të vërteta historike. Shqiptarët janë ushqyer me gënjeshtra dhe demagogji për gjysmë shekulli dhe sot, kanë nevojë që të mësojnë të vërtetën e mohuar për 45 vjet.
  2. juxhoxhjaj

    juxhoxhjaj Fillestar

    Re: Provokacionet ne gusht 1949

    Eshte shume e vertete kjo qe thua granina madje edhe ne librat shkollore akoma faktet jane te njejta si ne kohen e diktatures por me ato qe ke shkruar lart duket sikur greket ne 49 donin thjeshte te shkatronin EAM dhe jo te pushtonin jugun kam pershtypjen se qellimi ishte vetem pushtimi.

Shpërndajeni këtë faqe