Michael Jackson 60 ditë pa gjumë para vdekjes

Aquarius

Valoris scriptorum
Edhe nëse nuk do të ndërronte jetë prej overdozës së qetësuesve që merrte, Michael Jackson gjithsesi ishte “drejt fundit të tij”.

Kështu deklaroi Charles Czeisler, mjeku i ftuar të japë mendimin si specialist në gjyqin e ngritur nga familjarët e “Mbretit të Pop-it” që kërkojnë zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes së Michael.

Sipas dëshmisë së mjekut, Jackson kishte 60 ditë që nuk flinte tamam, ose thënë ndryshe, që nuk arrinte fazën REM të gjumit, fazë ku jo vetëm ëndërrohet, por edhe ku rigjenerohen në përgjithësi qelizat e organizmit njerëzor.

Sipas mjekut, 60 ditë është një rekord njerëzor. Ai thotë se praktikisht Jackson e kishte të pamundur zhvillimin e turit të koncerteve që kishte paralajmëruar. Czeisler shtoi se përdorimi i shpeshtë i qetësuesve kishte bërë që trupi i Michael të fitonte imunitet ndaj tyre.

Ai quajti të gabuar përdorimin e propofolit. “Me propofol këngëtari kalonte në gjendje kome që i krijonte përshtypjen që kishte fjetur, por në të vërtetë s’kishte fjetur fare”, tha mjeku.

Për ta shpjeguar më qartë, ai tha: “Është njësoj si të ushqesh stomakun me copa druri. Në të vërtetë ai është plot dhe nuk ke më uri, por kaloritë mungojnë dhe organizmi nuk ka asnjë përfitim nga kjo”.

Michael Jackson ndërroi jetë më 25 qershor të 2009-ës në rezidencën e tij. Për vdekjen e tij u akuzua për vrasje të pavullnetëshme mjeku i tij, Conrad Murray.
 
Top