Thërrime të një filozofie të nënkuptuar

Diskutime tek 'Hapësira filozofike' filluar nga atman, 7 Nov 2007.

  1. atman

    atman Forumium maestatis

    Thërrime të një filozofie të nënkuptuar

    Tej dëshirës për të thjeshtëzuar...
    Çfarë fshihet?
    Jemi mësuar që të kërkojmë në gjithçka atë që përbën njësinë, (e keqkuptuar është të kërkosh qimen në qull) ose ndoshta i shmangemi ngaqë na tremb një e papritur mbresëlënëse. Të thuash: S’ka rëndësi shija, është një pohim gjithaq i ndërlikuar. Një gjë e samtë - pa shije - e lodh vëmendjen shumë më tepër. Meqënëse të jesh i vetdijshëm do të thotë të jesh në përherësi i vetdijshëm për diçka dhe për sedo’- (çdo gjë), një amështi (pa shije) qëndron shumë më afër asgjëse ose ngaqë ne pothuaj gjithmonë e refuzojmë ose ngaqë është pjellë e saj, në të dy mundësitë, vetë vulgarizimi është ajo çfarë kërkojmë (si përputhje instiktive me natyrën vetiake) duke përbërë njëherësh edhe dëshirën e cila fshihet tek fjala “përtej”, sepse e lidhur me përcjelljen, të sajuarit e një diku-je përligj sedijen (mosdijeni); përfundojmë kështu të gjithë nxënës që kopjojmë, në këtë rast gjestin e Pont Pilatit.
    Dhe kjo është shmangie.

    Në fakt, nuk e kapërcejmë dëshirën, (kemi mbetur në vend numëro. Urdhër aq i dëshiruar edhe nga mësuesi i fizkulturës në shkollë, ndërkohë që për një shtypës rrushi ose ullinjsh, është rëndomësi, rëndomësi është edhe për ushtarin, me një kusht që të mos e dëshirojë, përndryshe rrezikon të humbasë natyra e rëndomësisë, sepse i heq mundësinë të rikrijohet në qerthullin e një vetiu. Rregulli duke qënë rëndomësi e detyruar, e kryen funksionin vetëm duke qënë i padëshiruar. Rregulli është mendim i ngurtësuar. Çdo i tillë është pasojë e një dëshire të vdekur, të realizuar, pra shumësi mendimesh të vdekura përbëjnë një varrezë e cila na kujton diçka të padëshiruar – vdekjen dhe vdekja funksionon pikërisht nga kjo gjë. Në këtë mënyrë zbuluam një diku (vdekjen) dhe nisur nga kjo diku mbrrijmë tek dëshira (jeta). Nuk i largohemi asnjë hap edhe pse themi: “Tej”... e dikton ajo... ndërsa kur shtojmë: ... “për të thjeshtuar”, nxjerrim në pah një përvojë të jetuar në veçanti që duhet ripërsëritur dhe kjo nënkupton të vërtetën të fshehur te rasti i jetuar...nuk përbën një destinacion, pikëmbrritje, kemi vetëm lentuar një “përkundrazi” që shfaqet si një hapësirë bosh, topitëse si çdo piksynim.

    Synimi...
    ...do të intuitohej (të dish pa njohur, do të thotë të jesh gjeni) nga një murg françeskan në shekullin e XIV. I trajtuar nga filozofia si një term i lidhur ngushtë, jo në miqësi por vëllazëri gjaku, me psikologjinë. Dhe i shndëruar në litar që do ta tërhiqnin logjistët dhe psikologjistët. Kështu (ri)lindi ai problem të cilit edhe Aristoteli nuk mundi t’i gjejë një përgjigje përfundimtare; i quajti kategori dhe shpëlau duart sepse kategoritë përkufizojnë por nuk përkufizohen, për to s’mund të aplikohet (zbatohet) një predikat i mëtejshëm, ( si pjesë gjykimi që pasqyron çfarë pohohet dhe mohohet) pra lindi ai problem që në mesjetë do të quhej i të gjithësishmeve e që krijoi dy llogore kundërshtarësh, nominalistët dhe realistët. Pikërisht synimi do të përbënte themelin e fenomenalizmit, filozofisë së shekullit të njëzetë. Kur mbrrijmë aty ku qëllimi e çon mendimin, (në mes të një varreze, kuptojmë për jetën më shumë) pyetja: A nuk është kjo çfarë kërkojmë? nuk kënaq.
    ... “Na duhet të dimë si formohet nocioni i numrit tre dhe nocioni i detit të Veriut” - thonë psikologjistët, “Jo, - kundërshtojnë logjistët, - na duhet të dimë ç’është numri tre dhe ç’është deti i Veriut” , kjo ndarje zbulon diçka që rri sipër të dy mendimeve, atmosferën e pakënaqësisë që mbush qiellin si retë e zeza. Shkarkimet tregojnë se nuk është çfarë është, ndaj duhet shkuar më tej... më tej si një zgjim pafund dëshirash. Ja qëllimi. Ai që zbulon natyrën e vërtetë. Jeta psiqike dhe thelbi – esenca – noema, bashkohen dhe shkrihen në brendësi të “Qëllimit” të vetëdijshëm, por lenë edhe atë ndiesi boshllëku shpjegimesh të munguara që i trashëgon edhe filozofia e Husserlit, i cili lindi psikologjist dhe vdiq logjist, dhe e gjithë fenomenologjisë që përshkoi shekullin e njëzetë dhe po çapitet edhe në këto vite. “Qëllimi - Piksynimi” – janë binarët që përcjellin mendimin drejt diçkaje tjetër. Sikur Husserl t’i kishte kërkuar te dëshira do të ndjente një frymëmarrje tjetër, hapësirën hutuese të lartpërmendur dhe jo ngurtësimin që shkakton një mendim ose shumësi mendimesh, qofshin të përcaktuara ose jo, me të cilat merret ftohtësia e logjikës.
    I theksuar,
    ...na sjell njëfarë kënaqësie, shpesh, primitive. Primitiviteti i trajtuar si burimor, ndoshta është i pranueshëm. Psh, më kujtohet dikush që nuk e linte gruan të lahej para marrdhënieve intime, sepse, thoshte, nuk eksitohem nëse nuk i bie erë...Tashmë, për ta shpëtuar mjeranin nga paragjykimi (duke e quajtur mjeran, është paragjykim vetiu), e mendoj si diçka që ka lidhje me një kohë kur njerzit nuk laheshin dhe nuhatja shërbente për të veçuar partnerin. Them primitive, sepse në këtë çast imagjinoj njerzit parakë dhe këmbët e tyre, nuk them të xhveshura sepse diçka e tillë kërkon më parë që të ekzistojë e veshura, them thjesht...thjesht...ndoshta fshihet e vërteta... këmbët e tyre. Psh kur ecim në rërën e plazhit, kur futemi në ujë aq sa ai të përbëjë një shtresë të hollë lëpirëse që ngacmon nëntënësinë duke hequr kokrizat e rërës. Kështu ndodh të zbulojmë kotësinë e mureve të mëdhenj - të lartë dhe të heqjes së gurit të themelit për t’i rrëzuar ato, ese e përdorur nga Dritëro Agolli, them kotësi sepse një ide e tillë, që të lindë, detyron ngritjen e një muri e më pas shembjen e tij, ndërsa për ne mbetet e paqartë se çfarë ndodh kur rrimë këmbëzbathur në rërë edhe pse gudulisja që provojmë është një tjetërgjë më e thjeshtë madje. Rrëshqitja dhe rënia duke u manifestuar krijojnë përvojën e zakonëshme që shndërohet në koncept. Ndodh vetëm në kushtet e zbathëtirës, ndërkohë që termi lakuriqësi është i pavend sepse ndryshe do të përdorej edhe për duart e fytyrën, e ndoshta duhet të përdoret. Por ndërtimi i një mendimi ku imperativi qëndron mbi një bazë mundësie: “duhet të përdoret” e varur nga një “ndoshta” është shenjë e qartë se diçka nuk përkon as me thjeshtësinë, as me sinqeritetin, si përbërës. Në fakt imagjinoj një njeri që del shëtitje për ta shijuar atë dhe dy tre xhepistë që i varen astarëve. Çfarë na pengon? Është një nga pyetjet të cilat duhet t’i ndryshosh për të shmangur përgjigjen, por atëhere ç’kuptim ka të gjurmosh dëshirën që kërkon të thjeshtohet? Duart janë gjithmonë në pritmëni për të bërë diçka, ndërsa këmbët, për to nuk mendojmë kurrë, përveçse kur ndjehemi të lodhur. Duarve shpesh edhe u trembemi (kur janë të tjetrit, të mëdha si një panxhë ariu e veçanërisht kur tentojnë të mbyllen grusht). Dëshirojmë që tjetri të flasë pa dorashka sepse edhe gjuha pëlqen të struket në qiellzë e thyejë eshtra pa pasur eshtra, e të përdorë dhëmbët duke qëndruar pas dhëmbëve, e jo vetëm kaq por ka edhe aftësi për të shprehur mendimin duke ruajtur njëherësh edhe njëfarë pavarësie prej tij. Ndaj edhe Husserl do të mbrrinte në konkluzionin se kuptimi nuk është shprehësi, e megjithatë shfaqet te të shprehurit. Ia japim njëri tjetrit dorën pasi kemi hequr dorashkën, gjest që duhet të na ndihmojë të zbulojmë qëllimin e tjetrit, sepse qëllimi, duke perifrazuar Teofrastin tek “Karakteret” 5-fq9, ...“emërohet arbitër, dëshiron të pëlqehet jo vetëm nga përfaqësuesit por edhe nga kundërshtarët, për të fituar famën e një të paanëshmi”...në të kundërt, nuk ndiejmë më atë kënaqësi...
    ...atë kënaqësi...
    ...është imazh i gabuar, një kurth në të cilin biem shpesh sepse edhe konceptet janë një “atë” si diçka e përkryer dhe e papërsëritëshme, fatalitet i pranuar ngaqë e xhveshim veten nga mundësia për të pasur njëlloj tjetër kënaqësie dhe jo atë, çdo lloj kënaqësie, përveç...
    ... asaj.
     

Shpërndajeni këtë faqe