Borxhet, 31% e familjeve nuk mund t’i shlyejnë

Universal

AnonymouS

Sondazhi i BSH: Aftësia paguese, 58% e huamarrësve raportojnë rënie të të ardhurave

Sondazhi – Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë bazohet në një kampion përfaqësues prej 1210 familjesh të shpërndara në 16 rrethe

Punësimi – Numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura rezulton në rënie 5.5% krahasuar me një vit më parë.

Huamarrja – 30% është numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit.

Biznesi – Më shumë se gjysma e ndërmarrjeve (57%) pohojnë që kanë aktualisht një hua për të paguar dhe kjo peshë është rritur me 3%.

Zamir Alushi.

Bien të ardhurat si rezultat i uljes së numrit të të punësuarve dhe raportohen më shumë familje që kanë borxhe për të shlyer. Ky është një nga rezultatet e sondazhit të Bankës së Shqipërisë “Mbi situatën financiare dhe huamarrjen e familjeve” për 6-mujorin e dytë të vitit 2014. Sipas vrojtimit, numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura rezulton në rënie me 1.8% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 5.5% krahasuar me një vit më parë. Numri total i të punësuarve (sektori shtetëror, sektori privat dhe të vetëpunësuar) gjithashtu ka rezultuar në rënie, që ka ardhur nga të tre sektorët, por më e theksuar në sektorin privat. Niveli i të ardhurave në fund të vitit 2014 është në rënie krahasuar me gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që niveli i shpenzimeve vlerësohet në rritje, duke përkeqësuar balancën “të ardhura-shpenzime” të familjeve.

Huamarrja

Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës, ka rezultuar në 318 familje ose rreth 30% e atyre që i janë përgjigjur pyetjes. Kjo përbën rritje (me 7 familje) krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Rreth 74% e familjeve huamarrëse deklarojnë të ardhura mujore në nivelet “nën 17 mijë lekë” (25%) dhe “17-50 mijë lekë” (49%). Familjet kanë marrë kredi pranë bankave dhe borxhe informale tek të afërmit apo të njohurit. Dy qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten “konsumi” në 34% të rasteve dhe “blerje ose riparim prone” në 29% të rasteve. Kredia për shtëpi ka rënë si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, ndërkohë që huamarrja me qëllim “konsumin” ka rezultuar në rritje.

Aftësia paguese


Numri i përgjigjeve negative mbi aftësinë paguese të familjeve, ka rezultuar me një përkeqësim 31.4%. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 58% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 40% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Lidhur me pritjet mbi aftësinë paguese në 6 muajt e ardhshëm, rreth 84% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk presin asnjë ndryshim”, ndërsa balanca e atyre që presin ndryshime ka rezultuar -10%, që nënkupton pritshmëri në rënie për 6 muajt e ardhshëm. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë bazohet në një kampion përfaqësues prej 1210 familjesh të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur rreth 88% e familjeve të intervistuara.

Bizneset

I njëjti sondazh është kryer edhe për situatën e bizneseve. Vrojtimi bazohet në një kampion prej 721 ndërmarrjesh të shtrira në të gjithë vendin dhe që operojnë në sektorët kryesorë të ekonomisë. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014, më shumë se gjysma e ndërmarrjeve (57%) pohojnë që kanë aktualisht një hua për të paguar dhe kjo peshë është rritur me 3% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por ka mbetur më e ulët se një vit më parë.
Rreth 92% e ndërmarrjeve kanë marrë hua vetëm nga bankat, ndërsa pjesa tjetër ka kombinuar dhe burime të tjera alternative. Rreth 20% e ndërmarrjeve pohojnë se duhet ta shlyejnë huan brenda 12 muajve dhe kjo peshë ka ardhur duke u rritur gjatë gjithë vitit 2014. Rreth 93% e ndërmarrjeve shpenzojnë më pak se 50% të të ardhurave të tyre për shërbimin e huas, por ky raport ka shfaqur tendencë në rritje. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, shumica e ndërmarrjeve presin rënie të mëtejshme të pagesës së huas.

g.shqip
 
Top