TUNELI I MAJKOS PAS ZGAFELLËS SË MEKSIT

Diskutime tek 'Politika Shqiptare (ne te gjitha trojet shqiptare)' filluar nga kastriot, 14 Jul 2003.

  1. kastriot

    kastriot Fillestar

    TUNELI I MAJKOS PAS ZGAFELLËS SË MEKSIT

    Dy nga ish-kryeministrat e Shqipërisë, Aleksandër Meksi dhe Pandeli Majko, përveç bëmave e stërbëmave të tyre të shumta “kryeministrore” dhe mimikave të veçanta aktoriale do të mbahen mend edhe për dy “projekte” gjigandomanie në ndërtimin e tuneleve.

    Gjatë një vizite që bëri para pak kohësh në Itali me cilësinë e ministrit të mbrojtjes ( jo thjesht të shefit të xhenjos të ushtrisë) të Shqipërisë zotëri Pandeli Majko më shumë se për trajtimin e problemeve ushtarake me homologun italian u vu në qendër të vemendjes së mjeteve të propagandës për një propozim shumë origjinal : ndërtimin e një tuneli nënujor paralel me “rrugën e skafeve” nga Vlora në Itali. Ky propozim duhet ta ketë zënë gafil ministrin italian të punëve të armatosura përsderisa ai fillimisht reagoi me sarkazëm duke e quajtur interesant propozimin e Majkos, por duke vënë një kusht të vogël : që paratë për këtë punë t’i gjente Majko.

    Por edhe ministri italian e mblodhi shpejt veten pas tronditjes nga propozimi fantastik dhe sqaroi me seriozitet kolegun nga Shqipëria se ka 50 vite që në Siçili flitet për ndërtimin e një ure për të lidhur qytetin e Mesinës me majën e çizmes italiane dhe ura nuk është gjëkundi. Me këtë kolegu italian po i thoshte Majkos t’i thërriste pakëz mendjes e të kuptonte se kur Italia nuk ka mundur të gjejë paratë për të bërë këtë urë Majko e Shqipëria do ta kenë shumë më të vështirë të gjenin në tregun financiar paratë që të bënin tunelin gjigand nën det Vlorë-Itali.

    Megjithatë, as humori as paralajmërimi serioz i ministrit italian nuk e ulën dalldinë tunelëzuese të Majkos. Me t’u kthyer në Shqipëri Pandeliu filloi ta shtjellonte më tej nëpër gazeta fantazinë e tij për ndërtimin e “La Manshit të Adriatikut”. Majkon e ka zënë keq zilia që anglezët e francezët e ndërtuan tunelin nëpër ngushticën e La Manshit dhe i është mbushur mendja se kjo gjë duhet të bëhet po aq lehtë edhe në Otranto. Majko ka të drejtën e tij të hiqet si një Zhyl Vern shqiptar dhe të kundërpërgjigjet se edhe për shumë nga fantazitë e Zhyl Vernit njerëzit kanë qenë skeptikë, por ato u bënë realitet. Nuk e kundërshtojmë aspak Majkon se projekti i tij teknikisht mund të jetë i realizueshëm dhe se për shqiptarët do të ishte një mrekulli ( po të jepeshin me lehtësi vizat italiane se nëpër tunel nuk kalon dot aq lehtë sa me gomone nëpër sipërfaqen e ujit pa vizë). Por më mirë do të ishte që Majko të përqëndrojë kujdesin në përmbushjen e propozimit e të premtimit të tij për rrugën Durrës-Prishtinë. Lavdërimet që ka marrë për këtë propozim ( që ende nuk dihet si do t’i vejë filli, sepse Nano po shpall si prioritare ndërtimin e rrugëve që të çojnë drejt Greqisë jo drejt Kosovës) nuk duhet t’ia marrin aq shumë mendjen Majkos sa që edhe kur bën vizita si ministër mbrojtjeje i çudit mikpritësit me projekte ndërtimi tunelesh gjigande nën det.

    Jo vetëm kaq por gjen rast e bën humor edhe Sali Berisha. Pandeliu duhet ta ketë lexuar atë shkrimin “Berisha flet për tunelin e Pandeliut” botuar në gazetën “Dita” të datës 4 korrik 2003. Kjo gazetë ka shkruar : “”Në një replikë kështu pa lidhje, të tij, se ç’iu kujtua thënia e vjetër e ministrit dhe tha, pa e hequr buzëqeshjen e tij fotozhenike “Se i bëjmë pastaj si Pandeliu tunelet”. Sipas gazetës “Dita” kur pa se kjo “shaka” nuk tërhoqi vemendjen e sallës së parlamentit Berisha shtoi :”Për tunelin e Pandeliut e kisha”. Mirë është që Berisha t’i lërë humoret se nuk i shkojnë , sidomos të mos bëjë humor me Pandeli Majkon, të cilin një herë tjetër e ka akuzuar se paska 2 000 000 dollarë në bankat e Qipros dhe Pandeliu nuk ia ka marrë për të madhe përderisa nuk e ka paditur në gjyq për shpifje, siç kanë bërë Arta Dade e Ben Blushi.

    Por meqenëse Berishës i qenka shkrepur tani të bëjë edhe “humor tunelesh” para se t’i bjerë më qafë Pandeli Majkos të merret një herë me “tunelomaninë” e ish-kryeimistrit të tij Aleksandër Meksit. Ashtu si Majko tani edhe Aleksandri kur ishte kryeministër mërmëritës nën hijen e Berishës premtimin më të bujshëm e ka bërë për ndërtimin e një tuneli që do të lidhte Burrelin me Tiranën. Pra, nëse Pandeliu u premton tani në vitin 2003 shqiptarëve një “tunel të La Manshit”, Aleksandri nëntë vjet para tij u kishte premtuar një “tunel të Simplonit” shqiptar, një zgafellë gjigande nën male, jo nën ujë. Leka “ i madh” i Meksëve që e ka quajtur shpifje kur dikush shkroi se ka një antipati për veriorët gjatë një ndalese në Mat në vitin 1994 u tall se do të ndërtonte një tunel poshtë maleve të Qafë Shtamës që matjanët sa hap e mbyll sytë të gjendeshin në Tiranë. Për këtë “premtim gjigandoman” të Meksit është shkruar në rubrikën “Mozaik politik” të gazetës “E Djathta” më 15 korrik 1994 :



    “Meksi dhuruesi më bujar e më origjinal në botë



    Gjatë udhëtimit për në rrethet Bulqizë e Dibër, kryeministri i Shqipërisë zoti Aleksandër Meksi zbulon papritmas se kishte edhe një rreth e krahinë që quhej Mat dhe me qejf shpalli se qeveria do t’u dhuronte banorëve të saj një tunel në Qafë Shtamë. Kjo dhuratë në u bëftë do të jetë vërtetë një nga mrekullitë e botës. Vetëm nuk e marrim dot me mend tani sa i gjatë do të jetë ky tunel. E mira do të ishte të fillonte në nivelin e Burrelit dhe të dilte diku në nivelin e Fushë Krujës se atëherë do të shkurtohej me të vërtetë shumë distanca Burrel-Tiranë dhe matjanët do të përfitonin shumë kohë për të paraqitur ankesat tek kryeministri, presidenca etj. për prapambetjen e krahinës së tyre, për traverbangun e Klosit, për të cilin s’po flitet më, për gjendjen e mjeruar të minatorëve të minierave të Krastës dhe Batrës, për hekurudhën që ka mbetur si lëkurë gjarpri e copëtuar nëpër ferra dhe përrenj...Megjithatë matjanët le të gëzohen se askujt deri tani nuk i është premtuar tunel”.



    Tani edhe kjo kënaqësi që të jep “tuneli i premtuar” nuk ka mbetur më vetëm e matjanëve, por është bërë e gjithë shqiptarëve, sepse ish-kryeministri Majko ia kaloi ish-kryeministrit Meksi në”tunelomani”. Meksi nuk e mbajti fjalën, jo vetëm se nuk e përfundoi dot deri në largimin e tij tunelin që u kishte premtuar matjanëve, por se ua la edhe shtetin në pikë të hallit, aq sa në vitin 1997 u hodhën në erë edhe tunelet ushtarake ekzistuese në Qafë Shtamë, duke shkaktuar shumë viktima njerëzore. Ja sa ters u doli matjanëve propozimi i ish-kryeministrit Meksi se në Qafë Shtamë do t’u bënte tunel që të lidheshin më shpejt me Tiranën. Prandaj Sali Berisha kur kërkon të zbavitet në parlament duke bërë humor me “tunelin e Majkos” duhet të kujtohet edhe për “tunelin (zgafellën) e Meksi” dhe për gjithë zgafellat që lanë Berisha e Meksi në Qafë Shtamë e gjetiu në Shqipëri.

    Kurse Majko është më mirë të merret me atë riorganizimin pa mbarim të ushtrisë shqiptare deri sa të arrijmë të mos kemi më fare ushtri, në vend që të çudisë botën me propozime për tunele nën det. Majko më mirë të vrasë mendjen si të shpëtohen repartet ushtarake nga zjarret që u vënë fshatarët hamulloreve pas korrjes së grurit. Po përsëritet viti 1997. Ushtria shqiptare nuk është në gjendje të mbrojë repartet e saj. Ishin skandaloze pamjet që pamë në ekranin televiziv më 5 korik 2003 me kamionët e djegur të ushtrisë shqiptare nga zjarri i ardhur nga fusha. Folësi televiziv shpalli me tmerr se zjarri gati kishte përfshirë depot e municionit. Pamje të tilla ngjanin shumë me ato të betejave të LDB ose me shkatërrimet pas sulmeve të vietnamezëve kundër bazave amerikane dikur në Vietnam.

    Pak ditë para kësaj ndodhie me ushtrinë në shtyp u mburr shefi i zjarrfikësve të Fierit se kishte shpëtuar nga një “zjarr hamulloresh” uzinën e Azotikut ku po të digjeshn disa qindra tonë lëndë kimike do të bëhej katastrofë në qytet. Fatos Nano e Ilir Meta, bashkë me kryesinë e PS-së, në vend që të japin shfaqje të shëmtuara të grindavecllëkut politik, në vend që të bjënë përurime për të tretën herë të rrugëve e hoteleve në Vlorë, duhet të shkojnë e të ngulen mirë për të parë se ç’o ngjet në Fier ku “ zjarret që u vënë fshatarët hamulloreve” përvëlojnë repartet ushtarake, kërcënojnë uzinën më të madhe të plehrave kimike në Shqipëri dhe rrezikojnë një nga qytet më të mëdha të vendit. Përse vallë në Shqipëri është harruar nga organet e drejtësisë, politikanët e shërbimi sekret fjala “SABOTIM”?! Mos vallë repartet ushtarake duhet të digjen edhe më që të ketë rast Greqia të vijë t’i rindërtojë?! Mos është bërë gjëkundi ndonjë strategji që edhe uzinat që kanë mbetur në Shqipëri të shkatërrohen nga “zjarre aksidentale” ?! Ata që janë në pushtet duhet të japin përgjigje për pyetje të tilla. Majko me këto të merret më shumë se me tunelet imagjinare nën det. Opozitari Berisha me këto të merret më shumë në rrugë opozitare në parlament se me sulmet kundër njërit e tjetrit sipas pazareve që bën me Nanon. Tani pas djegies skandaloze të repartit ushtarak opozita e ka të përligjur të kërkojë dorëheqjen e ministrit të mbrojtjes, Pandeli Majko dhe sidomos të zëvendësit të tij grekofon Pavli Zëri që është dhe arkitekti kryesor i asaj marrëveshjes me grekët për Bishtin e Pallës.

    Nuk i takonte, pra, dhe nuk i kishte hije një ministri mbrojtjeje të shfrytëzonte një vizitë pune ë Itali të bënte propozime të tilla fantastike për tunele nën det, sidomos kur Shqipëria ka një kryeministër që nuk i mungon fantazia, i cili për më tepër e ka shumë mirë me kryeministrin italian, parelliun më të madh të Italisë, Berluskonin. Nëse Pandeli Majko është aq i zoti sa të gjejë një pjesë të fondeve për të ndërtuar një tunel midis Shqipërisë e Italisë ai më mirë t’i përdorë ato për të çuar deri në fund atë projektin e tij të parë, shumë më realist të ndërtimit të rrugës Durrës-Morinë, si dhe për të financuar ato gërmimet në Bishtin e Pallës që të mos na vijnë grekët aty. Apo edhe për tunelin nën Adriatik ka ndërmend të marrë kredi greke?!



    6.7.2003 Abdi Baleta
  2. romeo

    romeo Anëtar aktiv

    Re: TUNELI I MAJKOS PAS ZGAFELLËS SË MEKSIT

    tema mbyllet sepse ekziston nje teme tjeter me te njejtin argument

Share This Page