Shkaba E Fundit: Si Po Zhduken Llojet E Zogjve Në Vendin Tonë

Diskutime tek 'Tema e ditës (vendet shqipfolëse)' filluar nga Agjenti_007, 13 Oct 2015.

  1. Agjenti_007

    Agjenti_007 Kujdes.Ceta.Plak.E.Mallakastres Anëtar i Shtabit



    Dikur Shqipëria Ka Patur Katër Lloje Shkabash; Shkabën, Shkabën E Zezë, Shkabën Mjekroshe Dhe Kalin E Qyqes. Për Tre Prej Këtyre Llojeve Mund Të Themi Se Janë Zhdukur Thuajse Tërësisht. Ka Mbetur Vetëm Një.

    Shpesh në Shqipëri shkabat ngatërrohen me shqiponjat, por në fakt këto janë dy lloje të ndryshme shpendësh. Shqiponjat janë grabiqare, ndërsa shkabat ushqehen vetëm me kërma. Vetëm në kushte ekstreme urie ato mund të konsumojnë insekte, hardhuca apo breshka. Sado të duket si diçka e frikshme, ne fakt shkencërisht shkabat konsiderohen si sanitare të mjedisit, pasi e pastrojnë atë nga mbetje të tilla. Është e çuditshme, por shkabat jo vetëm nuk sëmuren, por as nuk përçojnë sëmundje, sado konsumojnë kërma të ndryshme.

    Ekspertët theksojnë se në vendet ku jetojnë shkabat, cilësia e mjedisit në tërësi është shumë e mirë, ndërsa në ato pjesë ku është zhdukur, do të thotë se cilësia e tij është përkeqësuar.

    Dikur në qiejt shqiptarë ishte e zakonshme të shikoje shkaba duke qenë se ato ishin të përhapura në të gjithe territorin, ndryshe nga sot kur numri ka rënë ndjeshëm, ose më mirë kur tre specie nga ekspertët konsiderohen të humbura. I fundit i njërit lloj të shkabave është gjetur në Veri të vendit...i ngordhur.

    Sot nga katër specie ka mbetur vetëm Kali i Qyqes, edhe ai sipas shifrave të monitorimeve më të fundit ka vetëm 6 çifte. Kjo situatë alarmante lidhet pashmangshmërisht edhe me përkeqësimin e situatës mjedisore në këto 25 vite .

    Pikërisht se është një specie në rrezik, udhëtimin tonë në kërkim të Kalit të Qyqes, shkabës së fundit nuk do ta pasqyrojmë me saktësime gjeografike, si një mënyrë për t‘i ruajtur nga abuzuesit, që edhe në rastin e shpendëve të tillë kanë qenë të shumtë. Me ne do të jetë Mirjani, një ambientalist i ri që prej vitesh merret me studimin e shkabave.

    "Në disa raste duhet të shpenzojmë orë të tëra që të mund ta shohim, në disa raste, ne të njëjtin territor sapo mbërrijmë në territor, 5 apo 10 minutat e para shfaqet“, thotë Mirjani.

    Ndalesa e parë është në një zonë të thellë që prihet nga ujrat e një lumi. Shkabat i parapëlqejnë zona të tilla malore. Foletë i ngrenë në zgavra të mbrojtura mirë e në lartësi të konsiderueshme. Na duhet të kontrollojmë kudo, edhe pse gjithçka duket më shume se e vështirë.

    Pas disa orësh nuk kemi mundur të prekim asgjë konkrete. Jo shumë kohë më parë në këtë vend jetonte, sipas monitorimeve një çift i Kalit të Qyqes, por sot asnjë prej tyre nuk duket. Mos vallë edhe ata janë larguar, apo siç ndodh rëndom në Shqipëri janë vrarë pavarësisht moratoriumit nga gjuetarë abuzive? Deri tani asgjë, përveç disa llojeve të tjera të shpendëve jo aq të rralla sa ai që kërkojmë.

    "Deri tani kemi parë disa lloje të tjerë shpendësh të cilët janë po ashtu të rrallë ndonëse jo aq të rrallë sa Kali i Qyqes, i cili mbart statusin e llojit të kërcënuar në mënyrë kritike për zhdukje. Deri tani kemi parë Shqiponjën Gjarpërngrënëse, kemi parë Skifterin Kthetraverdhë, kemi parë disa çifte hutash gjithashtu“, thotë Mirjan Topi.

    Na duhet të lëvizim sërish, kjo për të provuar fatin në një tjetër zonë, sigurisht edhe ajo e thyer.

    Në këtë tjetër pikë, gjurmët janë të qarta. Tutje, për së largëti është një fole që sigurisht mund të dallohet vetëm nga ata që janë marrë me këtë shpend. Por veç saj, sërish asgjë. Në horizont një grup hutash ikin e vijnë, por Kali i Qyqes s‘është askund.

    Diçka më sipër një Skifter Kthetrazi ushqehet majë një peme. Në fakt për skifterët kjo është një periudhë shtegtimi, e cila i bën lehtësisht të dallueshëm edhe në zonat urbane. Sërish na duhet të lëvizim. Për të dytën herë s‘kemi mundur të gjejmë shpendin tonë.

    "Kali i Qyqes është një shpend shumë i zgjuar, në shumicën e rasteve e vëren praninë e njerëzve të huaj që nuk janë të zakonshëm në territor dhe e shmang praninë. Pra Kali i Qyqes mund të na ketë parë dhe mund të jetë larguar“, sqaron Mirjani.

    Këtë herë na duhet të udhëtojmë në këmbë me shpresën se do të mund, më në fund, të gjejmë atë që kërkojmë. Në zona të tilla të thella banorët e njohin Kalin e Qyqes, ndoshta sepse ai për ta ka një simbol të veçantë.

    "S’diskutohet, Kalin e Qyqes ta thashe dhe më parë që e kemi patur kështu që kur vjen pranvera , themi që na kapi behari sa vijnë zogjtë e parë“, thotë një banor i zonës.

    Kërkimet tona përkojnë me javët e fundit të qëndrimit të Kalit të Qyqes në Shqipëri, ai me pas fluturon mijëra kilometra larg, në zona më të ngrohta.

    "Popullata e Kalit të Qyqes në Ballkan është vërtetuar që dimëron në Çad, Etiopi dhe Xhibuti“, thotë Mirjani.

    A mundet që të gjitha udhëtimet tona të mos të na ofrojnë asgjë? Rreziku duket shumë i afërt. Megjithatë, siç thotë edhe Mirjani, kemi edhe një mundësi të fundit, në një tjetër zonë.

    „Sado lart, për shkak të formës së tij të veçantë të krahëve, krahë të gjerë, bishti është i shkurtër dhe në formë pyke, por edhe diferencat me ngjyra mund të dallohen pasi Kali i Qyqes në fluturim duket një shpend bardh e zi. Mund të ngjasojë me lejlekun, lejlekun e bardhë, por lejleku ka tipare të tjera si qafa e gjatë, këmbët e gjata të cilat e bëjnë të dallueshëm nga Kali i Qyqes. Pra, përgjithësisht është i pangatërrueshëm kur shikohet në terren“, shpjegon Mirjani.

    Kali i Qyqes llogaritet si një ndër shpendet më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra.

    Më në fund pas disa orësh pritje, tutje shumë larg në horizont, dallohet Kali i Qyqes. Për kamerën është shumë e vështirë të tregojë apo të sjellë nga afër shpendin, megjithatë, përmes teleskopit ai është lehtësisht i dallueshëm. E pak më tej edhe foleja. Edhe aty duket një zog. Këtë herë kemi fat, edhe pse largësia bën të sajën.

    “Ky është një nga ato momentet e lumtura për mua, kur në qiell shoh siluetën e Kalit të Qyqes, pasi sa herë vijmë në terren për të monitoruar territoret , kemi ankthin nëse Kali i Qyqes është kthyer këtë vit apo territori është braktisur”, thotë i emocionuar Mirjani.

    Për Ata Që Nuk E Kuptojnë Çfarë Do Të Thotë Zhdukja E Shkabave, Mjafton Të Rikujtosh Edhe Njëherë Se Ata Janë Pastruesit Apo Ruajtesit më të mirë të cilësisë së mjedisit. Një mjedis që Shqipëria në këto 25 vite e ka kthyer në një tokë të djegur, duke zhdukur nga territori jo thjesht shpendët që konsumohen restoranteve nëpër menu apo varur mureve, por edhe këto specie të tjera shumë të rëndësishme...fundja në Shqipëri ka funksionuar gjithmonë një teori e çuditshme se gjithçka që fluturon edhe hahet.
     
    Dreamer and Al-Punk like this.
  2. Al-Punk

    Al-Punk Still here

    shume artikull interesant!
     

Shpërndajeni këtë faqe